Web: http://zjarr.tv/
Facebook: http://ift.tt/1Nj96ih
Youtube: https://youtube.com/c/ZjarrTelevizion
Shkruaje në Akull – Torte me midhje ka
Shkruaje në Akull – Mimi Kodheli në Nato
Web: http://zjarr.tv/
Facebook: http://ift.tt/1Nj96ih
Youtube: https://youtube.com/c/ZjarrTelevizion
INVESTIGIMI/ Si vilen paratë nga asetet e sekuestruara të krimit
Një duzinë kompanish biznesi të sekuestruara gjatë vitit 2015 vazhdojnë të gjenerojnë të ardhura për familjarët e të dënuarve për krime, ndërkohë që Agjencia përgjegjëse përballet me vakuum ligjor dhe mungesë të vullnetit politik.
Prej fillimit të pranverës, kompleksi “Gjoka” në Sallmone të Shijakut i është rikthyer biznesit të dasmave. Tingujt e muzikës popullore shpërndahen prej restorantit të katit të dytë drejt hapësirës prej rreth 7 mijë metrash katrorë të kompleksit, të shtunën e parë të majit, ndërkohë që dasmorët me veshje shumëngjyrëshe mbushin oborrin e dekoruar ngjitur me hyrjen kryesore.
Atmosfera festive në kompleksin luksoz është në kontrast të thellë me një vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që në 5 gusht 2015 urdhëroi sekuestrimin e biznesit kryesor të kompanisë “Gjoka shpk” dhe kalimin e tij në duart e Agjencisë së Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK.
Nëntë muaj më pas, ky biznes vazhdon të gjenerojë të ardhura për familjen e Dashamir Gjokës-i dënuar në Itali si kreu i një rrjeti të shfrytëzimit të prostitucionit.
Kompleksi “Gjoka” nuk është biznesi i vetëm që në letra rezulton i sekuestruar, por në realitet menaxhohet nga të afërm të të dënuarve për krime të rënda, në shkelje të ligjit “Antimafia”.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se 13 kompani biznesi u sekuestruan me vendim gjykate gjatë vitit 2015, por vetëm njëra prej tyre administrohet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK.
Shqipëria-“një lavatriçe” e parave të pista në Ballkan po përballet me vështirësi prej më shumë se një dekade me sfidën e gjurmimit dhe konfiskimit të parave që rrjedhin nga krimi i organizuar. Rezultatet mbeten të vakëta, ndërsa një raport i Institutit të Bazelit për Qeverisjen e renditi Shqipërinë të parën në rajon për vitin 2015, sa i përket nivelit të lartë të parave të pista që gjenerohen në ekonomi.
E rrethuar nga një mori problemesh, puna e AAPSK në administrimin e kompanive të sekuestruara të biznesit përbën edhe pikën më të dobët të saj, thanë ekspertë të ndryshëm në intervista të veçanta.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi sekuestrimin paraprak të 7 kompanive të biznesit, të cilat u përkasin tre të dënuarve në Itali për vepra penale të krimit të organizuar gjatë vitit 2015. Gjashtë kompani të tjera, të sekuestruara nga Gjykata e Tiranës i përkasin koorpusit “Beccheti”, biznesmeni italian që akuzohet nga Prokuroria shqiptare për ngritjen e një skeme mashtrimi me vlerë 38 milionë euro.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara drejtohet aktualisht nga Artur Kala, ish-kryetar i Partisë Socialiste të Bulqizës. I kontaktuar nga BIRN, Kala refuzoi të intervistohej, por pranoi t’u përgjigjej pyetjeve përmes një zëdhënëseje.
AAPSK i tha BIRN se ka marrë nën ruajtje 7 shoqëri, ndërsa administron plotësisht vetëm njërën nga 13 kompanitë e sekuestruara me vendim gjykate gjatë vitit 2015.
Përballë proceseve të tejzgjatura gjyqësore, vakumit ligjor dhe vendimeve, shpeshherë në kundërshtim me aktet ligjore që rregullojnë punën e saj, AAPSK ka vendosur t’i lërë këto kompani në duart e të dënuarve apo familjarëve të tyre.
