Është tensionuar situata te Kuvendi, ku janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Gjatë tensioneve janë shoqëruar të paktën 10 persona nga uniformat blu.
Tensionet nisën pas hedhjes së një tullumbaceje me ujë dhe ngjyrë në drejtim të efektivëve të policisë. Më pas, policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit dhe për të liruar rrugën e bllokuar, ndërsa pati edhe hedhje sporadike vezësh.
Protestuesit u zhvendosën nga zona pranë Parlamentit drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas pranë Kishës Katolike, ku u përballën sërish me kordonët e policisë. Disa prej tyre u ulën në rrugë, duke deklaruar se protesta ishte paqësore dhe duke kundërshtuar ndërhyrjen e forcave të rendit.
Nga përplasjet, një person raportohet se ka humbur ndjenjat. Të moshuarit i është dhënë ndihma e parë nga qytetarët, ndërsa pritet të vijë ambulanca.
Për shkak të protestës, trafiku në disa segmente pranë Kuvendit dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” u devijua përkohësisht. Në terren u angazhuan forcat “Shqiponja”, efektivë të Policisë së Shtetit dhe disa automjete policie.
Ndërkohë, brenda Kuvendit vijon seanca plenare e nisur në orën 10:00, e shoqëruar me debate dhe akuza të ndërsjella mes opozitës dhe mazhorancës pas arrestimit të kreut të SHISH Vlora Hyseni.






