Për herë të parë, SPAK lëshon urdhërarrest për ish-anëtarin e Bandës së Durrësit, Indrit Dokle, i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës. Me urdhër të SPAK u ushtruan kontrolle në disa ambiente në pronësi të Dokles, por ai nuk është gjetur. Për herë të parë emri i tij del në një dosje të SPAK si person i akuzuar për përfshirje në një grup që trafikonte drogë.
Deri më tani, emri i Dokles ishte shfaqur në dosjet e SPAK kryesisht si objektiv i planeve për eliminimin e tij. Në dosjen “Plumbi i Artë”, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka dëshmuar se Ervis Martinaj, i zhdukur prej gushtit 2022, i kishte ofruar 500 mijë euro për vrasjen e Dokles, nga të cilat pretendonte se kishte marrë 100 mijë euro parapagim.
Pas zhdukjes së Ervis Martinajt në gusht të vitit 2022, Dokle u mor në pyetje nga hetuesit. Familjarët e Martinajt kishin kërkuar të hetohej edhe pista e një hakmarrjeje të mundshme nga Dokle, nisur nga pretendimi i Dumanit se Martinaj kishte porositur vrasjen e tij.
Emri i Dokles doli edhe në një tjetër procedim të SPAK. Më 2 qershor 2026, GJKKO dënoi Elvin Merlikën dhe Alket Xhixhën për sigurimin e kushteve për vrasjen e tij, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Indrit Dokle ishte dënuar me burgim të përjetshëm për krimet e kryera kur ishte pjesë e Bandës së Durrësit, por në janar 2020 fitoi lirinë me vendim të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha. Ajo i shuajti dënimin e përjetshëm duke e konvertuar në 25 vite burg dhe më pas e liroi me kusht, duke i kaluar 5 vitet e mbetura në shërbim prove. Dokle kishte qëndruar në qeli që prej vitit 2005. Prokuroria e Krujës e ankimoi vendimin, duke argumentuar se Dokle është një përsëritës krimesh dhe nuk plotësonte kushtet ligjore për lirimin me kusht, por kërkesa është ende në Apel dhe nuk është caktuar ende data për shqyrtimin e saj.






