Joachim Low është i pari në listën e kandidatëve që mund të marrin postin e trajnerit në pankinën e Arsenal, me Arsene Wenger që duket pranë lamtumirës në fundin e sezonit. Sipas asaj që raporton ESPN, trajneri francez që ndodhet në Londër prej 22 vjetësh duket se nuk ka më përkrahjen e dikurshme dhe kjo është shprehur edhe nga një pjesë e futbollistëve, që nuk po pëlqejnë zgjedhjet e tij taktike. Nën presion duken edhe drejtruesit e klubit, që prej kohësh janë në shënjestër nga të gjitha mediat ishullore. Rinovimi që përfitoi pas finales së FA Cup të fituar me Chelsea një vit më parë është i vlefshëm deri në verën e vitit 2019, por me shumë gjasa mund të ndodhë një zgjidhje konsensuale. Ndërsa kandidatët që përfliten për të marrë vendin e tij është Jardin i Monaco dhe Rodgers që drejton Celtics, por më së shumti po preferohet Joachim Low. 58-vjeçari që drejton kombëtaren gjermane që nga viti 2006, ku nisi detyrën si zëvendës i Klinsman ka një reputacon të mirë dhe preferohet shumë edhe nga drejtuesit e Arsenal. Low është nën kontratë me federatën gjermane deri në 2020, por qëndrimi i tij në pankinën e Gjermanisë do të varet shumë edhe nga rezultatet në finalet e Botërorit të Rusisë. Joachim nuk drejton një klub që nga viti 2004, ndërkohë politika e re e Arsenal është që duke filluar nga viti i ardhshëm roli në pankinë do të jetë vetëm trajner dhe jo manaxher, siç ka bërë Wenger në këto 22 vite.
A shkaktojnë kancer cigaret elektronike?
Cigaret elektronike gjithnjë e më shumë po përdoren si një alternativë e nikotinës teksa duhanpirësit kërkojnë mënyra për të hequr zakonin e tyre. Këto lloj cigaresh punojnë duke ngrohur një lëng të pastër të quajtur e-lëng, i përbërë nga aromatizues, propilen glikol, glicerinë dhe shpesh nikotinë – derisa avullojnë. Avulli është shumë më pak bezdisës sa tymi i cigares si për duhanpirësit ashtu edhe për jo duhanpirësit. Por përdorimi i tyre është rrethuar nga debati, duke u përqendruar në mungesën e provave lidhur me dëmet që shkaktojnë nga përdorimi afatgjatë si dhe potencialin e tyre për të vepruar si një portë për pirjen e duhanit në mesin e adoleshentëve. Një studim i botuar të hënën në revistën Pediatrics zbuloi pesë toksina që shkaktojnë kancer në urinën e 16-vjeçarëve të cilët thithin avullin e cigareve dhe një studim i dytë zbuloi përsëri se e-cigaret inkurajojnë adoleshentët të fillojnë pirjen e cigares tradicionale. Javën e kaluar, një studim i rreth 70.000 njerëzve zbuloi se përdorimi i përditshëm i cigareve mund të dyfishojë rrezikun për sulme në zemër. Nëse përdoruesi vazhdon të pijë cigare të rregullta çdo ditë së bashku me e-cigare, rreziku i kombinuar rritet pesë herë. “Cigaret elektronike janë promovuar gjerësisht si një ndihmë për ndërprerjen e pirjes së duhanit, por për shumicën e njerëzve ata e bëjnë më të vështirë të lënë duhanin, kështu që shumica e njerëzve përfundojnë si të ashtuquajturit ‘përdoruesit e dyfishtë’ që vijojnë pirjen e duhanit gjatë përdorimit të cigareve elektronike” tha Stanton Glantz, autor kryesor i studimit të fundit. Shkenca dhe politika publike kanë debatuar për më shumë se një dekadë, pasi që studime të ndryshme prodhojnë rezultate të ndryshme – dhe nganjëherë kontradiktore.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mbledhja e parë në 19 mars
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të zhvillojë në 19 mars 2018 në orën 10:00 mbledhjen e parë. Mbledhja do të zhvillohet në ambientet e Gjykatës së Lartë dhe është thirrur nga kryetari i KED, Artan Broci. Anëtari i Gjykatës së Lartë Z. Artan Broci, është njohur me shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me nr.982/1 prot. datë 01.03.2018, për zgjedhjen e tij si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Sipas nenit 149/4 të Kushtetutës, Broci gëzon cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në këtë cilësi, në zbatim të nenit 226 të Ligjit nr.115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, Z. Broci ka nisur punën për krijimin e kushteve dhe marrjen e masave organizative për thirrjen e mbledhjes së parë konstitutive të KED. Në këto kushte, pasi rakordoi edhe me Institucionin e Avokatit të Popullit, pjesëmarrja e të cilit është e detyrueshme, vendosi të thërrase mbledhjen e parë të këtij organi në datën 19.03.2018, ora 10.00,në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë, e cila sipas ligjit është dhe selia e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Ktheher Europa League
