E premte, Gusht 21, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Bordi i Transparencës shkon në gjykatë, operatorët e naftës kërkojnë gati 12...

Bordi i Transparencës shkon në gjykatë, operatorët e naftës kërkojnë gati 12 milionë euro dëmshpërblim

0
14

Hapet rruga gjyqësore për operatorët e naftës që kanë paditur shtetin për mënyrën e përcaktimit të çmimeve nga Bordi i Transparencës. Burime nga tregu i hidrokarbureve konfirmuan për Monitor se më 19 shtator, në Gjykatën Administrative pritet të zhvillohet seanca e parë për shqyrtimin e padisë së një prej kompanive. Nga Gjykata Administrative shqyrtimi i padive do të bëhet veçmas për secilin operator, pasi edhe paditë janë depozituar individualisht pranë gjykatës.

Paditë janë depozituar pranë Gjykatës Administrative në mesin e muajit korrik. Në total janë 8 operatorë të importit dhe tregtimit të karburanteve që kërkojnë rreth 11,8 mln  euro dëmshpërblim për humbjet që pretendojnë se u janë shkaktuar nga llogaritja e çmimeve nën kosto nga Bordi i Transparencës.

Në muajin maj rreth 2 muaj pas riaktivizimit të Bordit të Transparencës, që vijoi të rillogarisë çmimet e karburanteve me të njëjtën formulë të përdorur në vitin 2022 në krizën e luftës në Ukrainë, importuesit paralajmëruan qeverinë se do ta hedhin në gjyq dhe do të kërkojnë dëmshpërblim për llogaritjen nën kosto të çmimit të naftës.

Sipas tyre, qeveria vijoi të përdorë të njëjtën metodologji të gabuar, duke përllogaritur bëhet në bazë të çmimit FOB (Free on Board), që nuk merr në konsideratë transportin dhe sigurimin, dhe jo të çmimit CIF, që përfshin transport e sigurim dhe që e rrisin edhe me 45-50 dollarë për ton çmimin e blerjes (që nga viti 2024, kompanitë e tregtimit ndërkombëtar nuk operojnë më mbi bazën e kontratave FOB, por mbi bazën e kontratave CIF).

Ndërsa çmimi i vendosur nga Bordi bazohej në treguesin FOB, doganat kanë llogaritur TVSH-në mbi treguesin CIF. Por kjo diferencë krijon humbje te operatorët me 4.7 lekë për litër.

Ndërsa në tregun e pakicës në vend çmimet e naftës vijojnë të shtrenjtohen për shkak të përshkallëzimeve të luftës në Lindjen e Mesme dhe bllokimit të ngushticës së Hormuzit ku kalon rreth 1/5 e prodhimit botëror të naftës.

Kjo ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimit të naftës Platts me të cilën llogaritet çmimi i naftës për zhdoganim në tregun vendas. Nga 1300 USD/ton që ishte 6 ditë më parë, çmimi arriti në 1,450 USD për ton. Luhatja e çmimit në bursat e huaja solli shtrenjtim të çmimit të naftës dhe benzinës, ku të dyja u tregtuan me çmime mbi 200 lekë për litër.

Importuesit vendas parashikuan se nëse përshkallëzimet e luftës do të vijojnë çmimet e naftës me shumicë do të vijojnë  të rriten. Në këtë situatë sipas tyre e vetmja masa që do të përmbante çmimet është ulja e taksave për naftën nga qeveria shqiptare./Monitor

Zjarr Tv Ad