Zjarri i fuqishëm që përfshiu një pallat 12-katësh në rrugën e Dibrës, pranë zonës së njohur si “Farmacia 10”, dyshohet të jetë shkaktuar nga pakujdesia e disa të miturve.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, janë administruar pamjet e kamerave të sigurisë të disa bizneseve përreth. Në video shfaqen 5 fëmijë të mitur që qëndrojnë për disa minuta në pjesën e pasme të një marketi. Më pas, dy prej tyre largohen duke mbajtur në duar një objekt të paqartë, që dyshohet të jetë një copë letër.
Të miturit hedhin atë mbi disa kuti kartoni të vendosura jashtë marketit dhe largohen nga vendngjarja. Vetëm pak minuta më vonë, në të njëjtin vend shfaqet tym, i cili shumë shpejt shndërrohet në flakë, duke u përhapur me shpejtësi në fasadën e pallatit dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar katër persona, të dyshuar për veprat penale “shkatërrim i pronës nga pakujdesia” dhe “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ndërkohë, katër persona të tjerë janë proceduar penalisht dhe janë nën hetim.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e këtij zjarri që la pas dëme të mëdha materiale.




