Ballina Blog Faqe 2

Prokuroria e Tiranës nis hetim për dëmtimin e Erjon Vishkullit, hetime edhe për dhunën e policisë në protesta

0

Prokuroria e Tiranës ka dalë këtë të hënë me një njoftim zyrtar ku ka bërë me dije se ka nisur hetim lidhur me lëndimin e Erjon Vishkulli gjatë protestave në kryeqytet. Sipas njoftimit, Prokuroria ka nisur veprimet e nevojshme hetimore, si dhe ka marrë pamje filmike nga Banka e Shqipërisë.

Gjithashtu Prokuroria ka marrë kartelën mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe kryerjen e veprimeve hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndër të tjera bëhet me dije se po hetohet edhe dëmtimet e disa personave të tjerë pas dyshimeve për përdorimin jo proporcional të forcës nga disa punonjës së policisë në protesta.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë bën me dije se ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.7806, të vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, në lidhje me dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet.

Menjëherë pas ngjarjes të regjistruar më 24.10.2026, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ndër të cilat si administrimi i pamjeve filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, marrja e kartelës mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe kryerja e veprimeve hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Gjithashtu, në kuadër të hetimeve po punohet për përcaktimin e mënyrave konkrete të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie drejtpërdrejt pranë këtyre autoriteteve.

Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.

Gjithashtu në të njëjtin procedim po hetohet dhe po kryhen veprime në lidhje me dëmtimin e disa shtetasve, pas dyshimeve për përdorimin jo proporcional të forcës nga disa punonjës së policisë së shtetit në protesta.

Deri në këtë fazë janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të shtetasve të dëmtuar dhe po kryen verifikimet për këto raste me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe avokatë kallëzim në SPAK për dhunën në protesta: 180 episode të dokumentuara

0

Përfaqësues të shoqërisë civile, intelektuale, avokatë dhe studentë kanë dënuar ashpër dhunën e ushtruar nga strukturat e policisë ndaj protestuesve, duke ndërmarrë hapin e parë zyrtar ligjor.

Këtë të hënë, ata kanë dorëzuar zyrtarisht një kallëzim penal në SPAK përmes të cilit kërkojnë nisjen e hetimeve dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë zyrtarëve policorë që kanë ushtruar dhunë.

Sipas materialeve të dorëzuara pranë organit të akuzës, kallëzimi penal përmban mbi 180 episode të dokumentuara të paligjshmërisë dhe përdorimit të forcës gjatë tubimeve.

Sipas tyre këto raste nuk janë ngjarje të izoluara, por dëshmi të një praktike sistematike. Përballë kësaj situate, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe grupi i avokatëve i kanë bërë thirrje publike SPAK-ut që të kryejë një hetim sa më të shpejte, të plotë dhe të paanshëm

“Listë e zezë me emra dhe foto”/ Sali Berisha: Do publikojmë ata që dhunuan protestuesit

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi policinë se e nisi dhunën gjatë protestës pranë Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit, duke i cilësuar protestuesit studentë si të guximshëm.

Në deklaratën e tij, ai ka paralajmëruar publikimin e fotove dhe emrave të personave që i quajti “mercenarë” dhe “provokatorë”.

“Partia Demokratike ishte tek Kryeministria, Partia Demokratike ishte tek Ministria e Arsimit. Dhunën e filloi policia. Edhe te Ministria e Arsimit, e filloi policia. Nuk është e vërtetë që e filloi protesta.

Policia filloi dhunën, futi provokatorët, a e patë lokalin? Ia kishin thyer, shkojnë ia shkatërrojnë lokalin për t’i akuzuar studentët. Dhe natyrisht reagimi ndaj asaj dhunës është legjitim.

Pastaj një gjë do ta themi këtu, se tani unë e kam një eksperiencë. Guximtarë dhe trima, si këta studentë, gjer sot Shqipëria nuk ka parë.

