Ballina Blog Faqe 9522

Zbardhet vendimi, procedurat për legalizimin e 1320 pallateve pa hipotekë

0

Zbardhet vendimi i qeverisë për legalizimin e pallateve që janë pa leje ndërtimi ose në shkelje të lejes së ndërtimi. Gjithë procesi i legalizimit do të jetë falas dhe gjithë procedura do të ndiqet nga AULUIZNI, mjafton që pronarët e shtëpive të dorëzojnë pranë agjencisë dokumentet që do t’u kërkohen nga punonjësit e ALUZINI-t për rastet kur dosjet janë të pa plota. E vetmja tarifë që do të paguajnë pronarët e 30 mijë shtëpive që përfshihen në këtë proces është tarifa e hipotekës për regjistrimin e objekteve të legalizuara është 5000 lekë, shkruan gazeta shqiptare. Vendimi me 29 pika parashikon zgjidhjen edhe në rastet kur ka mbivendosje të pronës.

“Kur për të njëjtën njësi individuale ka pretendime pronësie nga dy apo më shumë persona, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata. Procedurat e legalizimit pezullohen vetëm për njësinë individuale që është objekt i mosmarrëveshjes, me paraqitjen e vërtetimit gjyqësor nga pala e interesuar apo me vendim gjyqësor për vendosjen e masës së sigurimit të padisë. Këto procedura rinisin në përputhje me dispozitivin e vendimit gjyqësor të formës së prerë, të dorëzuar nga subjekti i interesuar”-thuhet në vendim. Ndërsa për pagesën e tarifës së shërbimit nga poseduesit zbatohen pikat 2 deri në 4/1, të vendimit nr.860, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”, të ndryshuar”. Referuar ligjit, tarifa e shërbimit për legalizim, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, si dhe për objektet e dyta, është 8000lekë, për çdo kat të ndërtimit dhe në të rast do të paguhet nga ndërtuesi. “Gazeta Shqiptare” publikon vendimin e plotë të Këshillit të Ministrave në bazë të të cilit do të marrin hipotekën për shtëpitë e tyre 30 mijë familje në të gjithë vendin.

Përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore dhe/ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 36 e 43/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

I. LEGALIZIMI NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE ME LEJE NDËRTIMI, NË TË CILAT JANË KRYER SHTESA ANËSORE DHE/OSE NË LARTËSI OSE NDRYSHIME TË FUNKSIONIT TË HAPËSIRAVE

1. Procedurat e legalizimit të objektit me leje ndërtimi, në të cilin janë kryer shtesa anësore dhe/ose në lartësi ose ndryshim i funksionit të hapësirave, kryhen në favor të poseduesve (si porositës apo pronarë trualli, sipas kontratave të porosisë/sipërmarrjes ose aktmarrëveshjes) në rastet e mëposhtme:a) Subjekti ndërtues/investitori është në kushtet e nenit 99 (ose 187) të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për shoqëritë tregtare”, të ndryshuar; oseb) Subjekti ndërtues/investitori nuk dorëzon brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga data e njoftimit dokumentacionin e kërkuar zyrtarisht nga ALUIZNI sipas ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, ose nuk shlyen, brenda të njëjtit afat, detyrimet financiare sipas nenit 43, të të njëjtit ligj.

Këtu përfshihet dhe rasti kur subjekti rezulton me veprimtari të pezulluar prej të paktën 1 viti, sipas informacionit të administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit; osec) Subjekti ndërtues/investitori nuk ka paraqitur aplikim për legalizim, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.2. Kur plotësohen kushtet e pikës 1, të këtij vendimi, drejtoritë e ALUIZNI-t vijojnë legalizimin në favor të poseduesve të apartamenteve ose ambienteve me funksion social-ekonomik, në vijim të quajtura “njësi individuale”, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim.3. Drejtoritë e varësisë të ALUIZNI-t, pas kryerjes së procedurave të evidentimit në terren, hartojnë listat e ndërtimeve të ngritura nga subjektet që gjenden në kushtet e pikës 1, të këtij vendimi, si dhe listën e poseduesve të njësive individuale dhe i afishojnë ato në faqen zyrtare të ALUIZNI-t, në ambientet e drejtorive dhe të objekteve që do t’i nënshtrohen procesit të legalizimit, si dhe pranë njësive të qeverisjes vendore.4. Legalizimi dhe regjistrimi për objektet që trajtohen sipas këtij kreu, në varësi të gjendjes ligjore, kryhen në dy faza:a) Miratimi i lejes së legalizimit për objektin kryesor (sipas projektit të miratuar nga organi kompetent) së bashku me shtesat anësore dhe/ose në lartësi të realizuara dhe të deklaruara nga subjekti ndërtues dhe regjistrimi i tyre në ZVRPP në emër të ALUIZNI-t.b) Miratimi i lejes së legalizimit për shtesat anësore dhe/ose në lartësi të realizuara dhe të deklaruara nga vetë subjektet poseduese.5. U nënshtrohen kritereve kualifikuese të parashikuara në vendimin nr.280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”, vetëm shtesat në tejkalim të lejes së ndërtimit.

Nëse shtesa gjendet në kushtet e përjashtimit nga legalizimi, legalizohet dhe regjistrohet vetëm objekti kryesor.6. Poseduesit e njësive individuale duhet të dorëzojnë brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e afishimit publik sipas pikës 3, të këtij vendimi, dokumentacionin që provon marrëdhënien juridiko-civile me subjektin ndërtues/investitor. Miratimi i lejeve të legalizimit për njësitë individuale në favor të poseduesve kryhet pas zbatimit të procedurës së përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 4, të këtij vendimi.7. Nëse objekti me leje ndërtimi, në të cilin janë kryer shtesa anësore dhe/ose në lartësi ose ndryshim i funksionit të hapësirave, është ngritur në truall privat, pronarët e truallit përfitojnë pjesët përkatëse në objektin kryesor dhe në shtesat e realizuara nga subjekti ndërtues/investitor, në përputhje me shkronjën “c”, të nenit 37, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.8. Njësitë individuale, për të cilat nuk janë lidhur kontrata porosie/sipërmarrjeje ose aktmarrëveshje, legalizohen në emër të subjektit ndërtues/investitor, me përjashtim të atyre që i takojnë pronarit të truallit sipas paragrafit të dytë, të shkronjës “c”, të nenit 37, të ligjit të sipërpërmendur. Në rastet e shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, kur mbi njësinë individuale nuk ka pretendime nga të tretë, ajo legalizohet në favor të shtetit.

9.Në rastet e ekzekutimit të detyrue-shëm mbi objektin apo mbi njësitë individuale zbatohen përcaktimet e pikave 8/3 deri në 8/7, të vendimit nr.280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”, të ndryshuar.Në çdo rast, ekzekutimi i detyrueshëm, që lidhet me pasuritë e subjektit ndërtues/investitor, nuk mund të shtrihet mbi njësitë individuale të poseduesve ose mbi shtesat e realizuara dhe të deklaruara prej tyre.10. Kur për të njëjtën njësi individuale ka pretendime pronësie nga dy apo më shumë persona, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata. Procedurat e legalizimit pezullohen vetëm për njësinë individuale që është objekt i mosmarrëveshjes, me paraqitjen e vërtetimit gjyqësor nga pala e interesuar apo me vendim gjyqësor për vendosjen e masës së sigurimit të padisë. Këto procedura rinisin në përputhje me dispozitivin e vendimit gjyqësor të formës së prerë, të dorëzuar nga subjekti i interesuar.

11. Procedurat e legalizimit sipas këtij kreu nuk pengohen nga detyrimet kontraktore që mund të ekzistojnë ndërmjet poseduesve dhe subjektit ndërtues/investitor lidhur me njësitë individuale dhe as nuk i shuajnë këto detyrime.12. Regjistrimi i njësive individuale dhe i pjesës takuese të bashkëpronësisë kryhet sipas lejes së legalizimit. Për këtë qëllim, zbatohen procedurat e parashikuara në vendimin nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”. Poseduesit e njësive individuale, krahas pagesës së tarifës së regjistrimit për këto njësi, paguajnë solidarisht edhe tarifën e regjistrimit të objektit në tërësi sipas shkronjës “a”, të pikës 4, të këtij vendimi.13. Akti për qëndrueshmërinë konstruktive të objektit në tërësi, sipas nenit 37, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, depozitohet nga poseduesit e njësive individuale.14. Për pagesën e tarifës së shërbimit nga poseduesit zbatohen pikat 2 deri në 4/1, të vendimit nr.860, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”, të ndryshuar.15. Penalitetet sipas nenit 43, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe detyrimet tatimore, të parashikuara nga nenet 11 dhe 20, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, mbarten nga subjekti ndërtues/investitor dhe nuk pengojnë legalizimin në favor të poseduesve, sipas këtij kreu.Penalitetet llogariten nga drejtoria e ALUIZNI-t dhe i njoftohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Nëse subjekti është duke iu nënshtruar procedurave të falimentit, ato i njoftohen edhe personit të ngarkuar me likuidimin e shoqërisë tregtare dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit.Detyrimet tatimore mbarten nga subjekti ndërtues, edhe pse kalimi i së drejtës së pronësisë mbi njësitë individuale kryhet nga ALUIZNI nëpërmjet lejes së legalizimit. Sipas kësaj pike, ALUIZNI përcjell pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve informacionin dhe dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin e detyrimeve tatimore.Pagesa për taksën e ndikimit në infrastrukturë nuk pengon legalizimin sipas këtij kreu dhe kryhet në çdo rast nga subjekti ndërtues/investitor.16. Rastet e parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, për efekt të detyrimeve të subjektit ndërtues/investitor për pagesën e penalitetit dhe tatimit, trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi nga institucionet tatimore dhe ato të mbikëqyrjes së shoqërive tregtare.II.

