Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 3 shtetas sot më 20 nëntor për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme në kryeqytet.
Paralelisht, gjatë 48 orëve të fundit janë vendosur edhe 29 masa administrative ndaj personave që kanë kryer kundërvajtje, në zbatim të Aktit Normativ.
Sipas njoftimit të policisë, procedimet penale janë kryer në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të zhvilluara nga shërbimet e Policisë së Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë. Hetimet kanë si qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të djeshëm.
Ndërkohë, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, policia ka plotësuar 29 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë dy ditëve të fundit.
Materialet procedurale për të tre personat e proceduar penalisht dhe rastet e konstatuara i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