Vajzat rrinin aty, gangsterët, mercenarët shkonin dhe ato ua kthyen siç e meritonin. Këta provokues numër një i dhunës është… mos i kurseni! E keni parasysh.

Po unë i garantoj ata se tani do publikojmë fotot dhe emrat e tyre një për një. Listën e zezë të tyre.

Pse? Studentët po protestonin. Populli i Tiranës dhe i Shqipërisë ishte me studentët. Ata tani, provë force. Por provën e forcës me sovranin e kanë humbur gjithmonë diktatorët, nuk e fitojnë.

I tha, je treguar dorëbutë, i tha padroni, je treguar dorëlehtë, i tha. Po tani çfarë do t’i thotë? Tani do t’i thotë mbathja”, tha Berisha.

Erion Veliaj: Urime studentëve për rrëzimin e populistit të Beogradit

0

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar studentët e Serbisë për fitoren në zgjedhje, duke e cilësuar  Aleksandar Vuçiçin si “makiavelist” dhe “populist”.

Në një reagim në rrjetet sociale, Veliaj vlerëson lëvizjet dhe protestat studentore, duke theksuar se ato nuk përfaqësojnë “fundin e botës”, por fundin e një bote dhe shënojnë një ndryshim që duhet kuptuar nga qytetarët dhe politikëbërësit.

“Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit! Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate. Urime të përzemërta edhe shqiptarëve tanë në Serbi, të cilët, sipas projeksionit aktual, e rrisin përfaqësimin e tyre nga një në dy mandate. Një zë më i fortë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi!” 

Shembja e Vuçiçit, manual përdorimi për ne në Tiranë

0

Nga Andi Bushati

Goditja e fortë që mori partia shtet e Aleksndar Vuçiçit në zgjedhjet e të dielës në Serbi ka rihapur një debat që gëlon prej kohësh edhe këtej në anët tona, atë nëse është e mundur që me anë të zgjedhjeve të hiqet qafe një regjim autokratik. Lista laramane e studentëve serbë, e përbërë nga profesorë, sportistë, buq dhe mjekë mendohet se ka fituar 135-140 deputetë në një parlament me 250 ulëse, duke krijuar kështu iluzionin se hesapet me një klikë uzurpatorësh mund të lahen përmes kutive të votimit.

Pushteti 13 vjeçar i progresistëve serbë i kishte të gjitha mjetet në dorë për të mos e bërë të mundur rotacionin. Ata kontrollonin jetën ekonomike të vendit dhe kishin në dispozicion ku e ku më tepër para sesa konkurentët e tyre që ndoqën taktikën e takimit derë më dërë me zgjedhësit. Ata kishin lidhje të forta me grupet kriminale, të cilët i patën përdorur për të luftuar me maska dhe hunj kundër protestuesve që marshuan pa u lodhur prej dy vitesh në rrugët e Beogradit, Novi Sadit e të qyteteve më të vogla. Ata dominonin një apparat mediatik TV=sh e gazetash, publike dhe private, që bënte nga mëngjesi në darkë propagandën e autokratit. Ata patën vënë nën thundër kompanitë e sondazheve shumica prej të cilave, deri në ditët e fundit, kishin parashikuar një garë me foto finish dhe jo rezultatin e qartë që kemi para syve sot.

Atëherë pyetja ngrihet: Si u bë e mundur shembja e Vuçiçit? A mjafton një opozitë e re, e besueshme, një mobilizim popullor që të ngadhënjësh në zgjedhje jo të lira, jo të drejta dhe jo të barabarta, ashtu siç janë kurdoherë nën një regjim autokratik? Natyrisht që jo! Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se si ky lloj pushteti nuk mund të mposhtet në rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tij, përmes metodash që në pjesën e tyre më të madhe konsiderohen të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi.

