E hënë, Prill 27, 2026
Ballina Aktualitet Presione nga politika? Braho: Nëse bëhen projektligje që prekin kompetencat tona, do...

Presione nga politika? Braho: Nëse bëhen projektligje që prekin kompetencat tona, do të ngremë zërin

0
6

U mbajt për 1 orë, këtë të hënë mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në seancë ishte i pranishëm kreu i Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion, Klodian Braho, i shoqëruar nga Vladimir Mara (shef i seksionit kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit), Dorina Bejko (shefe e seksionit kundër korrupsionit) dhe drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.

Ai paraqiti në mënyrë të përmbledhur të dhënat për punën e SPAK gjatë vitit 2025, kohë kur institucioni është drejtuar nga Altin Dumani.

Deklaroi se gjatë vitit të shkuar janë regjistruar 870 procedime penale, ndërsa vendimet e fajësisë përbëjnë 87% të totalit, duke e cilësuar këtë si një tregues të efektivitetit të lartë të institucionit.

Ai shtoi gjithashtu se masat e sigurimit “arrest me burg” kanë pësuar rënie me rreth 53.4%, krahasuar me vitin 2024.

Sipas tij, për vitin 2025 kjo masë për veprat penale të korrupsionit përbën vetëm 3.45% të totalit të personave nën hetim, nga rreth 5% në vitin 2024. Ndërsa për krimin e organizuar, “arresti në burg” zë 21.4% të rasteve, nga rreth 31% një vit më parë. Braho bëri me dije se gjatë vitit 2025 është regjistruar një ulje e numrit të çështjeve për këtë vepër penale, nga 101 çështje në vitin 2024 në 74 çështje gjatë vitit të kaluar.

Në fushën e krimit të organizuar, megjithëse numri i çështjeve të regjistruara ka qenë më i ulët krahasuar me vitin 2024, çështjet dhe hetimet e përfunduara kanë shënuar një rritje prej rreth 3.4%, nga 58 në 2024-ën në 60 në 2025-ën.

Kreu i SPAK iu drejtua Këshillit të Lartë të Prokurorisë duke iu bërë me dije se deri në këto momente nuk paraqitet situatë problematike apo ‘presione’ nga retorika politike në lidhje me cenimin e kompetencave të institucionit që drejton.

Por Klodian Braho shtoi se nëse do të vënë re që kjo do të tentohet të bëhet përmes drafteve apo projekteve ligjore, do të ngrenë zërin.

“Retorika në vetvete nuk përbën kërcënim, për ta kuptuar se kur do të jetë shqetësuese, është kur do shoqërohet me situatë ligjore që mund të prekë kompetencat e institucionit. Për momentin mendoj se nuk është problematike. Nëse do kemi ndonjë situatë të tillë, drafte apo projekte ligjore, ne do ngremë zërin do ta bëjmë publik. Këtë mendim dhe shqetësim do ia përcjellim edhe KLP”, u shpreh Braho.

Zjarr Tv Ad