Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë se pjesa e mbetur e mandatit, do t’i dedikohet, reformimit të qasjes së shtetit me qytetarët dhe zgjidhjen e problematikave apo pakënaqësive.
Si njërën prej këtyre, Rama ka evidentuar, të menduarit se në administratë punësohen vetëm persona që kanë lidhje apo kontakte me qeveritarë apo zyrtarë.
“Unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti në telefon për të futur njeri në punë, të jetë vepër penale”, tha kreu i qeverisë e ndër shtoi se secili prej deputetëve socialistë, do të jetë i detyruar ta votojë.
“Po ndërtojmë me Adean dhe ekipin, një Shkallë të Meritës që nuk është një tjetër portal i administratës, por është një hapësirë për një marrëveshje të shtetit me qytetarët lidhur me karrierën në shtet që fitohet, nuk dhurohet. Nëse një i ri beson se për të hyrë në administratë duhet të njohë dikë, ky është problem. Nëse të gjithë besojnë që sot në administratë hyjnë vetëm ata që kanë një akses politik apo klientelist, kjo është një tragjedi. E vërteta është shumë më e larmishme dhe shumë larg të dy këtyre ekstremeve. Është në mes.
Unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti në telefon për të futur njeri në punë, të jetë vepër penale. Do ju shoh të gjithëve në sy dhe do ju kërkoj të votoni. Çdo mesazh i çuar: fute këtë, shife atë, të konsiderohet vepër penale. Një deputet që bën këtë, nuk është i denjë për të përfaqësuar ata të tjerë që nuk kanë akses, që nuk janë pjesë e rrënjëve të tarafit të tij, apo shokë fëmijërie. Vepër penale. Shkalla e meritës duhet të krijojë një arkitekturë të qartë, grada të bëhet pasuri profesionale e njeriut, jo pronë e postit që mban sot apo e qeverisë që vjen nesër. Në anketimin e administratës publike, ka një të dhënë që duhet t’u mbetet të gjithëve sot”, tha Rama.






