E enjte, Qershor 4, 2026
Ballina Aktualitet Efektivi u vra në krye të detyrës, Hita: Sot, ditë e trishtë...

Efektivi u vra në krye të detyrës, Hita: Sot, ditë e trishtë për Policinë e Shtetit!

0
16

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vizituar këtë të enjte në Spitalin Universitar të Traumës efektivin e policisë Edison Adri, i cili po merr ndihmën e nevojshme mjekësore pas plagëve të marra gjatë operacionit policor të zhvilluar mëngjesin e sotëm në fshatin Lozhan të Maliqit.

Gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Violand Bracellari, ky i fundit qëlloi me armë zjarri në drejtim të forcave të policisë. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit humbi jetën efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur rëndë efektivi Edison Adri.

Në një deklaratë për mediat nga ambientet e Spitalit të Traumës, Hita e cilësoi ngjarjen si një nga momentet më të dhimbshme për Policinë e Shtetit.

“Sot është një ngjarje e trishtë për të gjithë Policinë e Shtetit. Në një operacion policor ne humbëm një koleg të mrekullueshëm, një baba të përkushtuar dhe Policia e Shtetit humbi shërbëtorin e saj në shërbim të qytetarëve. Në këtë ngjarje edhe një oficer policie është plagosur rëndë dhe njëkohësisht personi në kërkim, për të cilin ishte bërë rrethimi dhe neutralizimi i tij, gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur. Është një ngjarje që të lë pa fjalë, sot do doja të mos isha para jush”, tha Hita.

Kreu i Policisë bëri me dije se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave kanë nisur dhe do të udhëtojë drejt Korçës, ku pritet të ketë një komunikim zyrtar lidhur me ngjarjen.

Ndërkohë, burime mjekësore bëjnë me dije se efektivi i plagosur fillimisht është transportuar dhe trajtuar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku është stabilizuar falë ndërhyrjes së menjëhershme të stafit mjekësor. Më pas ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku është futur menjëherë në sallën e operacionit.

Mjekët konfirmojnë se polici ka marrë dëmtime në zonën e kokës dhe qafës, ndërsa gjendja e tij mbetet serioze. Sipas tyre, po bëhet maksimumi për të siguruar rezultatin më të mirë të mundshëm për shëndetin e pacientit, ndërsa ecuria e tij do të vlerësohet në orët dhe ditët në vijim.

Ndërkohë, edhe i shumëkërkuari Violand Bracellari, i cili mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, është transportuar me ambulancë drejt Spitalit të Traumës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Zjarr Tv Ad