Ligji “Antimafia”
Në vitin 2004, parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin “për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve…”, i ndërtuar sipas modelit italian të ligjit “Antimafia”. Në të njëjtin vit u vendos edhe ngritja e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara-fillimisht një strukturë e vogël prej 5 personash në varësi të Ministrisë së Financave.
Në pesë vitet e para, Agjencia krijoi një traditë të brishtë në administrimin e pasurive të paluajtshme, por vakuumi ligjor dhe stafi minimal do ta ekspozonin atë përballë një sërë problemesh në trajtimin e çështjeve më komplekse.
Hekuran Vladi, ish-drejtor i AAPSK kujton për BIRN se në vitin 2009 kishte kërkuar me forcë hartimin e një ligji organik, që do t’i krijonte mundësinë Agjencisë të kishte sukses edhe në administrimin e kompanive të sekuestruara të biznesit, por përpjekja kishte dështuar.
Ai tregon se në vitin 2009, legjislatori u mjaftua vetëm me një kapitull për AAPSK brenda ligjit “Antimafia”, çka sipas tij e bën teorikisht të pamundur menaxhimin e një ndërmarrjeje biznesi nga administratorët e Agjencisë.
Vladi e quan veten me fat që në kohën e drejtimit të tij, Agjencisë nuk i ra për pjesë të merrte nën administrim kompani të sekuestruara, ç’ka do ta sprovonte atë me një “sërë ekuacionesh të pazgjidhshme”.
“Do të kisha dhënë dorëheqjen,” përgjigjet ai, duke e quajtur drejtimin e kësaj Agjencie si “punën më të keqe në botë”.
Një prokur i Task-Forcës, i cili foli për BIRN në kushtet e anonimatit tha se ligji “Antimafia” e ka bërë komode punën e prokurorisë në hetimet pasurore, por jo punën e administratorëve të AAPSK. Ai shpjegon se vendimet gjyqësore për sekuestrimin e kompanive i dërgohen AAPSK, ndërsa kjo e fundit përballet me një sërë peripecish ligjore për të kryer një administrim të vërtetë mbi to.
“Problemi është se shumë administratorë bllokojnë shkresat dhe letrat në QKR apo hipotekë, por nuk ndërhyjnë në bordin e administrimit të kompanisë,” tha prokurori.
“…ka probleme ligjore, por duhet ndërhyrë në bordin e kompanisë dhe jo vetëm në letra,” shtoi ai.
Agjencia për Administrimin e Pronave të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ofron arsye të ndryshme për secilën prej kompanive që ka dështuar të marrë në administrim. Në përgjigjen për BIRN, AAPSK rendit vendimet e gjykatave, të cilat janë dhënë në kundërshtim të ligjit që rregullon punën e saj e deri tek mungesa e kuotave për të ndërhyrë në bordin e kompanive të sekuestruara si argumente që e pengojnë të kryejë detyrat e veta.
“Probleme dalin në administrimin e bizneseve me vendime të gjykatave, jo konform akteve ligjore që rregullojnë veprimtarinë e AAPSK-së. Në kuadër të reformës në drejtësi, mendojmë se do të përmirësohen edhe këto procedura,” tha Agjencia për BIRN përmes një zëdhënëseje.
Sekuestrimet në firo
Gjatë vitit 2015, Gjykata e Krimeve të Rënda dha 35 vendime sekuestrimesh paraprake ndaj pasurive që dyshohet se kanë prejardhje kriminale, vlera e të cilave shkon në dhjetra milionë euro. Megjithatë, ekziston një hendek i thellë mes sekuestrimeve paraprake dhe pasurive që konfiskohen dhe kalojnë në llogaritë e shtetit.
Nga 35 vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda, vetëm pesë prej tyre janë vendime konfiskimesh. AAPSK i tha BIRN se kishte marrë në administrim vetëm 19 llogari bankare me vlerë mbi 500 milionë lekë, 15 troje, 3 automjete dhe 7 kompani biznesi në vitin 2015, ndërkohë që një sërë çështjesh të tjera janë ende në procese gjyqësore.
