Një person është gjetur pajetë brenda mjetit të tij në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës.
Shtetasi është gjetur i djegur ndërsa dyshohet se ka kryer akt vetëvrasje.
Burime policore bëjnë me dije se viktimë e ngjarjes ka mbetur 66-vjeçari Irakli Çinoku.
Sipas të dhënave, mësohet se viktima jetonte momentalisht vetëm pasi ka pasur probleme në familje me bashkëshorten e tij.
Kjo e fundit ka shkuar në Greqi për të jetuar me dy fëmijët që ka çifti.
Viktima ka lënë një shënim para ndërmarrjes së aktit të rëndë duke i vënë flakën mjetit e duke u vetëflijuar.
Në shënimin e gjetur nga policia, mësohet se viktima ka shkruar “Po iki se nuk jam sjellë mirë me familjen”.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 08:40, në lagjen nr. 10, Korçë, një automjet tip “Benz” është përfshirë nga flakët.
Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se brenda automjetit, në sediljen e parë të pasagjerit, ndodhej pa shenja jete shtetasi I. Ç., rreth 66 vjeç.
Nga veprimet dhe informacionet paraprake dyshohet se shtetasi mund të jetë vetëdjegur brenda automjetit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.






