E premte, Shtator 25, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Vezët dhe sharjet “hajdutë”/ Zemërimi që po e ndjek pushtetin kudo në...

Vezët dhe sharjet “hajdutë”/ Zemërimi që po e ndjek pushtetin kudo në rrugë

0
7

Dhuna shtetërore me të cilën Edi Rama ruan pushtetin po e merr kundërpërgjigjen në rrugë nga qytetarë të zemëruar gjithnjë e më shumë me vjedhjet galopante të buxhetit, skandalet e korrupsionit dhe depërtimi i krimit në institucionet shtetërore. Ndërsa në protesta dhuna shtetërore deegradon tek përdorimi i shkopinjve të gomës, uji me presion, gazi lotsjellës dhe arrestimet e paligjshme, përballë ka vezë ndaj zyrtarëve, sharje dhe ndjekje në rrugë të deputetëve e ministrave me thirrjet “hajdutë” dhe “kriminelë”.

Revolta kaloi përtej rrugëve të Tiranës këtë javë. Thirrjet “familje mafioze” dhe “tradhtar”, Edi Rama i dëgjoi edhe në New York, ku ndodhet për aktivitetet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama. Ndërsa po hynte në godinën ku zhvillohej një aktivitetet privat, Rama dhe Linda i shpëtuan për pak goditjes me vezë nga një grup shqiptarësh që jetojnë në SHBA.

Në filmim, duket që Rama vazhdon të ecë i patrazuar, por rojet e sigurisë reagojnë menjëherë kur një vezë fluturon pranë kokës së kryeministrit dhe bashkëshortes së tij.

Të dy nxitojnë të futen brenda, ndërsa pas tyre vazhdojnë thirrjet e protestuesve. Zemërimi që prej javësh po ndjek pushtetin në rrugët e Tiranës, këtë herë e ndoqi deri përtej Atlantikut.

Por në New York nuk u shpëtuan qytetarëve të indinjuar me qeverisjen as Taulant Balla dhe ambasadori shqiptar në SHBA, Ervin Bushati. “Nuk keni turp? Nuk keni turp, z. Bushati?”, dëgjohet të thotë një qytetar që i ndjek nga pas duke i filmuar me telefon. Balla vazhdon rrugën me shpejtësi, ndërsa qytetari i drejtohet: “Taulant, nuk ke turp? 15 mijë dollarë nata”, duke iu referuar pretendimeve të publikuara për koston e akomodimit të kryeministrit në New York.

Për Taulant Ballën nuk ishte hera e parë që protesta e ndiqte përtej dyerve të Kuvendit. Vetëm pak ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të PS-së u detyrua të largohej nga lokali ku po pinte kafe pasi disa protestues e pikasën mes klientëve. Filmimi më lart tregon se revolta e qytetarëve po i ndjek përfaqësuesit e mazhorancës edhe në hapësirat e zakonshme publike.

Për disa deputetë socialistë, sidomos gjatë orëve kur zhvillohen protestat, dalja në rrugë është kthyer në një problem të sikletshëm. Në një prej rasteve më të shpërndara në rrjetet sociale, Belinda Balluku u përball me disa qytetarë të irrituar ndërsa dilte nga një bar-kafe pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Thirrjet “hajdute” dhe “kriminele” e shoqëruan deri te makina, ndërsa pamjet u shpërndanë menjëherë në rrjet.

E njëjta atmosferë është zhvendosur çdo javë përpara Kuvendit. Protestuesit kanë rrethuar godinën dhe automjetet e deputetëve të mazhorancës janë goditur vazhdimisht me vezë. Mes tyre kanë qenë makinat e Erion Braçes, Iva Gjuzit, Albana Koçiut etj.

Me shtimin e tensioneve u ashpërsua edhe ndërhyrja e policisë, por vezëve nuk u shpëtuan as uniformat blu.

Një prej drejtuesve të policisë që ra në sy për metodat e dhunshme përballë protestuesve, Ilir Hasrama u kthye në personazh të rrjeteve sociale pasi u godit drejt në fytyrë me një vezë. “Si e ke synin?”, u kthye më pas në thirrjen ironike që e ndiqte në tubimet e radhës, ndërsa në tubimet përballë parlamentit, ai ishte vazhdimisht shënjestër e tyre.

Në një situatë të sikletshme u gjend disa ditë më parë deputetja Zegjine Çaushi. Duke ecur në rrugë, ajo u përball me Arvina Lleshin, një prej protestueseve më aktive të tubimeve të fundit. Përplasja verbale vazhdoi për disa çaste dhe, e vënë në siklet nga insistimi i protestueses, që i përsëriste këngën e protestës “Zegjine Zegjine, 3 milion jemi ne/ ti nuk di të numërosh, shko në shkollë të mësosh”. Çaushi iu kthye me fjalët: “Nuk të vjen turp?” dhe “Sa të paguajnë?”.

Para Zegjinesë, përballjen me Arvina Lleshin e pati deputetja Iris Luarasi, këtë herë në korridoret e një qendre tregtare që përdoret edhe si rrugëkalim drejt zonës së Parlamentit. Luarasi paralajmëroi se do t’i drejtohej drejtësisë për vajzat që e ndoqën dhe e quajtën “hajdute”. “Shpifjen, kërcënimin dhe dhunën nuk i pranoj. Prandaj këtë rast do ta denoncoj dhe do t’ia lë drejtësisë të veprojë”, deklaroi deputetja e PS-së.

Edhe më parë, në një situatë të ngjashme ishte gjendur Tërmet Peçi. I rrethuar nga protestuesit dhe thirrjet e tyre, deputeti socialist zgjodhi një mënyrë të pazakontë për ta kaluar situatën: nxori dy telefonat e tij dhe i mbajti njëkohësisht pranë veshëve, duke vazhduar rrugën sikur të ishte duke zhvilluar dy biseda telefonike paralelisht me të njëjtin vesh.

Brutale ka qenë edhe përballja e Eduart Shalsit dhe Ervin Hoxhës me protestuesit. Në momentin që po dilnin nga parlamenti të shoqëruar nga badigardët e tyre, dy deputetët e PS ndërruan rrugë të gjendur nën breshërinë e vezëve dhe të sharjeve banale.

I fundit që e pësoi ishte ish-ministri Bledi Çuçi që gjendej në kafe me bashkëshorten e tij. E irrituar për thirrjet e protestuesve, Delina Fico duket që qëllon me ç’të mundet, lugë dhe shishe në drejtim të atyre që i emërtojnë “hajdutë”.

Irritimi ka shkuar edhe më tej. Protestuesit kanë sjellë përpara Kuvendit edhe kazanë mbeturinash, për të treguar se ku do të përfundonin politikanët që i akuzojnë për korrupsion. Kordonët e policisë, deri tani e kanë mbajtur përplasjen tek vezët, sharjet dhe thirrjet “nuk na përfaqësoni”.

Për shumëkënd, ndjekja e politikanëve në rrugë, goditja me vezë dhe poshtërimi publik janë metoda të papranueshme, që e zhvendosin protestën nga argumentat drejt linçimit personal. Por këto nuk lindën papritur. Për 13 vite të “rilindjes” në pushtet kanë ndodhur aferat më të paimagjinueshme të korrupsionit, është provuar katërcipërisht depërtimi i krimit në institucionet shtetërore, ndërsa metodat policore janë ashpërsuar ndaj qytetarëve që ngrenë zërin.

Prandaj zemërimi nuk po u drejtohet më godinave të pushtetit. Ai po i ndjek përfaqësuesit e qeverisë në kafene, në rrugë, në qendra tregtare dhe, siç treguan pamjet e fundit, edhe mijëra kilometra larg Tiranës, deri në New York./Lapsi.al

Zjarr Tv Ad