Në Parlament u votua ditën e djeshme propozimi i Partisë Socialiste për kryetar të Kuvendit, Niko Peleshin.
Deputetët demokratë nuk kanë shkuar fare në Komisionin e ngritur në Kuvend, për të marrë fletët e votimit, teksa më herët ata kanë thënë se do të fusnin në kuti fletët që mbanin në duar (në të cilat denoncohej korrupsioni i pretenduar i Qeverisë Rama).
Ndërkohë deputeti Tritan Shehu, ndryshe nga grupi i Partisë Demokratike shkoi dhe votoi.
Më pas Shehu e justifikoi veprimin e tij duke thënë se votoi kundër kandidaturës së Niko Peleshit për kryetar Kuvendi. Ai tha se shkoi dhe votoi pa vetëdije, thjesht si refleks.
“Votova kundër, refleksi i votimit”, tha Tritan Shehu për A2 CNN.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pasi deputeti demokrat Tritan Shehu mori pjesë në votimin për kryeparlamentarin e ri, përkundër vendimit të PD-së për të mos marrë pjesë në proces.
Gjatë një deklarate për mediat jashtë sallës së Kuvendit, Berisha kërkoi kohë që të fliste me Shehun lidhur me veprimin e tij.
Kryedemokrati shtoi gjithashtu se Tritan Shehu mund të mos e ketë marrë mesazhin në grupin e Whatsapp-it të PD-së, ku u kërkohej deputetëve të mos merrnin pjesë në proces.




