Partia Demokratike deklaron se droga dhe pastrimi i parave të pista nga organizatat kriminale me mbështetje qeveritare janë dy arsyet kryesore që Shqipërisë nuk ju hapën negociatat dhe as kanë për t’iu hapur në qershor të 2019. Deputeti, Flamur Noka, tha se dëshmia e zyrtarëve të policisë italiane dhënë gazetës ‘Liberatio’ se në Shqipëri vazhdon të mbillet kanabis në sasira të mëdha është provë tjetër SE Edi Rama mashtron kur thotë se ka hequr Shqipërinë nga harta ku prodhohet kanabis.
Noka: Në Bari është bllokuar 10 ton drogë në katër muajt e fundit, që nuk është prodhim nga stoku i vjetër por prodhim i muajve të fundit, koha kur Rama shpalli fitoren kundër kultivimit të drogës.Mediat europiane shkruajnë se paratë e drogës janë para të politikës në pushtet.
Deputeti Noka tha se “është koha të largojmë Edi Ramën dhe baandën e tij që ti hapim rrugën Shqipërisë drejt Europës”.
Noka: Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës është një nga kushtet që Bashkimi Europain i ka vënë Shqipërisë, në mënyrë që të vendosë për hapjen e negociatave qershorin e ardhshëm. Në të vërtetë, nuk do të ndodhë asgjë nga ato që presin shqiptarët dhe bashkimit Europian, sepse Edi Rama është përfituesi kryesor i parave nga kultiivimi dhe trafikimi i drogës.
PD: Droga dhe pastrimi i parave të pista do lënë Shqipërinë pa negociata
Basha: 3.4 milionet eurot janë të Bandës së Elbasanit
Kryetari i PD-së Lulzim Basha vijon të akuzojë Taulant Ballën si garantorin e 3.4 milionë eurove të mbërritura në Durrës më 24 qershor. Sipas Bashës paratë janë të një prej bandave më të mëdha të Elbasanit. “Taulant Balla është garantuesi i kalimit të parave të bandës së Elbasanit. Policia është njoftuar nga partnerët dhe këta janë para droge që pastrohen me bekimin dhe garancitë e kupolës së PS-së këtë rast sekretarit të përgjithshëm të PS-së. Paratë janë të një prej bandave më të mëdha të Elbasanit”
Po për foton ku Basha ka dalë me një prej vëllezërve të personave të akuzuar si pritës të ngarkesës me 3.4 milionë euro.
Basha përgjigjet: “E ka marrë foton nga banda e Elbasanit. Unë si politikan takoj me mijëra njerëz. Një gjë është e saktë, nëse është ashtu ta marrin ta arrestojnë. E kam të pamundur për momentin se unë takoj mijëra njerëz. Personi në fjalë nuk më thotë asgjë po lidhja me foton më tregon se Taulant Balla është garantuesi i kalimit të parave të bandës së Elbasanit. Policia është njoftuar nga partnerët dhe këta janë para droge që pastrohen me bekimin dhe garancitë e kupolës së PS-së këtë rast sekretarit të përgjithshëm të PS-së. Të tjerat janë pesë me hiç janë përpjekje që kriminelët dhe garantuesit e pastrimit të parave këtë rast Taulant Balla ti shpëtojnë konseguencave ligjore. Ndërkohë sot kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaron se do të depozitojë sot në prokurori foton që publikoi dje në Kuvend, në të cilën pretendonte se ishte vëllai i një prej kushërinjve Vladi të shpallur në kërkim për 3.4 milionë eurot kontrabandë, me kryetarin e Partisë Demokratike.
ERDOGAN: DO TË HEQ GJENDJEN E EMERGJENCËS NË TË GJITHË VENDIN
Presidenti i Turqisë, i sapokonfirmuar në zgjedhjet e fundit, Rexhep Tajip Erdogan dhe partnerët në aleancën qeveritare kanë rënë dakord që të mos zgjasin gjendjen e emergjencës pasi periudha 3-mujore të përfundojë në Korrik. Kjo është bërë e ditur nga mediat proqeveritare në Turqi. Gjendja e emergjencës ka qenë në fuqi që prej përpjekjes së dështuar për grusht shteti në korrik të 2016-s dhe është zgjatur çdo 3 muaj. Erdogan premtoi këtë muaj se do ta hiqte nëse do të fitonte në zgjedhjet e 24 Qershorit. Dhe në këtë mënyrë ka filluar me mbajtjen e premtimeve. Erdogan fitoi me 53% të votave të dielën në zgjedhjet presidenciale, duke zgjatur sundimin e tij deri në 2023, por tashmë me ndërrimin e fuqive ekzekutive që qytetarët e mbështetën në një referendum vitin e kaluar. Erdogan dhe partneri i tij i aleancës, udhëheqësi kombëtar i Partisë Nacionaliste MHP, Devlet Bahceli, mbajtën një takim. Burimet kanë thënë se Erdogan mund të japë disa poste të kabinetit për MHP, duke shpërblyer mbështetjen e tyre për Partinë e tij AK në parlament. “Në bisedime u arrit marrëveshje për të mos zgjatur gjendjen e emergjencës”, shkruan gazeta Sabah pa dhënë detaje. Kjo media nuk specifikonte burimin e raportit të saj. Gjendja e jashtëzakonshme apo e emergjencës i jep mundësi presidentit dhe qeverisë të anashkalojnë parlamentin, duke miratuar ligje të reja dhe u lejon atyre të pezullojnë të drejtat dhe liritë. Kritikët thonë se Erdogan ka përdorur gjendjen e jashtëzakonshme si një pretekst për të shuar polemikat e qytetarëve ndaj pushtetit. Ndërsa qeveria e Ankarasë pretendonte se masat janë të nevojshme për të shmangur kërcënimet e sigurisë.
PËRPLASJA ME ARMË NË KINOSTUDIO, KONFLIKTI PËR PAZARET E DROGËS
Tre persona janë plagosur me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës 27 qershor 2018 në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:54 pranë një pike bastesh në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Kinostudio. Policia thotë se të plagosur kanë mbetur vëllezërit Rivelino dhe Juxhin Mumajesi 36 vjeç dhe 24 vjeç dhe Ibrahim Durollari, 28 vjeç, të tre me precedentë kriminal për vepra të ndryshme penale. Ata janë qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Të plagosurit aktualisht ndodhen në spital ku po marrin ndihmë mjekësore. Dy vëllezërit, që dyshohet se kanë qenë dhe shënjestra e atentatit, ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Ibrahim Durollari ndodhet në gjendje më të rëndë. Ai i ehste nenshtruar dhe nje nderhyrje kirurgjikale. Nga veprimet e tanishme hetimore në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar 9 gëzhoja të qitura nga armë zjarri të llojit pistoletë të përdorura nga autorët. Policia ka arrestuar Ervis Banon, 29 vjeç, banues në Tiranë. Ai akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal). Po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje. Në ambientet e policisë janë shoqëruar 23 persona që kanë pasur përplasje dhe herë të tjera me tre të plagosurit. Mendohet se ata janë dhe personat që kanë qëlluar. Ende nuk dihen shkaqet por pista kryesore e hetimit është prishja e pazareve të drogës, e konfirmuar kjo dhe nga policia. Vëllezërit Mumajesi ishin konfliktuar me pare me rivalet dhe kishin marre kercenime per te lene territorin ku shperndanin lende narkotike.
Spaho: Shqipëria, lavatriçja më e madhe e pastrimit të parave në botë
Pas ndërprerjes prej 15 minutash, i pari që e mori fjalën me rinisjen e seancës ishte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Edmond Spaho ka deklaruar në Parlament se negociatat nuk janë hapur dhe as janë shtyrë në qershor 2019. Sipas tij, qeveria ka ngelur në klasë me testimin më të rëndësishëm të Shqipërisë në Europë. Spaho theksoi qëndrimin e opozitës tek pastrimi i parave të pista, që sipas tij drejtohet nga kryeministri Rama. “Negociatat nuk u hapën, qeveria feston, kjo është absurde. Shqipëria është kthyer në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave në botë. Me se do ndërtohen kullat, ku gjenden paratë? Ndërtimet me vetë financim? Ku qenka kjo gjë, në asnjë ekonomi tregu në botë nuk ndodh, por këto janë para të drogës dhe të krimit. Po rritet ndërtimi, po nga vijnë paratë? Ra kursi i këmbimit, sa euro kanë hyrë në vend? Krimi i organizuar ka lidhje me qeverinë. Ata që thonë se është eliminuar kultivimi i kanabisit, thjesh gënjejnë”, – shtoi Spaho. Sipas deputetit demokrat, Prokuroria dështoi edhe me kryerjen e ekspertizës së audio-përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. “Pse nuk ka ardhur ekspertiza nga Italia?”, – nënvizoi ai.