Legalizimi në emër të subjektit ndërtues/investitor17. 

Për objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, që nuk trajtohen sipas kreut I, të këtij vendimi, leja e legalizimit miratohet për subjektin ndërtues/investitor që rezulton i tillë nga leja e ndërtimit apo për subjektin që ka fituar të drejta mbi ndërtimin, nëpërmjet:a) veprimeve juridiko-civile (kontrata, akte noteriale) për kalimin e të drejtave mbi objektin, nga investitori/ndërtuesi te një subjekt tjetër;b) vendimit gjyqësor të formës së prerë.18. Legalizimi nuk pengohet nga detyrimet tatimore që kanë palët si rezultat i veprimeve të kryera më parë për kalimin e të drejtave mbi objektin dhe as nuk i shuan këto detyrime. Sipas kësaj pike, ALUIZNI, në momentin e dërgimit të lejes së legalizimit për regjistrim, përcjell kopje të dokumentacionit të praktikës për vlerësimin e detyrimeve tatimore, pranë drejtorisë rajonale të tatimeve.Kur kalimi i të drejtave mbi objektin është kryer pa kundërshpërblim, zbatohen përcaktimet e pikës 9, të udhëzimit të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Drejtësisë nr.9, datë 26.2.2008, të ndryshuar.19. Rregullat e përcaktuara në pikat 4, 5 dhe 9, të këtij vendimi, zbatohen edhe për objektet që legalizohen sipas këtij kreu.

III. LEGALIZIMI I OBJEKTEVE SHUMËKATËSHE PA LEJE NDËRTIMI, TË DESTINUARA PËR KALIM PRONËSIE APO QIRADHËNIE 20. Evidentimi i objekteve shumëkatëshe (mbi 5 kate), të ngritura pa leje ndërtimi të organeve kompetente, për qëllim shitblerjeje apo qiradhënieje të njësive individuale të banimit apo shërbimit, kryhet nga drejtoritë e ALUIZNI-t, nëpërmjet bashkërendimit dhe shkëmbimit të informacionit me njësitë e qeverisjes vendore si dhe nëpërmjet procedurave të evidentimit në terren.21. Subjekti, që ka ngritur ndërtimin shumëkatësh pa leje me qëllim shitblerjeje dhe/ose qiradhënieje, paguan:a) taksën e ndikimit në infrastrukturë sipas ligjit për sistemin e taksave vendore. Procedura që ndiqet në zbatim të kësaj pike është ajo e përcaktuar në pikën 5, të vendimit nr.860, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”, të ndryshuar.b) tarifën për legalizim, në po të njëjtën masë.

Tarifa për legalizim paguhet nga subjekti që ka ngritur ndërtimin, pranë ALUIZNI-t, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit me shkrim, duke ndjekur të njëjtën procedurë si në pikën 4/1, të vendimit nr.860, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”, të ndryshuar.22. Nëse për legalizimin e objektit shumëkatësh kanë aplikuar si ndërtuesi ashtu dhe banorët, procedurat e legalizimit për objektin kryhen vetëm në emër të ndërtuesit. Përjashtimisht, kur subjekti, që ka ngritur ndërtimin, u ka kaluar të drejtat mbi njësitë individuale përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi ose kur nuk plotëson dokumentacionin e nevojshëm për legalizim, procedurat vijojnë në favor të banorëve.23. Kur leja e legalizimit miratohet për banorët e njësive individuale, ata paguajnë vetëm taksën e ndikimit në infrastrukturë, në përputhje me paragrafin e tretë, të pikës 3, të nenit 27, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.24. Veprimet juridiko-civile të ndërtuesit (aplikues për legalizim), të kryera pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për kalimin e të drejtave mbi objektin që legalizohet sipas këtij kreu apo mbi njësitë individuale, nuk merren parasysh nga drejtoritë e ALUIZNI-t. Përjashtim nga ky rregull bëjnë rastet kur procedurat e legalizimit kryhen për poseduesit e njësive individuale.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT 25. 

Problematikat e pozicionimit të objektit me shkelje të lejes së ndërtimit dhe/ose të sheshit të ndërtimit zgjidhen duke u mbështetur në gjendjen faktike ndërtimore, të evidentuar në terren. Drejtoritë e ALUIZNI-t vijojnë legalizimin e objektit sipas këtij evidentimi, pavarësisht nga ndryshimi midis gjendjes faktike dhe dokumentacionit të lejes së lëshuar nga autoriteti vendor.26. Në rastin kur rezulton se objekti/sheshi i ndërtimit shtrihet jashtë truallit të përcaktuar në lejen e ndërtimit, drejtoritë e ALUIZNI-t procedojnë sipas neneve 15/1 dhe 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre, nëse nuk arrihet marrëveshje juridiko-civile mes palëve private.Këto dispozita zbatohen edhe kur ka ndryshime të gjendjes juridike të pronësisë të sheshit të ndërtimit, në raport me dokumentacionin e lejes përkatëse të ndërtimit.27. Për efekt të llogaritjes dhe arkëtimit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga njësitë e qeverisjes vendore, për të gjitha ndërtimet që trajtohen sipas këtij vendimi, drejtoritë e ALUIZNI-t zbatojnë procedurat e parashikuara në pikën 5, të vendimit nr.860, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”, të ndryshuar.28. Në fund të pikës 11, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, shtohen fjalët “… ose kur gjendja juridike e pronësisë së sheshit të ndërtimit ka ndryshuar.”.29. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit për zbatimin e këtij vendimi.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Fituan lirinë nga amnistia, nesër pritet të lënë burgun 731 të burgosur

0

Të shtunën në mëngjes, nisin të dalin nga burgu 731 të dënuar që fituan lirinë nga amnistia. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tregon se numri më i madh i të dënuarve që lirohen e kanë burgjet e Fierit, me 152 persona, ai i Peqinit me 131 persona, Lezha me 117 persona, Rrogozhina me 110 ndërsa burgjet e Tiranës kanë shumë më pak përfitues.

Nga burgu i grave “Ali Demi” do të lirohen vetëm 9 gra, ndërkohë përfitojnë edhe katër të mitur. Këshilltari në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ka shpjeguar edhe procedurën e lirimit si dhe orarin e nisjes së procedurës.

“Procesi fillon në orën 08.30 të mëngjesit, nuk do të ketë afat orari mbyllje, do të mbyllet deri në momentin që ditën e nesërme të përfundojë lirimi i të gjithë të dënuarve nga IEVP-të përkatëse. DPB nesër do të ketë në gatishmëri zyrën juridike dhe kartotekën. Do të bëhet verifikimi i kartelave dhe fotove të çdo të dënuari që nesër fiton lirinë”, tha Elio Laze, këshilltar në DPB.

Sipas Lazes, për zbatimin e amnistisë është lajmëruar edhe Policia e Shtetit, në mënyrë që personat që do të lirohen të mos kenë probleme jashtë mureve të burgut, pasi dihet që janë me precedentë të ndryshëm penalë dhe mund të kenë hasmërira të ndryshme.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Nis ndërtimi i banesave për 50 familje rome, Veliaj: Bëjmë diferencën kur i zgjidhim problemet

0

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për ndërtimin e banesave të reja me qëllim krijimin e kushteve më të mira dhe përmirësimin e jetës sociale të 50 familjeve të komunitetit rom. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u shpreh se ndërtimi i banesave të reja është një lajm i mirë për anëtarët e komunitetit rom, ndërsa theksoi se kjo është përgjigjja më e mirë ndaj atyre që në vend të ndihmojnë për zgjidhjen e problemeve, merren me fjalë.

“Më vjen mirë që kemi marrë këtë financim të qenësishëm nga Ministri i Financave dhe Ambasada e Italisë për të ndërtuar banesa për disa qindra qytetarë. Besoj që jo vetëm ky është një lajm i mirë për komunitetin, por unë besoj se është edhe një përgjigje finale për mënyrën se si bëhen gjërat në Shqipëri. Përfundimisht jemi ndarë në dy kategori; njerëz që vënë gishtin, shajnë dhe mallkojnë gjithçka dhe njerëz që në çdo problem thonë, si mund ta zgjidh. Unë besoj që hyjmë tek kategoria e dytë, që shohim një problem dhe mendojmë për zgjidhjen e jo të shajmë apo të gjejmë fajtorin që siç e dini fare mirë, këtu ka qenë një situatë e trashëguar prej vitesh”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se shumë prej qytetarëve që janë strehuar në qendrën sociale të Shkozës, në pak muaj do të kenë banesa me të gjithë kushtet dinjitoze të jetesës, të higjienës dhe hapësirës së nevojshme, sidomos për familjet me shumë anëtarë të komunitetit rom.

“Për herë të parë po fusim një koncept të ri, ku vërtet nuk do të ketë pagesë për të strehuar këta banorë, por gjithsesi disa kushte do të jenë: Një ndër kushtet do të jetë që çdo fëmijë duhet të shkojë patjetër në shkollë dhe kushti për të qëndruar në këto banesa të reja do të jetë arsimi i detyrueshëm. Kushti tjetër do të jetë, për ata që janë 16-30 vjeç, do të duhet me detyrim të futen në një kurs të arsimit profesional. Ne besojmë se pavarësisht se kjo është një ndihmë shumë e nevojshme për strehim, bileta afatgjatë për të dalë nga varfëria është arsimi, emancipimi, trajnimi profesional”, u shpreh kryebashkiaku.

Kryetari i Bashkisë deklaroi se falë menaxhimit të mirë të situatës  në Tiranë si pasojë e motit të acartë, Tirana nuk pati asnjë humbje në njerëz. Kryetari Veliaj tha se pas kalimit të krizës nga moti, do të fillojë pa humbur kohë dhe zgjidhja afatgjatë për komunitetin rom dhe personave të tjerë në nevojë të Tiranës. “Unë besoj se mund ta bëjmë diferencën, vetëm kur problemet i zgjidhim dhe jo vetëm kur vëmë gishtin dhe kërkojmë fajtorin” , tha ai.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Vrau kushëririn për një plep, 35 vite burg për Xhavit Saraçin

0

Gjykata e Kavajës ka dhënë masën e sigurisë për Xhavit Saraçin 55 vjeç, i cili akuzohet për vrasjen me armë zjarri të kushëririt të tij Ismet Xhani 28 vjeç. Nga masa me burgim të përjetshëm, Saraçi përfitoi ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar duke u dënuar me 35 vite burg.

Ngjarja

Në datën 4 janar të 2016 thotë prokuroria, viktima dhe një kushëriri i tij po prisnin një plep në fshatin Luz i madh në Kavajë ku edhe banonin. Në atë moment pranë tyre është afruar autori Xhavit Saraçi, i cili fillimisht ka kërkuar mos ta prisnin pemën dhe më pas ka shtuar që dy bashkëfshatarët e tij mos t’i hidhnin degët në tokën e tij.

Ndërsa i afërmi i viktimës Mario Xhani këmbëngul se plepi ka qenë molla e sherrit, vrasësi i cili është shfaqur i penduar ka rrëfyer në Gjykatë se ka humbur qetësinë pasi dy bashkëfshatarët e tij e kishin ofenduar.

Prokuroria shpjegon në pretencë se gjatë kohës që viktima dhe Mario Xhani po kalonin me karrocën e ngarkuar me dru në rrugën kryesore të lagjes, autori ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Balla: PD nuk pranon rekomandimin e OSBE/ODIHR

0

Partia Demokratike e cilëson si vrasje të Reformës Zgjedhore votimin ne Komisionin e Posaçëm kundër votimit elektronik. Bashkëkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi tha se mazhoranca sot i futi plumbin ballit reformës.

“Me veton e sotme PS ka vrarë reformën zgjedhore. Votimi elektronik dhe numërimi elektronik është thelb, nuk është kusht. Veto e sotme është historike, vritet reforma. Pa këtë nuk mund të ketë më tej reformë zgjedhore. Ka çështje të tjera si dekriminalizimi apo financimi i partive, por të gjitha këto mbeten një farsë apo zbukurime në Kodin Zgjedhor. Sot iu fut plumbi ballit reformës. Pa këtë votim, nuk mund të ketë zgjedhje”, tha Bylykbashi.

Më tej ai sqaroi arsyet dhe akuzoi Partinë Socialiste se i po e vret reformën zgjedhore duke mos pranuar votimin dhe numërimin elektronik.

“Nëpërmjet identifikimit elektronik zgjedhësit votojnë vetë, askush nuk voton për ta, nuk ka votim në emër të të tretëve. Me votim elektronik komisionerët nuk kanë në dorë procesin e votimit, qytetari hyn dhe voton. Nuk ka nevojë për kartë identiteti, nuk ia blen dot njeri kartën e identitetit, duke i mohuar të drejtën e votës. Ai shkon dhe identifikohet me shenjën e gishtit. Me votimin elektronik nuk do të ketë korruptim të komisionerëve për të lejuar votim të shumëfishtë. Militantët partiakë do zhduken. Këto janë arsyet pse propozimi ynë për votim elektronik dhe numërim elektronik me rezultat të menjëhershëm është thelbi i reformës”, sqaroi ai.

Nga ana e tij bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Taulant Balla nga Kryesia e Kuvendit akuzoi Partinë Demokratike se po tenton të shmang rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ai e cilësoi bojkotin e opozitës në mbledhjen e sotme të paprecedentë.

“Kjo ishte një përpjekje e paskupullit për të shmangur OSBE-ODHIR nga asistenca që mund ti jap këtë komisioni. Ne kemi thënë shumë qartë që për të arritur konsensusin duhet të bëjmë dakord për këto rekomandime. Në fundin e formulimit u formulua në mënyrë të gabuar nga zoti Bylykbashi, i cili përfshitë propozimet e zotit Vasili, Idriz, dhe Zotit Manja. Hapni propozimet e mëparshme, të zotit Mediu, krahasojini me ato të Bylykbashit. Ne kemi dakordësi që Shqipëria të mundësojë përdorimin e teknologjisë. Por në 2012-ën Bylykbashi ka thënë. Nëse na dështuar projektet ne patën kohë që ta ribënim. Si mund të kalojmë në një proces kombëtar pa bërë një konsultim. Si mund të kërkojë PD që të përjashtojmë OSBE-ODHIR nga konsulenca?”, tha Balla.

Me ironi ai shtoi se prisnin që përfaqësuesit e PD të largoheshin me herët nga komisioni. “Për çudi PD u largua nga mbledhja. Ne e prisnim që të bëhej që në fillim. Ne e kuptojmë shumë qartë. Identifikimi biometrik nuk ka. Eja të merremi me financimin e partive politike. Sot nuk denjuan të qëndrojë në mbledhje. Propozimi i PD është që të caktojmë se si ta zgjidhim teknologjinë. Rrota është shpikur, nuk kemi nevojë ta shpikim ne. Dhe teknologjia po ashtu. Nëse OSBE-ODHIR na sugjeron të hedhim hapa, jemi dakord.”, theksoi ai

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ministri austriak, Tahirit: BE e do Shqipërinë mes saj

0

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri priti sot në takim homologun austriak Wolfgang Sobotka.

Në konferencën e përbashkët, Tahiri vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit dhe në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike.

Ai tha më tej se ka patur një bashkëpunim të shkëlqyer dhe për sa i përket reformimit të Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.

“Rruga e Shqipërisë është integrimi në Bashkimin Europian dhe lufta kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, kundër terrorizmit, kundër trafikimit të drogës. Janë gur të rëndësishëm kilometrik në këtë kuadër. Ndaj bashkëpunimi i deritanishëm dhe ajo që kemi për të bërë në të ardhmen është një ndihmë e vyer në këtë proces”, u shpreh Tahiri.

Nga ana e tij, Sobotka tha se Shqipëria është për ne një partner i rëndësishëm në Ballkan, një partner strategjik dhe operativ.

Sipas tij, Bashkimi Europian e do Shqipërinë në mesin e tij dhe Austria në këtë rast është një faktor dhe një vend i cili e mbështet fuqishëm.

“Para ardhjes sime këtu zhvillova një telefonatë me komisionerin Hahn, ku ne theksuam edhe një herë që viti 2017 është një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, por për këtë duhet të kapërcejë edhe sfidat që i kanë mbetur. Në mënyrë që në 2017 të arrijë të marrë një përgjigje pozitive për çeljen e negociatave të pritura”, u shpreh ai.

Në vijim shtoi se Shqipëria ka ndërmarrë iniciativa të mëdha për të luftuar krimin e organizuar, trafikun e armëve por mbi të gjitha për të luftuar trafikun e lëndëve narkotike.

Ai e përgëzoi Tahirin për rezultatet e arritura në luftën kundër trafikut të narkotikëve.

Sipas tij, Shqipëria është në rrugën e duhur për sa i përket një sistemi modern të kontrollit të kufijve.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Mblidhet Kolegji Zgjedhor, Dashamir Tahiri kërkon kthimin e mandatit

0

Kolegji Zgjedhor i mbledhur ditën e sotme, ka marrë në shqyrtim kërkesën e deputetit Dashamir Tahiri, i cili kërkon kthimin e mandatit të deputetit, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i’a hoqi pak javë më parë në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit.

Në këtë proces të ditës së sotme, janë të pranishëm përfaqësues të KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa si relator i çështjes është Astrit Kalaja.

Anëtarë të Kolegjit janë, Gjin Gjoni, Ridvan Hado, Shkëlqim Mustafa dhe Sotiraq Lubonja.

Gjatë fjalës në seancë, avokati i Tahirit deklaroi se vendimi ndaj klientit të tij është falur në Itali në vitin 2006.

“Vendimi i KQZ është marrë me një shumicë të thjeshtë dhe duhet të ishte marrë me shumicë të cilësuar” tha ai.

Ndërkohë përfaqësuesja e KQZ, deklaroi se Kolegji Zgjedhor nuk është organi kompetent për shqyrtimin e kërkesës.

Ish- deputeti Tahiri pretendon se ka zbatuar çdo kërkesë të ligjit për dekriminalizimin dhe nuk ka patur si qëllim të fshehtë dënimin që gjykata e Ravenas kishte marrë ndaj tij, por për këtë fakt nuk ka patur dijeni.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Meta mesazh ngushëllimi për Anita Taken: Zonjë e rëndë e muzikës shqiptare

0

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjarëve të artistes së madhe Anita Take, e cila u nda nga jeta ditën e djeshme.

Mesazhin kryeparlentari u’a drejton dy djemve të saj, ndërsa artisten e ndjerë e cilëson si zonjë të rëndë të muzikës së lehtë shqiptare.

Ndërsa e cilëson zonjë të skenës, a i shton, “Me interpretimin fantastik, me kurajon e shërbesës, me virtuozitetin dhe elegancën e saj të pakrahasueshme, Anita Take ishte, është dhe do të jetë një nga ikonat më të shndritshme të kujtesës sonë kolektive”.

Mesazhi i ngushëllimit i kreut të Kuvendit

I dashur Kujtim dhe Florian,

Me hidhërim të thellë mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të nënës suaj të shtrenjtë Anita Take, Zonjës së Rëndë të muzikës së lehtë shqiptare.

Anita Take është artistja e dashur për disa breza shqiptarësh që e kanë ndjekur në skenë, që e kanë dëgjuar në radio dhe e kanë duartrokitur për gati një gjysmë shekulli edhe mbas ekranit të televizionit dhe në festat vetjake.

Anita Take i ka shoqëruar gjatë shqiptarët në jetën e tyre duke jua bërë edhe më të gëzueshëm gëzimet, më të ndritshme jetën; i ka ndjekur me dashuri në dashuritë e tyre duke u bërë pjesë e ndjenjave të një kombi me zërin e saj të pakrahasueshëm.

Me interpretimin fantastik, me kurajon e shërbesës, me virtuozitetin dhe elegancën e saj të pakrahasueshme, Anita Take ishte, është dhe do të jetë një nga ikonat më të shndritshme të kujtesës sonë kolektive.

Sepse afroi lumturi dhe buzëqeshje edhe atëherë kur lumturia dhe buzëqeshjet ishin të vështira dhe të rralla.

Ishte një Zonjë që diti të ishte Zonja e Skenës!

Ishte buzëqeshja skenike e një shpirti të buzëqeshur!

Anita Take ishte dhe do të mbetet një nga yjet më të ndritshëm të një plejade të gjatë artistësh që i kanë dhënë ngjyrë një epoke të historisë së vendit, i dhanë përkushtim dhe dashuri duke siguruar në këmbim duartrokitjet dhe mirënjohjen e një publiku që e donte siç dhe vetë Anita e donte pafund!

Duke kujtuar të madhen Anita Take, mendimi shkon edhe tek ati juaj i veçantë; kompozitori Agim Prodani. Për vite dhe vite me radhë ata do të vazhdojnë “…të vijnë netëve në gëzimet tona…” për t’i bërë ato më të ndritshme me muzikën e tyre plot dashuri. Do të vijnë bashkë si pjesë e të shkuarës sonë të përbashkët për të rrugëtuar në të nesërme me më shumë dritë e shpresë.

Më lejoni, i dashur Kujtim dhe Florian, t’ju shpreh dhe njëherë ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e nënës suaj Anita Take dhe ikjen e artistes sonë të dashur!

Sot jemi të gjithë të lënduar nga kjo humbje e trishtuar!

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Kur është e Hena Blu? Është afër, çfarë duhet të dini për ditën më të trishtë të vitit

0

Ka dy mënyra si mund ta shohim janarin. Në një këndvështrim të parë e shohim si një “gotë gjysmë plotë” që për disa njerëz është koha e vendosmërisë, e përpjekjeve te reja dhe rivlerësimit.

Dhe për një pjesë tjetër të njerëzve, është mbingarkesë dhe thellim në mjerim.

Trupat tanë ndjejnë rëndesën e dhjetorit, ngarkesën e ngrënies së ëmbëlsirave dhe teprisë me ushqime në festa, si dhe goditje në llogaritë tona bankare.

Janari përmban ditën më të trishtë të vitit, dhe si për befasi kjo është një e hënë.

Padyshim që mbas këtij dyshimi nuk është një shkencë e rreptë e cila vendos ekzaktësisht në mënyrë të prerë për këtë fenomen edhe pse e “Hëna Blu” është pranuar çdo vit nga njerëzit.

Data zyrtare që është pranuar si e Hëna Blu, është 16 janari.

Sipas sajtit “Metro” është fjala e ekspertit të jetës dhe konsulenti i lumturisë Cliff Arnall që arrin në këtë përfundim.

Cliff Arnall ka publikuar një formulë ku thuhet se faktorë të tillë si moti, borxhet, dhe sasia e kohës që ka kaluar që nga Krishtlindjet dhe Viti i Ri, si dhe ndjenja e përgjithshme e motivimit të ulët janë të gjithë kontribuesit për ndjenjat e trishtimit dhe mungesës së shpresës.

Për këtë arsye në 16 janar, arrihet ngarkesa më e madhe duke i bërë edhe njerëzit më të trishtuar se zakonisht.

Profesori i Universitetit të Cardiff, Arnall, tenton të shpjegojë arsyet e Blue Monday; si rregull, të hënën e tretë të janarit, e cila është koha kur euforia për festat e Krishtlindjeve zhduket, dhe ti e kupton se ke ende një vit të gjatë për tu përballur. Në Angli, çështja në fjalë është marrë shumë seriozisht: si për koincidencë, në këtë ditë, ka rritje të papunësisë dhe disa organizata ofrojnë këshillim psikologjik për ata që kanë nevojë. Ekspertët e këshillimit sugjerojnë që në këtë ditë njerëzit të vishen me ngjyra të ndritshme ose të dëgjojnë muzikë të gëzuar. Edhe ekspertët e shoqatës “British Dietetic Association”, sugjerojnë që njerëzit të shtrojnë një banket të madh për të kapërcyer depresionin nga “Blue Monday

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ceremonia e Trampit, Rama nuk merr pjesë, shkojnë Basha dhe Mediu

0

Kryeministri shqiptar, Edi Rama nuk do të shkojë në Uashington DC për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Ndërsa opozita ka vendosur të jetë pjesëmarrëse me liderin e saj, Lulzim Basha dhe kreun e partisë së dytë më të madhe të koalicionit të djathtë, Fatmir Mediu.

Mesohet se nga qeveria dhe Partia Socaliste do të marrin pjesë vetëm ministri për Mirëqenien Sociale, Blendi Klosi dhe deputeti Ervin Bushati.

Politikanët shqiptarë do të ndjekin drejtpërdrejt ceremoninë ku pritet të ketë të ftuar nga shumë vende të botës, presidentë dhe kryetarë qeverish.

As Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani nuk do të shkojë më 20 janar në SHBA. Mospjesëmarrja e z.Rama në ceremoninë e marrjes zyrtarisht të detyrës të z.Trump, shihet nga analistët si vazhdim i linjës refuzuese që kryeministri shqiptar ka ndaj emrit më të ri në Shtëpinë e Bardhë.

Disa herë në dalje publike, z.Rama e kishte kritikuar fort Donald Trampin si një figurë e papranueshme që rrezikon seriozisht marrëdhëniet shqiptaro-amerikane duke shprehur deri dhe lutje që Trump mos zgjidhej President, gjë që ndodhi.

“Mos e dashtë Zoti që amerikanët ta zgjedhin Trump për president sepse do të ishte një president që do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe sigurisht do të ishte kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, kishte deklaruar Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare kishte paralajmëruar se nëse ndodh që Trump të zgjidhet si i pari i SHBA, atëherë do të përkeqësoheshin marrëdhëniet diplomatike mes shqiptarëve dhe amerikanëve.

“Donald Trump është kërcënim për SHBA dhe nuk diskutohet që është kërcënim edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, – deklaronte z.Rama.

Republikani Donald Tramp fitoi zgjedhjet e 8 nëntorit në SHBA ndaj kandidates republikane Hillari Klinton, duke lajmëruar ardhjen e një administrate të re në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx