Ajo është një modele amerikane, e cila i ka ngjitur me shpejtësi shkallët e karrierës në botën e modës. Është fjala për Traci Valenti, e cila është me origjinë italiane. Traci edhe pse është nënë e dy fëmijëve është me të vërtetë në superformë. Linjat e saj ajo nuk heziton asnjëherë t’i ekspozojë për ndjekësit e shumtë në llogarinë e saj të “Instagramit”.
Ekstradohet Izet Haxhia, i dënuar për bashkëpunim në vrasjen e Azem Hajdarit
Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës u ekstradua në aeroportin e Rinasit, nën masa të rrepta sigurie. Haxhia është dënuar me 25 vjet burg për bashkëpunim në vrasjen e Azem Hajdarit. Drejtësia shqiptare, sipas ligjit, ka një muaj kohë për të vendosur nëse do të lihet në fuqi ky dënim apo procesi për vrasjen e Hajdarit, do të rihapet. Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës përgjatë viteve 1992-1997, i dënuar me 25 vjet burg për bashkëpunim në vrasjen e Azem Hajdarit, u ekstradua nga Stambolli i Turqisë drejt Aeroportit të Rinasit. Avioni më të cilin udhëtonte u ul në pistën e aeroportit në orën 20:07 minuta. I shoqëruar nga punonjës të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe ata të trupës së shoqërimit të Drejtorisë së Burgjeve, Haxhia u dërgua në ambientet e burgut 313, ku pritet që nga kjo e martë t’i nënshtrohet një procesi të gjatë gjyqësor. Më herët Haxhia ka kërkuar garanci nga autoritetet shqiptare për zhvillimin e një procesi të drejtë dhe të rregullt gjyqësor. Prej 2 javësh ai ishte vetëdorëzuar në policinë turke, ndërsa për 12 vjet me radhë një gjykatë atje kishte urdhëruar që ai të mos largohej jashtë vendit. Në shkurt të këtij viti u mor vendimi që ai të ekstradohet. Ekstradimi i tij në Shqipëri mund të çojë në rihapjen e dosjes ‘Hajdari’, pasi Izet Haxhia është shprehur vazhdimisht se ka prova që fajësojnë ish-kryeministrin Sali Berisha si pjesë e skenarit që çoi në ekzekutimin e Azem Hajdarit pak metra larg selisë blu.Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi. Në Kodin e Procedurës Penale parashikohet që vendimi rishikohet kur ekstradimi i të dënuarit të gjykuar në mungesë jepet me kushtin e shprehur të rigjykimit të çështjes.Në këtë rast, kërkesa për rishikim mund të paraqitet brenda 30 ditëve nga data kur personi është ekstraduar. Pra, referuar legjistacionit shqiptar, tashmë drejtësisë i mbetet një muaj kohë për të vendosur nëse do të rihapet procesi gjyqësor ose do të lihet në fuqi dënimi prej 25 vitesh.
VOX-POP: Kur ka qënë hera e fundit që ke pas “takat” (Video)
Vox-Pop nga gazetarët tanë në terren:
Mourinho, 800 mijë euro për të mbyllur gjyqin për evazion fiskal
Jose Mourinho është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje me organet tatimore spanjolle, për mbylljen e procesit gjyqësor në lidhje me evazionin fiskal, të kryer me fshehjen e të ardhurave nga e drejta e imazhit në periudhën 2011-2012, kur ai ishte trajner i Realit të Madridit. Sipas asaj që publikohet tek e përditshmja spanjolle “El Mundo”, ish-trajneri portugez i Realit të Madridit ka pranuar fajin për evazionin fiskal dhe do të paguajë një gjobë prej 800 mijë eurosh. Ky pakt, për të cilin pritet vetëm formalizimi, do të shërbejë për të konvertuar dënimin me burg prej 12 muajsh, që organet fiskale kërkuan për 55-vjeçarin. Mourinho u hetua edhe më parë nga organet fiskale spanjolle, për faktin se nuk deklaroi shifrën prej 3.3 milionë eurosh të përfituara nga e drejta e imazhit. Ai proces u mbyll në korrik të vitit 2015, pas akordit që “luzitani” arriti me autoritetet për të paguar 4.4 milionë euro, sa ç’është shifra e evazionit, gjoba dhe interesat. Organet fiskale e rihapën këtë çështje para një viti, pasi gjetën informacione të reja, dhe Prokuroria bëri denoncimin e saj kundër Mourinhos.
Peticion Ramës : Anuloni taksën në Rrugën e Kombit
Këshilltarët e tre bashkive, Kukës, Has dhe Tropojë i janë drejtuar me një peticion, kryeministrit Edi Rama, në të cilin i kërkojnë edhe personalisht :të ushtrojë autoritetin ligjor për konsiderimin e kontratës koncensionare në mospërputhje me interesat e komunitetit e si e tillë, të vendosë anulimin e taksës në Rrugën e Kombit për rajonin e Kukësit.” Ky është peticioni i dytë i këtyre këshilltarëve lidhur me këtë çështje; një peticion ata i kanë drejtuar edhe Presidentit të Republikës, Ilir Metës, në të cilin i kërkojnë të ushtrojë autoritetin e tij për lirimin e 4 protestuesve të burgosur.
Iggy Azalea tregon asetet
Iggy Azaleas i pëlqen shumë që të tregojë format me veshje ekstravagante, por nuk e ka problem edhe të postojë foto në Instagram me bikini kur ngrihen temperaturat. Reperja australiane ka postuar në rrjetin social foto shumë provokuese buzë një pishine, duke nxjerrë në pah të pasmet. Iggy ka pozuar në një pishinë në Kalabasas të Kalifornisë.
Ministrat e Brendshëm e të Drejtësisë së BE dhe Ballkanit Perëndimor në tetor vijnë në Tiranë
Tirana do të presë në tetor ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor. Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj pas vizitës që pati në Austri. Në një postim në Tëitter, Xhafaj tha se ky takim do të mbahet në Tiranë gjatë presidencës austriake të BE. “Austria është një ndër mbështetësit me aktivë të integrimit tonë në Evropë”, tha ministri Xhafaj. Në Vjenë Xhafa u takua me Kryetarin e Parlamentit Austriak Wolfang Sobotka dhe homologun e tij, Ministrin e Brendshëm, Herbert Kickl. “Bashkëbisedim shumë konstruktiv e i frytshëm me kolegun austriak. Projekte të përbashkëta në zhvillim”, shprehet ministri Fatmir Xhafaj.
Melania Trump kopjon sërish
Duket se origjinaliteti nuk është pika më e fortë e Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara. Pas akuzave për kopjimin e fjalimit të Michelle Obama, tashmë një tjetër rast plagjature rëndon mbi Melania Trump. Ajo ka publikuar një broshurë në lidhje me fushatën e lundrimit të sigurtë të fëmijëve në internet, e cila duket se është identike me versionin e vitit 2014 të botuar nga administrata Obama. Zonja e parë e Amerikës ndodhet për të disatën herë në qendër të akuzave për plagjiaturë. Në një broshurë të paraqitur nga Melania Trump për fushatën mbi lundrimin e sigurtë të fëmijëve në internet, është vërejtur një ngjashmëri befasuese me një dokument me të njëjtën përmbajtje të lëshuar nga administrata Obama. Zonja Trump nisi të hënën iniciativën Be Best, lëvizje të cilës i ka dedikuar dhe një website ku prindërit mund të gjejnë broshurën me informacione mbi lundrimin e sigurtë të fëmijëve në intërnet. Por pas reagimeve të ashpra në mediat sociale përmbajtja u korrigjua dhe u përkufizua si një promovim që zonja Trump i bën broshurës ekzistuese. Një tjetër rast plagjature u shënua në vitin 2016, kur zonja e parë gjatë një fjalimi kishte përdorur të njëjtat fjalë me paraardhesen e saj Michelle Obama.
Kim Jong-un ndalet për të dytën herë në Kinë
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un është takuar me homologun e tij kinez, Xi Jinping në qytetin verilindor kinez të Dalianit, në një vizitë të panjoftuar më parë dyditore, nga e hëna e deri më sot. Lajmi njoftohet nga media shtetërore kineze. Kjo është hera e dytë që dy udhëheqësit takohen në më pak se dy muaj, pasi zhvilluan gjithashtu një takim sekret në kryeqytetin kinez, Pekin, në fund të marsit. Ai i marsit shënoi edhe herën e parë që Kim ndërmerrte një udhëtim jashtë vendit, që prej marrjes së pushtetit në vitin 2011, pas vdekjes së të atit, e u pa gjerësisht si një sinjal ngrohjeje marrëdhëniesh mes dy aleatëve të “grindshëm”. Takimi i kësaj jave vjen pas një samiti historik në fund të prillit mes Kim Jong-un dhe homologut koreano-jugor, Moon Jae-in, e përpara bisedimeve të shumëpritura mes Kimit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, që pritet të ndodhë në fund të këtij muaji, ose fillim të qershorit.
Plagosi 4 persona me thikë para Presidencës, arrestohet
Pak orë pas ngjarjes, një 20-vjeçar i dyshuar si autori i plagosjes së katërfishtë paraditen e së martës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është arrestuar nga efektivët e policisë. Henri Karaj, mësohet se është autori i përfshirë në ngjarjen e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Raportohet se 20-vjeçari nga Tirana paraditen e sotme, pas një konflikti për motive të dobëta në zonën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, plagosi me mjet prerës shtetasit J. Ll., 18 vjeç F. Ll., 18 vjeç K., D., 19 vjeç dhe K. M., 19 vjeç. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të plagosjes me dashje.












