E premte, Shtator 4, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Vizita e Berishës në SHBA, Salianji: Non grata, njollë që ka rënduar...

Vizita e Berishës në SHBA, Salianji: Non grata, njollë që ka rënduar mbi një parti të tërë

0
41

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji e ka cilësuar si zhvillim pozitiv udhëtimin e Sali Berishës drejt Shteteve të Bashkuara, duke argumentuar se çdo përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve të opozitës shqiptare me aleatin strategjik të vendit është në interes të Partisë Demokratike dhe Shqipërisë.

Megjithatë, Salianji thekson se vizita nuk e zgjidh atë që ai e konsideron si problemin kryesor të PD-së. Sipas tij, vendimi “non grata” ndaj Berishës për korrupsion ka pasur pasoja përtej individit dhe ka ndikuar në imazhin dhe funksionimin politik të opozitës.

Duke iu referuar situatës politike të kreut të PD-së në Shqipëri, Salianji e përshkruan udhëtimin në SHBA si një paradoks: Berisha mund të shkojë fizikisht në Amerikë, por sipas tij nuk arrin të ketë të njëjtën lëvizshmëri në terrenin politik shqiptar.

Ai argumenton se vështirësitë e opozitës për të organizuar takime dhe për të rikthyer mbështetjen në disa qarqe janë tregues se problemi i saj nuk ndodhet në Uashington, por në Tiranë.

Në këtë kuadër, Salianji e sheh udhëtimin e Berishës si një mundësi për reflektim dhe i bën thirrje kreut të PD-së të shqyrtojë dorëheqjen.

Sipas tij, një largim i tillë nuk duhet parë si humbje personale, por si një kontribut për t’i krijuar Partisë Demokratike hapësirën për të ndërtuar një alternativë të re politike.

Salianji thekson se opozita nuk mund ta rrëzojë Edi Ramën duke u mbështetur vetëm te betejat e së shkuarës. Në vlerësimin e tij, PD-ja duhet të ofrojë një alternativë që bind qytetarët se mund të qeverisë vendin.

Në fund, ai shprehet se Shqipëria ka nevojë për një opozitë që synon fitoren dhe jo thjesht mbijetesën politike, duke e cilësuar ndryshimin brenda opozitës si një nevojë të momentit.

Reagimi i Ervin Salianjit

Udhëtimi i Sali Berishës drejt Shteteve të Bashkuara është një lajm pozitiv. Çdo hap që normalizon marrëdhënien e një force politike shqiptare me aleatin strategjik të Shqipërisë është në interes të vendit dhe të Partisë Demokratike.

Por nuk mund të bëjmë sikur nuk ekziston problemi politik që ka rënduar mbi PD-në për vite me radhë. Non grata për korrupsion është një njollë që nuk rëndon vetëm mbi një individ. Ajo ka rënduar mbi një parti të tërë, mbi opozitën dhe mbi mundësinë e saj për t’u paraqitur si alternativë qeverisëse. Udhetimi sot tregon një paradoks të madh, Berisha mund të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara, por nuk mund të udhëtojë politikisht në Shqipëri.

Nuk mund të bindë Fierin për të organizuar një takim, nuk e viziton dhe as mund të fitojë Shkodrën, nuk organizom dot takim e nuk mund të ndezë Vlorën, nuk bën dot takim në Berat dhe është non grata nga protestuesit në Tiranë.

Mbi të gjitha, nuk mund të bindë shumicën e shqiptarëve se është zgjidhja për të ardhmen.

Kjo është arsyeja pse, pavarësisht çdo lajmi të mirë që mund të vijë nga Uashingtoni, problemi i PD-së mbetet në Tiranë.

Edi Rama nuk largohet duke përsëritur të shkuarën. Largohet duke ndërtuar një alternativë që shqiptarët besojnë se mund ta zëvendësojë dhe sot, pengesa më e madhe për këtë alternativë është fakti që PD-ja vazhdon të mbahet peng i një beteje për të shkuarën, në vend që të ndërtojë betejën për të ardhmen.

Prandaj, ndoshta ky udhëtim është një mundësi, një mundësi që, larg zhurmës së përditshme, Sali Berisha të reflektojë për atë që do i kërkojnë, dorëheqjen!

Të kuptojë se historia e tij nuk mund të jetë përgjithmonë historia e Partisë Demokratike.

Të kuptojë se një parti nuk mund të jetë peng i një individi dhe të kuptojë se një dorëheqje dinjitoze nuk është humbje personale, por mund të jetë kontributi i fundit i madh politik për Shqipërinë dhe PD-në.

Nëse Berisha e do vërtet Partinë Demokratike dhe ka interesin publik të parin ai duhet t’i japë Partisë Demokratike atë që nuk ia ka dhënë dot deri tani; mundësinë për të fituar.

Sepse Shqipëria ka nevojë për një opozitë që fiton, jo për një opozitë që vetëm mbijeton.

Koha për ndryshim është tani! Edi Rama e ka humbur mbështetjen popullore, qytetarët presin të ndryshojë opozita për të larguar Ramen një orë e më parë!

Zjarr Tv Ad