Ndryshe nga lista prej 13 kompanish të sekuestruara që ofrojnë Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ajo e Tiranës, lista e AAPSK është rrudhur në 7 kompani, gjashtë prej të cilave janë themeluar nga Francesco Beccheti.
Sipas Agjencisë, ajo nuk ka marrë ende nën administrim kompleksin “Gjoka” në Sallmone, kompleksin “Ermiri Palace” në Shëngjin dhe katër prej kompanive të rrethit të ngushtë familjar të Fatmir Kajollit.
Dashamir Gjoka mori kontrollin e 100 për qind të aksioneve të kompanisë “Gjoka” shpk në korrik të vitit 2006, kur prokuroria e Milanos po e hetonte për trafikimin e një duzine vajzash nga Europa Lindore drejt Italisë për qëllime prostitucioni.
Ekstakti i kompanisë në QKR tregon se Gjoka i bleu kuotat për 3 900 000 lekë pas vdekjes së vëllait të tij, ndërsa kapitali i kompanisë u rrit në 17 800 000 lekë pas ndërtimit të kompleksit në fshatin Sallmone.
Ndërkohë që drejtonte biznesin e tij në Shqipëri, Dashamir Gjoka u dënua me 10 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Apelit të Milanos në vitin 2007, dënim i cili u reduktua me 3 vjet falë një amnistie në Itali. Megjithatë, një kërkesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda tregon se telashet e tij në Shqipëri filluan në vitin 2012, kur Prokuroria e Durrësit regjistroi një procedim penal në emër të tij për “pastrim të produkteve të veprës penale”.
I nisur në vitin 2012, hetimi pasuror kundër Gjokës ka dalë me një vendim sekuestroje preventive në gusht të vitit 2015. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestron e pasurive të tij të paluajtshme me vlerë dhjetra milionë euro, bashkë me kompaninë “Gjoka” shpk dhe ia kaloi ato për administrim AAPSK.
Megjithatë, Agjencia e pati të pamundur të merrte në administrim kompaninë, e cila vazhdon të mbetet në administrimin e Dashamir Gjokës dhe të afërmve të tij.
E pyetur nga BIRN, AAPSK tha se është në pritje të një vendimi përfundimtar të Gjykatës së Krimeve të Rënda “për saktësimin e zbatueshmërisë së tij”.
“Për shkak të pasaktësive në dokumentacionin e këtij vendimi, ai nuk është ekzekutuar nga përmbarimi. Jemi në pritje të zbardhjes përfundimtare të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për ekzekutimin e plotë të tij,” tha AAPSK.
Dokumentet në QKR tregojnë se “vendimi përfundimtar” ka dalë në shkurt të vitit 2016, por Agjencia është mjaftuar sërish me një kërkesë për mostjetërsimin e shoqërisë, pa ndërhyrë në administrimin real të saj.
Njësoj si kompleksi “Gjoka” në Shijak, edhe “Ermiri Palace” në Shëngjin të Lezhës-një pronë me vlerë miliona euro ka mbetur jashtë administrimit të Agjencisë. Biznesi i hotelerisë me ortak Astrit Numanin dhe të afërm të tjerë të tij u sekuestrua paraprakisht nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2015.
Nimani, i njohur me nofkën Titi i Ukës u ekstradua në Itali në vitin 2013, pasi ishte dënuar me 7 vjet burg për trafik droge. Hetimet e prokurorisë italiane tregojnë se ai ka përfituar rreth 10 milionë euro nga trafikimi i lëndëve narkotike, para të cilat dyshohet se janë investuar në Shqipëri.
Pas hetimeve për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” kundër Nimanit, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi më 2 gusht 2015 sekuestrimin e tre pallave 13 katëshe dhe të kompleksit “Ermiri Palace” në plazhin e Shëngjinit.
Megjithatë, ky biznes nuk administrohet ende nga AAPSK.
“Gjykata e Krimeve të Rënda ka pezulluar ekzekutimin e sekuestrimit të kompleksit Ermiri Palace, në zotërim të subjektit Nimani,” tha AAPSK për BIRN.