Në fakt, për të kuptuar mrekullinë e këtij 25 tetori, nuk mjafton të shohësh vetëm rezultatin që po del nga kutitë, por gjithë trajektoren dyvjeçare të një përplasjeje epike. Që kur në nëntorin e 2024-ës, rënia e një strehe stacioni treni në Novi Stad shkaktoi 16 viktima, vendi ynë fqinj nuk gjeti paqe. Studentët të mbështetur më pas edhe nga qytetarët bllokuan akset kryesore të vendit, u treguan të gatshëm të përleshen me policinë, poushtuan universitetet, dogjën selitë e partisë në pushtet. Ata iu rezistuan persioneve të shumta, shkopave të gomës, gazit lotësjellës, makinave me ujë dhe topave shurdhues. Ata u kacafytën me paramilitarët e maskuar dhe iu përgjigjën dhunës së tyre me dhunë. Ata i përqeshën etiketimet e Vuçiçit, që ngjajnë si dy pika uji me ato të Edi Ramës sot. Edhe autokrati serb i akuzoi kundërshtarët e tij si nazistë, pastaj se i shërbejnë interesave të huaja, më tej se po duan të zbrapsin përparimin e vendit, duke i tallur se janë pak dhe të pa organizuar. Përgjigjja që ata shtruan para shoqërisë qe e qartë, ose zgjidhni të ardhmen e Serbisë, ose zgjidhni mafien.

Ky dyluftim i fortë, herë paqësor e herë i dhunshëm, herë masiv e herë më pak i tillë, filloi ta gryejë pushtetin e autokratit serb. Vuçic u bë i pabesueshëm pasi vendosi ta identifikojë veten me kombin dhe ta shiste si të vetmin përparim për të ardhmen e tij. Ai u bë qesharak kur i vizatoi ata studentë xhenuinë si “terrorisë”, “fashistë”, “tradhëtarë”. Ai e humbi besimin si faktor stabiliteti kur nuk arriti ti mposhtë dot, as me dhunën e policisë, as me shkopat e paramilitarëve që dilnin në qytet për të goditur të rinjtë. Atij iu rrënua kulti i pathyeshmërisë, kur demostruesit guxuan ti digjnin selitë e PSP-së dhe kur ata pushtuan universitetet duke u bashkuar dhe me pedagogët.

Pra, po ta ndjekësh hap pas hapi trajektoren e këtij revolucioni serb ajo nuk është thjeshtë historia e një autokrati që rrëzohet përmes zgjedhjesh, por përpjekja e një beteje të përditshme, shpesh të ashpër dhe të dhunshme, shpesh inteligjente dhe paqësore, për ta grryer, mpakur, tkurur e telendisur pushtetin e tij. Në 25 tetorin e tanishëm u arrit vetëm pas këtij procesi dy vjeçar që u desh, po aq sa për të grisur përfundimisht kartolinën e propagandës së Vuçiçit edhe sa për të vrarë frikën duke rrëzuar mitin e njeriut që mbështetet nga të fortët.

Në këtë kuptim, mrekullia serbe mund të shërbejë si një manual përdorimi për këdo që ka përqafuar, këtu tek ne, fillimisht revolucionin e flamingove, e më pas kthesën e tij të pashmangshme radikale. Të gjithë ata që e duan suksesin e tij nuk kanë pse joshen nga sirenat mashtruese të atyre që predikojnë se, studentët duhet të krijojnë parti, se flamingot duhet të zgjedhin përfaqësi për të dialoguar me pushtetin, pasi në demokraci gjithçka vendoset vetëm me zgjedhje. Shembulli që na vjen nga Beogradi është se, po gjithësei, tek zgjedhjet do të arrihet një ditë, por se pikë së pari duhet vijuar me rrugën e nisur në Tiranë. Atë të tronditjes së ditëpasditshme të regjimit, atë të provokimit për të shpërfaqur në sy të të gjithëve anën më kriminale dhe të çmendur të tij, atë të përplasjes, për ta dobësuar sa më tepër, përpara së të mbërihet tek kutitë e votimit. Autokrati ynë, që prej vitesh paguan të njëjtët spin doctors-a si vëllu i tij sllav, deri më tani ka ndjekur po ato kundërpërgjigje të gabuara si Vuçiç. Ai e ka barabitur veten me shtetin, ka përqafuar teoritë e komplotit të një dore të huaj, i ka denigrur protestuesit dhe ka përdorur mjetet më të dhunshme që disponon për të mpshtur demostruesit.