“Toyota”-t me euro, Gjykata Durrës shpall moskompetencë
Gjykata e Durrësit shpalli mos-kompetencën për gjykimin e 4 të arrestuarve për 3,4 milionë eurot që u gjetën në dy Toyota-t në portin e Durrësit pak ditë më parë. Të arrestuarit Edi Lika, Agim Çeka, Klevi Lika dhe Alban Mollaymeri mbetën në burg. Eurot u gjetën në sediljet e makinave që vinin nga Belgjika. Ndaj të arrestuarve është ngritur edhe akuza si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ç’ka e bën të ligjshme shpalljen e moskompetencës së Gjykatës Durrës për trajtimin e më tejshëm të çështjes. Eurot e gjetura në automjetet Toyota prej ditësh ka nxitur edhe debat në politikë duke shkuar deri në foltoren e parlamentit me akuza reciproket mes pozitës dhe opozitës. Katër të arrestuarit janë Edi Lika, Klevi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri. Tre milionë e 366 mijë e 800 euro, 80 mijë franga belge, e mes tyre edhe 100 euro false u sekuestruan nga policia në sediljet dhe dyert e dy “Toyota”-ve, të cilat zbarkuan në Portin e Durrësit me një trajler “bizart” ditën e diel.
Debate në Kuvend
Kryeministrit Edi Rama i kanë mjaftuar vetëm 10 minuta në foltoren e Kuvendit, për të komentuar vendimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, për integrimin e Shqipërisë, duke theksuar se ndryshe nga ç’pretendon opozita, vendi ta tashmë ka datë për negociatat. Ai zbuloi se bashkë me homologun maqedonas kanë marrë ftesën nga Brukseli për tu ulur për të nisur punën parapërgatitore. Në replikë me kryeministrin, kryetari i opozitës Lulzim Basha, tha se vendi është peng i krimit që mburojë ka qeverinë, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve që të behen pjesë e asaj që ai e quan “bashkim kombetar” për të larguar qeverinë dhe hapur rrugë zhvillimit të vendit. Pas vendimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së për negociatat, Lulzim Basha, paralajmëroi një kthesë të fortë politike, e kjo u reflektua në parlament ku pas më shumë se dy muajsh bllokim, opozita kërkoi 7 orë e 30 minuta debate për çështjen e integrimit. Kryeministri Edi Rama, kishte në dispozicion 50 minuta për të folur, por ai shfrytëzoi vetëm 10, ndërsa në këtë fjalim të shkurtër vlerësoi si fitore vendimin e Bashkimit Evropian, duke theksuar se tashmë Shqipëria ka një datë kur do hapen negociatat. Jeni katandisur në një futë esadistësh. Nuk kemi çfarë të debatojmë. Nuk kemi punë fare me këta (i drejtohet opozitës). Barra jonë është shumë e rëndë dhe nuk mund të mbajmë dhe mbi këta në kurriz. Boll. I lëmë në punën e tyre dhe ne të ecim përpara, sepse ka shumë për të bërë e sfida për të fituar. Me kryeministrin maqedonas kam marrë ftesën nga Brukseli për tu ulur për të nisur punën parapërgatitore. Këta thonë jep dorëheqjen,do flas dhe me kryeministrin maqedonas dhe do ju kthejmë përgjigje. Do ju kthejmë përgjigje patjetër por kur të kemi pushim. Ne kemi datën e çeljes së negociatave, PD thotë nuk ka. Debat të mbarë në të folurit me veten tuaj. Në këtë përpjekje kemi vetëm një shpëtim kemi vetëm një shpëtim, njerëzit e zakonshëm. Ata që na kanë votuar dhe ata që nuk na kanë votuar. Me ta e kemi punën, përpara tyre kemi detyrimin të debatojmë, me këta (opozitën) mozalla. Asnjë debat. Kohë e humbur në absurditet. Mirë e tha një nga etërit themelues: O Zot e kufizove inteligjencën, po budallallëkun pse e le pa kufi? Hë mo Zot pse, pse e o Zot e le pa kufi? Urdhro tani unë po iki. Dëgjoni çfarë vjen pas dhe drejtojuni Zotit. Pas fjalës së tij kryeministri u largua nga parlamenti dhe direkt pas tij në foltore u ngjit kryetari i opozitës.
Basha tha se me ketë qeveri nuk ka integrim, ndërsa tha se opozita punon për interesin e Shqipërisë. Zoti na e ka dhënë përgjigjen, nuk e ka kufizuar budallallëkun që të durojmë këtë në kurrizin tuaj o njerëz dhe të kuptojmë se çfarë ndodh kur zgjedh apo pranon të të vjedhë votat një mashtrues, një hajdut dhe një njeri i lidhur me krimin si askush në 28 vite si ky që sapo la sallën. Për këtë arsye po na teston Zoti dhe do të vazhdojë të na testojë derisa të ngrihemi në nivelin e sfidës dhe të marrim fatin tonë në duart tona.Deri në atë moment ky do vazhdojë të pëllasë në këtë sallë pa dhënë asnjë llogari. Do vazhdojë t’ju fyejë në lëndina dhe qytete dhe në telefon me gjuhën e rrugaçit. Do të vazhdojë t’ju shesë sapunin për djathtë, mos hapjen e negociatave për hapje negociatash, kriminelët për Ministra të Brendshëm, hajdutët për Ministra Financash dhe Ekonomie, mjerimin si sukses, pasigurinë si gjendjen më normale në botë.
Mes ironive, Basha i kujtoi Ramës, historinë e Griseldës, ish-bashkëjetueses së Elvis Rroshit, në atë kohë kryebashkiak i Kavajës. Lulzim Basha, ripërsëriti nga foltorja e Kuvendit se Shqipërisë nuk i janë hapur negociatat, dhe gishtin e përrgjegjësisë e drejtoi nga qeveria.
Basha: Nëse nuk e largojmë këtë qeveri rezultati do të jetë i njëjtë. Do të mblidhemi në këtë sallë me Kim Jong Un dhe teveqelët e tij dhe një Shqipëri akoma më të zbrazët. Sot është dita që Edi Rama ka falimentuar në çdo aspekt. Është i vetmi kryeministër që nuk ka asnjë arritje të vetme sa i takon integrimit. Toyotat janë maja e asjbergut. Pushtetarët vijnë garant për eurot e pista. Qeveria është peng i krimit, u shpreh Basha, ndaj ftoi qytetarët në atë që ai e quan bashkim kombëtar për largimin e Edi Ramës, i cili tha ai mban peng integrimin dhe të ardhmen e vendit.
Salianji shkon në kuvend me Toyota Yaris
Deputeti i Partisë Demokratike ka zgjedhur një makinë të veçantë për të shkuar në seancën e sotme të kuvendit të Shiëprisë. Ervin Salianji po shkon në parlament me Toyota Yaris.
Kjo pas akuzave të fundit të bëra nga opozita për lidhjen e mundëshme të drejtuesve të lartë të PS me paratë e gjetura në dy makina të tilla në portin e Durrësit dhe të bllokuar pas kërkesës së Interpolit nga policia shqiptare.
Debat mes vendeve anëtare të BE, shtyhet vendimi për negociatat me Shqipërinë
Takimi i sotëm i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, i mbledhur në Luksemburg, ku marrin pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së është zhvilluar me debate lidhur me çështjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Komisioni europian ka rekomanduar hapjen e tyre pa kushte, por një grup i vogël vendesh janë hezituese.
Në përfundim të pjesës së parë të mbledhjes, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias tha se “ka dy grupime. Njëri që përfaqëson shumicën, me 25 vende që mbështesin hapjen e bisedimeve deri në verën e 2019, dhe tre vende të tjera, Franca, Danimarka dhe Hollanda që mendojnë se duhet të shtyjmë të gjithë procesin. Por të shtysh këtë proces europian do të thotë që të shtysh stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit”, u shpreh ai.
Qëndrimi i Francës është ndikuar nga një sërë faktorë. Nga një anë janë ato që lidhen me situatën e brendshme, duke qenë se gati gjysma e forcave politike franceze dhe shumica dërrmuese e opinionit publik, janë kundër idesë së zgjerimit. Nga ana tjetër, ideja e presidentit Emmanuel Macron e shpallur si objektiv nga ana e tij, është ajo e reformimit të vetë BE-së, përpara zgjerimit të saj. Por ministri i Jashtëm grek u shpreh se “unë e di që ka vende që i druhen populizmit, por nuk mundet ta luftosh dhe të fitosh ndaj populizmit, duke bërë hapa pas”, tha ai duke shtuar se “mund të ecim paralelisht si me zgjerimin ashtu dhe me reformimin e BE-së”.
