Ballina Blog Faqe 117

Lirohet nga burgu ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka

0

Ish-ministri i mjedisit, Lefer Koka është liruar nga burgu pas 4 vjetësh i arrestuar per aferen e inceneratorëve.

Gjykata e Posaçme ka shuar masën e sigurisë “arrest me burg” për inceneratorin e Fierit.

Sa i takon dënimit për inceneratorin e Elbasanit, Koka ka fituar lirinë me kusht nga Gjykata e Durrësit ndërsa për dënimin për inceneratorin e Tiranës e ka shlyer dënimin me kohën e paraburgimit.

Për inceneratorin e Fierit çështja është kthyer për rigjykim në Apel nga Gjykata e Lartë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Adnan Xholi tregon çfarë do i thoshte dikujt me pushtet në zyrën e tij

0

Sot zgjidhet kreu i ri i SPAK. Kandidati për drejtues i SPAK, Adnan Xholi, prezantoi para KLP-së dhe përfaqësuesve nga BE dhe SHBA platformën dhe strategjitë e tij për drejtimin e këtij institucioni.

Xholi tha se ai do të fokusohet te hetimet cilësore dhe të shpejta, ndërsa vendosi theksin te çrrënjosja e kulturës së pandëshkueshmerisë.

“Krahas sukseseve që kjo strukturë ka arritur ka ardhur koha të vijohet me hetime të mëtjeshmme, cilësore në kohë të shpejtë për të goditur kriminalitetin si me hetimet penale ashtu edhe me hetimet pasurore me qëllim identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e asteeve të krimit, për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë”,tha Xholi.

Gjithashtu Xholi foli për rëndësinë e mbrojtjes dhe integritetit të  pavarësisë së SPAK, si edhe mbrojtjen  prokurorëve nga sulmet e padrejta që u bëhen për shkak të detyrës.

Adnan Xholi: Nga ana formale besoj se plotësoj të gjitha kriteret që parashikon rregullorja, besoj se kam aftësitë e duhura për të drejtuar një nga institucionet me të rëndësishme për reformës në drejtësi. Në vitin 2021 jam emëruar prokuror i Prokurorisë së Posaçme.

Nga 2013 e në vijim jam angazhuar si pedagog i jashtëm pranë shkollës së magjistraturës.

SPAK ndodhet në fazë të rëndësishme të konsolidimit, implementimi i strategjive të intitucionit lidhet drejtpërdrejtë me përmbushjen e misionit, luftën pa kompromis kundër korrupsionit të zyrtyarëve të lartë dhe krimit të organizuar.

Po aq e rëndësishme është mbrojtja dhe integriteti i pavararësisë së SPAK, mbrojtja e magjistratëve, prokurorë që u bëhen për shkak të detyrës.

Kanë arritur rezultate konkrete në luftën kundër kriminalitetit dhe gjej rastin të shpreh mbështetjen maksimale, jam krenar që punoj me ata dhe do i mbështes në çdo situatë të aktivitetit të institucionit pavarësisht votimit të sotëm.

Krahas sukseseve që kjo strukturë ka arritur ka ardhur koha të vijohet me hetime të mëtjeshmme, cilësore në kohë të shpejtë për të goditur kriminalitetin si me hetimet penale ashtu edhe me hetimet pasurore me qëllim identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e asteeve të krimit, për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë.

Pasi prezantoi platformën e tij për drejtimin e SPAK dhe pas kësaj iu përgjigj edhe pyetjeve të anëtarëve të KLP-së. Një ndër to ishte ajo e Arta Mandros, e cila ‘provokoi’ Xholin për mënyrën se si do sillej ai nëse në zyrë do i shkonte dikush me një pozitë të lartë që do i kërkonte zgjidhje për çështjen e tij. Përgjigja e Xholit ishte e shkurtër. Para Kushtetutës nuk ka asnjë lloj pozicioni tjetër, tha ai dhe maksimumi mund të respektojë mysafirët me kafe.

Arta Mandro: Nëse do votoja për ju dhe nesër do vija për një çështjen time personale, si do kujdeseni për të mos cënuar pavarësinë dhe presionin, por unë mund të kem një pozitë më të lartë se kjo e sotmja.

Adnan Xholi: E vlerësoj pozitën që keni, por para ligjit dhe kushtetutës nuk keni asgjë lloj pozicioni dhe do ju respektoj si gjithë të tjerët. Do ju respektoj si femër do ju sajdis me ndonjë kafe, por zgjidhja do jetë ligjore.

Arta Mandro: Domethënë fare?

Adnan Xholi: S’ka sepse shumicës i pëlqen kafeja në SPAK, por vetëm me këto do ju respektojmë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Sot zgjidhet kreu i ri i SPAK! Ja profilet e 4 kandidatëve në garë

0

Ditën e sotme do të zgjidhet kreu i ri i SPAK, Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Pasi kreut Altin Dumani i mbaron mandati më 16 dhjetor, për të marrë postin e tij ka katër kandidatura.

Katër prokurorët në garë janë Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Klodjan Braho dhe Elvin Gokaj.

Profilet e të katër kandidatëve: 

Adnan Xholi është emri më i përfolur deri më tani në garën për kreun e SPAK-ut, një nga njerëzit që qëndron në krah të drejtuesit Altin Dumani.

Xholi u lind në Dibër më 6 korrik 1975. Përfundoi studimet si jurist pranë Fakultetit të Drejtësisë. Ka marrë emërimin si prokuror më 6 janar 2004.

01.05.1998-31.12.1999/ Oficer i Policisë Gjyqësore i Seksionit të Prokurorisë, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tepelenë.

01.01.2000 – 31.12.2000/ Zëvendësdrejtues Prokurorie (Zv/Prokuror Rrethi), në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

01.01.2001-05.01.2004/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Janar 2004- Maj 2013/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Gusht 2012- Dhjetor 2012/ Drejtues i Komanduar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Qershor 2013-2017/ Prokuror/Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

04.03.2015 – 28.09.2015/ Drejtues i Komanduar i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranës.

2017 – 23.07.2021/ Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme/Prokuror.

23.07.2021 – aktualisht/ Prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Doloreza Musabelliu u diplomua në vitin 2002 në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 2005 në Shkollën e Magjistraturës.

11.10.2004 -19.12.2019/ Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës për Krimet e Rënda.

19.12.2019 – 31.01.2020/ Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë (pas pushimit së ekzistuari të Prokurorisë pranë Gjykatës për Krimet e Rënda).

Nga 31 janari 2020 dhe aktualisht është prokurore në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Elvin Gokaj gjatë viteve 1994 – 1998, ka përfunduar studimet e larta të ciklit 4-vjeçar, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ka marrë emërim si prokuror më 5 dhjetor 2000.

2000-2007/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat.

2007-2012/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

2013-2014/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

2014-2021/ Prokuror dhe drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.

Nga 13 dhjetori 2021 dhe aktualisht, Gokaj mban detyrën e Prokurorit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Klodian Braho u lind në Skrapar më 21 korrik 1982. Në vitet 2000-2004 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe në 2005-2008 studioi në Shkollën e Magjistraturës. Ai mori emërimin më 14 nëntor 2007.

14.11.2007-2012/ Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.

2012-2015/ Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

2014-2015/ Zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

2015-19.12.2019/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Nga 19 dhjetori 2019  dhe aktualisht është prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Zgjedhjet për Avokatin e Popullit/ Ja emrat e deputetëve të PD që firmosën për kandidaturën e Endri Shabanin

0

Si pikë e 18 e rendit të ditës të seancës plenare në parlament të enjten parashikohet votimi i 6 kandidatëve që plotësuan kushtet për avokatin e popullit.

Tërheqja e firmave mbështetëse të kandidatëve prej deputetëve të PD nuk u pranua nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve të Martën.

Mes gjashtë kandidatëve është edhe Endrit Shabani që konsiderohet si kandidatura e preferuar e socialistëve, të cilët realizuan një skemë perfekte, duke u tërhequr nga mbështetja me firmë e kandidatëve.

I lejuan avancimin e mbështetjes me firma grupit parlamentar të PD ku mes gjashtë kandidatëve është edhe i preferuari i tyre zoti Shabani.

Në këto kushte firmat i dha PD dhe përmes votës së fshehtë, socialistët pritet me votim të fshehtë të votojnë Endrit Shabanin.

Nëse shikojmë listën mbështetëse me firma nga opozita për Endrit Shabanin nuk kemi të bëjmë thjesht me deputetë të rinj apo të dorës së dytë nga grupi parlamentar të PD.

Janë emra të njohur nga opozita si Ina Zhupa, Agron Gjekmarkaj, Tritan Shehu, Luan Baci, Bujar Leskaj, Oerd Bylykbashi dhe Jorida Tabaku firmtarë pro Endri Shabanit.

Kur grupi parlamentar i PD u ndesh me kundërshtinë socialiste të “formulës të Gaz Bardhit” dhe kur panorama u qartësua se socialistët po avanconin me kandidaturën e Endi Shabanit,  demokratët tentuan pa sukses t’i fusin një marsh pas procesit. Nuk ia dolën të ishin të suksesshëm me tërheqjen e firmave. E për të shpëtuar nga ndonjë votë e fshehtë e mundshme në drejtim të Endri Shabanit të Enjten në parlament, zgjidhjen e shpëtimit e tregoi doktor Berisha. Mos marrje pjesë të grupit parlamentar të PD në votim.

Nga ana tjetër nuk përjashtohet mundësia e mos dhënies së votës së fshehtë nga deputetë të caktuar të PS.

Gjithsesi kompensimi këtyre votave drejt 84 të nevojshme,  mund të vijë nga deputetët e “Nismës”, Agron Shehaj dhe Erald Kapri që kanë hedhur firmat e tyre në mbështetje të Endri Shabanit, përshirë dhe një nga firmëtarët e opozitës, agrarin Artan Luku nga partia e Agron Dukës.

DEPUTETËT E PD FIRMËTARË PRO ENDRI SHABANIT

Ina Zhupa

Agron Gjekmarkaj

Fidel Kreka

Tritan Shehu

Klevis Balliu

Manjola Luku

Xhelal Mëziu

Ledina Alolli

Klit Hoti

Kastriot Piroli

Ema Bozdo

Saimir Korreshi

Luan Baçi

Bujar Leskaj

Oerd Bylykbashi

Bledion Nallbati

Jorida Tabaku

Bardh Spahia

Tomorr Alizoti

Arian Ndoja

Besart Xhaferri

Igli Cara

Greta Bardeli

Elda Hoti

Enno Bozdo

Klodjana Copja

Flamur Hoxha

Agron Shehaj

Erald Kapri

Artan Luku

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Altin Dumani drejt largimit, nesër votohet për kreun e ri të SPAK

0

Gara për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK do të mbahet ditën e nesërme. 

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka njoftuar se të mërkurën, më 11 dhjetor 2025, në orën 09:00, do të zhvillohet seanca plenare ku do të mbahen intervistat me kandidatët dhe do të bëhet zgjedhja e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Sipas KLP-së, intervistat do të zhvillohen në rend alfabetik, dhe secili kandidat do të intervistohet për 45 minuta. 

Këshilli bën të ditur se gazetarët do të akomodohen në sallën e mbledhjes, ndërsa kameramanët do të kenë mundësi të filmojnë vetëm pamjet hyrëse, përpara fillimit të seancës.

Kandidatët e SPAK që do të jenë në seancën dëgjimore do të jenë:

1. Adnan Xholi

2. Doloreza Musabelliu

3. Elvin Gokaj

4. Klodian Braho

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Protestoi duke kaluar natën para Kryeministrisë, policia procedon Adriatik Lapajn

0

Prej dy ditësh, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” ka zgjedhur të protestojë para kryeministrisë, duke kaluar natën aty.

Por sot policia njofton se ka referuar materialet në Prokurori për Lapajn, pasi dyshohet se ka bërë grumbullime dhe ka zaptuar hapësirën publike përpara godinës së Kryeministrisë, duke penguar qarkullimin e lirë të lëvizjes.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori për shtetasit: A. L., pasi dyshohet se ka bërë grumbullime dhe ka zaptuar hapësirën publike përpara godinës së Kryeministrisë, duke penguar qarkullimin e lirë të lëvizjes”, sqaron policia.

Kujtojmë që mbrëmjen e kaluar Adriatik Lapaj dhe disa  protestues të tjerë kanë vendosur çadra në shesh, ndërsa policia u ka kërkuar që t’i heqin dhe të largohen nga zona.

Kërkesa e policisë shkaktoi tensione mes të pranishmëve. Disa prej qytetarëve janë dëgjuar të thërrasin “shtet që vret”, duke akuzuar autoritetet për presion dhe dhunë ndaj protestës.

Adriatik Lapaj dhe mbështetësit e tij kanë deklaruar se protesta do të vazhdojë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Këlliçi: Kemi nevojë për të hapur më shumë partinë, ka një gjumë letargjik në PD

0

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi i ftuar në “A Krasta Show” në Syri Tv ka folur për situatën në PD.

Këlliçi tha se vende vende në Partinë Demokratike ka një gjumë letargjik dhe një mpirje nervi.

Demokrati tha se partia ka nevojë për energji të reja dhe për t’u hapur më shumë.

Gjithashtu Këlliçi tha se është nevoja që të ketë një reagim më të fortë nga ana e Partisë Demokratike dhe për t’u përqendruar te mesazhi politik.

“Nuk mund të vësh një shenjë barazie midids PD dhe PS. Nga ana tjetër a është PD në lartësinë e duhur? A ka një gjumë letargjik vende vende në PD dhe një mpirje nervi? Patjetër që po. Kemi nevojë për energji të reja, kemi nevojë për profesionistë. Kemi nevojë për të hapur dhe më shumë PD-në. Patjetër kemi nevojë për të reaguar shumë herë më fort. Nga ana tjetër kemi nevojë të jemi të përqendruar në mesazhin tonë politik”, tha Këlliçi.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Posti i Avokatit të Popullit, Kalaja: E zhgënjyer që Partia Demokratike nuk doli me një emër

0

Adriana Kalaja, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, shprehu zhgënjimin e saj që Partia Demokratike nuk doli me një emër për Avokatin e Popullit.

“Jam e zhgënjyer që Partia Demokratike nuk doli me një emër për Avokatin e Popullit, patjetër që po. Zotit Berisha i kam thënë që erdhëm deri në momentin që PD-ja ka dhënë firmat për kandidaturat, duke mos ngatërruar votimin me mbështetjen për t’u futur në garë, për 8 emra. Unë jam vetofruar në garë. Nga të tetë personat të dilte një emër, sepse kaq firma ka PD-ja. Na pëlqen apo jo. Mbase nuk do ishte Adriana Kalaja fituese, do ishte dikush tjetër. Unë e respektoj procesin. Grupi parlamentar i PD-së ka kohë akoma, deri të enjten”, tha avokatja Kalaja.

“Duhet të fusë të gjithë firmat që ka dhënë për të tetë kandidatët, t’i fusi në garë, fituesin ta vendosë me vendim politik dhe t’ia çojë Taulant Ballës dhe Edi Ramës. Nuk duhet të pyesë Partia Demokratike, ky është një kompleks absolutisht i papranueshëm. Madje, për mua është i panevojshëm që të thuash “nuk po çojmë ne këtë se na rrëzon Taulant Balla”. Atëherë, le të ikë PD-ja nga Parlamenti sepse Balla po i rrëzon çdo gjë. Partia Demokratike të çonte kandidatin e vet. Ka kohë deri të enjten, ta bëjnë me votim. Votimi të jetë i ndershëm, i fshehtë. Nëse unë nuk mbështetem nga PD-ja, nuk mund të kërkoj votat e Partisë Socialiste”, shtoi Kalaja.

Sipas saj, “ky është vendim politik për t’i treguar opinionit që Avokatin e Popullit nuk e kthen në garë”.

“Nuk më duket korrekte tërheqja nga gara”, tha më tej Kalaja. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

23 ditët që e kthyen Ramën në ushtar të Ballukut

0

Përplasja e fundit e kryeministrit Rama me shoqatën e gjyqtarëve, që e akuzonte për presion ndaj tyre, më shumë sesa një ndërhyrje e ekzekutivit në punët e drejtësisë ka të bëjë me një mbrojtje, me mish e shpirt, ndaj zv/kryeministres së pandehur, Belinda Balluku.

Që në 20 nëntor, kur GJKKO miratoi një kërkesë të prokurorit Prençi për të mos e lejuar më Ballukun të shkelë në zyrë, shefi i saj ka nisur një kryqëzatë për të shpëtuar ministren që akuzohet se ka avulluar 50 milionë euro në tenderin e tunelit të Llogarasë. Kjo betejë 23 ditore, që pritet të finalizohet me shqyrtimin që do i bëjë pezullimit të saj Gjykata kushtetuese më 12 dhjetor është karakterizuar nga një kryqëzatë verbale e paprecedentë e vetë Ramës dhe e mediave të kontrolluara prej tij. Lapsi.al ka bërë një kronologji të kësaj përpjekjeje titanike duke mbajtur shënim, ditë mbas dite, të gjitha veprimet dhe fjalët e shefit të qeverisë.

Në 20 nëntor, kur u mor vendimi që “e pezulluara” Balluku nuk mund të ushtronte më funksionet e saj, ajo nxitoi drejt zyrës së kryeministrit, ku u mbyllën së bashku për disa orë të gjata, në shoqërinë e juristëve dhe avokatëve të qeverisë. Alternativat që kishin përpara qenë: ose zv/kryeministrja të zëvendësohej (me shkarkim apo dorëheqje) ose ajo të mbrohej duke i shpallur luftë drejtësisë. Pas diskutimesh të gjata, ku u morën parasysh edhe hipotezat se në të ardhmen nga një pezullim i tillë mund të kërcënohej dhe vetë Rama, fakti se SPAK këtë herë e kishte kaluar vijën e kuqe, duke vepruar pa leje, i nxitur nga partnerët, si dhe rrethana politike, që nëse Balluku dorëzohej, shpejt presioni do drejtohej menjëherë të Rama, u vendos që të kundërshtohej masa e pezullimit. Atë pasdite të enjteje, kur ende vendimmarrësit nuk kishin dalë nga dyert e kryeministrisë, në mediat pro qeveritare u hodh ideja e një “grushti shteti”, sipas të cilit, pushteti gjyqësor po rrëmbente kompetencat e ekzekutivit duke vendosur se kush mund të qe dhe kush jo anatar qeverie.

Rama nuk foli flakë për flakë atë natë. Ai nxitoi drejt një darke të vrerosur nën shoqërinë e komisioneres së zgjerimit, Marta Kos, që kish mbërritur në Tiranë. Ai u prononcua të nesërmen, në 21 nëntor, në një konferencë shtypi përkrah saj. Aty ai konfirmoi se nuk ka ndërmend ta “shesë” Ballukun duke vendosur standartin e mbajtjes së saj në detyrë edhe duke qenë e pandehur madje pa pasur mundësinë për të kryer funksionet.
Ai e konsideroi vendimin “e një prokurori dhe një gjykatësi që mblidhen bashkë”, si “një akt brutal”, që shkel kompetencat e një pushteti tjetër”, në këtë rast atij ekzekutiv duke shpallur se këtë përplasje mes pushteteve të pavarura, do e dërgojë për ta zgjidhur në Gjykatën Kushtetuese.

Nga ky moment Edi Rama nuk ka ditur të ndalet. Kur në 26 nëntor u zbardh ankimimi pranë Gjykatës Kushtetuese i shefit të qeverisë, kundër pezullimit të zëvendëses së tij, aty u vunë re dhe nota thellësisht qesharake. Prokurori dhe Gjykatësi akuzoheshin se po pengonin integrimin evropian të vendit, sepse Belinda Balluku, e pezulluar, nuk do të shqyrtonte dot deri në 800 projekte që brenda vitit 2027 duheshin përfunduar në bashkëpunim me BE-në.
Të dielën në 30 nëntor, në podkastin e vet të përjavshëm, ai hodhi idenë se sipas Komisionit të Venecias edhe Gjykatës së Strasburgut: “Gjyqësori NUK duhet të pezullojë ministra”. “Prandaj ministri ose rri në detyrë, ose largohet nga detyra me dorëheqje, nga Kryeministri, apo in extremis me dënim të formës së prerë sipas ligjit. Tjetër nuk ka. Prokuroritë e Gjykatat nuk hyjnë fare në këtë mes dhe nuk e bëjnë kurrësesi këtë. Asnjëherë. Askund në Europë”, këmbënguli ai.

Po të vëzhgohet me vëmendje, rezulton se këto deklarata u bënë dy ditë para se Gjykata Kushtetuese të hapte shqyrtimin paraprak të çështjes Balluku. Natyrisht që këto deklarata u kundërshtuan nga opozita e cila pretendonte se nuk ka asnjë rast kur Komisioni i Venecias të jetë shprehur për pezullimin e një ministri.
Sali Berisha e akuzoi Ramën për “presion të jashtëzakonshëm mbi Gjykatën Kushtetuese” dhe për mashtrim publik. Ai tha se kryeministri “mashtroi shqiptarët dhe Europën”, duke i atribuuar Venecias gjëra “që ai kurrë nuk i ka thënë”. Berisha solli shembuj të pezullimeve, shkarkimeve dhe dorëheqjeve të ministrave në vende europiane, duke theksuar se “antidemokratike do të ishte mosveprimi ndaj një superskandali të Ballukut”. Sipas tij, argumenti i Ramës për paprekshmërinë e ekzekutivit “do të thotë që për ekzekutivin nuk ekziston ligji”.

Por shefi i qeverisë i shfrytëzoi këto polemika për të diktuar edhe njëherë rrugën që duhet të ndiqte drejtësia. Këtë herë në një bashkëbisedim live në rrjetet sociale, në 1 dhjetor, ai e konsideroi pezullimin e ministres: “absurd totalisht si koncept”, sepse de jure quhet pezullim, “por de facto është shkarkim”, duke paralizuar autoritetin vendimmarrës të ministrit.
Në 3 dhjetor filloi aplikimi i një strategjie tjetër, demostrimi në sy të publikut se si pezullimi i Ballukut, po pengonte përpjekjet e nje qeverie që shqetësohet për njerëzit. Aq në hall dukej të qe kryeministri sa e lidhte këtë çështje me mospërparimin e një linje ajrore qe do lidhte Shqipërinë me Kanadanë.

“kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimpërgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve, por kjo procedurë nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit, pasi autoritetin ekskluziv Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër”, shkroi Rama në X.

Duke e kuptuar se shembujt e zgjedhur shpesh flirtonin me kufijtë e qesharakes ai u ul sërish përballë kamerës së laptopit të vet, në 4 dhjetor, për të inskenuar një bisedë me një mbështetës që i kish drejtuar një pyetje: “U bë sebep një mik i mirë për ta bërë këtë komunikim me një mesazh që më shkruan e kuptoj shqetësimin tënd lidhur me precedentin e rrezikshëm që krijoni pezullimi i ministres, së nesër bëhet rrugë dhe prokuror dhe gjykatës të heqin kë të duan nga qeveria. Po ajo e linjës ajrore me Kanadanë mu duk pak e tepërt. Mbase është shumë e tepërt, por shembujt që unë sjell i sjell për të thënë sa i tepërt është pezullimi i një ministri. Ndryshe nga cdo funksionar që mund të pezullohet, ministri i pezulluar jo vetëm që nuk firmos dot vetë asgjë, por bën që askush tjetër të mos marrë vendim dhe të firmosë në emër të dikasterit. Sepse Kushtetuta ia jep atij dhe vetëm atij ministrit autoritetin ekskluziv të padelekueshëm tek askush tjetër” tregoi ai duke shtruar gjoja i shqetësuar pyetjet: “PO me 35 vendimet e tjera të qeverisë si do ja bëjmë? PO me lejet e ndërtimit për investimet në energji të rinovueshme, në godina publikë që kanë kaluar në KKT por nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar si do ja bëjmë”.

Në podkastin e së dielës së 7 dhjetorit kryeministri shkoi përtej për shqetësimit për Ballukun duke vënë në dyshim edhe mbajtjen në paraburgim, pa vendim të formës së prerë edhe të dy të arrestuarve si bashkëpuntorë me të në krim, drejtorëve të KESH dhe të ARRSH, të cilët për sa kohë ministrja e tyre gjendet e pezulluar nuk zëvendësohen dot. “Fakti është se ata nuk hetohen në gjendje të lirë, dhe kështu cila është pasoja? Pasoja është se lihen pa kokë edhe dy institucione të tjera kyçe për vendin, të cilat mbulojnë infrastrukturën kombëtare të rrugëve dhe infrastrukturën kombëtare të energjisë” ligjëroi gjithë pathos ai.

Nuk duroi më shumë se një ditë pushim dhe në 9 dhjetor në vigjilje të hapjes së procesit në kushtetuese Rama u përfshi në polemika edhe me shoqatën e gjyqtarëve që e akuzonte për presion mbi punën e tyre. “Gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore” u përgjigj ai duke u kujtuar gjyqtarëve në mënyrë sa meskine qa edhe kërcënuese pagat e tyre: “Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre”.

Këtë kryqëzatë të nisur gjoja në kundërshtim të grushtit të shtetit dhe marrjes së kompetencave e tradhëton lehtësisht shprehja e mësipërme, ajo e denoncimit të një “vendimi befasisht të turpshëm”. Ajo dëshmon se këtë herë diçka nga veprimet e SPAK dhe GJKKO-së Ramës mund ti ketë dalë nga kontrolli. Dhe nuk bëhet fajlë për një dosje do si do. Po për një aferë si ajo e tunelit të Llogarasë, ku janë zhdukur 50 milionë euro, ku dyshohet fort se Balluku ka vepruar e urdhëruar nga Rama dhe ku po hetohet, ndoshta me një yshtje nga jashtë, një procedurë abuzive e qeverisë. Janë pikërisht këto elementë dhe jo puçi imagjinar ato që e kanë shndërruar për 23 ditë me radhë Edi Ramën në një ushtar të shpëtimit të Ballukut./Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

SPAK godet grupin Rraja, 6 të arrestuar, mes tyre edhe djali i ish-deputetit socialist

0

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka urdhëruar mëngjesin e kësaj të mërkure, më 10 dhjetor, një operacion të gjerë në Nikël, Fushë-Krujë, kundër grupit kriminal të njohur si “Rraja”.

Operacioni është duke vijuar dhe përfshin kontrolle në banesa të ndryshme nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe vjen pas hetimeve të gjata duke synuar goditjen e një prej grupeve më të njohura kriminale në zonën e Fushë-Krujës.

Autoritetet kanë lëshuar urdhër-arreste për disa persona, përfshirë Rexhep Rrajën, djalin e një ish-deputeti socialist, Rrahman Rraja i cili është vënë në pranga.

Emrat e personave të arrestuar:

1-Marvin Genci Bushati

2-Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani

3-Sokol Myslym Qaja

4-Gazmir Xhemali Rraja

5-Perparim Kadri Rraja

6-Rexhep Xhelal Rraja.

Ky operacion po drejtohet nga prokurori Adnan Xholi me synimin për të goditur grupin e strukturuar të trafikut të lëndëve narkotike, që u “tradhtua” nga bisedat që kishin bërë në aplikacionin e inkriptuar të bisedave “SkyECC“, pas zbërthimit të tij.

Grupi “Rraja” ka qenë në fokus të institucioneve prej vitesh, për dyshime lidhur me aktivitete të ndryshme kriminale. Sipas burimeve, personat e përfshirë dyshohet të jenë të përfshirë në trafik droge dhe operacioni i sotëm synon goditjen e të gjitha hallkave të aktivitetit të tyre kriminal. Kontrolli i banesave dhe procedurat e tjera janë ende në zhvillim dhe pritet të përfundojë gjatë ditës.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx