E martë, Korrik 14, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina 360 grade Dy kompani shfaqin interes për tre zona të lira të naftës e...

Dy kompani shfaqin interes për tre zona të lira të naftës e gazit

0
651
Zjarr Televizion Adccccc

Pasi Albpetrol, kompania shtetërore që menaxhon burimet e naftës dhe gazit në vend, ka ftuar investitorët për të shprehur interesin për tre zona të lira të naftës dhe gazit, kanë ardhur dhe reagimet e para.

2 maji ishte afati i fundit i shprehjes së interesit për fushat naftë dhe gaz mbajtëse të Gorisht-Kocul; Cakran-Mollaj dhe zonat mbi det Adriatik 2, 3 dhe 4.

Burime nga Albpetrol pohuan se janë dy kompani që kanë shfaqur interes, por emrat e tyre nuk mund të bëhen ende publike, për shkak se ofertat janë në shqyrtim e sipër.

Vendburimet e naftës dhe gazit në Cakran-Mollaj dhe Gorisht-Kocul iu rikthyen në administrim qeverisë shqiptare, pasi në tetor të vitit të kaluar, Albpetrol, njoftoi koncesionarin ‘TransAtlantic Albania’ për mbylljen e njëanshme të marrëveshjeve hidrokarbure për këto vendburime të rëndësishme të nëntokës shqiptare.

Kjo për mospërmbushje të kontratës dhe moskryerje të investimeve (në të dy zonat realizimi faktik i investimeve nuk ishte më shumë se 10%). Albpetrol ka sekuestruar pajisjet dhe naftën e gjendur në depozita dhe ka rivënë në punë puset.

Ndërsa në mars të këtij viti. Albpetrol sh.a., nisi procedurën për prishjen e marrëveshjes hidrokarbure me Emanuelle Adriatic Energy Ltd, një kompani izraelite, e cila kishte të drejtën e kërkimit për naftë në tre blloqet në detin Adriatik, “Adriatik 2, 3 dhe 4”.

Shkaku i prishjes së marrëveshjes me kompaninë e regjistruar në offshore Qipro ishte moskryerja e asnjë veprimi apo investimi në tre vitet e fundit.

Krahas tre blloqeve të sipërpërmendur, për të cilët po kërkohen investitorë të rinj, në mars Albpetrol i hoqi kompanisë Phoenix Petroleum bllokun e naftës në Amonicë.

Ka nisur procedura për verifikimin e situatës në pesë blloqet e gazit natyror: Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh. Nga verifikimet paraprake rezulton se të pestë këto vendburime nuk kanë prodhuar asnjë metër kub gaz dhe për pasojë pritet që marrëveshjet respektive të rishikohen.

Si rrjedhojë e përvojës së hidhur në të kaluarën, burimet e Albpetrol pohojnë se tashmë do të jenë shumë më të kujdesshëm në zgjedhjen e investitorëve të rinj.

Marrë nga Monitor.al

Zjarr Tv Ad