Partia Demokratike do të mbledhë sot pasdite Kryesinë e re, së bashku me Sekretariatin dhe grupin parlamentar.
Mbledhja zhvillohet një ditë pasi kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se Partia Demokratike do të marrë një vendim lidhur me zhvillimet e një dite më parë, pas masës së sigurisë ndaj shefes së SHISH, Vlora Hyseni.
Takimi pritet të fokusohet te qëndrimi politik i partisë dhe hapat që do të ndërmerren në vijim.
Kujtojmë se Vlora Hyseni, u vendos nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, një ditë më parë me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme dhe vendim të Gjykatës së Posaçme.
Masa e sigurisë u caktua në kuadër të procedimit penal të SPAK-ut, që lidhet me hetimet për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas SPAK-ut, Hyseni dyshohej për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Në momentin kur ishte caktuar masa e sigurisë, Hyseni ndodhej jashtë vendit dhe masa nuk u ekzekutua menjëherë. Më pas, ajo u vetëdorëzua në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës.






