E shtunë, Maj 23, 2026
Ballina Aktualitet Zgjedhjet në PD/ Fatos Mihali: Pa Sali Berishën, Partia Demokratike nuk do...

Zgjedhjet në PD/ Fatos Mihali: Pa Sali Berishën, Partia Demokratike nuk do të ekzistonte sot (VIDEO)

0
13

Lidhur me procesin zgjedhor në Partinë Demokratike ka reaguar edhe Fatos Mihali, një nga themeluesit e PD-së dega Fier, i cili vlerësoi pjesëmarrjen e demokratëve si një tregues të mbështetjes për opozitën dhe për lidershipin aktual të partisë.

Mihali u shpreh se Partia Demokratike, pa Sali Berishën, nuk do të ekzistonte më si forcë politike dhe se ishte pikërisht Berisha ai që e ringriti partinë në momentet më të vështira.

“Unë jam një nga themeluesit e Partisë Demokratike në Fier. Shumë nga ata që e themeluan këtë parti sot nuk jetojnë më, disa janë larguar, ndërsa të tjerë nuk janë më aktivë. Më vjen keq që shumë prej tyre nuk ishin sot për të votuar për Sali Berishën. E them me bindje se, nëse Partia Demokratike nuk do të kishte qenë me Berishën, sot nuk do të ekzistonte. Do të ishte një parti e shpërbërë dhe pa frymë demokratike,” – u shpreh Mihali.

Ai shtoi se Berisha meriton të jetë sërish kryetar i PD-së, duke theksuar se askush tjetër nuk ka dhënë për partinë atë që ka dhënë ai ndër vite.

“Sot Partia Demokratike nuk është aty ku duhet të ishte pas 35 vitesh, por veprat e qeverisjes së saj mbeten dhe do të kujtohen gjatë. Problemet dhe përçarjet e viteve të fundit e dëmtuan rëndë partinë, sidomos pas drejtimit të Lulzim Bashës. Megjithatë, ende ka kohë për riorganizim dhe rikthim të saj në pushtet,” – deklaroi ai.

Mihali foli edhe për nevojën e bashkimit dhe organizimit të strukturave të PD-së, duke theksuar se partia duhet të ruajë identitetin dhe frymën që kishte në fillesat e saj.

“Partia Demokratike do të rikthehet në pushtet, por kjo kërkon kontributin e të gjithëve. Unë nuk do ta lë kurrë gurin tim të themelit. Kam qenë dhe do të mbetem pjesë e kësaj force politike deri në fund,” – përfundoi Fatos Mihali.

Zjarr Tv Ad