Shpërthimi me dy viktima në pallatin në Elbasan, policia zbardh shkakun e ngjarjes së rëndë

Share

Policia ka zbardhur paraprakisht shkakun e shpërthimit të fuqishëm që përfshiu një pallat në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe mbetën të dëmtuar 10 banorë të tjerë.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shpërthimi dhe zjarri që pasoi janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit Hamit Ibro, pronarit të apartamentit ku ra zjarri.

Pas disa orësh kërkimesh intensive, rreth orës 00:40, shërbimet e Policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe Zjarrfikësit, gjetën trupin e pajetë të 69-vjeçarit.

Ndërkohë, si pasojë e shpërthimit, humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, e cila ndodhej në pallat në momentin e ngjarjes.

Dhjetë banorë të tjerë mbetën të dëmtuar, morën asistencë mjekësore në spital dhe më pas u larguan nga ambientet e tij. Shpërthimi shkaktoi gjithashtu dëme të shumta materiale në pallat.

Njoftimi:

“Elbasan/ Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.

Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.

Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim”, shkruan Policia.

Read more

Local News