Ballina Blog Faqe 9247

Xhafaj:Vetting edhe për klasën politike, duke filluar nga unë i pari

0

Edhe politikanët duhet të kalojnë në vetting, ashtu si prokurorët, gjykatësit apo policët. Kjo ishte deklarata e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në Komisionin e Sigurisë, i cili miratoi në parim këtë projektligj. Përfaqësuesit demokratë lëshuan akuza të forta ndaj këtij procesi. Vettingu në Policinë e Shtetit u diskutua këtë të hënë në Komisionin e Sigurisë, kur deputetët e miratuan në parim këtë projektligj, ndonëse pati debate mes anëtarëve. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke i kthyer përgjigje deputetit demokrat Ervin Salianji, u shpreh se edhe politikanët duhet të kalojnë në vetting.

Xhafaj: Pyetja e parë ishte, a mund dhe duhet të përfshihet Ministri i Brendshëm në procesin e Vetting-ut? Natyrisht, nëse unë do të isha punonjës i Policisë së Shtetit, i Gardës apo SHÇBA-së, do të isha sot subjekt i këtij ligji vlerësimi. Nëse bëhet fjalë që të vetohem unë si politikan, unë vetohem sot si gjithë politikanët e tjerë, përfshirë edhe ju që jeni në këtë tavolinë. Nëse duhet një ligj i Vetting-ut për politikanët, unë jam i pari që do ta votoja me të dy duart dhe mund t’ju jap një draft që mund ta keni në konsideratë, nëse do të ndërmerrni një inciativë të tillë. Dhe do të ishte një gjë tejet pozitive dhe besoj që ai draft duhet të ketë të parin, si do që të jetë, që të vetohem unë i pari, meqenëse jam hartuesi i Reformës në Drejtësi, hartuesi i këtij projektligji dhe Ministër i Brendshëm për momentin në këtë detyrë, nëse kjo është e nevojshme për t’u parë si e tillë. Kjo do të ishte një gjë shumë pozitive. Por besoj fort që në mënyrën si është ndërtuar dhe vetë Reforma në Drejtësi, në mënyrën se si është konceptuar ajo, unë besoj shumë shpejt që do të kemi dhe Vetting për politikën, qoftë për çështje të figurës, qoftë për çështje të njerëzve në politikë. Dhe në mënyrë të veçantë të atyre që kanë pasur rol vendimmarrës, në fatet e këtij vendi dhe në pasuritë e qytetarëve të këtij vendi. Gjithashtu, Ministri shpjegoi edhe disa detaje të projektligjit të vettingut. Deputeti demokrat, Flamur Noka, lëshoi disa akuza në drejtim të mazhorancës. Deputetët e Partisë Demokratike, ata të Partisë Socialise dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ishin kryesisht dakord me projektligjin, ndonëse kishin disa vërejtje që kishin të bënin me aspekte teknike. Në vetting mund të kalojnë edhe policët e larguar për ndryshime strukturore, ose ata që kanë fituar në gjykatë, por që nuk duhet të jenë më tepër se 47 vjeç, e cila ishte një tjetër pikë e debatuar nga anëtarët e Komisionit.

Krimet e Rënda marrin në pyetje Haxhinaston

0

Për më shumë se një orë, ish-Ministri Edmond Haxhinasto është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda lidhur me dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan. Ai është thirrur për të dëshmuar si person që ka dijeni për dosjen. Pas daljes nga organi i akuzës, Haxhinasto nuk dha shumë detaje por deklaroi: “U pyeta për projektin e rrugës Tiranë-Elbasan që siç e dini është në hetim. Për ato gjëra që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e mia si ish-drejtues politik i Ministrisë së Transportit dhe Intrastrukturës gjatë një periudhe të zhvillimit të këtij projektit”. Marrja në pyetje e Haxhinastos vjen pas arrestimit të ish-zyrtarëve të lartë të ARRSH-së, të vënë nën akuzë për abuzime lidhur me rrugën Tiranë-Elbasan dhe rrugën e Gjinarit. Haxhinasto aktualisht është deputet i LSI. Mësohet se Prokuroria ka thirrur për të dëshmuar edhe persona të tjerë që kanë dijeni mbi këtë dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan.

Zhvishet Aurela Hoxha

0

Ajo ka pozuar hijshëm për një revistë erotike spanjolle, ku nuk ka nguruar aspak të tregojë hiret që ndoshta ia kanë zili shumë femra. Edhe pse e kanë akuzuar shpesh për operacionet e shumta plastike, e madje kanë shkuar deri aty sa dyshohet të ketë hequr edhe brinjët për të zvogëluar perimetrin e belit, Aurela Hoxha ka shkëlqyer në setin e realizuar për revistën spanjolle. Bie në sy fundshpina e bëshme dhe disi e ekzagjeruar, në një prej fotove të publikuara nga vetë modelja shqiptare. Siç duket, Aurela po e shtron ngadalë dhe mirë rrugën drejt suksesit që ka në mendje.

Bale dhe 100 milionë euro, oferta e Real për Hazard

0

Eden Hazard është kthyer në objektivin kryesor të Real Madrid dhe për këtë manovër klubi madrilen sakrifikon Gareth Bale dhe 110 milionë euro. Edhe pse deri në hapjen e merkatos duhen edhe 4 muaj dhe për më shumë duhen shumë objektiva për t’u mbyllur, Real Madrid po mendon për lëvizjet në skuadër. Hazard i përfolur prej kohësh për një pëlqim nga Madridi po vonon rinovimin me londinezët e Chelsea dhe ky është marrë si një sinjal për t’u transferuar në Madrid. Sulmuesi belg pëlqehet shumë nga trajneri Zidane dhe sipas asaj që shkruan media britanike, skuadra madrilene është gati që të sakrifikojë Gareth Bale për te patur belgun në “Santiago Bernabeu”. Bale ka qenë afër largimit në dy sesionet e fundit të merkatos, por Manchester United që kërkonte shërbimin e tij u mjaftuar me kilianin Sanchez. Një shkëmbim Hazard-Bale do te ishte në favor edhe të londinezëve të Chelsea, që ndër të tjera do të arkëtonin 110 milionë euro, për të plotësuar lëvizjet e tjera ne merkato.

Gjykata e Apelit lë në burg dy ish-Drejtorët e Rrugëve

0

Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë në burg dy ish-Drejtorët e Përgjithshëm të Rrugëve, Dashamir Xhika dhe Andi Toma.  Në seancën gjyqësore për rivlerësimin e masës së sigurisë, trupa gjykuese vendosi të lërë në fuqi ‘arrestin me burg’ të vendosur Gjykata e Elbasanit, vendim që është apeluar nga mbrojtja në Gjykatën e Apelit në Durrës. “Arrest me burg” Apeli i Durrësit vendosi edhe Rexhep Tarban (mbikqyrës i punimeve në rrugën e Gjinarit), ndërkohë për Agron Hysën, Kujtim Hysën dhe Rezarta Bokçiun u vendos detyrim paraqitje. Gjashtë persona të tjerë janë shpallur në kërkim nga prokuroria. Në këtë çështje akuzohen gjithsej 11 persona për të cilët prokuroria ka kërkuar caktimin e masave të sigurisë në gjykatë.

 

Sulmi në Florida, Trump zemëron të mbijetuarit

0

Nxënësit që i mbijetuan sulmit në Parkland, Florida, shprehën zemërim ndaj presidentit Donald Trump, që e lidhi dështimin e FBI në ndjekjen e një raporti për autorin e sulmit në shkollë me angazhimin e ekzagjeruar të saj në hetimin mbi Rusinë. “Shumë i trishtuar që FBI nuk arriti të kuptonte të gjitha mesazhet e dërguara nga autori i sulmit në Florida, kjo nuk është e pranueshme. Ata po shpenzojnë shumë kohë në përpjekjet për të provuar përfshirjen e Rusisë në fushatën Trump. Nuk ka asnjë përfshirje, kthehuni tek thelbi dhe na bëni krenar”, shkruante Trump në “Twitter”. Por, ky postim shkaktoi jo pak zemërim si në rrugë ashtu edhe online. “17 nga shokët e mi të shkollës nuk janë më. 17 të ardhme, 17 fëmijë dhe 17 miq na u morën. Por, ju keni të drejtë…duhet që gjithçka të ketë të bëjë me ju…” shkruante një nxënës. “Shokët e mi u vranë brutalisht dhe ju guxoni të flisni për rusinë…nuk mund ta besoj këtë”, shkruante një tjetër nxënës. Shumë prej këtyre përgjigjeve u shpërndanë shpejt në rrjet duke u ripostuar me mijëra herë, madje shumë më tepër se sa edhe vetë mesazhi i Trump. Shumë prej nxënësve kanë bërë të ditur se do të bojkotojnë madje edhe një bisedë me presidentin Trump, të planifikuar të mërkurën, me nxënësit dhe mësuesit. Të mbijetuarit e sulmit planifikojnë ndërkohë të protestojnë në Uashington, në përpjekje për të detyruar ligje më të rrepta për armët. Studentët thanë se shpresojnë që sulmi i 14 shkurtit në shkollën Parlkland në Florida, ku kanë mbetur të vrarë 17 veta, të bëhet “pikë kthese” në debatin për kontrollin e armëve. Sipas statistikave, mbi 30,000 njerëz vdesin çdo vit në incidente të lidhura me armët në SHBA.

Letoni, arrestohet për korrupsion Guvernatori i Bankës Qendrore

0

Policia e Letonisë ka arrestuar guvernatorin e bankës qëndrore, i cili akuzohet për korrupsion dhe lidhje me persona që janë afër programit bërthamorë të Koresë së Veriut. Megjithatë ai mohon akuzat. Dridhet sistemi financiar i një prej vendeve të Eurozonës. Guvernatori i Bankës Qëndrore të Letonisë, Ilmars Rimsevics, anëtar i bordit të Bankës Qëndrore Europiane, është arrestuar pasi është marrë në pyetje për 8 orë nga agjentët e antikorrupsionit në kryeqytetin Riga. Ndërsa më herët policia e Letonisë kontrolluan zyrën dhe shtëpinë e kryebankierit, i cili nuk gjendej në vend por që u rikthye më pas. 52-vjeçari Rimsevics, që prej 2001 është Guvernator i Bankës Qëndrore dhe prej 2014-ës, vit kur Letonia hyri në zonën euro, është anëtar bordi i BQE-së. kryeministri Maris Kucinskis, ka konfirmuar besueshmëri totale tek policia dhe shton se nuk ka sinjale për rrezik në sistemin financiar të Letonisë. Shefi i qeverisë njofton se sëbashku me ministren e financave Dana Reizniece-Ozola, po ndjek rastin e Guvernatorit të bankës qëndrore. Shefja e financave ka paralajmëruar se sistemi financiar i Letonisë po pëson një goditje tragjike nga hetimet. “Çdo ditë që kalon përkeqësohet më tej situata me qëndrimin e Rimsevics në drejtim të bankës qëndrore”, thotë ajo. Ndërkohë, për avokatin mbrojtës arrestimi i guvernatorit është qartësisht i paligjshëm. Për Letoninë bëhet fjalë për një goditje të re. Në ditët e kaluara Departamenti i Thesarit Amerikan i ndaloi bankave të veta të kryejnë transaksione me bankën më të madhe të Letonisë, Ablv, që akuzohet se ka institucionalizuar pastrimin e parave dhe se ka mbajtur raporte me subjekte që lidhen me zhvillimin e programit raketor të Koresë së Veriut.