Por kjo ka prodhuar vetëm një efekt, rrënimin përfundimtar të fasadës si demokrat dhe nga ana tjetër, vrasjen e frikës prej dhunës së tij. Prandaj, ne jemi sot, pak a shumë si Sebia e gati një apo dy viteve më parë dhe nëse dimë të ndjekim më vendosmëri të njëjtën rrugë, atëhere dhe regjimi ynë mund të shembetet vetvetiu, pa pasur parti që e konkurojnë në zgjedhje, por thjeshtë nga një listë profesorësh, mjekësh, apo zanatçinjsh të zgjedhur thjeshtësisht nga përfaqësi studentësh, merita e të cilëve qe se e telendisën aq shumë klikën e Vuçiçit, sa i shndërruan votimet pothuajse në formalitet./Lapsi.al

Fundi i epokës së Vuçiç, Spiropali “mesazh të koduar” për Ramën: Asnjë pushtet nuk është i përjetshëm!

0

Elisa Spiropali ka reaguar pas zgjedhjeve në Serbi, ku Lista e Studentëve fitoi përballë Alexandar Vuçiç.

Deputetja socialiste u shpreh se ajo që ndodhi në Serbi hap mundësi për Ballkanin, dhe në dukje një mesazh indirekt për Edi Ramëm thekson se popujt kanë fuqinë të ndryshojnë edhe pushtetet që pretendojnë se janë të përjetshme.

“Serbët shprehën masivisht me votë vullnetin e tyre për ndryshim, duke mbyllur kështu, ndoshta përgjithmonë, epokën e dominimit politik të Aleksandër Vuçiç.

Zgjedhjet në Serbi na kujtojnë atë që gjithmonë e kemi ditur: se popujt e kanë mundësinë dhe fuqinë ta ndryshojnë drejtimin e vendit të tyre, edhe përballë pushteteve që pretendojnë të jenë të përhershme.

Uroj që kjo zgjedhje të hapë një kapitull të ri për demokracinë në Serbi dhe bashkëpunimin në rajon.

Çka ndodhi në Serbi hap për Ballkanin një mundësi që duhet gjykuar hap pas hapi nga veprimet dhe reagimet që do të pasojnë. Siç theksoi kancelari Merz, ngecja në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi pengon përparimin e rajonit. Drejtuesit e rinj kanë rastin dhe mundësinë të dëshmojnë se ndryshimi përfshin edhe eliminimin e mendësisë shoviniste, gatishmërinë për dialog, zbatim të marrëveshjeve, dhe respekt për sovranitetin e Kosovës.

Një urim i veçantë për përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës, me pritshmërinë që zëri i tyre parlamentar të përkthehet në sa më tepër barazi, të drejta dhe mundësi për shqiptarët në Serbi.

Shqipëria është e interesuar për një Serbi demokratike dhe europiane. Prova e këtij orientimi do të jetë mënyra si pushteti i ri u përgjigjet qytetarëve të vet dhe ndërton marrëdhëniet me fqinjët. Me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, kjo mundësi duhet kthyer në hapa konkretë drejt paqes së qëndrueshme që u detyrohemi qytetarëve dhe brezit të ri të Ballkanit”, shkruan Spiropali.

Balla: Dorëheqja e Ramës s’ka për të ndodhur kurrë

0

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama dhe të zgjedhjeve të parakohshme.

Në një prononcim për mediat, Balla deklaroi se qeveria është e gatshme të dialogojë me studentët për çështjet që ata kërkojnë të adresojnë, por jo me ata që, sipas tij, ushtrojnë dhunë.

Ai u bëri thirrje studentëve që të marrin shembull nga studentët në Serbi, duke theksuar se ndryshimi i pushtetit në demokraci bëhet përmes votës.

“Kryeministri Rama ka qenë shumë i qartë, dialog me studentët. Ka një propozim për dialog me studentët, sepse studentët kanë çështje për t’u adresuar, edhe pse jemi ndër të paktat vende, që kemi një trajtim të veçantë për studentët ekselentë. Studentët nga familje në nevojë s’paguajnë asnjë taksë, tarifë, dhe marrin 100 euro nga shteti.

Dialogu s’mund të zhvillohet kurrsesi me ata që dhunojnë. Te ligji për tubimet parashikohen një sërë masash për ata që dhunojnë. Dorëheqja e Ramës s’ka për të ndodhur kurrë. Dorëheqje nuk ka. Dialog pa dyshim, përjashto seksionin e dhunës së PD. Dialog po, nëse duan paraprakisht t’i çojnë listën e çështjeve, le t’i çojnë.

Studentët të marrin shembull nga studentët në Serbi. Kishte një protestë, zgjati për tre vite me radhë, në fund u konkretizua me votë. Shkuan në zgjedhje. Vota është ajo që përcakton dhe në demokraci harrojeni se mund të ketë ndryshim pushteti pa votë”.

Mbledhja e PS, Rama u prezanton deputetëve paketën ligjore që ndëshkon protestuesit

0

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama është mbyllur pas një ore.

Mbledhja u mbajt në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Gjatë mbledhje u diskutuan masat e paketës anti-dhunë që Rama prezantoi një ditë më parë.

Kjo paketë ligjore ashtu sikurse vetë kryeministri Rama e ka prezantuar më herët do të bëhet mbi bazën e gjashtë instrumenteve, një pjesë e të cilave ka të bëjë me aktet dhe një pjesë tjetër do të vijë me ndryshimet në ligj. Pritet për t’u parë mënyra se si këto ligje do të depozitohen në Kuvend. Nëse do të depozitohen si pjesë e nismave të deputetëve, apo do të depozitohen si pjesë e nismave të qeverisë.

Kujtojmë se më herët është bërë e ditur që paketa ligjore, përfshin një sërë masash kundër dhunuesve të hapësirave publike e private, duke nisur që nga dëmshpërblimi apo mbështetja financiare nga ana e shtetit për bizneset e prekura, po ashtu është parashikuar që dhunuesit duhet të paguajnë financiarisht për dëmet e shkaktuara.

Gjithashtu do të ketë ndërhyrje në ligjin për tubimet, si dhe ndërhyrje në Kodin Penal, që parashikuan masa për personat e maskuar gjatë tubimeve, po ashtu edhe për personat që kanë kryer akte dhunë. Një tjetër masë do të jetë edhe kufizimi i lëvizjes së këtyre personave në vendet e Bashkimit Europian.

Fokusi është vënë edhe tek buxheti i 2027-ës dhe te paketat sociale të prezantuara më herët nga kryeministri Rama. Në fokus ka qenë paketa e strehimit social që përfshin mbështetje edhe për studentët.

Rama ka kërkuar që deputetët në zonat e tyre elektorale, por dhe në takimet me qytetarët t’i prezantojnë pikërisht këto paketa të strehimit social, por edhe masat e paralajmëruara nga ana e qeverisë.

Më tej kryesocialisti u ka kërkuar deputetëve të tij që të mos neglizhojnë “Praninë Besnike” dhe të shtojnë praninë në zona.

Ai iu ka kërkuar gjithashtu që ata të jenë më aktiv dhe të merren me buxhetin e administratën e terrenit.

Plagosja në sy e Erjon Vishkullit, sekuestrohen kamerat e Bankës së Shqipërisë

0

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me plagosjen e Erjon Vishkullit gjatë protestës së 24 tetorit.

Raportohet se janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë, tek Banka e Shqipërisë, aty ku besohet se nga mund të identifikohet punonjësi i policisë së Shtetit që qëlloi me plumb gome në sy, protestuesin Erjon Vishkulli. Po ashtu, Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar kartelën mjekësore që është hapur në spitalin e Traumës në Tiranë, ku 28-vjeçari u trajtua pas plagosjes.

Grupi i hetimit ka dërguar edhe një letërporosi në Itali, duke kërkuar nga autoritet spitalore ku është shtruar Erjon Vishkulli, që t’i venë në dispozicion sferën e gomës që i ka mbetur në sy të riut.

Kryesoi Listën Studentore dhe mposhti Vuçiçin në zgjedhje, kush është Ilija Srdanoviç, kardiologu që pritet të jetë kryeministri i ri i Serbisë

0

Ilija Srdanoviç, kardiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad, është figura që udhëhoqi Listën e Studentëve drejt fitores në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, duke lënë pas forcën politike të presidentit Aleksandër Vuçiç.

Sipas projeksioneve paraprake, lista studentore siguroi rreth 52% të votave, çka përkthehet në afro 138 mandate nga 250 që ka gjithsej parlamenti serb. Vuçiç e pranoi humbjen, duke deklaruar se lista e tij ishte renditur e dyta në zgjedhje. Në momentin e raportimit, rezultatet përfundimtare zyrtare ende nuk ishin publikuar.

Kjo fitore përbën një zhvillim të rëndësishëm për lëvizjen studentore, e cila, pas disa muajsh protestash kundër korrupsionit dhe kërkesash për përgjegjësi institucionale, u shndërrua në një forcë që garon drejtpërdrejt në politikën parlamentare.

Kush është Ilija Srdanoviç?

I lindur në vitin 1970 në Novi Sad, Ilija Srdanoviç është mjek kardiolog dhe profesor universitar. Ai ka përfunduar studimet e mjekësisë dhe specializimet përkatëse, ndërsa në vitin 2012 ka mbrojtur doktoraturën. Që prej vitit 2018, ai është pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë në Novi Sad, ku jep mësim në departamentin e mjekësisë së urgjencës.

Srdanoviç u bë pjesë e mbështetësve të protestave studentore që në fazat e para të tyre. Ai doli për herë të parë për të folur në tubimet e organizuara në Beograd në maj të këtij viti, ndërsa në shtator mori drejtimin e listës së pavarur me emrin “Studentët fitojnë”, duke u bërë përfaqësuesi i lëvizjes në garën parlamentare.

Programi dhe mesazhi i lëvizjes studentore

Programi i Listës së Studentëve parashikon decentralizimin e sistemit shëndetësor dhe vendosjen e interesave kombëtare në plan të parë. Në të njëjtën kohë, integrimi i menjëhershëm në Bashkimin Europian nuk konsiderohet përparësia kryesore e kësaj platforme.

Gjatë një takimi me studentët në Novi Sad, ku u prezantua si kandidat, Srdanoviç iu referua edhe tragjedisë së vitit 2024, kur shembja e tendës së stacionit të trenit në qytet shkaktoi vdekjen e 16 personave.

Ngjarja shkaktoi reagime të forta në vend dhe u pasua nga protesta të gjera, gjatë të cilave studentët kërkuan transparencë dhe përgjegjësi nga institucionet shtetërore.

Në fjalën e tij, Srdanoviç theksoi se qytetarët po kërkojnë një rrugë të re për Serbinë, ku brezi i ri të ketë një rol më të madh dhe të kontribuojë në ndryshimin e vendit.

Nga protestat në parlament

Fitorja e Listës së Studentëve shënon kalimin e lëvizjes nga protestat në rrugë drejt përfaqësimit politik, duke arritur të mposhtë listën e drejtuar nga Aleksandër Vuçiç.

Me Srdanoviçin në krye, lëvizja studentore ka fituar një rol të rëndësishëm në skenën politike serbe. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të përkthehet rezultati zgjedhor në formimin e qeverisë dhe në drejtimin e ardhshëm të vendit.