Një konflikt i fortë institucional ka shpërthyer në Bashkinë e Tiranës mes kryetares së komanduar, Anuela Ristani, dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Alban Dokushi, i cili u rikthye në detyrë me vendim gjykate.
Dokushi ishte shkarkuar nga posti pas arrestimit të Erion Veliajt, por më pas fitoi të drejtën në gjykatë për t’u rikthyer në funksionin e mëparshëm.
Në zbatim të vendimit gjyqësor, Veliaj firmosi urdhrin për rikthimin e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë.
Megjithatë, Anuela Ristani nuk e zbatoi këtë urdhër. Në vend që ta rikthente në postin e mëparshëm, ajo e emëroi Dokushin në drejtimin e një drejtorie.
Pas këtij veprimi, Alban Dokushi ka depozituar kallëzim penal ndaj Ristanit, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe pengim të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor. Çështja pritet tashmë të shqyrtohet nga organet e Prokurorisë.
Përplasja duket se shkon përtej një mosmarrëveshjeje administrative dhe nxjerr në pah luftën për kontrollin e Bashkisë së Tiranës pas arrestimit të Erion Veliajt.
Kur kryeministri Edi Rama caktoi Anuela Ristanin në drejtimin e përkohshëm të Bashkisë, synimi ishte garantimi i funksionimit të institucionit gjatë mungesës së Veliajt.
Nga ana tjetër, edhe nga paraburgimi, Veliaj vendosi të rikthente në detyrë një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Alban Dokushin, në postin kyç të Sekretarit të Përgjithshëm.
Refuzimi i Ristanit për ta rikthyer Dokushin në këtë funksion ka shtuar pikëpyetjet mbi kontrollin real të Bashkisë dhe raportet mes drejtuesve aktualë të institucionit./boldnews.al






