Ballina Blog Faqe 137

Heshtje institucionale për biznesin që “fshihet” nga tatimet në Fier

0

Zjarr TV kërkon transparencë nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve, por përgjigjja mungon prej javësh.

Nga Greta Hoxha, Zjarr Televizion

Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Fier nuk i është përgjigjur ende kërkesës zyrtare të bërë nga Zjarr Televizion, në lidhje me aktivitetin e një biznesi të regjistruar në emër të subjektit Luljeta Hysenaj, i cili sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton i fshirë, por që vijon të operojë normalisht në treg.

Në kërkesën dërguar më datë 24/ 10/ 2025, gazetarja Greta Hoxha ka kërkuar informacion zyrtar mbi arsyet pse ky subjekt nuk paguan tatime, pavarësisht se është aktiv në veprimtarinë e tij. Por deri më sot, Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Fier nuk ka kthyer asnjë përgjigje, duke shkelur afatin ligjor prej 10 ditësh që parashikon Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Sipas burimeve në terren, pularia e regjistruar në emër të Hysenajt vazhdon aktivitetin e saj të përditshëm, duke ofruar produkte dhe shërbime për konsumatorët në Fier, ndërkohë që në dokumentacionin zyrtar figuron si subjekt i mbyllur.
Kjo situatë ngre pikëpyetje të forta mbi monitorimin dhe kontrollin e bizneseve aktive që shmangin detyrimet tatimore.

Në mungesë të transparencës nga Tatimet e Fierit, Zjarr Televizion ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit, për të verifikuar nëse bëhet fjalë për një rast administrativ apo për shmangie të qëllimshme të taksave.

Në një kohë kur bizneset e vogla përballen me kontrolle të rrepta fiskale, heshtja institucionale në raste të tilla ngjall shqetësim publik dhe dëmton besimin tek transparenca e administratës tatimore.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Çfarë ndodh nëse Kushtetuesja pranon ose rrëzon “Veliajn”, skenarët pas shpalljes së vendimit

0

A do të ketë zgjedhje në bashkinë e Tiranës apo jo? E ardhmja e drejtimit të kryeqytetit është në duart e Gjykatës Kushtetuese, nëse do të vendosë për të pasur kryetarin që udhëheq nga burgu, apo lejimin e garës mes Ogerta Manastirliut, Florian Binajt dhe Arlind Qorit.

Pas përfundimit të seancës publike 7 orësh ku u ballafaquan përballë gjyqtarëve, Erion Veliaj me qeverinë e presidencën për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak, Kushtetuesja duhet të shpall brenda 30 ditëve sipas ligjit vendimin e arsyetuar.

Ndërkohë Top Channel mëson se për shkak të interesit të çështjes, komunikimi mbi vendimmarrjen e fatit të Bashkisë së Tiranës pritet të realizohet në fillim të javës. Veliaj i kërkoi gjykatës kushtetuese të shfuqizojë dekretin e presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 9 nëntor në Tiranë dhe të mos njoh vendimin e shkarkimit, ndërsa paraprakisht u pezulluan zgjedhjet.

Pyetja është si do të vendosin gjyqtarët në vijim? Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese ka tre mundësi në tavolinë: ose të rrëzojë Erion Veliajn, ose të pranojë kërkesën e tij tërësisht ose opsioni i pranimit pjesërisht. Në analizën e Top Channel mbi fatin e bashkisë së Tiranës, opsioni i tretë hidhet poshtë për sa kohë dy kërkesat e Veliajt janë të lidhura me njëra tjetrën.

Nëse pranohet plotësisht pretendimi i kryetarit të shkarkuar, Veliaj do të rikthehet në detyrë edhe pse me pranga dhe zgjedhjet do të anulohen. Dhe nëse gjyqtarët vendosin me shumicë votash apo njëzëri të rrëzojnë kërkesën e Erion Veliajt, në Tiranë do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme.

Por e sigurt që jo në 9 nëntor, siç dekretoi presidenti Bajram Begaj. Juristi i tij deklaroi gjatë seancës se kompetenca e presidencës është ezauruar për një datë të re zgjedhjesh. Ndaj Gjykata Kushtetuese duhet të vendos në gjykimin e tyre edhe për kohën kur do të votohet në kryeqytet.

