Banorët e Rrjollit kanë dalë ditën e sotme në protestë, pasi kantieri ku Bashkim Ulaj po ndërton resortin, u rrethua me tela dhe mure të larta. Banorët kanë arritur të heqin rrethimin dhe janë futur brenda kantierit të ndërtimit.
Një ditë më parë, gjatë protestës për Zvërnecin në kryeqytet, një prej qytetarëve i ftoi të gjithë të ishin të pranishëm për të hequr gardhin në Rrjoll.
Prej afro një viti, banorët e zonës kanë ngritur akuza se një ish-zyrtar i Kadastrës së Shkodrës ka ndryshuar dokumentacionin e pronësisë, duke tjetërsuar certifikatat dhe më pas duke ia kaluar truallin investitorit që po zhvillon projektin për resort në vijën bregdetare të Velipojës.
Situata është tensionuar që prej janarit të këtij viti, kur firma ndërtuese nisi punimet për sistemimin e terrenit me mjete të rënda.
Që atëherë, banorët kanë protestuar pothuajse çdo ditë, duke kundërshtuar prezencën e kompanisë në zonë dhe duke kërkuar ndalimin e punimeve.