Vettingu në polici, Xhafaj: Kontroll figurës dhe pasurisë së efektivëve

0

Pas pastrimit të figurës së përfaqësuesve të drejtësisë, përmes Vettingut në Drejtësi, pastrimi i figurës së punonjësve të policisë është prioriteti i radhës. Në komisionin e Sigurisë për pr/ligji për vettingun në polici, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj theksoi se synim është evidentimi i personave të inkriminuar në polici. Teksa theksoi se Vettingu në radhët e policisë është një domosdoshmëri, Xhafaj bëri me dije se procesi i vlerësimit kontrollon figurën dhe pasurinë e punonjësve të policisë. “Morëm në konsideratë analiza e raporte të institucioneve europiane, prokurorisë së përgjithshme, si edhe nga vetë punonjësit e e policisë. Qëllimi, krijimi i institucioneve të besueshme. Procesi i vlerësimit kontrollon figurën dhe pasurinë e punonjësve të policisë. Synimi ynë është promovimi i punonjësve të ndershëm. Ky proces duhet të jetë transparent dhe i paanshëm”, Tha Xhafaj. Në Komisionin e Sigurisë, Xhafaj bëri me dije se procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen jo vetëm punonjësit e policisë në detyrë, por edhe ata ish-punonjës që janë larguar nga uniforma blu. “Procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen ata që kanë gradë policore dhe me vullnetin e tyre edhe ish-punonjësve të policisë që u lejohet rikthimi në detyrë. Mund të rikthehen ata punonjës që larguar nga rikonstruktimi i strukturës në kohë të ndryshme. Edhe ata që janë larguar nga detyra, por që kjo masë është hequr me vendim gjykate”, u shpreh ministri Fatmir Xhafaj.

Astrit Veliaj merr mandatin, deputet pas tërheqjes së dy kandidateve të PD

0

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendosi me 7 vota pro që t’i japë mandatin e deputetit Astrit Veliajt. Veliaj e merr mandatin që dorëzoi Eduard Halimi, pasi dy gratë e listës Juvina Jani dhe Monika Qosja vunë në dijeni KQZ se dorëhiqen nga mandati i deputetit dhe për rrjedhojë nuk kanë sjellë në KQZ as formularin e dekriminalizimit. Astrit Veliaj ka paraqitur gjithë dokumentacionin dhe formularin e dekriminalizimit. Debati në komision ishte procedurial dhe në fund të mbledhjes me unanimitet u kalua mandati të dytit në qarkun e Beratit, Astrit Veliaj.

HEC-ET NË OSUM, MINISTRIA E ENERGJISË ZGJIDHJE TË NJËANSHME TË KONTRATËS

0

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së koncesionit për ndërtimin e hidrocentraleve “Bigas 1&Bigas 2 dhe Veleshnje” në lumin Osum. “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se ka administruar vendimin Nr.01, datë 15.02.2018 të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, e cila ka njoftuar pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ “Vendimi për VNM paraprake, Nr.13, Nr.137 identifikimi, datë 26.03.2015” për aktivitetin instalime për prodhimin e energjisë hidroelektrike për hidrocentralet Bigas 1 dhe Bigas 2”, në pellgun ujëmbledhës “Përroi i Bigasit”, Skrapar””, thuhet në njoftimin e ministrisë. Më tej në deklaratë thuhet gjithashtu, se është administruar edhe njoftimi se Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka kërkuar “Inspektimin në terren me qëllim pezullimin e punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve Bigas 1 & Bigas 2 dhe Veleshnje”, deri në vendimmarrjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. “Në këto kushte, bazuar në nenin 12 “Zgjidhja e kontratës së koncesionit” të kontratës së koncesionit për ndërtimin e hidrocentraleve “Bigas 1&Bigas 2 dhe Veleshnje”, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në cilësinë e Autoritetit Kontraktues ka njoftuar shoqërinë për fillimin e procedurave për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së koncesionit”. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shprehet më tej se mbështet dhe inkurajon zhvillimin e burimeve të reja energjetike pasi vendi ka potenciale hidrike dhe është përballë sfidave të mëdha me kërkesë energjie gjithnjë në rritje. “Gjithsesi, paralelisht me mbështetjen për vepra të reja energjetike, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizon se projektet duhet të jenë në përputhje me kushtet teknike dhe në harmoni me mjedisin”.