Shqipëria pritet të përfshihet nga stuhi afatshkurtra, por me intensitet të lartë gjatë ditës së premte.
Paralajmërimi vjen nga meteorologia Tanja Porja, e cila foli në emisionin “Dita Jonë” për kushtet atmosferike të ditëve në vijim.
Sipas Porjës, stuhitë do të prekin pothuajse të gjithë territorin e vendit, ndërsa zonat më të rrezikuara janë ato qendrore dhe juglindore. Ajo shpjegoi se bëhet fjalë për celula stuhish që formohen dhe vendosen mbi zona të caktuara, duke prodhuar aty aktivitetin më të fortë.
“Presim edhe sot në territorin shqiptar ndonjë gjë krejt të vogël. Ditën e premte kemi stuhi afatshkurtra thuajse në gjithë territorin shqiptar. Askush s’mund ta përcaktojë, sepse janë celula që shkëputen, vendosen mbi një lokalitet, dhe aty prodhojnë maksimumin e aktivitetit të tyre.
E gjithë Shqipëria është e rrezikuar nga këto stuhi. Me një njollë pink rezulton zonat qëndrore dhe Lindja, Juglindja, Fushë-Krujë, Tiranë, Durrës, Elbasan, një pjesë e Librazhdit, Pogradec, Korçë, Ersekë, Devoll. Mund të fusim edhe Përmetin dhe Gjirokastrën.
I gjithë territori është i rrezikuar. Fatmirësisht janë stuhi afatshkrutra, ku në 20-40 minuta prodhojnë sasi të jashtëzakonshme të rreshjeve, shpejtësi mjaft të larta të erës”.