Në Fier, Fatmir Kajolli ndërtoi perandorinë e tij të biznesit dhe u zgjodh këshilltar i Këshillit Bashkiak të qytetit, para se në Shqipëri të mbërrinin dy vendimet e gjykatave italiane, të cilat e dënonin atë respektivisht me 16 dhe 24 vjet burg për veprën penale të trafikut të drogës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka verifikuar në kuadër të ligjit “Antimafia” pasuritë e 27 anëtarëve të familjes Kajolli dhe ka arritur të miratojë në gjykatë sekuestrimin e 22 pronave, mes të cilave 2.1 milionë m2 truall, 1700 metër katrorë ndërtime dhe 5 kompani biznesi.
Sipas vendimit të sekuestros, kompania e ndërtimit “Çitadela” shpk, kompanitë minerare “Alb-Mining 2012” dhe “Albanian Minerals 2012”, kompania e transportit “Aba 2011” si dhe “International Parking 2011” i kalojnë për administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Por AAPSK i tha BIRN se mes 5 kompanive të sekuestruara, administron vetëm atë të transportit Fier-Patos “Aba 2011”.
“Administratori ushtron të gjitha kompetencat e administrimit të aktivitetit këtij biznesi,” i tha Agjencia BIRN.
Katër kompanitë e tjera të biznesit mbeten ende në duart e familjes Kajolli, ndërsa e vetmja gjurmë e sekuestrimit është bllokimi i tjetërsimit të tyre përmes shkresave në QKR.
Ekuacioni “Beccheti”
Përgjatë 10 viteve të aktivitetit të tij në Shqipëri, Francesco Becheti krijoi një seri kompanish guackë, para se të procedohej nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës kriminale” dhe të shpallej në kërkim.
Sipas akt-akuzës së dërguar në Gjykatë, prokuroria shqiptare e akuzon atë për një skemë mashtrimi me vlerë 38 milionë euro në dëm të Tatimeve dhe bankave.
Paralelisht me këtë hetim, Gjykata e Tiranës urdhëroi sekuestrimin e kuotave të gjashtë kompanive të Bechetit, të cilat janë “Agon Set”, “Energji”, “Cable System”, “400 KW”, “Fuqi” dhe “Investime të rinovueshme”. AAPSK deklaron se ka marrë në ruajtje këto kompani, por e ka të pamundur t’i administrojë ato për mungesë kuotash.
Ekspertë të intervistuar nga BIRN e cilësojnë rastin Beccheti si një test të dyfishtë për AAPSK dhe për shtetin shqiptar. Nëse çështja kundër tij do të dështojë në gjykatë, atëherë Shqipëria rrezikon t’i paguajë atij miliona lekë dëmshpërblim për kompanitë e sekuestruara.
I kontaktuar nga BIRN, një prokuror në Tiranë tha se Shqipëria rrezikon dëmshpërblime marramendëse, nëse rezulton që pasuritë e sekuestruara janë çuar drejt falimentimit. Ai shpjegon se nuk ka një praktikë të konsoliduar të ligjit, ndërsa në disa raste, Gjykata e Lartë ka prishur vendimet e konfiskimit, duke e ekspozuar vendin përballë proceseve të komplikuara të dëshpërblimeve.
Ish-drejtori i AAPSK, Hekuran Vladi bie dakord me këtë konstatim, ndërsa e cilëson rastin Beccheti si “një ekuacion të pazgjidhshëm nga Agjencia”. Shkak sipas tij është mungesa e rregullimeve ligjore për mënyrën e administrimit të ndërmarrjeve të sekuestruara.
“Sikur Beccheti të jetë krimineli më i madh në Europë, shteti shqiptar rrezikon t’i detyrohet sërish miliona euro veç për mungesë të rregullimeve ligjore,” thotë Vladi.
Të frustruar nga vakuumi ligjor, zyrtarët e Agjencisë redisin një sërë problemesh të tjera që vuajnë mbi shpinë, gjatë përpjekjeve të tyre për administrimin e pasurive të sekuestruara. AAPSK i tha BIRN se afatet e gjata të gjyqeve rrisin kostot e administrimit dhe ulin vlerën e pronave të sekuestruara.
