Zjarri në zonën e Radostinës në Fier vijon të jetë aktiv me intensitet të lartë dhe situata raportohet e vështirë.
Flakët kanë përfshirë edhe pyllin me pisha pranë liqenit në Qafën e Koshovicës, ndërsa në rrezik janë vënë dy lokale që ndodhen pranë zonës së përfshirë nga zjarri. Ndërkohë që policia po bën evakuim pronarët e lokaleve kërkojnë ndihmë dhe ndërhyrje nga ajri.
Shtëllunga të mëdha tymi janë përhapur në zonë dhe janë të dukshme edhe nga qyteti i Fierit. Era dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e flakëve.
Në terren ndodhen 8 mjete zjarrfikëse dhe forca të shumta, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.
Për shkak të përmasave të vatrës është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri. Pritet mbërritja e një helikopteri për të ndihmuar në operacionin e shuarjes.