Sot luhen ndeshjet e para të fazës së 1/8 të finaleve të Europa League. Padyshim që vëmendja më e madhe do të jetë e përqendruar në San Siro, ku do të përballen Milani dhe Arsenali, dy skuadra që e kanë shkruar emrin e tyre në futbollin evropian. Të dyja këto skuadra po jetojnë momente të ndryshme në këtë fazë të sezonit. Milani po shfaqet mjaft mirë në Serinë A, pasi ka fituar 5 nga 6 ndeshjet e fundit, duke mos pësuar asnjë gol. Ndërsa Arsenali, 4 ndeshjet e fundit i ka humbur të gjitha. Në Gjermani, Borussia Dortmund do të presë Salzburgun, me të cilin nuk është përballur kurrë më parë në arenën evropiane. Skuadra gjermane vjen në këtë sfidë pas 3 barazimeve radhazi, ndërsa Salzburgu ka fituar 7 nga 8 ndeshjet e vitit 2018. Skuadra pretendente kryesore për fitoren e Europa League, Atletico Madrid, do të luajë ndaj Lokomotivës së Moskës. Ekipi i Simeones ka fituar 5 ndeshjet e fundit të luajtura në fushën e tij, duke mos pësuar asnjë gol, ndërsa Lokomotiva e Moskës në 6 ndeshjet e fundit të zhvilluara në territorin spanjoll nuk ka fituar asnjë sfidë dhe ka një bilanc 1 barazim e 5 humbje. Në “Velodrome” do të luhet sfida mes Olympique Marseille dhe Athletic Bilbao. Marsejezët nuk kanë humbur asnjë ndeshje në shtëpi në Evropë në këtë sezon, ndërsa Bilbao do të kërkojë të shfrytëzojë faktin që ka në radhët e saj shënuesin më të mirë të Europa League, Aritz Aduriz, me 7 gola. Sot do të luhen edhe CSKA Moskë-Lyon, Leipzig-Zenit, Sporting Lisbon-Plzen dhe Lazio-Dinamo Kiev.
Korçë, 20 vjeçarja helmohet me fostoksinë pas grindjes me të fejuarin
Një vajzë e re i ka dhënë fund jetës tragjikisht, duke u vetëhelmuar me fostoksinë. Ngjarja e rëndë është shënuar në fshatin Zvirinë të Korçës paraditen e sotme, ku viktima është 20-vjeçarja Ervisa V. Bazuar në dëshminë e prindërve, e reja dyshohet se është flijuar pas një sherri me të fejuarin, për shkak se ishte në gjendje të rënduar emocionale. Këto pretendime, të afërmit e 20-vjeçares i ngrenë, bazuar në dyshimet se kohëve të fundit, e reja kishte shfaqur shenja të qarta depresioni. “Shkak kane qenë edhe grindjet e shpeshta me të fejuarin. Nuk ishte e qetë”, kanë thënë të afërmit në polici. Gjithsesi lidhur me këtë rast hetimet janë në vijim për të zbuluar më shumë mbi shkakun e vetëvrasjes. Për ndjekje të mëtejshme, materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”
DAVIDE ASTORI! FIRENCE I JEP LAMTUMIRËN KAPITENIT TË FIORENTINËS
Qyteti i Firences i ka dhënë lamtumirën e fundit kapitenit të skuadrës së saj, Fiorentinës, i cili humbi jetën pak ditë më parë në një hotel në qytetin e Udines ku ekipi ishte mbledhur për të zhvilluar ndeshjen e radhës së kampionatit italian. Vdekja erdhi për motive natyrore. Në katedralen Santa Lucia të Firences, u zhvillua sot ceremonia e vdekjes ku mijëra qytetarë kanë nderuar kujtimin e Davide Astorit. Në ceremoni morën pjesë spostistë të njohur, miq të kapitenit të Fiorentinës, delegacione të skuadrave italiane e jo vetëm të futbollit, personalitete drejtuese të sportit si dhe autoritetet më të larta vendore. Davide Astori humbi jetën në moshën 31 vjeçare, ishte i martuar dhe baba i një vajze 2 vjeçare. Në karrierën e tij sportive prej vitit 2011-2017 ka qënë pjesë e ekipit kombëtar italian të futbollit. Ka luajtur me skuadrat Cremonese, Cagliari, Roma dhe Firoentina. Davide Astori mbante numrin 13 dhe pas vdekjes së tij skuadra e Fiorentinës dhe ajo e Cagliarit kanë vendosur të tërheqin bluzën me këtë numër në kujtim të tij.
