Pas marrjes në pyetje për rreth 2 orë e gjysmë, Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion ka konfirmuar masën e “arrestit në shtëpi” për ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Ndryshe nga momenti kur mbërriti në ambientet e SPAK, Hyseni u largua pa thënë asnjë fjalë.
Hyseni dyshohet se ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi, i cili ndodhej në kërkim, duke i përcjellë informacione të klasifikuara shtetërore. Agasi u arrestua më 26 gusht, i dyshuar si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t.
Ish-drejtuesja e SHISH-it akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Duke iu referuar gjithnjë dosjes së SPAK, Hyseni dhe Agasi kanë pasur komunikime të shpeshta gjatë periudhës kur biznesmeni ishte në kërkim, përfshirë telefonata, video-thirrje dhe shkëmbim materialesh.
Në kuadër të hetimit, në makinën e Agasit janë sekuestruar edhe disa diagrame të SHISH-it, për origjinën e të cilave Hyseni ka deklaruar se do të japë përgjigje zyrtare përmes një shkrese të klasifikuar. SPAK, ndërkohë, pretendon se komunikimet dhe materialet e sekuestruara hedhin dyshime mbi versionin e Hysenit se Agasi kishte kërkuar të bashkëpunonte me të.
Po sipas të dhënave të pasqyruara në dosje, vetëm nga 28 qershori deri më 26 gusht të këtij viti, përmes aplikacionit “Signal” janë regjistruar dhjetëra komunikime mes tyre.