“Në rast se ju rrëzoni kërkesën duhet të merrni masat që zgjedhjet në Tiranë të zhvillohen pas hyrjes në fuqi të vendimit tuaj që kodi zgjedhor përcakton afatin 30 ditë minimumi deri në 45 ditë për të vendosur datën e re të zgjedhjeve”, u shpreh Ilir Rusmailit.

Po të llogarisim afatet në rast se vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë, atëherë periudha më e afërt e mundshme shihet muaji dhjetor, por nëse shkojmë në maksimum të afatit ligjor, data më e largët pritet të jetë 14 janari. Megjithëse duhet edhe pak durim për të ditur nëse zgjedhjet e parakohshme të Tiranës do të zhvillohen./Top Channel

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Çfarë nuk u pa në TV/ Tensioni mes Ramës dhe Ballukut në varrimin e Nanos

0

Statusi i ri me të cilin SPAK pagëzoi Belinda Ballukun duke e shpallur “të pandehur” për tenderin e tunelit të Llogarasë ka ngritur pikëpyetje të shumta për të ardhmen e saj politike. A do të vazhdojë Edi Rama t’i besojë një “të pandehure” drejtimin e qeverisë në mungesë të tij? Apo do ta largojë Belinda Ballukun, siç ka bërë me bashkëpuntorët e tjerë që iu akuzuan për korrupsion?

Nëse e mban ende në detyrë bëhen më të forta hipotezat se punët e pista i kanë bërë bashkë. Dyshimet janë se kësaj radhe Edi Rama nuk flet dot për “mollë dhe dardha” që i janë ngrënë pas shpinës. Formula, me të cilën “lau duart” me Arben Ahmetajn, Ilir Beqajn, Lefter Kokën dhe të tjerë funksionon vetëm nëse kryeministri bën një hap pas nga Baluku, jo nëse e ruan të paprekur kontratën që ka me të.

Por 48 orë pasi Balluku doli nga SPAK, ende nuk ka asnjë akt konkret nga Rama, ndërsa është folur për një përplasje me tone të ashpra në takimin që ndodhi në kryeministri ditën kur Balluku u shpall e pandehur.

Për të kuptuar më shumë nëse ekziston vërtet një krisje mes Ramës dhe Ballukut, ia vlen të shihet sjellja e tyre në publik. Këtë të dielë, të dy ishin në homazhet për Fatos Nanon.

Ceremonia zgjati pak më shumë se një orë dhe si Rama, ashtu dhe Balluku ishin pranë njëri-tjetrit. Fotot që u shpërndanë nga LSA tregojnë diçka më shumë nga regjia e kryeministrisë.

Në to vihet re se Rama dhe Balluku u kujdesën që të mos takohen, duke qëndruar ftohtë dhe pa u përshëndetur. Le t’i marrim me radhë.

Arkëmorti me trupin e Nanos ishte vendosur në mes dy rreshtave me karrige. Në të majtë qëndronin ulur familjarët dhe miqtë më të afërt të të ndjerit. Në të djathtë, ishin caktuar të uleshin bashkëpuntorë dhe politikanë me të cilët ai punoi ndër vite. Në foton më lart duken vendet bosh të politikanëve, ndërsa familjarët përcillnin dashamirësit e Nanos që kryen homazhe.

Edi dhe Linda Rama mbërritën pak më vonë se të tjerët në ceremoni. Ndërkohë që pritej të vintë çifti kryeministror, në hollin e Pallatit të Kongreseve kishin mbërritur thuajse të gjithë politkanët dhe zyrtarë të caktuar për t’u ulur sipas protokollit, siç duket në foton më poshtë.

Vini re me kujdes foton më lart! Protokolli kishte përcaktuar që Edi dhe Linda Rama të uleshin në dy karriget që janë bosh. Në njërin cep të rreshtit, Linda Rama do të kishte përkrah Niko Peleshin, kurse krah saj, Edi Rama do të kishte pranë Arta Daden ose Gramoz Ruçin. (Të dy ndërrojnë vendet më vonë)

Balluku është caktuar të ulet disa vende më tej. Mes Ballukut dhe Ramës është Arta Dade, Gramoz Ruçi, Albin Kurti dhe Ali Ahmeti. Distanca ishte e konsiderueshme. Kjo i dha mundësi të dyve ta shmangin njëri-tjetrin edhe në vazhdimin e ceremonisë.

Në momentin që çifti, Edi dhe Linda Rama u shfaqën në ceremoni, ata fillimisht nderuan përballë arkëmortit të Nanos siç duket në foton më lart. Pastaj takuan familjarët e Nanos dhe u drejtuan tek vendet e lëna bosh për ta.

Edhe pse aty ishte Albin Kurti i ardhur nga Kosova dhe Ali Ahmeti që kishte udhëtuar nga Maqedonia e Veriut, kryeministri Edi Rama u ul menjëherë në vendin e tij, pa përshëndetur askënd. Veprimi dukej i ngurtë dhe pa takt.

Vetëm pasi ishte ulur bashkë me Lindën në vendet e caktuara, Rama kthehet për t’i dhënë dorën miqve që kishte në krah, njëri pas tjetrit.

Fillimisht përshëndet Gramoz Ruçin dhe pastaj zgjat dorën për të takuar Arta Daden. Hedh sytë më tej dhe zgjat dorën për ta shtrënguar me Albin Kurtin. Por pa u çuar nga vendi.

E çuditshme në takimin e duarve me Kurtin është se Rama e mban kokën ulur, sikur përpiqet të shmangë sa më shumë hedhjen e vështrimit në krahun e tij të majtë, tek personat që ishin pas kryeministrit të Kosovës.

Madje në një foto të dytë, Rama duket se e ka kthyer kokën me shpejtësi djathtas, ndërsa ende ishte duke shtrënguar duart me Albin Kurtin. Shikoni foton më poshtë:

Rama duket që jo vetëm nuk lëviz nga vendi kur takon Kurtin, por tenton të kthehet sa më shpejt në anën tjetër, ku është Linda Rama.

Ndërkohë pak momente më pas, një foto tjetër e tregon kryeministrin teksa hedh sytë vjedhurazi pas shpinës së Albin Kurtit. Duket se ka pikasur aty Ali Ahmetin, mikun e tij që ka udhëtuar nga Maqedonia e Veriut. Shikojeni më poshtë:

I ndërgjegjshëm se është treguar shpërfillës kur është ulur pa ia hedhur sytë askujt, Rama duket se po tenton të korrigjohet. Ka shfaqur një sjellje gati harbute për të shmangur Belinda Ballukun, por si duket në sytë e mikut të tij Ali Ahmetit?

Me trupin e drejtuar, në pritje të një shenje nga Ali Ahmeti, Rama ka kërkuar një shikim. Duket se e gjen. Menjëherë përkulet dhe i zgjat dorën sikletshëm Ali Ahmetit.

Përpiqet t’i mbajë duart sa më gjatë shtrënguar, por më tej qëndron e ulur Belinda Balluku. Zv.kryeministrjes nuk i lëviz asnjë muskul në fytyrë. Për të shmangur ndonjë shikim me Ballukun, Rama e heq shpejt shikimin dhe e kthen kokën në anën tjetër.

Majtas ka dorën shtrënguar me Ali Ahmetin, ndërsa kokën e ka kthyer kokën djathtas. Nuk do që t’i dhurojë asnjë vështrim Belinda Balluku.

Kjo e fundit ka qëndruar ftohtë, gati e nervozuar thuajse gjatë të gjithë ceremoniësë. Në foton më poshtë duket një Belinda Balluku e trishtuar, thuajse e zymtë. Kuptohet, jo për largimin nga jeta të Fatos Nanos.

Ndoshta për herë të parë, po provon ndjesinë e lëshimit nga udhëheqja, pasigurinë e të mos pasurit të pushtetit, që deri dje ia kishin falur me bujari.

Në ceremoni folën njëri pas tjetrit, bashkëshortja e të ndjerit, Xhoana, djali i tij ,Sokoli dhe në fund Edi Rama.

Pas fjalës së Ramës, arkivoli u ngrit nga ushtarët e gardës, të veshur me kostum ceremonial. Pas tyre, ecnin një Xhoana Nano e përlotur që mbahej në krahët e Linda Ramës.

Kortezhi i ndoqi pas në heshtje. Gjatë ecjes në bulevard, Edi Rama qëndroi në pjesën më të madhe të kohës me Albin Kurtin. Përkrah tij, ecte Gramoz Ruçi me Ali Ahmetin.

Pjesë e kortezhit ishte edhe Belinda Balluku. Edhe pse mban numrin dy në qeveri, “Bela” u duk thjesht një numër rastësor me turmës së deputetëve dhe ministrave që ndoqën me sy lëvizjet e saj dhe të Ramës. Në korridoret e partisë përflitet për një kërkesë për dorëheqje për “të pandehurën”. Ende asgjë nuk është e konfirmuar.

E sigurtë është se Rama bën çmos të distancohet nga çdo bashkëpuntor që ka telashe me prokurorët e SPAK-ut. Jo të gjithë i shkarkon menjëherë, por me të gjithë e ka nisur duke u hequr vështrimin./Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

U arrestua në Shqipëri/ Gjendet i vdekur në burg themeluesi i platformës së kriptomonedhave “Thodex”

0

Faruk Fatih Özer, i njohur si “mbreti” i kriptomonedhave dhe themelues i platformës tashmë të falimentuar “Thodex”, është gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun e Tekirdagut, në perëndim të Turqisë.

Lajmi është konfirmuar nga transmetuesi shtetëror TRT, i cili bën me dije se është hapur një hetim zyrtar për të zbuluar shkaqet e vdekjes. Sipas burimeve të para, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që Özer të ketë kryer vetëvrasje, ndërsa autopsia pritet të sqarojë rrethanat e plota të ngjarjes, raporton Bloomberg.

Faruk Fatih Özer ishte arrestuar më 30 gusht 2022 në Shqipëri, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet turke. Ai u ekstradua në Turqi në prill të vitit 2023.

Në shtator të vitit 2023, themeluesi i Thodex u dënua me 11.196 vite burg për akuzat e pastrimit të parave, mashtrimit dhe krijimit të një organizate kriminale. Prokuroria kishte kërkuar një dënim rekord prej 40.562 vitesh burg.

Özer konsiderohej si organizatori i një prej skandaleve më të mëdha financiare në historinë e Turqisë, pasi mijëra investitorë humbën kursimet e tyre pas kolapsit të bursës së kriptomonedhave “Thodex”. Ai akuzohej për mashtrimin e 391 mijë qytetarëve, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 2 miliardë dollarësh.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Nga sot në dy linja urbane të Kamzës çmimi i biletës rritet në 50 lekë, aboneja 1,400 lekë

0

Qytetarët që përdorin dy nga 10 linjat urbane të bashkisë Kamëz, konkretisht Kamëz–Tiranë dhe Paskuqan–Tiranë nga sot do të paguajnë 50 lekë për biletë, nga 40 lekë që është aktualisht.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj tha sot për ATSH-në se “ky vendim u miratua në mbledhjen e 26 tetorit të këshillit bashkiak të Kamzës, pas kërkesës së operatorit privat të licensuar që menaxhon shërbimin e dy linjave. Pra nga sot, 1 nëntor bileta është rritur 10 lekë”.

Memaj vuri në dukje se “ky vendim në bazë të analizës financiare të thelluar, ku kostot tejkalonin dukshëm të ardhurat dhe bashkia Kamzë nuk kishte buxhet për ta subvencionuar transportin publik, siç e bën aktualisht bashkia Tiranë”.

Këshilli Bashkiak ka miratuar gjithashtu edhe rritja e abonesë mujore për këto linja, e cila  nga 1,200 lekë ka shkuar në 1,400 lekë, një rritje prej 200 lekësh.

Sipas Memaj, nga ndryshimet nuk preket çmimi i abonesë së përgjithshme, por ndryshon vetëm për këto 2 linja.

Kreu i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës pohon se “për bashkinë e Kamzës funksionojnë rreth 8 linja urbane, të cilat menaxhohen nga operatorët privatë të licensuar”.

“Ndërsa në bashkinë Tiranë ka 16 linja urbane, shërbim që menaxhohet nga 12 operatorë privatë të licensuar, por të cilët subvencionohen nga Bashkia e Tiranës për abonetë mujore të pensionistëve dhe të studentëve dhe 10 lekë për çdo biletë të shitur”, theksoi Memaj.

I pyetur nëse parashikohet rritje çmime në linjat urbane të kryeqytetit, Memaj tha se “për linjat e Tiranës nuk ka rritje e as nuk parashikohet sepse aktualisht subvencionohen nga bashkia”.

“Subvencionet e dhëna nga bashkia e Tiranës kanë ndikuar në mosndryshimin e çmimit, ku disa herë nga operatorët privatë është kërkuar rritja e biletës me 40 lekë. Për linjat urbane të Tiranës çmimi i biletës vijon të mbetet 40 lekë”, tha Memaj.

Sa i përket përmirësimit të shërbimeve të transportit publik brenda kryeqytetit, Memaj theksoi se “padyshim që ka nevojë për përmirësimin në infrastrukturën urbane në tërësi, por edhe në mjete sepse duhet të ketë lëvizje më të shpeshta e më të shpejta, por kjo duhet të bëhet nga infrastruktura e korsive të dedikuara, të cilat rrisin ndjeshëm shpejtësinë e lëvizjes”.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Alimehmeti: Veliaj duhej të ishte në burg për akuza më të rënda si inceneratori dhe ”5D”

0

Ilir Alimehmeti, ka komentuar arrestimin e Erion Veliajt në një intervistë për Ora News, duke e cilësuar si të motivuar nga akuza të parëndësishme krahasuar me çështjet e mëdha që e ndjekin.

Sipas Alimehmetit, nëse Veliaj e konsideron veten të burgosur politik, atëherë përgjegjësia bie mbi kryeministrin Edi Rama. “Nëse është politike, ai që ka fuqinë politike e bën. Pra nëse ai ka këtë akuzë, e ka për kryeministrin,” u shpreh ai.

Alimehmeti theksoi se Veliaj është i akuzuar nga qytetarët për një sërë çështjesh të rënda, përfshirë shpërdorimin e fondeve publike dhe projekte të mëdha që nuk ekzistojnë.

Ai përmendi inceneratorin e Tiranës, impiantin e përpunimit të ujërave të zeza, si dhe qindra objekte shkollore që sipas tij duhej të ishin ndërtuar, por që ende mungojnë.

“Ka shumë akuza të tilla, ndërkohë që nga krahu tjetër ai po vuan një dënim… nuk ka një dënim, por është në masën e arrestit me burg për akuza shumë më të vogla,” tha Alimehmeti, duke nënvizuar se çështjet më të rënda si inceneratori dhe “5D” janë lënë mënjanë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Publikohen fletët e votimit për zgjedhjet e pjeshme lokale të 9 nëntorit

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar fletët e votimit dhe renditjen e kandidatëve për kryetar bashkie në pesë bashki ku do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme lokale më 9 nëntor. Bëhet fjalë për bashkitë e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës.

Ky proces zgjedhor vjen si pasojë e vakancave të krijuara në drejtimin e bashkive përkatëse dhe synon të rikthejë përfaqësimin lokal në këto zona.

Në këto zgjedhje të pjesshme do të garojnë gjithsej 13 kandidatë. Në tre prej bashkive do të jenë nga tre kandidatë.

Në bashkinë Vlorë do të kandidojnë Brunilda Mersini e PS-së dhe Dionis Sota i pavarur, i mbështetur nga opozita, si dhe Gjergj Nika, anëtar i PD në Këshillin Bashkiak. KQZ fillimisht e kishte refuzuar kandidaturën e Nikës, por ai e fitoi të drejtën për të garuar në Kolegjin zgjedhor.

Në bashkinë Cërrik garojnë Florenc Doka i PS-së, Eligert Hima i “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt dhe Amarildo Hoxha, i pavarur, i mbështetur nga partitë opozitare.

Në bashkinë Mat garojnë Altin Bojni i PS-së, Suzana Pasha e pavarur (kryetare e forumit të gruas së PS në Mat) dhe Eduart Brahilika i pavarur, i mbështetur nga opozita.

Në bashkinë Berat garojnë Ervin Ceca i PS-së dhe Pavlo Shkarpa i pavarur, i mbështetur nga opozita.

Në bashkinë Tepelenë janë në garë Gramos Sako i PS-së dhe Gabriel Guma i pavarur, i mbështetur nga PD.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Takimi im i fundit me Fatos Nanon në 2019 në Durrës”, ish-truproja zbulon se çfarë i tha shefi i tij në restorant

0

Ish- truproja e Fatos Nanos, Viktor Agolli ishte i ftuar në emisionin “Kjo Javë” ku foli ndër të tjera për takimin e fundit me shefin e tij, me të cilin punoi 14 vjet.