SPANJË, PROTESTAT E FEMRAVE “PARALIZOJNË” TRENAT
Shërbimi hekurudhor në Spanjë do të jetë i paralizuar përgjatë Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kur gratë protestojnë kundër pabarazisë gjinore. 300 trena nuk do të operojnë në 8 mars, siç bëri të ditur Ministria e Transporteve. I prekur edhe shërbimi i transportit nëntokësor. Greva 24-orëshe, e organizuar nga 10 sindikata, ka qenë subjekt i debateve të shumta në vend. Grupet feministe i kërkuan gjithashtu grave të mos shpenzojnë para’ dhe të anashkalojnë punët e shtëpisë përgjatë ditës. Por, të tjerë kanë ngritur zërin kundër grevës. Partia e qendrës së djathtë në pushtet, Partido Popular, tha se aksioni ishte për elitat feministe e jo për gratë e vërteta, me probleme të përditshme. Ndërsa 10 nga sindikatat spanjolle kanë kërkuar grevë 24-orëshe, dy prej më të rëndësishmeve i thanë pjesëtareve të tyre të marrin pjesë vetë për dy orë. Aktorja Penelope Curz ka anuluar eventet e planifikuara publike dhe do të bëhet pjesë e një greve shtëpiake. Një sondazh i zhvilluar tek 1500 persona sugjeron se 82% e të intervistuarve e mbështesin grevën, ndërsa 76% e grave në Spanjë kishin jetë më të vështirë sesa burrat. Në këtë shtet, gratë paguhen 13% dhe 19% më pak sesa burrat në sektorët publikë dhe privatë, respektivisht, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave Eurostat.
‘Ju do më thoni ku po gaboj’, si shpërtheu në lot para mësuesve ministrja Nikolla
Ditën e ‘7 Marsit’, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka shpërhtyer në lot gjatë fjalimit që mbajti në takimin me mësuesit.
Ministrja shprehu falenderimet e saj ndaj mësuesve, ndërsa shtoi se do t’u qëndronte pranë për sa kohë do të jetë në detyrë dhe u kërkoi atyre t’i tregonin se ku po gabonte.
“Sa të jem në detyrë nuk do të rresht për t’iu takuar ju në çdo shkollë të Shqipërisë duke iu pyetur ku po gaboj. Ju do më ndihmoni duke më thënë të vërtetën. Sepse ju jeni siguria, ju jeni suksesi. Janë shumë misionarët e dijes në Shqipëri. Unë do të doja të falënderoja kryeministri, që falë pasioni, ndihmës së vyer që ai ka për mësuesin mundësi edhe këtë ceremoni dinjitoze sot.” , tha Nikolla.
Është e paqartë arsyeja se përse po qan ministrja, e cila është ndër ministret më të kritikuara në qeverisjen e kryeministrit Rama, për shkak të ligjit për Arsimin e Lartë, largimin e studentëve nga Shqipëria, vonesat në pagat e mësuesve e shumë problematika të tjera.
Llalla 15 vjet “i përjashtuar” nga sistemi i drejtësisë
Zbardhet vendimi për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Sipas këtij vendimi procesi i rivlerësimit të subjektit ndërpritet në momentin e dhënies së dorëheqjes dhe subjekti i rivlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, ose anëtar i KLGJ apo KLP. “Procesi i rivlerësimit për Llallën ka vazhduar edhe pas përfundimit të mandatit si Kryeprokuror. Në 12 shkurt 2018 jemi vënë në dijeni të kërkesës për dorëheqje të Llallës nga funksionet e magjistratit. Me paraqitjen e dorëheqjes Llalla humbet të drejtën e emërimit për 15 vjet në sistemin e drejtësisë” thuhet në vendim. Kundër këtij vendimi mund të ankimohet brenda 15 ditëve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit
Kapen 300 kg kanabis në Itali, në pranga disa shqiptarë (ku ishte fshehur droga)
Të paktën 300 kilogramë kanabis janë kabur në Bergamo të Italisë.
Droga u kap pas një operacioni të ‘Guardia di Finanzas’ të vendit fqinj dhe në përfundim të tij u arrestuan 5 persona ndërsa janë denoncuar 14 të tjerë.
Lënda narkotike ishte fshehur poshtë një ngarkese me perime.
Ndër të arrestuarit ka shtetas shqiptarë dhe marokenë që merreshin me shitjen dhe transportin e lëndës narkotike në Itali dhe Spanjë.
Policia bergamaske po heton për anëtarët e tjerë të bandës që mund të jenë të përfshirë në këtë trafik të paligjshëm narkotikësh.












