E mërkurë, Gusht 19, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Thika, kaçavida dhe maska/ Policia parandalon përplasjen mes të miturve në Kombinat

Thika, kaçavida dhe maska/ Policia parandalon përplasjen mes të miturve në Kombinat

0
8

28 të mitur, të moshave 13 deri në 17 vjeç, janë proceduar në gjendje të lirë pasi dyshohet se po përgatiteshin të përplaseshin me njëri-tjetrin në zonën e Kombinatit në Tiranë.

Policia i lokalizoi në rrugën “Llambi Bonata”, ku të rinjtë ishin ndarë në disa grupe, dhe i shoqëroi në komisariat. Gjatë kontrollit fizik, te disa prej tyre u gjetën 5 armë të ftohta dhe mjete të mprehta, mes tyre thika dhe kaçavida. Gjithashtu, u sekuestruan edhe disa maska.

Burimet bëjnë me dije se sherri mes të miturve ka nisur nga TikTok-u.

Njëri prej tyre ka pretenduar se i kanë ngacmuar motrën në rrjetet sociale dhe ka mbledhur një grup për t’u konfliktuar. Të miturit ishin ndarë në grupe, mes tyre nga Selita, Yzberishti, 21 Dhjetori dhe ish-Parku.

Të miturit janë grumbulluar dhe kanë bërë edhe video, të veshur me të zeza, dhe i kanë hedhur në TikTok. Me armë të ftohta janë nisur për t’u rrahur, por kanë ndërhyrë agjentët.

Më pas janë lajmëruar familjarët dhe psikologët dhe është bërë i mundur parandalimi i konfliktit.

Tiranë

Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandaloi zhvillimin e konfliktit ndërmjet disa të miturve.

Procedohen në gjendje të lirë 28 shtetas të mitur, disa prej të cilëve posedonin armë të ftohta/ mjete të mprehta.

Sekuestrohen 5 armë të ftohta/mjete të mprehta.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së informacionit në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin, në Kombinat, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit.

Në bazë të informacionit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Llambi Bonata”, disa të mitur të ndarë në grupe, të cilët dyshohet se do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë shoqëruar të miturit, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.

Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Veprimet procedurale me të miturit u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve dhe pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13-17 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.

Zjarr Tv Ad