Agolli tha se në 2019 u takua me Nanon në Durrës ku ish-kryetari i PS ishte i shoqëruar me një njeri të afërt të familjes.

“Dukej mirë me shëndetin, dhe sapo u takuam më tha atë shprehjen që ma thonte gjithnjë: E dija se do të bëheshe njeri! Dhe unë i thashë se jam produkt i shkollës së Fatos Nanos”, kujton shoqëruesi i tij Viktor Agolli.

Viktor Agolli: Kam që vitin e shkuar që e ndjek ecurinë e shëndetit të ish-kryeministrit dhe shefit tim Fatos Nano.

Kur po vija në gjumë mbesën, më marrin në telefon nga familja që ndërroi jetë.

Takimi i fundit me Nanon ka qenë në Durrës në 2019, isha shef kufiri i Durrësit. Kishte ardhur në një restorant me kushëririn e tij, dhe dikush më thotë se ka ardhur shefi yt.

Në 2019 ka qenë mirë me shëndet, me batutë e humor.

Unë kam qenë sportist, e doja muzikën, politikën, në vitin 1989 e dëgjoja gjthmonë “Zërin e Amerikës” dhe kam ndjekur intervistat e Fatos Nanos dhe Gramoz Pashkos.

Kur ra sistemi, ne kemi shkuar tek selia qendrore e PS dhe kërkonim të takonim Fatos Nanon. Ka qenë liberal demokrat, ai më përzgjodhi ndoshta ngaqë nuk abuzova me detyrën, besnikëria. Unë kam punuar 14 vjet me të.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

SPAK konfirmon akuzat, Belinda Ballukut merret zyrtarisht e pandehur! Ja shkeljet për të cilat po hetohet

0

Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion ka njoftuar se Zv.kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tendera publike. Hetimi lidhet me procedurën e tenderit për Ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi fillimisht u hap më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952.08 lekë pa TVSH.

Hetimi ka nisur pas një kontrolli në banesën e ish-Drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi, nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në shkurt 2024, ku u sekuestruan telefona, pajisje kompjuterike dhe dokumente. Ekspertimi i këtyre pajisjeve ka mundësuar rikuperimin e komunikimeve të Berberit dhe bashkëshortes së tij, Adela Ruko, të cilat sollën më pas krijimin e një dosjeje që lidhet edhe me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe përfshirjen e Ballukut në hetime.

Mësohet se Balluku ka rënë në rrjetën e komunikimeve me vartësin e saj Ervis Berberi gjatë kohës kur ai drejtonte ARRSH-në, ndërsa roli i saj në paracaktimin e fituesve të tenderave publikë mbetet objekt hetimi.

Tenderi i tunelit të Llogarasë, i hapur nga ministria e Infrastrukturës në 1 dhjetor 2021, u fitua në mars 2022 nga bashkimi i kompanive “Hill International N.V” dhe “Net-Group”, pasi kompanitë “Stucky L.T.D” dhe “Gjeokonsult & CO” u skualifikuan për shkelje të kushteve të tenderit. SPAK dyshon se kjo skualifikim mund të ketë qenë i qëllimshëm për favorizimin e fituesve, për shkak të lidhjeve mes Berberit, biznesmenit Valter Begaj dhe ministres Belinda Balluku.

Hetimet kanë përfshirë gjithashtu tërheqjen e dokumenteve nga ARRSH për praktikën e prokurimit që lidhet me mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë, si dhe verifikimin e aksioneve të kompanisë “Net-Group”, të cilat më 4 dhjetor 2024 iu dhuruan bashkëshortes së Valter Begajt, Loreta Vallja.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ndarja nga jeta e Nanos/ 2 Nëntori shpallet ditë zie, homazhet do mbahen te Pallati i Kongreseve

0

Me vendim të Këshillit të Ministrave, e diela, 2 nëntor, është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të Fatos Nanos, ish-Kryeministër dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare pas viteve ’90.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë, ndërsa në orën 12:00, në nderim të Nanos, do të ndërpritet çdo veprimtari dhe do të mbahet një minutë heshtje.

Homazhet për Fatos Nanon do të mbahen itën e dielë, nga ora 8:30 deri në orën 11:00, në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës do të organizohet të njëjtën ditë në orën 12:05, në mjediset e Pallatit të Kongreseve.

Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonisë funebre shtetërore të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx