Ballina Blog Faqe 9315

Edi Rama pritet me protesta në Lezhë: ‘Burg, burg, burg!’

0

Kryeministri Edi Rama është pritur me protesta në qytetin e Lezhës, ku edhe do të mbahet mbledhja e kabinetit qeveritar.

Protestuesit janë banorë të fshatit Torovicë, të cilët kërkojnë rikonstrucionin e rrugës që e lidh këtë fshat më qytetin e Lezhës.

Sipas banorëve kjo rrugë ka qënë një premtim elektoral i PS-së dhe për këtë arsye kanë dalë të protestojnë duke thërritur “Burg, burg, burg”.

Për të folur me protestuesit ka dalë Lindita Nikolla, deputete e kësaj zone, por sërish banorët nuk janë ofruar ta dëgjojnë.

Banorët janë organizuar që në mëngjes për këtë protestë, por policia tentoi ti ndalojë. Më herët u njoftua shoqërimi në komisariat i katër banorëve të fshatit Torrovicë, të cilët u ndaluan në hyrje të fshatit Balldre.

Basha: S’ka drejtësi me Ramën, me paratë e drogës po mbron Tahirin, Dakon e Sejdinin

0

Kreu i PD-së, Basha ka zhvilluar sot një takim me demokratët e Lushnjës. Ky takim është në vazhdën e dëgjesave dhe mbledhjeve të kryedemokratit me bazën, në kuadër të protestës së 27 janarit.

Ai tha në Lushnjë se një nga pasojat më të rënda të qeverisjes së Edi Ramës me krimin është kriza ekonomike, efektet e të cilës po i ndjen çdo familje shqiptare.

Basha tha se Lushnja është një nga qytetet ku bandat përcaktojnë, kush punon, kush merr tendera dhe se të njëjtin pushtet bandat kanë në qytetet kryesore të vendit, si pjesë e aleancës së Ramës me krimin.

“247 biznese  të mbyllura javën e parë të janarit. 13 mijë të mbyllura gjatë vitit të kaluar, po të heqësh të shtunat e të dielat, i bie që janë mbyllur 50 biznese në javë. Edi Rama i ka shpallur luftë njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. Rinia është në dëshpërim dhe 70% e atyre që largohen janë të moshës 19 deri në 35 vjeç. Fermerët shqiptarë asnjë kacidhe nuk kanë parë dhe asnjë mbështetje nga shteti”.

Kreu i opozitës tha se pakti i Edi Ramës me krimin po shkatërron reformën në drejtësi për të mbrojtur pushtetin e vet, të cilin e bleu me paratë e drogës së Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit  dhe të korrupsionit të ministrave të tij Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Ilir Beqja etj.

Kryetari i Partisë Demokratike vuri në dukje se edhe emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm pa vetting dhe kundër Kushtetutës është pjesë e projektit të Edi Ramës për kontrollin politik të drejtësisë dhe mbylljen e dosjeve të krimit dhe korrupsionit qeveritar.

“Nuk ka për të patur reformë në drejtësi me Edi Ramën Kryeministër. Ndaj protesta e 27 janarit është edhe një thirrje për reformën në drejtësi, për drejtësinë e pakapur. Është një thirrje dhe një bashkim që Saimir Tahiri të shkojë në burg, siç duhet të shkojë në burg çdo ministër, çdo pushtetar vendor apo qëndror i faktuar në lidhje me krimin e organizuar dhe i korruptuar deri në palcë me paratë dhe asetet e shqiptarëve.”

Në fund Basha tha se largimi i Edi Ramës do t’i hapë rrugë një qeverie antimafia, e aftë për të zbatuar reformën në drejtësi, që nuk mbron, por ndëshkon kriminelët e veshur me pushtet dhe ministrat e korruptuar.

Pesë ish-punonjës padisin ministren Gjonaj: Na shkarkoi padrejtësisht

0

Pesë ish-punonjës kanë paditur ministren e Drejtësisë, Gjonaj për largimet nga puna.

