Ballina Blog Faqe 9537

Situata gripale dhe moti i ftohtë, shtyhet deri më 14 janar rihapja e shkollave

0

Me qëllim kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit të gripit në vend për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive që kanë impakt në shëndetin e saj, Ministri i Shëndetësisë, ka vendosur të shtyjë edhe me disa ditë të tjera rihapjen e procesit mësimor.

Me këtë urdhër të ri të bërë publike paraditen e kësaj të shtune, shkollat, çerdhet, kopshtet dhe universitetet do të qëndrojnë mbyllur deri në datën 14 janar. Burime nga Ministria e Shëndetësisë thonë se për ditët në vijim parashikohet ulje e mëtejshme e temperaturave dhe nisur nga këto kushte “shtyrja e rifillimit të procesit mësimor është e pashmangshme”.

Me një urdhër të mëparshëm, qeveria kishte vendosur që pushimi të zgjasë deri ditën e hënë, por për shkak se epidemia e gripit ka përfshirë mijëra banorë, ndërsa edhe moti nuk premton përmirësim, pushimi për sistemin parauniversitar dhe pasuniversitar do të zgjasë deri më 14 janar.

“Me qëllim kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit të gripit në vend për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive që kanë impakt në shëndetin e saj, Ministri i Shëndetësisë, në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të ​nenit 7, pika 4 (masa të veçanta) të Ligjit 15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, ka urdhëruar sot më datë 07.01.2017, mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe institucioneve të arsimit parauniversitar dhe universitar në datat 9, 10, 11, 12, 13 dhe 14 janar 2017”, thuhet në njoftimin zyrtar të MSH.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ngricat dhe bora, Emergjencat civile informacion për situatën: Jemi në gatishmëri

0

Gjatë 24 orëve të fundit situata e emergjencave për shkak të motit të ashpër, paraqitet e qëndrueshme në shkallë vendi dhe është menaxhuar mirë nga strukturat e posaçme për përballimin e këtyre problematikave. Njësitë lokale të emergjencave, Policia e Shtetit, pushteti lokal e çdo institucion i ngarkuar sipas ligjit për raste të tilla, kanë qenë në gatishmëri për ti ardhur në ndihmë çdo familjeje apo shtetasi në nevojë. Nga informacionet e mbledhura në Drejtorinë e Emergjencave Civile, situata deri në orën 10:45 të ditës së sotme paraqitet:

QARKU KUKËS

Të gjtha akset rrugore janë të qarkullueshme me zinxhirë. Në rrugën e Kombit po punohet me mjete borëpastruese për pastrimin e saj nga bora dhe akulli. Akset Kukës- Has-Tropojë dhe Tropojë-Qafë Morinë qarkullimi kryhet me zinxhirë. Akset rurale Kukës-Shishtavec, Kukës-Shën Mëri dhe Surroj-Arrën, vijojnë të jenë të bllokuara. Akset rurale të Njësisë Administrative Gjinaj, bashkia Has, janë bllokuar nga reshjet e dëborës, gjithashtu ka pasur mungesë të energjisë elektrike. Në qytetin e Kukësit edhe atë të Hasit është rikthyer energjia elektrike pas ndërhyrjes së specialistëve të OSHEE, por mungesë energjie ka pasur në disa fshatra të Njësive Administrative, Bicaj, Tërthore, Zapod, Malzi, Grykë Çajë, Arrën, Kalis, Bushtricë dhe Ujmisht.

Një shtetase e cila kishte probleme shëndetësore në Fshatin Berishë të bashkisë Tropojë është transportuar drejt spitalit të Tropojës për mjekim më të specializuar. Nga informacioni i fundit shtetësja S.T. është në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën.

QARKU DIBËR

Aksi rrugor kombëtar, Qafë Bualli-Peshkopi, njësia administrative Maqellarë, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Policia po mban në monitorim këtë aks rrugor ndërsa janë angazhuar 4 mjete borëpastruese. Akset rrugore Peshkopi -Lurë, dhe Peshkopi –Selishtë janë të bllokuara. Rruga Ura e Çerenecit-Steblevë, është hapur dhe qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë. Aksi rrugor Peshkopi-Kala e Dodës, qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë. Në Njësinë Administrative Baz, Rukaj, Komsi, është rikthyer energjia elektrike.

QARKU SHKODËR

Aksi rrugor Pogë-Qafë Thore-Theth është i bllokuar dhe nuk ka borëpastruese nga firmat kontraktore. Në malin e Shoshit ka mbi 1 m dëborë dhe po punohet për zhbllokimin e këtij aksi ndërkohë firma kontraktuese ka hapur rrugën deri në fshatin Kir dhe po vazhdon drejt Bregut të Lumit. Në tre njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult nuk ka energji elektrike. Me kërkesë të Prefektit të Qarkut Shkodër dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile ka shkuar në ndihmë për Bashkinë Shkodër një traktor me zinxhirë nga Ministria e Mbrojtjes për hapjen e segmenteve të bllokuara.

Aksi Fushë Arrëz – Pukë është i qarkullueshëm me zinxhirë.

Aksi rrugor Fushë Arrëz – Iballë dhe Pukë-Qelëz janë të pa kalueshëm dhe po punohet për hapjen e rrugës me 2 borëpastruese. Akset rrugore Fushë Arrëz-Iballë, Qafë Mali-Fierzë dhe Qafë Shllak – Kukës janë të bllokuara pasi trashësia e dëborës arrin në 1 m. Po punohet për hapjen e dy rrugëve. Me energji elektrike furnizohet vetëm qyteti i Fushë Arrësit. Segmenti rrugor Bogë-Qafë Thore, Selcë (Shkemb i Kuq) – Budaqë (Vermosh) janë të bllokuara. Në vendin e quajtur “Gropat e Selcës” ka rreth 70 cm dëbore, po punon një borëpastruese për mbajtjen hapur të rrugës. Fadroma e dërguar nga Forcat e Armatosura nuk ka mundur të ndërhyjë në Malësinë e Madhe, pasi ka prani të madhe të dëborës së ngrirë. Ka vështirësi qarkullimi në Urën e Spatharit në aksin rrugor Vau Dejës – Shkodër si rezultat i ngricave. Policia është duke monitoruar situatën ndërsa pushteti vendor ka hedhur kripë në rrugë.

QARKU LEZHË

Aksi rrugor Kallmet-Ungrej, është i qarkullueshëm me zinxhirë. Aksi rrugor i njësisë administrative Milot-Skurraj, është hapur nga forcat e bashkisë Kurbin dhe qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë. Akset rrugore rurale të njësive administrative, Fan, Orosh, Selitë dhe Kaçinar, janë të qarkullueshme me zinxhirë.

QARKU ELBASAN

Aksi rrugor Librazhd – Stëblevë vazhdon të jetë i bllokuar, po punohet me mjete borëpastruese për hapjen e tij. Segmenti rrugor Lunik – Stëblevë vazhdon të jetë i bllokuar, po punohet për hapjen e këtij segmenti. Në njësinë administrative Labinot Mal është rikthyer energjia elektrike, ndërkohë në Njësinë Administrative Stëblevë energjia mungon, për shkak se mjetet e OSHEE nuk mund të kalojnë në këtë aks rrugor të bllokuar nga dëbora e madhe. Njësia Admistrative Kodovjat, bashkia Gramsh, pjesërisht nuk kanë energji fshatrat, Fushës, Zenelas, Kullollas. Njësia Administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, fshati Bletëz, Siman, pjesërisht pa energji. Njësia Administrative Stëblevë, bashkia Librazhd, fshati, Zabzun, Borovë dhe Fushë Studio, nuk kanë energji.

QARKU KORÇË

Aksi Pogradec- Qafe Thanë, i qarkullueshëm pa zinxhirë. Pogradec-Qafë Plloç, i qarkullueshëm me zinxhirë. Petrushë-Korçë-Dogana Kapshticë, i qarkullueshëm pa zinxhirë. Aksi rrugor Zëmlak-Liqenas-Dogana-Goricë, i qarkullueshëm me zinxhirë. Libonik-Lozhanë-Grabovë, i qarkullueshëm me zinxhirë. Korçë-Qafë e Qarit-Ersekë, i qarkullueshëm me zinxhirë. Ersekë-Çarshovë, i qarkullueshëm me zinxhirë. Korçë-Dardhë, i qarkullueshëm me zinxhirë. Korçë-Voskopojë, i qarkullueshëm me zinxhirë. Energjia elektrike në këto zona është rikthyer.

QARKU VLORË

Gjatë gjithë natës në Qafën e Llogarasë firma kontraktore ka punuar me mjete dhe forca duke hedhur kripë dhe skorje në rrugë.

Në Qafën e Muzinës nuk ka pasur reshje dëbore, por ky segment mbahet në monitorim nga Policia Rrugore dhe firma kontraktore. Qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht pa zinxhirë. Nuk ka raportime për probleme nga njësitë administrative.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen situata emergjente.

Parashikimi për nesër, 8 Janar 2017

Gjatë ditës së nesërme mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot i kthjellët me vranësira të çrregullta, por shumë i ftohtë.

Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten:

Në vendet malore: temperaturat minimale do të zbresin deri në -21°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në -9°C. Në vendet e ulëta: temperaturat minimale do të zbresin deri në -9°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në -2°C. Në bregdet: temperaturat minimale do të zbresin deri në -6°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 0°C.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Acari” sekuestron 22 kg kanabis, arrestohen tre persona

0

Një sasi prej 22 kg kanabis është sekuestruar nga policia e Lezhës dhe tre persona janë vënë në pranga, gjatë operacionit të koduar “Acari”, një ditë më parë.

Burime nga policia bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Fatmir Gjoka , 30 vjeç, banues në Rreshen, Alfons Gjoka , 46 vjeç, banues në Tiranë dhe Preng Pjetri, 39 vjeç, banues në Mirditë.

Këta 3 persona, në aksin e vjetër rrugor Lezhë – Milot, në vendin e quajtur Pllanë, u kapën me automjetin tip “Benz” me targë DR 3609 E, ku kishin të fshehur në 4 thasë me 22 kg kanabis që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin e tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale ” Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

I ftohti pushton vendin, probleme në Pukë, Fushë Arrëz dhe Dibër, bllokohen disa zona

0

Vala e motit të ftohtë dhe me reshje dëbore që ka përfshirë gjithë vendin ka vazhduar të shkaktojë probleme edhe gjatë ditës së sotme, përveçse në infrastrukturën rrugore edhe në atë të energjisë, furnizimit me ujë të pijshëm, etj.

Gjithsesi, vëmendja është fokusuar tek vështirësitë serioze në qarkullimin rrugor në disa akse të vendit, ku me gjithë punën e pandërprerë të borëpastrueseve disa zona janë bllokuar tërësisht.

Por problematike situata paraqitet në disa zona si Pukë, Fushë Arrëz e Dibër. Nga raportimet e para për ditën e sotme mësohet se për shkak të motit të keq dhe ngricave, ku temperaturat shkojnë në minus 17 gradë celsius ka probleme me qarkullimin në Pukë.

Akset Fushë-Kukës dhe Qafë Mali-Fierzë janë të bllokuara. Po kështu edhe të gjitha fshatrat në Pukë dhe Fushë Arrëz janë të bllokuara, ndërsa mësohet se në disa fshatra është ndërprerë edhe energjia elektrike dhe furnizimi me ujë të pijshëm. Në Fushë Arrëz është e nevojshme ndërhyrja, por Bashkia nuk ka mjete.

