Ish-kryeministri Sali Berisha nuk është paraqitur ditën e sotme pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Teksa ora zyrtare ka kaluar dhe SPAK e kishte njoftuar që të paraqitej në orën 10:00 pranë Strukturës së Posaçme për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e 21 Janarit, ditë kur në bulevardin para Kryeministrisë u vranë katër protestues të pafajshëm, Berisha nuk është paraqitur.
Pak ditë më parë u raportua se fletëthirrja për ish-kryeministrin ishte dërguar në banesën e tij, në selinë e PD-së dhe në Kuvend, së bashku me datën dhe orën e paraqitjes.
Megjithatë, një ditë më parë, vetë Berisha deklaroi se nuk ka marrë asnjë fletëthirrje, duke theksuar se do të shkojë në SPAK vetëm pasi ta ketë në dorë zyrtarisht.
“Jam përgjigjur gjithë jetën time çdo thirrjeje të organeve të drejtësisë dhe do të përgjigjem edhe tani. Ka vetëm një kusht: të më vijë thirrja.Njoftimi duhet të vijë siç ka ardhur dhjetëra herë të tjera, dhe unë i jam përgjigjur. Përdorimi i kësaj çështjeje është akt i shëmtuar i Altin Troplinit, mercenar i regjimit të Ramës, që mendon se mund të mbulojë me zhurmë krimet e tyre. Mos më pyesni kurrë nëse do të shkoj, unë do të shkoj sa herë të thirrem nga drejtësia, pa asnjë hezitim,” tha Berisha.
Kujtojmë se në korrik të vitit të kaluar SPAK njoftoi regjistrimin e procedimit penal për vrasjen e katër protestuesve, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet janë regjistruar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim”, “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim, si dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në bashkëpunim.
Qëllimi i hetimit është zbardhja e rolit të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha. Vendimi i Gjykatës së Lartë ka detyruar SPAK-un të hetojë përgjegjësitë e Berishës, Bashës, Ndrea Prendit dhe të tjerëve në lidhje me vrasjen e katër protestuesve të pafajshëm, një ngjarje për të cilën deri më sot nuk është përcaktuar përgjegjësia e drejtuesve shtetërorë.