Ata përballen gjithashtu me vonesa në ekzekutimin e vendimeve apo me raste kur vendimet e gjykatave jepen në kundërshtim me rregullimet ligjore të përcaktuara në ligjin “Antimafia”.
Në fund, shitja e pasurive të sekuestruara nga personat me aktivitet kriminal nuk është një mision i lehtë, sipas AAPSK.
“Përveç frikës së konfliktit që mund të krijojë blerja nga biznesi privat i pasurive që vijnë nga aktivitete kriminale, kërkohet edhe përmirësim ligjor dhe efikasitet nga institucionet shtetërore,” tha zëdhënsja e AAPSK.
Pasi ka shkelur më parë në të njëjtën rrugë, Hekuran Vladi thotë se drejtuesit aktualë të Agjencisë nuk mund të gjykohen, përsa kohë ligji nuk rregullon në mënyrë të plotë veprimtarinë e tyre. Ai thekson se në SHBA ky sektor i është lënë në dorë shërbimit Marshall-më i kualifikuari në zbatim të ligjit, ndërsa në Shqipëri mungon prej vitesh vullneti politik për t’i dhënë zgjidhje betejës kundër pasurive të krimit.
“Nuk ka e nuk do të ketë asnjë vlerë gjurmimi i parave të paligjshme, nëse nuk gjen një thes ku t’i mbledhësh. Në Shqipëri, prej kohësh ka munguar vullneti politik për këtë çështje,” përfundon Vladi./BIRN/a.m.
Burimi : / Javanews.al

360° Gradë -ARRESTOHET SHOFERI I AUTOBUZIT QE U PERFSHI NGA FLAKET
Web: http://zjarr.tv/
Facebook: http://ift.tt/1Nj96ih
Youtube: https://youtube.com/c/ZjarrTelevizion
Reforma në Drejtësi, mjergulla e zullumqarëve
Nga: Astrit Kosturi *
Të parët që duhet të japin llogari në këtë vend, në qoftëse do të vijnë një ditë gjykatësit më të mëdhenj (koha dhe populli), janë ata që në këto vitet e mbas 90-s, gjoja do të n’a shpëtonin prej diktaturës e padrejtësive që na ishin bërë. Kjo ka qënë tallja dhe gënjeshtëra më e madhe e gjithë këtyre viteve të mbas ’90-s, që na dhuruan njerëzit e politikës dhe të ligjit, ata, që u bënë padrejtësia vetë. Këta njerëz asnjëherë nuk i pamë në emigracion apo të djerësijnë në punët e biznesit, veçse, me mekanizma shteti dhe mjetet e tyre “ligjore” vendosën pushtetin e tyre dhe vunë pasuri marramendëse, zhvatën pamëshirshëm shumicën e popullit, pasurinë e tij të vënë me shumë mund e sakrifica, vepruan në dëm të interesave publike dhe në favor të interesave të tyre dhe klaneve që përfaqësojnë.
Në këtë mënyrë, e quajtura Drejtesia Shqiptare u bë kryeturpi i këtij absurdi dhe i kësaj situate konfuze në Shqiperi! Kjo “Drejtësi” për të cilën është folur çdo ditë e çdo natë deri në të gëdhurë gjatë këtyre 26 viteve të fundit, në emër të së drejtës dhe të drejtit u bë gracka vetë, kurthi në të cilin sot gjenden çuditërisht një popull i tërë!
Në gjithë këto vite, secili prej nesh ka parë e provuar, se sado që të luftosh, shteti ka qënë gjithnjë në anën e paligjshmërisë e mashtrimit, me fallsifikimin dhe shkelësit e ligjit, si garant i tyre, edhe kur e drejta ka qënë si drita e diellit!… Kjo na bëri të kuptojmë, se jemi në një betejë me absurdin shqiptar, me këtë dramë qesharake dhe të lodhshme, të kësaj bote të montuar kaq djallëzisht!
Këtë situatë kaq të zymtë, nuk duan t’a shohin vetëm autorët e saj, partitë kryesore dhe patericat e tyre, që vazhdojnë t’a manipulojnë opinionin publik dhe t’a mbulojnë gjendjen katastrofike të vendit me demagogji, duke e mbajtur popullin të varfër e të lidhur me propagandën mediatike, sa për të marrë sipas radhës qeverisjen e vendit.
Në kushtet e këtij stërmundimi të madh, që populli i thjeshtë vazhdon të kalojë, brenda e jashtë vendit, deteve dhe pyjeve, arave dhe rrugëve të botës, lindin natyrshëm pyetjet: Kush është shkaktari për situatën e krijuar, populli apo vullneti politik i këtyre dy e gjysmë dekadave? Gjithë kjo varfëri erdhi nga qielli, apo është vullneti politik i kësaj lukunie PSPDLSI e Co? Kronikat e zeza që nuk na u ndanë përgjatë këtij harku kohor, janë dështim apo prioritet i kësaj klase politke?! Dhe pyetjet, mud të arrijnë deri tek retorika e thjeshtë: Cili është plani i kësaj të vetëquajture klasë politike, të mbrojë shqiptarët apo të zhdukë shqiptarët? Çfarë mund të bëhet më tepër se kaq, ndaj një vendi dhe një populli të tërë?
Mardhëniet e pushtetit me popullin, kanë degjeneruar në atë farë feje, sa kush merr pushtet, mbledh rreth vetes familjarët, shokët dhe fisin, duke u sjellë me qytetarin si t’a kenë pronë të tyre, apo me ligjin si t’a kenë një instrument magjik që bën pasuri për ta, dhe si mjet për të shkatërruar kundërshtarin, në mënyrën më primitive!
Tashmë, ata nuk takohen më me popullin, janë tërësisht të ndarë në mendim, në sjellje e në veprim, duke harruar se si u bënë kështu të fuqishëm, prandaj s’na mbetet gjë tjetër, veçse të vetëorganizohemi politikisht, për të kërkuar të drejtat tona Njerëzore, Drejtësinë Popullore!
Të parët që duhet të japin llogari në kete vend, jane njerezit që gjoja bënë drejtesinë dhe politikën, ata që e kanë hequr veten më të përgatiturit e më të zotët, pavarësisht, se qenë më hileqarët dhe më finokërit, që i shkaktuan vendit dhe shqiptarëve një dëm kaq të madh, deri edhe gjenocid shpirteror me ato marifetet dhe dallaveret e tyre, tregëti e biznes me hallet e shumta, që vetë ata i prodhuan!
Sa shumë patetizëm, retorikë e mashtrime për 26 vjet rresht, për gjoja reforma e ndryshim, kohë ndryshimi e Shqipëri ndryshe, fjalë e shkarkime fiziologjike që na kanë tallur e fyer sistematikisht e paturpësisht!… Sidomos këto vitet e fundit, ku banditët me pushtet, gangësterët e horrat hileqarë, që së toku e vranë dhe sakatuan shpirtin e shqiptarit, grabitën e shkatërruan gjithçka, zhvatën dhe degraduan me dallavere Jetën tone, duke na detyruar të bashkëjetojmë me absurdin dhe të shohim se si, para syve tanë sendërtohen çdo ditë karaktere të deformuara dhe individualitete mjeranësh, ku nxitet përulja, servilizmi e lajkat e pështira që nënkuptojnë hipokrizinë dhe ngjyrimin e realitetit të gënjeshtërt, si një deformim e perversion kolektiv!
E gjithë kjo rrokopujë shqiptare, ndoshta duket edhe artistike kështu virtualisht, por realisht është një dramë plot dhimbje dhe qesharake njëherazi, është një klithmë e Jetës tonë, tashmë e pasigurt dhe e pavlerë për t’u jetuar!
Brenda dhe jashtë vendit, shqiptarët kanë nevojë për një mbrojtje të vërtetë e reale, dhe kjo mbrojtje duhet të organizohet, për të qënë të bashkuar kundër arbitraritetit, abuzimit dhe talljes shtetërore, që s’ është asgjë tjetër veçse, kriminale!
Pra, sot na duhet një front i vërtetë mbarë popullor, për t’u kthyer qytetarëve qeverisjen e vërtetë, për t’i thënë stop sundimit feudal, primitiv e mesjetar, si dhe frikës që sistemi i mashtrimit kultivon.
Fytyra e vërtetë e këtij pushteti çerekshekullor, që na u shit për demokratik, e që realisht nën këmbët e tij ka kafka, eshtra e gjak të Njerëzve të ndershëm, është servilizmi dhe demagogjia e “udheheqesve” tanë, prandaj sot, duhet investuar integriteti qytetar për Shqipërinë e cfilitur, integriteti moral e intelektual, si një detyrë tepër humane e fisnike, për të shmangur kaosin social.
Na duhet një front mbarë popullor (por jo i thirrur nga mëkatarët e pandëshkuar të PD-së), që merr përsipër betejën me padrejtësinë shoqërore, ku baza e sigurt e kësaj aleance janë qytetarët e shumtë e të braktisur, të tallur e të fyer, të lënë të papunë, në vuajtje e mjerim.
Dalëngadalë situata po piqet politikisht, dhe njerëzit po e kuptojnë, se për problemin e vërtetë të tyre janë më të avancuar, se opozita zyrtare. Populli po e thotë prej kohësh, se kjo është politika më antishqiptare. Solucioni është tejngopur me moszgjidhje, me ngërrçe dhe telashe pafund, sa që kemi arritur në momentin që të dorëzohesh dhe të lutesh, “mos paça punë me shtetin, drejtësinë, spitalin etj.”, si shprehje të pakënaqësisë e refuzimit, si një gulç e psherëtimë e thellë e këputjes së ëndrrës së tyre për shtet të së drejtës, si mospranim të këtij shteti, që nuk është më as për të drejtën dhe as për të drejtin.
Për njëzet e gjashtë vjet pa ndërprerje, politikanët dhe pushtetarët e elitës së re dhe të dyshimtë shqiptare, nuk kanë pushuar asnjë minutë së thirruri për reforma, të cilat do të rregullonin politikën, ekonominë, shoqërinë dhe mbi të gjitha do të ndërtonin shtetin e vërtetë për shqiptarët. Në krah të tyre nuk kanë munguar me fjalë dhe me “vepra” edhe ndërkombëtarët, veçanërisht ata europianë, të cilët na kanë marrë në “patronazh” dhe ne për këtë arsye, i kemi vënë në qoshe si zotër shtëpie, për të na europianizuar e futur në familjen e tyre të madhe.
Jo vetëm opozitarët e duetit “Basha-Berisha”, që i kemi provuar shumë vite në pushtet, por as opozitarët e rinj me flamuj e simbole, zjarr e tym, që e kanë marrë fillimin me vrull e urra, nuk na krijojnë bindje se do t’a ndryshojnë situatën me themel, përderisa vijnë nga kupola e padrejtësisë dhe energjitë që po harxhojnë, s’janë gjë tjetër veçse tretja e çorbës së gëlltitur prej saj.
Pra, as Partia Demokratike dhe as të tjerat (të djeshme, apo të sapokrijuara, të komanduara, të financuara e të urdhëruara nga s’dihet se ku), nuk na thonë asgjë konkrete se si do ta ndërtojnë shtetin demokratik të popullit, nuk na thonë asgjë për antagonizmin prezent dhe zgjidhjen e tij, por vetëm n’a recitojnë poezitë e tyre me slogane e parulla.
Situata kërkon Njerëzit e Lirë, të bërë të tillë pa mekanizma shteti, por të bërë vetë, prej vuajtjes dhe aftësisë e zotësisë së tyre. Zgjidhja e ngërrçit politik kërkon ata, që vërtetë nuk “kullosin” në parcelat e pushtetit dhe, që gjinden jashtë interesave të tyre publike e private. Të tillë Njerëz të Lirë, janë shumica që nuk kanë asgjë çfarë të humbasin (pasi i kanë humbur të gjitha, edhe pse nuk e njohin fuqinë e tyre), janë ata që tashmë besojnë se mjerimi i tyre nuk ka nevojë për mëshirë e lëmoshë, por për Drejtësi.
Gjithashtu, në krye të këtij marrshimi human të Njerëzve të Lirë, duhet të jenë intelektualët dhe gjithë ata njerëz, që në emër të Lirisë dhe të idealeve të larta, kanë vendosur të humbasin gjithçka ata kanë!… Kështu, të gjithë këta bëhen një forcë e madhe, pasi janë qartësuar e bindur, se ky nënshtrim i viktimës (i shumicës popullore) para fajtorit, në një shoqëri të lirë, është një kambanë alarmi, që gulçon ngaqë liria ka vdekur dhe se, e Drejta vetë, është viktima e parë e këtij regjimi, si pasojë e asaj që shoqëria shqiptare vazhdimisht ka bërë pazar me të keqen (me të keqen më të vogël, gjoja)!… Megjithatë, na duhet të emancipohemi dhe të vetëdijësohemi, teksa sipas “bathëve”, edhe kjo verë që po vjen do të jetë një dimër i egër, përsa kohë nuk kemi kuptuar nevojën e korrigjimit të kursit politik në Shqipëri.
Për sa kohë nuk jemi të bindur, se sistemi i sotëm së bashku me shtetin që ka pjellë, nuk mund të shërohet me reforma, sado të fuqishme e të goditura të jenë ato. Koha na thërret të marrim përsipër me përgjegjësi, çmontimin plotësisht të kësaj të keqeje të madhe, duke braktisur partitë e dallaveres 26 vjeçare, për të montuar sistemin e vërtetë të vlerave, sistemin që ka vërtetë në themel të tij popullin, të përfaqësuar në të gjitha hallkat e sistemit, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo me përfaqësues të manipuluar.
Këtë do t’a arrijë ajo parti që vjen prej popullit të thjeshtë, prej qindarkave të tij dhe jo prej financimeve të pushtetit të pistë apo të mafies vendase e të huaj.
Ndryshe nuk ka Drejtësi, por vetëm Padrejtësi e mbyllje në vetvehte, iluzione dhe zhgënjim pafund!
*Kryetar i “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”
(FOTO) E paparë në Librazhd, gjobitet se nuk kishte leje për të shitur lopën
Pas ngjarjes në Tiranë ku policia bashkiake i morën karrocën e kokoshkova një të moshuare, çudia e radhës vjen nga Librazhdi. Një fshatar i zonës, i cili kishte dalë në tregun e fshatit për të shitur bagëtitë e tij për arsye që të fitonte disa para, është gjobitur me 8.000 lekë të reja nga organet kompetente për arsye se po tregtonte kafshë pa leje. Kjo ngjarje po shpërndahet me shpejtësi në rrjetet sociale.


Lorik Cana i sugjeron Lacios dy lojtar shqiptarë, ja emrat
Kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana, gjatë një interviste për “Radiosei” ka folur për kombëtaren shqiptare dhe Lacion. Cana ka thënë se kombëtarja do të dhuroj ndeshje të bukura në evropian. Cana i ka propozuar Lazios talentin Milot Rashicën, mbrojtësin Arlind Ajetit dhe francezin Ben Arfa.
“Rashica kohëve të fundit i është bashkuar Kombëtares. Ai ka cilësi të pabesueshme, është shumë i lëvizshëm dhe dinamik. Por patjetër që atij i duhet të përmirësohet, por e ka të ardhmen e sigurt. Për Ajetin mund të flas veç mirë, ai pati vështirësi në fillim të Frosinone, por pastaj ka pasur mundësi tregoj veten. Ai ka luajtur shumë mirë në ekipin kombëtar. Ben Arfa? Unë kam qenë kapiten i tij. E njoh personalisht. Është njëri nga lojtarët më të fortë që kam parë ndonjëherë, kur ai është në formë, atë nuk mund ta ndalësh. Ka cilësi të luaj në cilido klub në botë”, ka deklaruar Cana.
Cana ka qenë pjesë e Lazios për katër sezone, ndërsa në vitin 2013 arriti suksesin më të madh duke fituar Kupën e Italisë.
Burimi : / Javanews.al