Ndërkaq në  aksin Bulqizë-Peshkopi temperaturat shkojnë deri në minus 16 gradë celsius. Në qarkun e Dibrës disa njësi administrative janë të bllokuara si Lura, Kalaja e Dodës, Selishta. Aksi Milot-Peshkopi është i kalueshëm vetëm me zinxhirë.

Në Kukës, të gjitha akset janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në aksin Kukës-Krumë për shkak të akullit, lëvizja është e mundur vetëm duke përdorur zinxhirët. Po kështu edhe në Korçë, të gjitha akset janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në Qafë Thanë dhe Kapshticë, mund të lëvizet edhe pa zinxhirë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Arrestimi i Haradinajt, Majko flet për një “Krime” në Ballkan: Alepoja do të dukej ngjarje e “vjetër”

0

Pandeli Majko duke komentuar arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë thotë se, ky zhvillim ka hapur diskutimin për raportet e shqiptarëve me Parisin. Majko flet dhe për ndryshimin e Francës, duke iu referuar deklaratës së Marine Le Pen për Haradinaj.

Ish-Kryeministri i Shqipërisë gjatë luftës së Kosovës thekson se, nisur nga zhvillimet e fundit ndërkombëtare, aneksimi i “Krimesë” nga Rusia mund të hapi një kapitull ngjarjesh, duke iu referuar kështu një konflikti të armatosur në Ballkan. Këtë Majko e lidh edhe me armatimin e Serbisë së fundmi nga një marrëveshje e arritur me Rusinë.

“Arrestimi i Haradinajt në Francë padyshim që ka ngjallur një diskutim për raportet edhe me këtë vend. Po ndodh ajo që nuk duhet. Ka mjaft shqiptarë të cilët tani po e shohin Francën me dyshim dhe armiqësi.

Pas Krimesë është hapur një precedent për të cilin vlen të vlerësohet si “fakti i kryer” në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare. Ai në kushte të rajonit të Ballkanit mund të hapi një kapitull ngjarjesh ku Alepoja do të dukej ngjarje e vjetër”. Po kërkohet dështimi i Europës në pikën e saj të njohur si delikate…Ballkanin”, thotë Majko.”

Shkrimi i plotë i Pandeli Majkos:

PERBALLE FRANCES…

Arrestimi i Haradinajt në Francë padyshim që ka ngjallur një diskutim për raportet edhe me këtë vend. Po ndodh ajo që nuk duhet. Ka mjaft shqiptarë të cilët tani po e shohin Francën me dyshim dhe armiqësi.

Pa dalë ende vendimi fundor i gjykatës franceze dëshiroj të them se cfarë më ka tërhequr vëmendjen në këtë histori.

Padyshim që është i pashmangshëm reagimi i panatyrshëm i zonjës Lë Pen, lidere e ekstremit të djathtë francez dhe kandidatja për Presidente të Francës. Marine Le Pen përmes rrjetit “Tuitter” ka shpërndarë në mënyrë të cuditshme lajmin për arrestimin e Ramush Haradinajt, për të cilin ka shkruar se “drejtësia duhet të vihet në vend”.

Por… nuk mund të anashkalohet as deklarimi i ambasadorit francez në Prishtinë, Chabert i cili nënvizoi si përfaqësues i Parisit zyrtar se krejt kjo histori mund të mos ndodhte fare nëse kryetari i AAK-së do informonte Ambasadën Franceze se do udhëtojë në Republikën e tyre. Kush e njeh politikën franceze di të thotë që ka shumë pak gjëra për të cilat në politikën e jashtme të saj të gjesh dallime të natyrave të tilla si rasti i Haradinajt.

Kosova është një projekt europian dhe si i tillë ai nuk është vetëm sukses i shqiptarëve dhe serbëve që e duan atë. Zonja Lë Pen është një antieuropiane e deklaruar. Ajo duhet mirëkuptuar në qëllimin e saj. Kthimi i shqiptarëve në konfliktualë është qëllim antieuropian. Për ironi ambasadori francez në Prishtinë përfaqëson Francën e zënë në befasi dhe jo vetëm kaq.

Duket ironike që shqiptarët e mërzitur sot me Europën janë në fakt mbrojtësit e saj.

Koha për këtë krizë “shqiptare” i ngjan “krimit perfekt”. Në Uashington po ndrohen administratat. NATO pas daljes së Britanisë ka një cekulibrim të natyrshëm të forcës europiane në të. Turqia është nën presionin më të madh që nga ekzistenca e saj si shtet. Rajoni është konfuz dhe në një garë armatimi që fillon me “dhurata”. Kjo po thellon ndarjet dhe nxit më shumë krizën e marrëdhënies së Brukselit me rajonin.

Pas “Krimesë”, është hapur një precedent për të cilin vlen të vlerësohet si “fakti i kryer” në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare. Ai në kushte të rajonit të Ballkanit mund të hapi një kapitull ngjarjesh ku Alepoja do të dukej ngjarje e “vjetër”. Po kërkohet dështimi i Europës në pikën e saj të njohur si delikate… Ballkanin.

Pak ditë më parë në Harkun e Triumfit në Paris u urua në shqip viti i ri. Kampionati Europian i futbollit çuditi francezët të cilët panë tifozët shqiptarë aq europianë dhe që natyrshëm një gazetë franceze e shprehu aq bukur “Shqiptarë ejani përsëri!…”

Parisi është Kryeqyteti i pashpallur i civilizimit europian. Franca meriton dashurinë e shqiptarëve.

Ka shumë që besojnë se Franca respektohet nga shqiptarët më shumë se sa ajo na e kthen këtë. Ata që nuk duan ta kuptojnë se Franca ka ndryshuar e kanë një provë. Kjo është zonja Le Pen. Ajo nuk është Franca. Sigurisht.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Shtyhet deri më 16 janar rihapja e shkollave, një nga prindërit sërish pushim

0

Shkollat, çerdhet e kopshtet do të qëndrojnë mbyllur deri më 16 janar. Ky është vendimi i fundit i qeverisë.

Me një urdhër të mëparshëm, qeveria kishte vendosur që pushimi të zgjasë deri ditën e hënë, por për shkak se epidemia e gripit ka përfshirë mijëra banorë, ndërsa edhe moti nuk premton përmirësim, burime nga qeveria pohojnë se, pushimi për sistemin parauniversitar do të zgjasë deri më 16 janar.

Pak ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të masave për parandalimin e virusit të gripit, vendosi që çerdhet, kopshtet dhe shkollat të qëndrojnë të mbyllura, pasi moti i ftohtë krijon kushte të favorshme për përhapjen e virusit. Por duket se situata është rënduar edhe më tej, pasi është shtyrë pezullimi i mësimit edhe për një javë tjetër.

Po ashtu do të jetë pushim edhe për njërin nga prindërit e fëmijës së mitur, që punon në administratë.

Shifrat e fundit tregojnë se 10 persona janë në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa është konfirmuar se 8 prej tyre janë prekur nga gripi AH3N2.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Zbatohet reciprociteti, Prishtina refuzon hyrjen e Presidentit të Serbisë në Kosovë

0

Qeveria e Kosovës mori vendim për të mos pranuar kërkesën e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë së Serbisë për të vizituar komunën e Shtërpcës në Kosovë, të paraparë për sot.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, bëri të ditur se refuzimi erdhi pas vonesës për të dorëzuar ne kohë kërkesën për vizitë në Kosovë, siç parashihet me marrëveshjen për lejimin e vizitave të zyrtarëve të lartë ndërmjet dy shteteve.

“Qeveria e Kosovës konsideron se sjelljet e fundit të Serbisë dhe deklaratat e saj janë kundër frymës së bashkëpunimit ndërshtetëror dhe arritjeve të dialogut për të ndërtuar ura të shëndosha bashkëpunimi në mes dy shteteve dhe popujve, thuhet në deklaratë.

Vizita e presidentit serb ishte paraparë për sot, me rastin e Ditës së Krishtlindjes Ortodokse.

Vendimi i qeverisë së Kosovës vjen në kuadrin e zbatimit të reciprocitetit, duke iu përgjigjur me të njëjtën monedhë Serbisë e cila në mënyrë të paligjshme dhe absurde, kërkon zbatim urdhrash arresti abuzivë ndaj liderëve shqiptarë.

Një urdhër-arresti i lëshuar që më 2004 nga Serbia, përfshirë në listat e Interpolit, u ekzekutua këto dit nga autoritetet franceze dhe Beogradi po kërkon ekstradimin në Serbi të Ramush Haradinajt, ish kryeministri i Kosovës.

Haradinaj është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës dhe çdo veprim nga policia dhe gjykatat e çdo vendi është i paligjshëm dhe i proceduar në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia 13 vjet më parë, urdhër që nuk mund të ketë asnjë fuqi ligjore ekzekutive.

E megjithatë, Franca e arrestoi këto ditë Haradinajn, duke shqyrtuar ndërkohë dhe kërkesën e Serbisë për ta ekstraduar ish liderin e UÇK

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

SHBA, shqetësim për qëndrimin e Trumpit ndaj Rusisë

0

Krerët e agjencive amerikane të zbulimit rikonfirmuan sot përfundimin e tyre se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara. Ata thanë sot në një seancë të Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, se besojnë se autoritete të larta ruse ishte drejtpërdrejt përgjegjës për depërtimin në sistemet kompjuterike amerikane dhe rrjedhjen e dokumentave nga Komiteti Kombëtar Demokrat. Seanca vjen në një kohë kur Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump vazhdon të hedhë dyshime tek përfundimi i agjencive të zbulimit për rolin e Rusisë. Javën e kaluar, Uashingtoni vendosi sanskione të reja ndaj Rusisë pasi përcaktoi se Moska ishte pas depërtimit në kompjuterat e Partisë Demokrate.

Në një deklaratë të përbashkët, Drejtori i Zbulimit amerikan James Clapper, Shefi i Komandës së Sigurisë Kibernetike, admiral Michael Rogers dhe Nënsekretari i Mbrojtjes për Zbulimit, Marcel Lettre shprehen në një deklaratë të përbashkët se “vetëm zyrtarët më të lartë rusë, mund të kishin autorizuar vjedhjen kibernetike të të dhënave dhe bërjen publike të tyre”.

Senatori republikan me peshë, John McCain, kryetari i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura, përsëriti qëndrimin e tij Rusia është pas sulmit kibernetik:

“Nuk i shmangemi dot faktit se ky komision mblidhet sot për herë të parë në Kongresin e ri, pas “një sulmi të pashembullt ndaj demokracisë sonë”.

Por zoti McCain shtoi se synimi i tij nuk është “të vihet në diskutim rezultati i zgjedhjeve presidenciale”.

Zoti Clapper tha se agjencitë e zbulimit e kanë të pamundur të llogarisin efektin e informacioneve të bëra publike nga WikiLeaks tek vendimi i zgjedhësve për të hedhur votën.

Zoti Trump vazhdimisht ka vlerësuar presidentin rus Vladimir Putin, së fundmi kur ai nuk reagoi me të njëjtën monedhë, pasi administrata e Presidentit Obama dëboi diplomatët rusë nga Shtetet e Bashkuara.

Në një mesazh në Twitter, zoti Trump përsëriti se kushdo mund të kishte depërtuar në sistemet e kompjuterave të Partisë Demokrate dhe se kampi i rivales së tij Hillary Clinton, duket të kishte qenë më i kujdesshëm.

Zoti Clapper ju përgjigj një pyetjeje të senatores demokrate Clare McCaskill, lidhur me dyshimeve që ka hedhur zoti Trump tek përfundimet e agjencive të zbulimit:

“Mendoj se ka një dallim të rëndësishëm mes mosbesimit të shëndetshëm që hartuesit e politikave, përfshirë hartuesin numër 1 të poltikave duhet të kenë, pra ka një dallim mes mosbesimit dhe denigrimit”.

Pas disa qëndrimeve të zotit Trump dhe republikanëve të tjerë që duket se vlerësojnë drejtuesin e WikiLeaks, Julian Assange, zoti McCain tha se ai ka vënë jetën e amerikanëve në rrezik dhe pyeti zotin Clapper nëse fjalët e tij se qeveria ruse nuk i ka dhënë informacion janë të besueshme.

Zoti Clapper tha se nuk ka asnjë besueshmëri tek ato që ka thënë zoti Assange.

Eksperti amerikan i sigurisë kombëtare, Brian Katulis thotë se mbrojtja e vazhdueshme e Rusisë dhe presidentit të saj Putin e vendos presidentin e zgjedhur jashtë qëndrimit të përgjthshëm të Amerikës.///

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Moti i keq ka paralizuar një pjesë të mirë të Evropës

0

Moti i keq ka paralizuar një pjesë të mirë të Evropës. Stuhitë e borës dhe erërat e forta kanë shkaktuar kaos në shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Transporti publik dhe jo vetëm nuk funksionon teksa linjat e energjisë elektrike janë ndërprerë në disa rajone në Republikën Çeke, Austri dhe Poloni. Sipas informacioneve, e gjithë Republika Çeke është mbuluar nga bora që ka arritur në një metër e gjysmë.

Vendi ndodhet në gjendje alarmi, që do të thotë se ende priten stuhi të mëdha dëbore dhe erëra të fuqishme. Shumë linja të trenave janë mbyllur, një pjesë e mirë e rrugëve janë totalisht të pakalueshme ose të rrezikshme teksa shumë kamionë mallrash  kanë mbetur të bllokuar në zonat kodrinore, veçanërisht në lindjen e Bohemisë.

Pjesë të veriut të Hungarisë janë vënë në një alarm gjithashtu dhe lumi Tsza ka ngrirë pas uljes drastike të temperaturave. Në Poloni, 16 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike në shtëpitë e tyre si pasojë e shkëputjes së linjave nga erërat e forta.

Ekspertët e motit shprehen se bora e madhe e rënë në male do të ndikojë në uljen e temperaturave deri në – 17 gradë Celsius. Moti i ashër pritet të zgjasë deri në fundjavë.///

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Moti do të përkeqësohet në fundjavë.

0

Moti do të përkeqësohet në fundjavë. Temperaturat nën zero gradë Celsius dhe erërat e fuqishme pritet të sjellin nesër një situatë problematike në mbarë territorin e vendit.Meterologia Lajda Porja në një lidhje telefonike , bën të ditur se dhe në ditët në vijim në vend do të mbizotërojnë temperaturat nën zero gradë Celsius.Porja theksoi se vetëm ditën e sotme temperaturat kanë rënë me minus 6 gradë gradë Celsius krahasuar me një ditë më parë. Sipas meterologes, moti i keq nuk do të kursejë as Tiranën. Ajo tha se edhe ditën e shtunë, temperaturat priten të shënojnë sërish rënie me minus 5 e deri minus 7 gradë Celsius.Zonat më problematike nga moti i keq sipas meterologes do të jenë, Peshkopia, Bulqiza, Kukësi ku pritet që temperatura të shënojë vlera deri në -17 e -20 gradë Celsius.
“Gjithë territori ditën e nesërme do të jetë nën temperaturat zero gradë, me minus. Në disa zona do të shkojë dhe -17, -18 dhe deri -20 gradë Celsius. Të shtunën do të ketë dhe erëra të fuqishme që do të sjellin përkeqësim të situatës. Problematike do të jenë dhe zonat e juglindjes, në zonat veriore, ku vetëm në Tiranë do të shënohet -6 por dhe -7 gradë Celsius”.///

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx