E shtunë, Prill 18, 2026
Ballina Aktualitet Kryebashkiaku Flamur Golemi dhe 18 punonjës të infektuar me SIDA? Reagon për...

Kryebashkiaku Flamur Golemi dhe 18 punonjës të infektuar me SIDA? Reagon për herë të parë Bashkia Gjirokastër

0
739

Bashkia Gjirokastër ka thyer heshtjen dhe ka reaguar për herë të parë lidhur me lajmet që po qarkullojnë gjatë 24 orëve të fundit, ku është aluduar se kryebashkiaku Flamur Golemi si dhe 18 punonjës të institucionit që ai drejton janë infektuar me virusin HIV/AIDS.

Përmes një reagimi zyrtar, Bashkia e Gjirokastrës i ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar të pavërteta, të fabrikuara dhe pa asnjë bazë faktike. Sipas institucionit, përhapja e tyre synon të krijojë panik dhe pasiguri te qytetarët, si dhe të dëmtojë figurën e bashkisë dhe të drejtuesve të saj.

Reagimi i plotë i Bashkisë së Gjirokastër:

Bashkia Gjirokastër dënon me forcën më të madhe përhapjen në rrjetet sociale dhe në çdo formë tjetër publike të informatave dhe pretendimeve të rreme, të fabrikuara dhe alarmuese, të cilat kanë për qëllim të qartë krijimin e një gjendjeje pasigurie dhe paniku te qytetarët. Pretendimet e shpërndara së fundmi, sipas të cilave Kryetari i Bashkisë dhe 18 punonjës të këtij institucioni rezultojnë të infektuar me virusin HIV/AIDS, janë tërësisht të pavërteta, të sajuara dhe pa asnjë bazë faktike apo reale.

Bashkia Gjirokastër e konsideron këtë jo thjesht si një akt dezinformimi, por si një veprim të rëndë, të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm, i cili synon të dëmtojë figurën e institucionit, të cenojë dinjitetin dhe integritetin e punonjësve të administratës vendore, të godasë reputacionin e Kryetarit të Bashkisë dhe, mbi të gjitha, të përhapë panik dhe pasiguri te qytetarët. Përmbajtje të tilla nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën për informim, por përfaqësojnë një përpjekje dashakeqe për të helmuar klimën publike me të pavërteta dhe për të krijuar shqetësim të pajustifikuar në komunitet.

Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, përbën vepër penale, të parashikuar shprehimisht nga neni 267 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon dënim me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Në këtë rast, është e qartë se qëllimi i këtyre pretendimeve të rreme nuk është thjesht përhapja e një të pavërtete, por krijimi i panikut te qytetarët, cenuarja e qetësisë publike dhe nxitja e pasigurisë në opinionin publik. Pikërisht ky element i qëllimit e bën këtë sjellje të lidhet drejtpërdrejt me parashikimin e nenit 267 të Kodit Penal.

Për këtë arsye, Bashkia Gjirokastër u bën thirrje të drejtpërdrejtë Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të nisin pa vonesë verifikimet dhe hetimet përkatëse për identifikimin e autorëve, nxitësve, publikuesve dhe shpërndarësve të këtij informacioni të rremë dhe alarmues, si dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore çdo person të përfshirë në këtë veprim. Një sjellje e tillë nuk mund të trajtohet si një deklarim i zakonshëm në rrjetet sociale, por si një akt me pasoja të drejtpërdrejta për rendin publik, për besimin e qytetarëve dhe për funksionimin normal të jetës institucionale.

Bashkia Gjirokastër garanton qytetarët se nuk ekziston asnjë situatë e tillë, siç pretendohet në mënyrë dashakeqe në këto publikime. Çdo informacion i shpërndarë në këtë drejtim është plotësisht i rremë dhe i ndërtuar me qëllim dëmtimin e figurës së institucionit dhe krijimin e alarmit të pabazuar në publik. Qytetarët duhet të jenë të sigurt se Bashkia Gjirokastër vijon normalisht ushtrimin e funksioneve të saj dhe si gjithmon në shërbim të qytetarëve.

Njëkohësisht, Bashkia Gjirokastër bën me dije se do të ndjekë me vendosmëri të plotë të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit të institucionit, të figurës së Kryetarit të Bashkisë dhe të dinjitetit të çdo punonjësi të saj, duke kërkuar marrjen e masave ligjore ndaj autorëve të këtij materiali të rremë dhe alarmues.

Bashkia Gjirokastër u bën gjithashtu thirrje qytetarëve, mediave dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të tregojnë përgjegjësi, të verifikojnë burimet e informacionit dhe të mos bëhen pjesë e shpërndarjes së përmbajtjeve të pavërteta që synojnë të krijojnë panik. Ruajtja e qetësisë publike, e përgjegjshmërisë qytetare dhe e komunikimit të bazuar në të vërtetën është një detyrim i përbashkët i çdo qytetari dhe i çdo institucioni.

Zjarr Tv Ad