Përpara nisjes së takimit Ministri i Jashtëm hollandez Stef Blok përsëriti qëndrimin hezitues të vendit të tij. “Dy vendet kanë bërë progres por jo mjaftueshëm, duhen rezultate konkrete për korrupsionin.E rëndësishme është që të dy vendet kanë treguar këmbëngulje në luftën kundër korrupsionit por duhet të shohim më shumë. Ne mbështesim progresin që kanë bërë por nuk mund të injorojmë faktin që duhet të shohim rezultate konkrete”, u shpreh ai.
Nga ana e saj Gjermania është në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe i bën thirrje Francës dhe Hollandës që të bashkohen me pjesën tjetër të vendeve anëtare që ndajnë të njejtin qëndrim. “Demokracia dhe paqja e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor luajnë një rol të rëndësishëm për të gjithë ne në BE, kjo është arsyeja që vlerësojmë shumë përpjekjet e të dy shteteve për të forcuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit”, tha zoti Roth, duke shtuar se “Qeveria gjermane është gati të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë në rrugën drejt BE-së, jemi gati të japim dritën jeshile dhe dua të inkurajoj miqtë tanë holandeze dhe francezë të na bashkohen”.
Thirrje drejtuar vendeve anëtare në favor të hapjes së bisedimeve, drejtuan sot dhe 11 eurodeputetë, relatorë dhe drejtues të delegacioneve të parlamentit europian për marrëdhëniet me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. “Nxisim udhëheqësit europianë të dëshmojnë angazhimin e tyre të qartë ndaj perspektivës europiane të të gjithë rajonit të Ballkanit, duke miratuar hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Tiranën dhe Shkupin”, shkruhet në letrën drejtuar Presidentit të Këshillir europian Donald Tusk. Duke vënë në dukej faktin se “të dy vendet kanë plotësuar kushtet e kërkuara, siç nënvizon Komisioni europian dhe Parlamenti europian”, eurodeputetët theksojnë se “BE duhet të mbetet një partner i besueshëm. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është e lidhur me BE-në dhe Bashimi europian nuk duhet t’i zhgënjejë”.
Ministrat e Jashtëm kanë vijuar diskutimet pasdite për të arritur një qëndrim të përbashkët për hapje të kushtëzuar të negociatave me afat verën e vitit 2019. Një zgjidhje kompromisi për të cilën u shpreh që në mëngjes ministri gjerman i Shtetit kur tha se “Shqipëria duhet të përmbushë disa parakushte për të hapur kapitullin e negociatave” dhe se “kjo mund të jetë një mënyrë pragmatike për të tejkaluar mosmarrëveshjet në Këshill”./zeri i amerikes
Vrasja e biznesmenit të kafesë në Vlorë, policia zbulon të arrestuarin e tretë
Policia e Vlorës njoftoi se ka arrestuar një 28 vjeçar te dyshuar lidhur me vrasjen e biznesmenit Vasil Dervishaj, 29 vjec qe u ekzekutua në fillim të këtij muaji.
Sipas burimeve zyrtare, i arrestuari Donel.Sh., banues në Vlorë, akuzohet për veprën penale ”Moskallëzim krimi”.
Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me Vendimin Nr.169, datë 20.06.2018, ka vendosur masën e sigurisë ”Arrest në burg” ndaj tij.
Policia ka njoftuar se materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale.
Ngjarja e rëndë ndodhi me 6 qershor 2018 në lagjen “Pavarësia”.
Viktima, Vasil Dervishaj, pronar i një bar-kafeje të quajtur “Gimoka” dhe një dyqani elektroshtëpiakesh, u ekzekutua me një plumb në kokë teksa dilte nga automjeti i tij, rreth orës 23:00 të mbrëmjes.
Me heret policia ka identifikuar dy autorët e dyshuar të krimit, E.A, 31-vjeç, A.C, 28-vjeç, të dy lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë.
Deri tani nga policia janë arrestuar dy bashkëpunëtorët Nekid Arapi, 21 vjeç, banues në Vlorë dhe Amarildo Grembi (Muka), 28 vjeç, banues në Vlorë, të cilët kanë përkrahur autorët e krimit pas ngjarjes.
Hetuesit kanë sekuestuar dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një pistoletë si dhe një automjeti tip “Audi” me të cilin janë larguar autorët pas atentatit.
Sipas policisë, ngjarja ka ardhur si rrjedhojë e një konflikti që ka pasur viktima me dy autorët e dyshuar E.A dhe A.C.