Ata kërkojnë shfuqizimin e urdhrave për largimet nga puna.

Ish-punonjësit që kanë paditur Gjonajn janë: Petrit Bakiu, Bledar Kabashi. G. Xhafa, Valbona Kryemadhi, Arlind Arapi.

Ata pretendojnë se janë larguar padrejtësisht nga puna dhe ministrja ka shkelur ligjin.

Mbledhja e Qeverisë, Rama pritet me protesta në Lezhë

0

Qytetarë të Lezhës po protestojnë përpara godinës ku Edi Rama ka mbledhur qeverinë në këtë qytet.

Protesta ka nisur në një kohë kur Rama dhe ministrat po zhvillonin mbledhjen, ndërsa kërkesa e tyre ka të bëjë me gjendjen e infrastrukturës.

Sikundër raportohet, protesta është organizuar nga banorët e Torovicës, të cilët mësohet se kanë pasur një komunikim me ministren e Arsimit, Lindita Nikolli, deputete në qarkun e Lezhës.

Pak ditë më parë ish-deputeti socialist i Lezhës, Eduart Ndocaj, i drejtoi një thirrje banorëve të Lezhës që të presin me protesta Edi Ramën, për shkak të mungesës së investimeve në këtë qark.

Fondacioni Soros lobon në qeveri – Kërkon koncesion për sigurinë ushqimore

0

Fondacioni Soros në Tiranë,  rezulton financues i një studimi të dyshimtë, që i sugjeron qeverisë shqiptare të japë me koncension-PPP rrjetin e të dhënave dhe kontrolleve të sigurisë ushqimore.

Një hulumtim i Hashtag.al zbuloi se qeveria shqiptare dhe ky fondacion rezultojnë të sinkronizuar plotësisht lidhur me këtë projekt.

Le ta përmbledhim historinë në rend kronologjik:

10 nëntor 2017, një shoqatë e quajtur AFI realizon një studim mbi sigurinë ushqimore, studimi jepte alarmin për produktet kancerogjene në ushqim. Studimi i AFI-t nuk ofronte asnjë analizë dhe asnjë emër laboratori, ishte thjesht një përmbledhje statistikore e disa rasteve të gjetura me probleme në të kaluarën. Në fund studimi sugjeronte dhënien me koncension të rrjetit të sigurisë ushqimore.

16 Nëntor 2017, kryeministri Edi Rama  nëpërmjet një video-postimi në Facebook e shpall sigurinë ushqimore si prioritetin kycc të qeverisë:  ‘Siguria Ushqimore prioritet kyç i mandatit të ri. Fund thertoreve të paligjshme. Standarde europiane, çertifikim i mishit që del në treg, rritje e punësimit dhe hapje e eksportit të mishit’, – deklaronte Rama.

-14 Dhjetor 2017, në media publikohen disa copëza nga raporti i AFI-t, ku jepej alarmi për sigurinë ushqimore, raporti i plotë nuk bëhej publik.

-15 Dhjetor 2017, ministri i Bujqësisë Niko Peleshi deklaron se: ‘Duke marrë shkas edhe nga raporti i AFI, i kemi kërkuar institucioneve tona, laboratorit të referencës të ISUV dhe AKU që të verifikojnë situatën e qumështit dhe të ndërtojnë mbi këtë bazë planin për garantimin e standarteve dhe sigurisë ushqimore për produktet me origjinë shtazore dhe jo vetëm”.

Po çfarë ishte ky studim i shoqatës AFI dhe pse nuk u publikua i plotë?

Eshte siguruar studimin e plotë (kliko këtu), ku në faqen e parë të këtij studimi shkruhet se financues është Fondacioni për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri( Fondacioni Soros

Nga një vëzhgim i thjeshtë mbi këtë studim rezulton se ajo çfarë paraqitet si studim është thjesht një përmbledhje statistikore me të dhëna nga policia/prokuroria e rasteve kur janë konstatuar ushqime të pasigurta. Këto raste në fakt janë raste suksesi, pasi autoritetet kanë arritur të identifikojnë problemet dhe të çojnë përgjegjësit para ligjit.

Ndërsa pretendon për kontaminim të qumështit apo për probleme të produkteve shtazore, raporti nuk ofron asnjë analizë, asnjë emër laboratori se ku janë kryer analizat dhe asnjë të dhënë orientuese mbi metodologjinë e vlerësimit.

Raporti i AFI i financuar nga Soros, bëhet edhe më i dyshimtë kur në mungesë të analizave dhe të evidencave për situatën alarmante, jep si zgjidhje dhënien me koncension të rrjetit të të dhënave dhe kontrolleve për sigurinë ushqimore.
PPP propozimi AFI

Paralelisht me këtë raport të Soros-it dhe me gatishmërinë e qeverisë për t’u bazuar te ky raport, disa media të financuara nga Fondacioni Soros në javët e fundit kanë ofruar shkrime që trajtojnë pasigurinë ushqimore dhe nevojën për ndërhyrje drastike të qeverisë.

Angazhimi i krahut mediatik të Fondacionit me çështjen e sigurisë ushqimore është tregues se Fondacioni e ka shpallur prioritet koncensionimin e sigurisë ushqimore.

Ky është rasti i parë kur Fondacioni Soros në Tiranë angazhohet drejtpërdrejt në nxitjen e qeverisë shqiptare për shtimin e koncensioneve.

Në mandatin e kaluar të Ramës rrjeti Soros ka luajtur rol të rëndësishëm në nxitjen e koncensioneve, por e kryente tërthorazi rolin e vetë, duke përdorur marrëveshjen e qeverisë shqiptare me institutin e Ricardo Hausmann në Harvard.

Lubonja: Reforma në drejtësi ‘Rama-Lu’ mashtrim i madh, Arta Marku kamikaze

0

Analisti Fatos Lubonja ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend ku e ka vënë theksin tek reforma në drejtësi. Lubonja është treguar tejet i ashpër me çështjen e zgjedhjes së Kryeprokurores Marku, e cila sipas tij është prova e parë se politika shqiptare nuk e do reformën e drejtësisë dhe as një prokuror të pavarur dhe ndihmën për këtë po e jep me sukses eedhe ambasadori amerikan në Tiranë.

“Në fakt, reforma po çan përpara drejt suksesit me vela të fryra. Dhe në erën që e fryn, është edhe kontributi i pamohueshëm i bulçive të ambasadorit amerikan. Kjo që po bën Kryeprokurorja e përkohshme, kujtoni ju se nuk është reformë? Kjo është vetë reforma. Do të thoni ju: po vetingu? Prisni se edhe atij do t’ia ndieni krismën, por Arta është pararoja e vetingut sepse, siç do të thoshte Orëelli në këtë rast, të gjithë janë të barabartë përpara vetingut, përveç atyre që janë vetë vetingu.Të mendosh se politikanët shqiptarë duan prokurorë të pavarur, është njëlloj sikur të imagjinosh hajdutët duke u përpjekur që të vihen roje të ndershme, në vendet ku ata do të shkojnë të vjedhin.”

Sipas Lubonjës kjo është një reformë të cilën nuk  e do askush por të gjithë e brohorasin dhe për më tepër nuk kupton pse ambasadorët ngatërrohen me këto mashtrime. Ai shkruan se jeta në Shqipëri për njerëzit e ndershëm është bërë e pamundur dhe Shqipëria është kthyer në një vend të pashpresë që dëshpëron edhe vendet e tjera ku eksporton mjerim.

“Jetojmë në një vend ku jeta për njerëzit e ndershëm është bërë e pamundur. Në këtë lloj vendi, o duhet të ulesh e të punosh me përulësi, sinqeritet e përkushtim për njerëzit e ndershëm, o duhet të gjesh mashtrimin e radhës me njerëzit e pandershëm. E meqenëse për të parën kjo racë shqiptarësh nuk ka bythë, “Reforma në Drejtësi” është mashtrimi i radhës për të gjetur një fajtor dhe për të ndërtuar një shpresë të rreme për budallenjtë e radhës.”

Lubonja më tej shkruan se mashtrimi i reformës në drejtësi u shërben shgumë aktorëve dhe qëllimeve por më së shumti kryemashtruesit Rama, i cili kërkon të kapë edhe drejtësinë dhe të mashtrojë të huajt.

“Mashtrimi me reformën në drejtësi i shërben një shumësie aktorësh dhe qëllimesh. Më së pari i shërben kryemashtruesit të këtij vendi, Edi Ramës, për të kapur edhe pushtetin e drejtësisë. Por reforma i shërben edhe si një mashtrim për të huajt që do thonë: ja reformatori i guximshëm, që më në fund po lufton korrupsionin në Shqipëri.”

Por ky togfjalësh u shërben edhe mashtruesvetë Brukselit, të cilët duhet të justifikojnë rrogat e majme që marrin dhe privilegjet që kanë.

“Ndërkaq, togfjalëshi magjik u shërben goxha edhe mashtruesve të Brukselit. Në funksion të projektit të Bashkimit Europian, janë derdhur shumë para. Dhe ndër nënprojektet e rëndësishme të këtij projekti, që po jep shpirt nga paaftësia dhe korrupsioni i këtyre burokratëve, është edhe ai i integrimit në Europë i Ballkanit Perëndimor. Po Lu-ja, ç’pjesë ka në këtë mashtrim, do të pyesë ndokush. Lu-ja përfaqëson SHBA, që është partneri i madh i Perëndimit, plus që duket se është i lidhur me lobet që kanë mbështetur Ramën në SHBA – në mos pastë edhe ndonjë “inat personal” me drejtësinë aktuale për shkak të “Bankers Petrolium” – siç thonë gojët e liga.”

Në fund Lubonja shkruan se për ta përmbyllur suksesshëm mashtrimin me drejtësinë duhet ‘peshku i madh’, që rrjeta ‘ramalu’ vrimat e së cilës po mbyllen nga Kryeprokurorja Marku të kapë ndonjë peshk, që duhet fotografuar.

“E kështu, tani kemi arritur në një pikë ku mungon vetëm një gjë e vogël për ta përmbyllur në mënyrë të suksesshme këtë mashtrim. Kjo gjë e vogël e ka mbiemrin të madh sepse quhet: “peshku i madh”. Duhet, pra, që rrjeta e reformës “ramalu”, vrimat e së cilës po i mbyll me shpejtësi kamikazja Arta Marku, të hidhet në det sa më parë dhe të ngrihet që andej me një apo dy peshq të mëdhenj, që t’i fotografojnë të gjithë të kapur në rrjetë. Atëherë, e gjithë bota perëndimore do të ndalë frymën e do të thotë: bravo Shqipëria, bravo Edi Rama, faleminderit Bruksel, faleminderit ambasadori LU!

Do të thoni ju, po dosja Rama – Tahiri e kthimit të vendit në narkoshtet, po drejtorët e Policisë trafikantë droge të arratisur, po koncesionet kriminale të Ramës, po kullat si pastrim i parave të drogës, po votat e blera me para të pista, po shqiptarët që ikin me vrap nga vendi. Harrojini sa më shpejt këto, historinë e bëjnë fitimtarët. Tani s’na ka mbetur, veçse të themi: e gëzofshim reformën “ramalu”!

Çfarë ka me bashkëshortët Arta Marku? Apo e ka me Dekriminalizimin dhe Elbasanin?!

0

Arta Marku, kryeprokurorja e përkohshme këto ditë e ka patur aktivitetin e saj, së paku publikisht, ose me takime ambasadorësh e ministrash, ose me shkarkime e transferime stafi.

Ndër të paktën 4-5 lëvizje (disa të tjera rutinore), më të rëndësishmet janë padyshim 2: lëvizja e Rovena Gashit, drejtoreshës së Njësisë së Dekriminalizimit dhe Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë si dhe transferimi i drejtuesit të prokurorisë së Elbasanit, Dritan Ginës që për rastësi është bashkëshorti i Gashit.

Mund të jetë e paqëllimtë nga Marku lëvizja e tyre për shkak të bashkëshortësisë, por tepër rastësore do të qe lidhja e të dyve me 2 pozicione kyçe: kontrolli i deputetëve dhe funksionarëve të administratës nëse janë të inkriminuar si dhe zhvillimet në Elbasan.

Por pse për ngjarjet në Shqipëri këto dy pozicione janë të rëndësishme?

Së pari, sepse lidhen me dy zhvillime të forta: Heqja e mandatit, së fundi të mikut të Edi Ramës, Aqif Rakipit, deputetit të PDIU-së dhe deputetit të LSI-së, Gledjon Rehovicës dhe së dyti me ngjarjet në Elbasan.

Prokuroria nën drejtimin e Ginës është përfshirë së fundmi në hetime të rëndësishme, si çështja e Orest Sotës dhe implikimi me patentat e Saimir Tahirit, ish-ministrit që po hetohet për trafik droge dhe lidhje me Habilajt, hetimet e pasurive dhe aktivitetit të familjarëve të kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdinit, po i besuar i Ramës, apo hetime për përplasjen e bandave në mes qytetit, pranë tregut etj, të cilat kanë kaluar më tej në Prokurorinë për Krime të Rënda.

Pra, është e qartë: lëvizje kyçe, për drejtues që kanë ndjekur ngjarje të rëndësishme, për të cilat kërkohet zbardhje.

Së dyti, sepse zbardhja e tyre,  tanimë do të varet në vullnetin e të përkohshmes Marku, së cilës Gashi që çoi në heqjen e mandatit të 2 deputetëve dhe puna e prokurorit Gina nuk i është dukur efektive.

Edhe para zgjedhjes së saj u komentua nga njohësit e ligjit se Marku, edhe pse e përkohshme kishte të drejtë të lëvizte prokuroët, madje të bënte edhe vettingun e tyre, prandaj u pa me dyshim nxitimi i socialistëve për ta zgjedhur vetë dhe jo nëpërmjet KLP-së. Të njëjtin shqetësim ngriti sot edhe drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina, sipas të cilit për karrierën e tij mund të vendoste vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Pra, varet se cili prokuror, i dashur nga Marku, do të zëvendësojë në këto 2 pozicione kyçe bashkëshortët Gashi-Gina. Në mos e rëndësishme, për Markun do të jetë që të rinjtë e pozicioneve mos të kenë punuar me Adriatik Llallën.

Tusk paralajmëron largimin e Polonisë nga BE, kryeministri polak bën lëvizjen e parë për pajtim

0

Presidenti i BE-së Donald Tusk ka paralajmëruar sërish se qeveria e PiS e Polonisë mund ta shtyjë vendin jashtë bllokut nëse ndalon të jetë një donator neto i fondeve të BE. Në këtë pikë marrëdhëniet mes Brukselit dhe Varshavës janë në një nivel të ulët.

Donald Tusk, presidenti i Këshillit të BE dhe ish-kryeministri i Polonisë, paralajmëroi të mërkurën se qeveria e Ligjit dhe Drejtësisë e Varshavës (PiS) mund të shtyjë vendin ndaj asaj që tashmë është quajtur në Bruksel si “Polexit”.

Në një intervistë në të përjavshmen polake “Tygodnik Powszechny”, Tusk tha se “për PiS përfitimi i të qenit në BE zvogëlohet në bilancin e pagesave, me një shpërfillje të plotë për përfitime të tjera, si tregu i përbashkët, rendi ligjor, siguria e garantuar etj. “

Ai shton: “Përderisa ne nuk jemi një kontribues neto, loja nuk ka aq shumë vlerë për ta. Kështu që unë mund të imagjinoj një situatë ku një ditë Polonia të gjendet në mesin e kontribuesve (neto), qeveria polake do të vendosë se është koha për t’u kërkuar polakëve nëse duan akoma Poloninë në BE apo jo, dhe pastaj do të punojnë shumë në mënyrë që të arrijnë në përfundimin se është e nevojshme t’i themi lamtumirë anëtarësimit “.

Deutche Welle shkruan se qeveria konservatore nacionaliste e Polonisë ka qenë në një kurs përplasjeje me BE-në për rreth dy vjet, i nxitur kryesisht nga vendimi për të vendosur një sërë ndryshimesh të diskutueshme gjyqësore që, sipas Brukselit, kërcënojnë të minojnë sundimin e ligjit të vendit dhe vlerat demokratike.

Muajin e kaluar, Komisioni Europian filloi një procedurë disiplinore të paparë kundër Polonisë duke shkaktuar nenin 7 të traktatit të BE. Masa mund të çojë në sanksione dhe të pezullojë të drejtat e votimit të Polonisë në BE.

Mirëpo nga ana tjetër, qeveria polake këtë javë duket se po bën hapa për ta penguar këtë të ndodhë.

Kryeministri polak Moravicki bëri një riorganizim të kabinetit të tij qeverisës, duke pushuar disa ministra, lëvizje që shihet si përpjekje për të përmirësuar marrëdhënien me Bashkimin Europian.

Gjyqtari lë në fuqi DACA-n, Trump i zhgënjyer nga sistemi gjyqësor amerikan

0

Presidenti Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj gjykatave amerikane, kjo pasi një gjykatës e ka bllokuar atë duke i dhënë fund mbrojtjes për emigrantët që hynë ilegalisht në SHBA si fëmijë.

Sipas Trump, sistemi gjyqësor është “i thyer dhe i padrejtë”.

Kujtojmë se në shtator, Trump shfuqizoi programin e quajtur “Daca”, mirëpo gjykatësi i San Franciskos, William Alsup tha se duhej të qëndronte ndërsa vazhdonte gjyqi kundër lëvizjes së Trump.

Demokratët i kanë kundërshtuar përpjekjet për mbylljen e programit DACA, ndërsa sipas Trump ky program ka vend për përmirësim.

“Mendoj gjithashtu se do të arrijmë ta bëjmë ligjin për DACA-n. Por duhet të kërkojmë një zgjidhje të përhershme për të gjithë situatën e emigracionit. Mendoj se shumë prej jush do të ishit dakord, por këtë do ta bëjmë hap pas hapi,” tha Presidenti.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, fakti që një gjyqtar federal urdhëron Presidentin Trump të lërë në fuqi këtë program është skandaloz.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders tha se “një çështje e përmasave të tilla duhet të kalojë nëpër një proces legjislativ normal.

Xhafaj takim me kreun e Antikorrupsionit italian, në gatishmëri për të rritur bashkëpunimin

0

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka zhvilluar një takim në zyrën e tij me Presidentin e Autoritetit Kombëtar Kundët Korrupsionit në Itali, Raffaele Cantone.

Xhafaj e njohu Cantonen me reformat e fundit që po ndërmerr Policia e Shtetit në kuadër të Vettingut dhe me ecurinë e operacionit “Forca e Ligjit”.

Ishte vetë kreu i antikorrupsionit në Itali, ai që e vlerësoi cilësinë e legjislacionit dhe u shpreh i gatshëm për të rritur bashkëpunimin midis dy institucioneve.