Ballina Blog Faqe 138

Erion Veliaj flet në Kushtetuese: Goditja më erdhi nga bashkëpunëtorët e mi

0

Erion Veliaj, ka marrë fjalën gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese, ku po shqyrtohet shkarkimi i tij nga kryetar Bashkie i Tiranës dhe dekreti i Presidentit për zgjedhjet e kryeqytetit. 

Veliaj i kërkoi Gjykatës Kushtetuese, të mbrojnë sëbashku “demokracinë”, duke argumentuar se është i zgjedhur me votat e qytetarëve dhe nuk mund të largohet nga detyra me urdhra.

Veliaj përmendi gjatë fjalës së tij edhe “kulisat politike”.  

FJALA E PLOTE E ERION VELIAJT

E nderuar Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Edhe pse e di mirë se kjo është e drejta ime kushtetuese, dua t’ju falenderoj me respekt që më keni dhënë mundësinë të jem sot i pranishëm, për të ushtruar të drejtën time, për t’u dëgjuar para Jush dhe para gjithë shqiptarëve.

Beteja ime për t’u dëgjuar prej jush vjen pas një sage të gjatë zhgënjyese, për të dëgjuar se çfarë kam bërë, që jam rrëmbyer nga zyra, ku më kanë zgjedhur qytetarët, dhe jam mbyllur në një qeli me regjim burgosjeje më të rëndë se vrasësit serialë. Kam përjetuar një periudhë të gjatë, të mbushur me shkelje të të drejtave të mia themelore si qytetar i kësaj Republike, por mbi të gjitha, një periudhë denigrimi dhe përpjekjeje për të heshtur zërin e një të zgjedhuri, tre herë radhazi nga qytetarët e Tiranës.

Por, kjo nuk është thjesht përpjekje për të më denigruar mua, por është përçmim ndaj vetë votës, ndaj gjësë më të shenjtë që ka demokracia. Dhe përçmimi ndaj saj është përçmim ndaj forcës që kanë qytetarët; është përçmim i fuqisë që populli i jep Republikës për ta drejtuar në emër të tij.
 Siç thoshte Martin Luther King: “Harku i Universit Moral është i gjatë dhe rraskapitës, por në fund anon nga e drejta.” Ndaj, jam sot këtu, përpara Jush, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, qytetit më të madh të kombit tonë, me të drejtën që ma kanë dhënë 160 mijë vota qytetarësh të lirë të këtij qyteti, në fund të këtij harku 9-mujor në kërkim të së drejtës. Nuk jam këtu për të mbrojtur veten, sepse nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu për t’ju drejtuar me gjithë respektin që meriton detyra Juaj e lartë dhe për t’ju kërkuar një gjë të vetme: të mbrojmë së bashku demokracinë që po vihet në sprovë.

Demokracinë për të cilën, si unë, ashtu edhe Ju, të nderuar gjyqtarë, jemi betuar ta mbrojmë — jo në letër, por me veprim, edhe në këtë sallë, sot. Ky mandat nuk është i imi. Ky mandat është një besëlidhje publike, një kontratë që qytetarët e Tiranës ma kanë dhënë me vullnetin e tyre të lirë. Kjo besëlidhje është nderi i jetës sime dhe për mbrojtjen e saj unë do të bëj gjithçka që më lejon ligji, fuqia e mendjes dhe forca e zemrës sime.
 Do ta mbroj deri në fund sepse nuk po mbroj një karrige, por shpirtin e një lidhjeje të shenjtë midis qytetarit dhe të zgjedhurit të tij. Populli i këtij vendi, përmes Kushtetutës së tij, ka vendosur qartë se askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri vendor përpara afatit, përveçse kur ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjit.


Ky nuk është një zbulim i ri; është një premtim solemn i Republikës ndaj vetvetes, një kufi moral dhe ligjor që askush — as unë dhe as Ju — nuk duhet ta shkelë pa rrëzuar më parë themelet e besimit publik mbi të cilat ngrihet vetë shteti. Prandaj, me respekt të plotë dhe solemn për këtë Gjykatë, pyes sot:
 Cilën shkelje të rëndë të Kushtetutës apo të ligjit kam kryer unë, në ushtrimin e mandatit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës? Përpjekja ime për të mbrojtur besëlidhjen me qytetarët e Tiranës, edhe në kushtet e rrëmbimit në qeli, është detyrim imi ndaj qytetarëve.

Besimi im se vota e lirë është më e fortë se kulisat politike është fuqia që më shtyn të bëj këtë betejë. 
Bindja ime se drejtësia duhet të burojë nga Kushtetuta dhe jo nga protagonizmi politik apo etja për karrierë mbi kurriz të lirive themelore të qytetarëve është e palëkundur. Ato çfarë Kushtetuta i mbron, shpresoj që në këtë sallë të thuhen me zë të lartë, të arsyetohen nga Ju dhe të dëgjohen nga çdo shqiptar që ende beson se ligji duhet të të mbrojë, jo të të sulmojë padrejtësisht.

Të nderuar gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, Në këtë seancë nuk po shqyrtohet një vend pune. Kjo është një seancë historike, që shqyrton vetë demokracinë shqiptare, themelet mbi të cilat qëndron shteti ynë.
 Sepse që nga dita kur miratuam Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe pranuam demokracinë, si vlerën më të lartë të ushtrimit të pushtetit nga sovrani — nga populli — të gjithë ne, qytetarë, politikanë, nëpunës të shtetit dhe Ju, të nderuar gjyqtarë, jemi betuar ta respektojmë dhe ta mbrojmë atë vlerë. Ne jemi betuar të mbrojmë demokracinë, jo ta përdorim atë. Të ruajmë si pasurinë më të shenjtë të Republikës, jo ta sakrifikojmë për llogari të momentit, për rehati politike apo për urdhra të përkohshëm, që bien ndesh me ligjin e përjetshëm të drejtësisë.

Kjo është çështja gjyqësore që përcakton nëse pushteti do t’u përkasë ende qytetarëve apo do t’u merret atyre në mënyrë të fshehtë e hileqare, pas perdeve të lojërave me nene dhe germa të ligjit. Nëse ligji do të përdoret për të mbrojtur demokracinë apo për ta përmbysur atë në emër të formalizmave.
 Sepse kur pushteti që buron nga vota tjetërsohet me taktika për të anashkaluar vetë vullnetin e votës, atëherë besimi i qytetarëve kthehet në tradhti morale. Pushteti që ata na kanë dhënë për t’u shërbyer, përdoret për t’i sunduar, me të njëjtat mjete që na ka vënë në dorë për t’i mbrojtur. E atëherë, Republika nuk rrezikohet nga asnjë armik i jashtëm, por nga vetë ata që, nën betimin për ta mbrojtur, e përdorin për ta nënshtruar. “Betohem në nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve.” Ky ishte një fragment nga formula e betimit tim si Kryetar Bashkie, tre herë i zgjedhur.


Ndaj, jam sot këtu për të mbrojtur deri në fund betimin tim — kontratën time me qytetarët e Tiranës. Një kontratë që ka qenë në zemrën time në çdo orë pune, në çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, në diell e në shi, në çdo rrugë të shtruar, në çdo kënd lojërash, në çdo shkollë, kopësht, çerdhe, apo bulevard, kala, shesh e park që ka ndryshuar Tiranën — nga pandemia e kobshme, ku çonim ndihma të izoluarve, te tërmeti kur ndërtuam shtëpitë e mijëra familjeve. E do ta mbroj edhe këtu, përpara jush, deri në fund. Sepse nuk besoj se ka diçka më fisnike për t’u bërë, as diçka më frymëzuese për një njeri që i shërben publikut, sesa të mbrojë besimin që i është dhënë me votë.

Besimin për të drejtuar jo vetëm kryeqytetin e Shqipërisë, por kryeqytetin e gjithë shqiptarëve, një qytet që rreh me pulsin e gjithë kombit. E kur beson se ke dhënë gjithçka për këtë mandat të qytetarëve, vjen arsyeja për të cilën të largojnë nga detyra: “Mosprezenca në detyrë për më shumë se tre muaj.” Nuk kishin si të më fyenin më rëndë. Ishte më e rënda e jetës sime publike, sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo tjetër dhe që nuk denjuan as të më dëgjonin. 
Zoti i faltë! Lutem çdo natë për ta: Zot, fali, se nuk dinë ç’kanë bërë. Kjo “akuzë” nuk më lëndon për fjalën dhe shkresat e shkreta, por për padrejtësinë që ajo përfaqëson. Siç thotë shprehja: Dy padrejtësi nuk prodhojnë drejtësi.
 Padrejtësia e shkarkimit mbi padrejtësinë e ndalimit nuk janë zgjidhje. Sepse të thuash se Erion Veliaj ka munguar në detyrë, nuk është thjesht cinizëm me Erion Veliajn, por me të vërtetën dhe me ligjin.
 Mbi të gjitha, e thënë nga ata që kanë qenë dëshmitarë të rrëmbimit nga zyra pa asnjë akuzë, ngjan si një mesazh pasigurie për këdo që mund të shënjestrohet për arsye politike. Ngjan si një mesazh se në këtë vend sundon dëshira dhe vullneti politik, dhe jo ligji. Nëse është dikush që mund të ankohet për mungesën time, është vetëm nëna dhe familja ime — për një mungesë 10-vjeçare, askush tjetër. 
Ata i kam takuar më shumë në burg se në liri, ku prej punës i lija dhe i gjeja në gjumë. Fort të nderuar,


Që nga dita e parë kur u betova në vitin 2015 si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jeta ime është bërë njësh me këtë qytet. E kam drejtuar me gjithë forcën time shpirtërore, mendore dhe fizike, pa kursyer asgjë nga vetja. Ky qytet ka qenë familja ime e madhe.
 Nuk pretendoj se çdo gjë e kam bërë mirë, apo se çdo gjë që kam dashur ta bëj, kam mundur ta bëj. Por, një gjë e di me siguri: Askush nuk mund të më “akuzojë” se nuk kam qenë në detyrë. Sepse kush thotë se unë kam munguar, fyen inteligjencën e të gjithë qytetarëve të Tiranës që më kanë besuar tre herë me radhë, pikërisht sepse e panë me sytë e tyre përkushtimin tim, dashurinë time për punën dhe për qytetin. Punë nga e cila më shkëputën padrejtësisht dhe pabesisht ata që donin të më shihnin me pranga në duar e jo me lopatë në duar; ata që nuk më donin mua në atë zyrë, sepse ajo zyrë ishte bërë simbol i dashurisë për qytetin dhe punën — epiqendër e optimizmit dhe një energjie pozitive të pafundme. Mund ta burgosësh një njeri, por jo të vërtetën e tij. Dhe e vërteta është se mosprezenca ime nuk ka qenë zgjedhje, por pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti, përmes një vendimi disproporcional, nga letra anonime dhe zell persekutues, që më privoi jo vetëm nga liria, por edhe nga qyteti im, përpara se të provohej çdo fajësi. Si mund të quhet “shkelje” mungesa e një Kryetari Bashkie që është fizikisht i ndaluar nga vetë organet e shtetit, në bazë të një vendimi që nuk është i formës së prerë?

A mos vallë duam të legjitimojmë idenë se çdo funksionar i zgjedhur mund të largohet nga detyra përmes një arrestimi të përkohshëm, pa vendim fajësie, duke i marrë popullit mandatin që ai vetë ia ka dhënë me votë të lirë? Nëse kjo pranohet, atëherë çdo mandat i zgjedhur nuk është më një garanci e sovranitetit qytetar, por një leje që mund të të hiqet në çdo kohë nga vullneti politik.
 Nëse pranohet një gjë e tillë, atëherë parimi i prezumimit të pafajësisë humbet kuptimin, dhe ndëshkimi pa vendim gjyqësor kthehet në praktikë të zakonshme. Kjo do të ishte një rrëshqitje e rrezikshme nga shteti i së drejtës në shtetin e paragjykimit. Kjo nuk është vetëm një padrejtësi njerëzore, por një kontradiktë e hapur kushtetuese, sepse më ndëshkon për një fakt që nuk është as veprim, as shkelje, por një gjendje e imponuar me forcën disproporcionale të vetë shtetit.
 Nëse kjo kthehet në precedent, atëherë çdo qytetar i këtij vendi do të jetojë me frikën se mund të ndëshkohet jo për atë që ka bërë, por për atë që cilido pushtet vendos t’i faturojë apriori.

E nderuar Gjykatë, Nëse pranohet që një kryebashkiak i zgjedhur me votën e popullit mund të hiqet nga detyra pa vendim të formës së prerë, atëherë nga nesër çdo qytet, çdo bashki dhe çdo mandat popullor mund të bjerë pre e vendimeve politike të momentit.
 Në atë çast, zgjedhjet humbin kuptimin, vota humbet peshën dhe sovraniteti qytetar zëvendësohet nga vullneti i atyre që duan të sundojnë në emër të ligjit, por duke e përmbysur vetë ligjin. Kjo nuk është demokraci.
 Kjo është përmbysje e demokracisë.
 Ky nuk është prezumim pafajësie, por prezumim fajësie, dhe aty ku pafajësia zëvendësohet nga paragjykimi, drejtësia pushon së ekzistuari. Unë nuk jam sot këtu për të kërkuar mëshirë apo privilegj. Vij për të kërkuar drejtësi kushtetuese.


Drejtësia është mburoja morale dhe fundore e Republikës, ajo që mbron rregullin që na mban bashkë si shoqëri.
 Ajo që e ndan shtetin e drejtë nga shteti i frikës, ligjin nga arbitrariteti dhe Republikën nga çdo formë sundimi. Në këtë moment vendimtar, Ju nuk jeni thjesht një gjykatë që shqyrton një shkarkim nga detyra të një kryebashkiaku.
 Ju jeni — siç e ka përshkruar Alexander Hamilton, një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara — “trupi ndërmjetës midis popullit dhe pushtetit”, i krijuar për ta mbajtur pushtetin brenda kufijve që i ka caktuar Kushtetuta. Kur pushteti e tejkalon veten, kur vullneti politik kërkon të zëvendësojë ligjin, vetëm gjykata juaj Kushtetuese ka fuqinë dhe detyrën ta ndalojë.


Vetëm kjo gjykatë mund ta rikthejë shtetin në binarët e Kushtetutës dhe të mbrojë qytetarin nga abuzimi i pushtetit që ai vetë ia ka dhënë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Belinda Balluku thirret sot në 15:00 në SPAK

0

Zëvendës kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është thirrur sot në orën 15:00 në SPAK.

Burime mediatike bëjnë me dije se Ballukut i është kërkuar që jetë e shoqëruar me avokat.

Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë asnjë detaj për këtë çështje, por gjatë seancës së të enjtes së kaluar, ku kreu Altin Dumani raportoi në kuvend, pranoi se zëvendës kryeministrja është në hetim.

Në rast se Balluku nuk paraqitet vullnetarisht, do të merren masa për shoqërimin e saj të detyruar pranë SPAK-ut.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Behgjet Pacolli paraqitet në Prokurorinë e Tiranës

0

Biznesmeni dhe ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Tiranës.

Lajmin e kanë konfirmuar burime për A2 CNN, të cilat bëjnë me dije se dyshohet se Pacolli do pyetet për një çështje në hetim, atë të Aeroportit të Vlorës.

Kujtojmë se javët e fundit Pacolli ka patur përplasje me ortakët e tij, pjesë të koncesionarit që po ndërton aeroportin.

Aktualisht kjo prokurori po heton kallëzime të bëra nga biznesmeni Pacolli dhe biznesmeni Valon Ademi në lidhje me kuotat takuese në Aeroportin e Vlorës.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Shfaqja e parë publike pas arrestimit, momenti kur Erion Veliaj hyn në Gjykatën Kushtetuese

0

Kjo është shfaqja e tij e parë publike pas arrestimit më 10 shkurt të këtij viti. Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj sapo ka dalë nga fugoni i policisë, me pranga në duar, ka përshëndetur gazetarët, ndërsa ka hyrë në ambientet e Gjykatës Kushtetuese.

Ai do të dëgjohet sot me pretendimet e tij mbi ankimimin për shkarkimin, vendim që u mor nga qeveria. Ndërkohë që mbledhja do të jetë publike për të gjithë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

SKANDAL/ Naftëtarët e “Bankers” në protestë për bukën e gojës, shefja me cigare nga tarraca qesh me ta

0

Naftëtarët e kompanisë “Bankers Petroleum” janë në ditën e 15-të të protestës ndërsa sot kanë shkuar të revoltuar para zyrave të kompanisë në Fier.

Disa prej protestuesve kishin me vete edhe fëmijët ndërsa kanë theksuar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, protesta do zhvendoset në Tiranë.

Por ajo çka i ka revoltuar protestuesit sot, janë drejtuesit e “Bankers Petroleum”, mes tyre shefja e Burimeve Njerëzore e cila nga tarraca shikon protestuesit me cigare në dorë, raporton JOQ.

Nuk dihet çfarë roli ka në kompani personi në pamjet e siguruara ndërsa sjellja e saj mesa duket ka revoltuar naftëtarët.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Nard Ndoka akuzon Berishën: Je fajtor! E djathta nuk vjen kurrë në pushtet

0

Një ditë pasi kreu demokrat Sali Berisha shprehu gatishmërinë për t’u ulur me kryeministrin Edi Rama për të ndryshuar kushtetutën, kreu i PDK-së Nard Ndoka ka reaguar ashpër ndaj kryedemokratit. Në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN ai e akuzoi Berishën se ka shembur kushtetutën dhe tha se është fajtor për humbjen e PD-së.

“Sot i kërkojnë presidentit të jetë mbi palët, kur vetë PD e ka shembur kushtetutën. Presidenti është palë. Kjo është gangrena se vetë Berisha dhe PD e specialistët e tij, se fajin e ka Berisha, askush prej këtyre delenxhinjve të tjerë se ka sa të duash aty”, u shpreh Ndoka në A2 CNN.

Sipas tij me këtë kod zgjedhor PD dhe e djathta nuk vjen kurrë në pushtet.

“Nëse marrim rezultate e zgjedhjeve nga 91 ne nuk i fitojmë kurrë zgjedhjet si e djathtë. Ne edhe në Shkodër që kemi bastion tonin kemi humbur. Nuk bëhet fjalë për fitore të së djathtës me këtë kod zgjedhor. Dy qarqe në jug të vendit përcaktojnë rezultatin përjetësisht të së djathtës. Kurrë nuk fitojmë ne, se e nisin me 13 mandate plus”./A2 Televizion

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Lëvizja ‘Bashkë’ protestë, Arlind Qorri: Tradhtarët s’e kanë vendin në Parlament

0

Lëvizja Bashkë ka organizuar jashtë Kuvendit sot një protestë.

Gjatë fjalës së tij, kreu i kësaj lëvizje, Arlind Qorri, lëshoi akuza në drejtim të qeverisë, sa i takon trajtimit të pensionistëve.

“Kjo është tradhti. Tradhtarë të popullit shqiptar, të shtresës së mesme. Të sipërmarrësve të ndershëm. Tradhtaret s’e kanë vendin në Parlament, por në burg. Lëvizja Bashkë ka vite që merret me çështjen e pensioneve. Unë jam i gëzuar që ka shumë pensionistë, por dhe shumë qytetarë të moshave dhe kategorive të ndryshme. Pensionet janë nyja ku lidhen ekonomia me kategoritë e tjera”, tha Qorri para protestuesve.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Washington Post artikull për Florjan Binajn: Do të çlirojë Shqipërinë nga partitë!

0

Gazeta prestigjioze amerikane “Washington Post” i ka kushtuar një artikull të veçantë kandidaturës së Florjan Binajt në fushatën për zgjedhjet e parakohshme lokale në Tiranë.

Në shkrimin e reporteres shqiptare, Fjori Sinoruka, “WP” ka skanuar profilin e Binajt, që përshkruhet si një komedian dhe aktivist që ka si qëllim të çlirojë Shqipërinë nga partitë dhe të arrijë të fusë sa më shumë profesionistë në politikë.

ARTIKULLI I PLOTË NË SHQIP:

A mund të ndihmojë humori që Shqipëria të hyjë në BE?

Dikur e njohur si një cep stalinist i harruar, Shqipëria sot është një nga kandidatët kryesorë për anëtarësim në Bashkimin Evropian – dhe ka një komedian që kandidon për kryetar bashkie në kryeqytet.

Diçka e çuditshme po ndodh në Shqipëri. Qeveria ndaloi TikTok-un për të mbrojtur të rinjtë nga ndikimi negativ i mediave sociale. Presidenti emëroi një chatbot inteligjence artificiale si ministre për të luftuar korrupsionin. Tani një nga komedianët më të njohur të vendit, i famshëm për imitimet e tij të mprehta të liderit që ka shumë vite në pushtet, po kandidon për kryetar të Tiranës.

Pyetja që shtrohet është: a mund të ndihmojë ndjenja e humorit dhe të menduarit jashtë kornizave që një vend i vogël ballkanik të hyjë në Bashkimin Evropian? Ekspertët thonë se, seriozisht, nuk do të bënte dëm. Sidomos për Shqipërinë, e cila prej kohësh vuan nga një imazh problematik — nga regjimi stalinist te krimi i organizuar.

Por Shqipëria po bën diçka mirë, sepse tani konsiderohet si një nga kandidatët kryesorë për t’u bashkuar me BE-në me 27 vende anëtare.

Dikur, gjatë 40 viteve të sundimit të diktatorit paranojak Enver Hoxha, Shqipëria ishte një nga vendet më shtypëse (dhe më pak argëtuese) në botë. Ai ndërtoi 750,000 bunkerë për t’u mbrojtur nga një pushtim imagjinar — por fjala “qesharake” nuk do të ishte kurrë një përshkrim i përshtatshëm për atë periudhë. Sot, Shqipëria është një destinacion i madh turistik, dhe Tirana është një nga kryeqytetet më të sigurta të Evropës.

Megjithatë, vendi ende përballet me korrupsionin politik dhe mafiet e fuqishme që merren me trafikim njerëzor dhe kokainë kolumbiane. Por në Bruksel ka një konsensus të gjerë se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në ndërtimin e një ekonomie moderne, mbrojtjen e lirisë së medias dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Aktualisht, në procesin e gjatë të anëtarësimit në BE janë nëntë vende: Shqipëria, Bosnja, Gjeorgjia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia dhe Ukraina.

Nga Ballkani Perëndimor, vetëm Kroacia është anëtarësuar në BE — që në vitin 2013. Sot, Shqipëria dhe Mali i Zi shihen si kandidatët më të avancuar. Lufta në Ukrainë ka bërë që BE të jetë më e prirur ndaj zgjerimit, si mënyrë për t’u mbrojtur nga Rusia agresive e Putinit.

Eksperimente të reja shqiptare

Shqipëria po tregon se është gati të eksperimentojë dhe të mendojë ndryshe.

Në fillim të vitit, ajo bllokoi aksesin në TikTok për një vit, pas vrasjes së një djali 14-vjeçar që ngriti shqetësime për ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët.

Në shtator, kryeministri emëroi një bot të krijuar nga AI, me emrin Diella, si “ministre digjitale” që shqyrton tenderët publikë për të siguruar që janë pa korrupsion dhe pa ndikim njerëzor. Diella ka një avatar me veshje tradicionale shqiptare — pjesërisht një truk publicitar, por sistemi i inteligjencës artificiale është real.

Ekspertët paralajmërojnë rreziqe: “Krijon konfuzion midis teknologjisë dhe politikës, sjell boshllëqe përgjegjësie dhe rreziqe sigurie,” thotë studiuesi Erjon Curraj.Por pikërisht spektakli mund të jetë ajo që e dallon Shqipërinë — sepse ndoshta “vlerat evropiane” përfshijnë edhe aftësinë për të bërë shaka (dhe për të mos arrestuar humoristin).

Komediani që sfidon politikën

Në fillim të tetorit, satiristi i njohur Florjan Binaj shpalli kandidaturën e tij të pavarur për kryetar bashkie të Tiranës, me mbështetjen e Partisë Demokratike.

Europa ka parë edhe më parë figura të ekranit që hyjnë në politikë: Volodymyr Zelensky në Ukrainë, Beppe Grillo në Itali, madje edhe Ronald Reagan në SHBA.

Zgjedhjet e parakohshme në Tiranë mbahen më 9 nëntor, pasi kryebashkiaku i mëparshëm, Erion Veliaj, u shkarkua dhe po pret gjyqin për akuza korrupsioni që ai i mohon.

Binaj i tha The Washington Post se kandidon për të përmirësuar cilësinë e jetës në kryeqytet me planifikim më të mirë urban dhe më shumë shërbime publike. Ai e sheh Tiranën e sotme si “të mbingarkuar me ndërtime dhe me mungesë shkollash”.

Ai shton se nuk është vetëm komedian, por edhe aktivist social, ambientalist dhe arkitekt i diplomuar. Ai u fut në aktrim sepse dinte të bënte imitime, dhe përfundoi duke moderuar një emision satirik për 18 vjet.

Profesori Lutfi Dervishi e quan kandidaturën e Binajt “një eksperiment demokratik të rrallë – një komedian që sfidon modelin që imiton”. Ai thotë se kjo kandidaturë është tregues i lodhjes me politikën tradicionale dhe i dëshirës për autenticitet, edhe nëse shprehet përmes sarkazmës. Binaj shprehet se dëshiron të çlirojë Shqipërinë nga partitë tradicionale, të majta e të djathta, dhe të sjellë më shumë profesionistë të pavarur në politikë — gjë që mund të ndihmojë edhe në ndalimin e “rrjedhjes së trurit”, pasi rreth 40% e shqiptarëve jetojnë jashtë.

“Ne kemi dy rrugë përpara: korrupsioni dhe betoni, ose ndryshimi me njerëz të ndershëm e profesionistë,” tha ai në shpalljen e kandidaturës.

Rama dhe “dy komedianët e Tiranës”

Ndër shumë personazhe të tij, Binaj bën një imitim perfekt të kryeministrit Edi Rama — i cili vetë është një figurë e gjallë dhe e pazakontë në politikën evropiane. Ish-lojtar basketbolli dhe artist, Rama njihet për stilin e tij me atlete dhe kapele baseball-i.

Ai është lider i Partisë Socialiste, ish-kryetar i Tiranës dhe një nga të parët që pas rënies së komunizmit i pikturoi ndërtesat gri të qytetit me ngjyra të ndritshme. Disa analistë e quajnë atë “populist eurofil” — pro-Amerikë, pro-NATO dhe pro-BE.

Rama shpesh bën shaka edhe në samite ndërkombëtare, por mund të jetë edhe provokues. Në Londër javën e kaluar, gjatë një paneli në Chatham House, ai u tha kritikëve të Shqipërisë: “Mbyllni gojën.”

Ai lavdëroi emigrantët shqiptarë në Britani dhe tha se, krahasuar me pjesën tjetër të Europës që grindet, “Shqipëria është e vetmja e rritur në dhomë.”

Rama shtoi se Brexit ishte një gabim gjigant:“U larguat nga Europa për më shumë investime — tani keni më pak.

U larguat për më shumë lumturi — tani jeni të dëshpëruar.”

Në vitin 2020, Rama kishte folur pozitivisht për Binajn, duke e quajtur “djalë simpatik e të talentuar”. Tani është më kritik, duke e quajtur kandidimin e tij “një veprim të dëshpëruar nga moçali” (duke iu referuar opozitës). Por shtoi me ironi: “Nuk e gjykoj aktorin keq për rolin e ri që ka marrë — sepse aktorët duhet të kenë një punë.”

Një shenjë e re për demokracinë

Andi Hoxhaj, ekspert për Ballkanin në King’s College London, thotë se kandidatura e Binajt duhet parë si një shenjë e hapjes demokratike dhe e përparimit politik në Shqipëri.

“Ajo reflekton një shumëllojshmëri zërash dhe përvojash që hyjnë në politikë — njësoj si zhvillimet që kemi parë në Itali dhe Ukrainë,” përfundon ai.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Kuvendi rrëzon kërkesën e opozitës, Niko Peleshi “ruan” postin e kryeparlametarit

0

Kuvendi ka rrëzuar vetëm me votat e mazhorancës kërkesën e deputetëve të opozitës për shkarkimin e kreut të parlamentit Niko Peleshi.

79 deputetë votuan kundër kërkesës, 10 vota pro dhe nuk kishte asnjë abstenim.

36 deputetë të opozitës kishin kërkuar shkarkimin e Peleshit për shkelje të rënda të rregullores dhe Kushtetutës.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Alibeaj: Rama po shtron udhën si President. Po i “vesh” vetes imunitet absolut

0

Enkelejd Alibeaj, i ftuar në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN, deklaroi se kryeministri Edi Rama po shtron udhën vetes për t’u bërë President, duke i veshur vetes imunitet absolut.

“Rama kontrollon qeverinë, Parlamentin, Presidencën… dhe këtë dominim politik kërkon ta shndërrojë edhe në dominim kushtetues. Rama kërkon të ndryshojë edhe formën e regjimit. Berisha tha se është i gatshëm për ndryshimet kushtetuese, pasi kuptoi se pas 11 majit PD-ja po “tretet”.

Ka pakënaqësi brenda grupit parlamentar të PD dhe ka kaluar nga konfrontimi te bashkëpërfshirja me Edi Ramën. Është bërë tashmë një opozitë e futur në xhepin e Edi Ramës. Edi Rama po shkon tashmë nga një shumicë ilegjitime për të fituar legjitimitet përmes përfshirjes së Berishës, dhe kjo do të çojë drejt ndryshimit të regjimit kushtetues”, u shpreh Alibeaj.

Sipas tij, skenari përfshin zvogëlimin e numrit të deputetëve, për të pamundësuar hyrjen e partive të reja në Parlament, si dhe mundësinë e krijimit të një dhome të dytë legjislative.

Por paralajmërimi më i fortë i Alibeajt lidhet me postin e Presidentit: “Në kushtetutë, i vetmi institucion me imunitet penal është Presidenti. Nëse Rama e synon atë post, do ta kthejë në një pozitë me kompetenca ekzekutive, në një sistem gjysmë-presidencial, ndoshta me mandat 7-vjeçar dhe të rinovueshëm. Pra, po shtron udhën për të sunduar vet”, tha ai.

Alibeaj e cilësoi këtë skenar si “gjëmën më të madhe që mund t’i ndodhë Shqipërisë”, duke theksuar se Parlamenti dhe pushtetet e tjera tashmë janë kthyer në “ornamente të një arkitekture kushtetuese të kontrolluar nga një njeri i vetëm”.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx