Ballina Blog Faqe 139

Manastirliu apo Binaj?! Qafoku me shifra: Kush ndiqet më shumë në rrjetet sociale

0

Në emisionin Now me moderatore Erla Mëhillin, ka folur gazetari Roland Qafoku lidhur me shikueshmërinë dhe ndjekjen që kanë në rrjetet sociale kandidatët për zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë Tiranë.

Qafoku ka folur lidhur me shifrat statistikore në rrjetet sociale të Manastirliut, Binajt dhe Qorit.

“Unë kam bërë një vëzhgim të dy kandidatëve kryesor. Nuk e kam marrë zotin Qori jo për ta shpërfillur. Kam marrë vetëm Facebook. Qori është shumë larg dy kandidatëve. Binaj ka 302 K, ndërsa Manastirliu ka 130 K. Ka dhe gjëra të sakta. Kjo është sesi funksionon raporti i tyre me rrjetet sociale. Shiko cfarë kam konstatuar, Binaj ka avantazhe në disa drejtime, përshembull në mesazhe me video. Në 27 tetor ka dy video, e para ai ka 13 mijë like po në datën 27 Tetor ka bërë një dalje me 3.8 like kurse Manastirliu, në 28 Tetor ka 1 video me takime në Laprakë, 181 like dhe ky është trendi. Rezultati është që Binaj është i avantazhuar. Video e një dite tjetër, ka kaluar në 8.6 K tek Binaj.”-tha Qafoku.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Parlamenti i vogël që bashkon Ramën me Berishën dhe frika e partive të vogla

0

Duket se një fije e padukshme po i përafron sërish Edi Ramën dhe Sali Berishën, dy figura që për dekada tashmë kanë ndërtuar e shembur aleanca dhe e kanë ndarë vendin në dy kampe të mëdha duke sunduar politikën shqiptare me përballjet e tyre. E megjithatë, pavarësisht konflikteve të ashpra, sot duken se po flasin me të njëjtin gjuhë që synon riorganizimin e parlamentit, por që në thelb mbart një synim më të thellë: ridizenjimin e sistemit politik në mënyrë që të mbetet më i vogël, më i kontrolluar dhe më i mbyllur.

I pari që hodhi propozimin ishte Edi Rama në shtator në Asamblenë e PS, që e tha hapur se vendit i duhen më pak deputetë. Me një ton që përzinte ironinë me pragmatizmin, ai theksoi se “pas 10 legjislaturave dhe 1136 njerëzve të zgjedhur deputetë në vitet e jetës demokratike, e para gjë si rrallë gjë, që gjen dakord çdo shqiptar, thuajse çdo shqiptar, është tepria që ngjan çdo vit e më tepërt e numrit të deputetëve”.

Ideja e tij, për ta zbritur numrin në “të paktën 101”, u paraqit si një hap drejt “efikasitetit institucional”, por edhe si ofertë për bashkëbisedim me opozitën. Dhe përgjigjja ka ardhur këtë të martë nga Sali Berisha, që u shpreh dakord, madje shkoi edhe më tej, duke qenë i gatshëm të ulej me Edi Ramën në një tryezë. Berisha foli për nevojën e një “Senati” që të frenojë pushtetin, pa e bllokuar shtetin, por duke vazhduar me fjalët se nëse vendoset një senat: “atëherë pa diskutim që duhet të pakësojë numrin e deputetëve”.

Sinjalet janë ato të një pajtimi politik. Por në prapaskenë, ajo që duket si reformë shtetërore, mund të jetë një marrëveshje e heshtur për të forcuar duopolin e dy partive që kanë qeverisur Shqipërinë për tri dekada.

Ulja e numrit të deputetëve do të thotë më pak hapësira për partitë e reja, më pak mundësi për zëra të rinj, më pak përfaqësim për votat që nuk hyjnë në skemën PS–PD. Dhe nëse këtij sistemi i shtohet një dhomë e dytë, një Senat që kontrollon proceset, atëherë do të kemi një strukturë edhe më të përqendruar, ku balancat nuk krijohen më nga përfaqësimi, por nga marrëveshja midis të mëdhenjve.

Pikërisht këtë kanë denoncuar partitë e reja, të cilat e kanë përkthyer këtë lëvizje si një akt politik për t’i përjashtuar. Në seancën parlamentare ku u votua për komisionin e reformës zgjedhore, të vegjlit votuan kundër.

Agron Shehaj foli për “reformë që vret demokracinë”, një projekt që synon të shuajë çdo alternativë jashtë skemës tradicionale.

Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë tha se përjashtimi i partive parlamentare nga komisioni i reformës zgjedhore është një “fyerje për pluralizmin”.

Dhe kur sheh mënyrën si u votuan komisionet për reformën zgjedhore dhe territoriale ,113 vota pro, 3 kundër, asnjë abstenim, është e vështirë të fshihet një “bashkëpunim i ri” në heshtje.

Në zgjedhjet e fundit, forcat e reja të parreshtuara në asnjë koalicion me PD apo me PS, arritën të marrin mbi 130 mijë vota në rang kombëtar, një shifër e pamjaftueshme për aritmetikën e pushtetit, por e madhe për sinjalin politik që përcjell. Dyshja Shabani–Lapaj arriti vetëm një mandat, megjithëse mori gati 50 mijë vota. Agron Shehaj, që doli i vetëm, siguroi dy mandate me 43 mijë vota. Arlind Qori, me 20 mijë vota, mori me vështirësi një vend në Tiranë. Në total, një potencial prej 138 mijë votash bashkë me Lulzim Bashën dhe Dash Shehin që mbeti në kufijtë e sistemit. Një brez votuesish që e sheh ndryshimin jashtë dy partive të mëdha, por që u bllokua nga një sistem që tani pritet të bëhet edhe më i vështirë.

E gjitha kjo e bën idenë e “tkurrjes” së parlamentit një projekt për kontrollin e monopolit politik. Në vitin 2008, Rama dhe Berisha ndryshuan Kushtetutën për të përforcuar pozitat e kryeministrit, por edhe sistemin e dy partive. Sot, me justifikime të reja, duket se po rikthehen në të njëjtin itinerar.

Në letër flitet për riorganizim institucional, por në realitet rrezikohet një përqendrim më i madh pushteti në duart e të njëjtëve liderë që kanë qeverisur për 30 vjet. Nëse ky projekt ecën përpara, Shqipëria mund të ketë më pak deputetë, më pak zëra dhe më pak zhurmë në sallën e Kuvendit. Por a do të ketë më shumë demokraci?/Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

E marta që u mbulua me gjak! Tre të vrarë me thikë brenda 4 orëve, ngjarjet kriminale që tronditën Tiranën, Durrësin e Beratin

0

Tre ngjarje kriminale, tre viktima brenda 4 orëve. Ky është bilanci i tmerrshëm i ditës së djeshme në vendin tonë. Arma e krimit në të tre rastet është thika. Një prej ngjarjeve ndodhi në Durrës, krim brenda familjes, ku djali i ri vrau të atin.

25-vjeçari Marjan Kodheli, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, vrau me thikë babain e tij pas një konflikti të çastit në shtëpi. Pjetër Kodheli 69 vjeç nuk i mbijetoi sulmit dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Autori i krimit u arrestua nga policia pas ngjarjes.

Rreth orës 15:30 sipas policisë, në Komunën e Parisit në Tiranë u shënua një tjetër ngjarje fatale. Picieri Filip Shehu pas një konflikti, qëlloi kuzhinierin Indrit Ismaillari me thikë. Ky i fundit, ndërroi jetë rrugës për në spital. Autori i cili u prangos nga policia, ka pretenduar para grupit hetimor se Indrit Ismaillari e bullizonte.

Krimi u zhvendos në qytetin e Beratit. 63-vjeçari Kristo Mema, banues në lagjen “Barrikadë”, për motive të dobëta ka qëlluar me thikë Keli Hoxhën 42 vjeç, banues në Tiranë, i cili humbi jetën. Viktima kishte dashur t’i bënte foto vajzave të tij me kalë në kalanë e Beratit, por autori nuk kishte pranuar dhe mes tyre kishte ndodhur fillimisht një përplasje fizike që më pas ka degraduar në përdorimin e thikës nga ana e 63-vjeçarit.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Avokatët publikojnë RAPORTIN: Erion Veliaj u përndoq politikisht, që të largohej si Kryebashkiak

0

Dy zyrat ligjore Kasowitz LLP me seli në Nju Jork dhe Mishcon de Reya LLP me seli në Londër kanë publikuar një raport të ri lidhur me arrestimin e Erion Veliajt.

Raporti i përditësuar e cilëson mbajtjen e Veliajt në paraburgim si persekutim politik të kryebashkiakut të Tiranës, si dhe “shqyrton motivimet e dukshme dhe të papërshtatshme politike që qëndrojnë në themel të çështjes së SPAK-ut ndaj tij”.

Sipas Raportit, Veliaj mbahet në paraburgim, ndonëse nuk paraqet rrezik për t’u arratisur, dhe as paraqet rrezik për të penguar çështjen e SPAK-ut.

Raporti thekson se paraburgimi i pajustifikuar i Veliajt ka shërbyer si pretekst për ta larguar atë nga detyra në mënyrë antikushtetuese dhe për t’a eleminuar politikisht.

“Gjykata Kushtetuese ka pezulluar, për momentin, çdo veprim të tillë deri sa të vendoset mbi ankimin e kryebashkiakut Veliaj, i cili kundërshton vendimin e Këshillit Bashkiak, Raporti i Përditësuar Veliaj shqyrton pasojat e kësaj krize kushtetuese. Një nga vëzhgimet e raportit është se çështja e kryebashkiakut Veliaj përbën një shembull të qartë ku vihet në pikëpyetje angazhimi i Shqipërisë ndaj procesit të rregullt ligjor. Sipas raportit, manovrat e fundit politike të ndërmarra për ta larguar nga detyra kanë cenuar prezumimin e pafajësisë, që kryebashkiakut Veliaj i takon, dhe e kanë privuar atë nga liria dhe detyra – të gjitha këto, përpara se gjyqi i tij të nisë”, thuhet ne raport.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ish-ministri i Albin Kurtit, Liburn Aliun emërohet drejtor i Portit të Durrësit

0

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku ka prezantuar sot drejtorin e ri të Portit të Durrësit, ish-ministrin e kabinetit të Albin Kurtit, Liburn Aliu.

Gjatë fjalës së tij ai ka falënderuar Ballukun dhe kryeministrin Edi Rama që i besuan këtë post, ndërsa tha shpreson të shihen sa më shpejt rezultatet dhe sukseset në drejtimin e Portit.

Aliu, i cili ka studiuar disa vite në Shqipëri në kohën e gjimnazit, tha me humor se ndoshta tani në Shqipëri e ‘shohin si të Kosovës’, ndërsa kur ishte në detyrë në Kosovë, ‘e shihnin si të Shqipërisë’.

“Jam i nderuar, e falënderoj republikën e Shqipërisë, kryeministrit dhe ministren që ma besuan këtë detyrë. Ju këtu më shihni si të Kosovës, atje më shohin si të Shqipërisë, nuk është e lehtë… por gjithsesi këtë detyrë do ta bëjmë bashkë dhe uroj të kemi sukses dhe në tre vite portin e mallrave ta shohim të realizuar e më pas të lidhur me të gjitha rrjetet rrugore e hekurudhore me gjithë rajonin”, u shpreh ai.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Proceset në SPAK/ Si po çmontohet klani “Balluku” në administratë

0

Një biletë avioni drejt Rumanisë, takimi rutinë me homologun në Bukuresht dhe një mbledhje e lajmëruar më parë e shpëtuan Belinda Ballukut nga parada e turpit në hyrjen e SPAK. Të paktën për këtë të hënë.

Disa ditë të tjera larg prokurorëve, mund të jenë të rëndësishme për presionin dhe negociatat në prapaskenë. Eksperienca tregon se nga momenti kur oficerët e BKH të marrin në pyetje me dyshimet për korrupsion, aty nis edhe fillimi i fundit të karrierës politike.

Sapo kalohet pragu i SPAK, pjesa tjetër është formalitet.

Por shmangia e SPAK me një vizitë pune në Rumani mund të jetë edhe thjesht një lëvizje e dëshpëruar për të fituar kohë. Duhet llogaritur se hetimi që po shtrihet rreth ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nuk është një “rrufe në qiell të pastër”.

Për vite, emri i saj është përfolur në dosje hetimore që lidhen me tendera publikë, kompani ndërtimi e projekte energjetike ku janë zbuluar shkelje, fiktivitet dhe favorizime.

Njëra pas tjetrës, hallkat drejtuese të institucioneve nën varësinë e saj kanë rënë nga hetimet e SPAK. Nga Autoriteti Rrugor Shqiptar e deri tek KESH-i e Komisioni i Prokurimeve Publike, emrat që dikur konsideroheshin “njerëzit e besuar” të Ballukut janë sot nën akuzë për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Dhe në qendër të këtij rrethi janë disa prej njerëzve më të afërt të ministres.

Evis Berberi, drejtori që përfshiu në hetime Belinda Ballukun

Në 13 mars të vitit 2025, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, u arrestua me urdhër të SPAK, pas një hetimi, që kishte nisur gjatë kohës kur ai drejtonte Agjencinë për Efiçencën e Energjisë dhe kishte vazhduar pasi u emërua drejtor i Autoritetit Rrugor të Shqipërisë nga Belinda Balluku.

Berberi kishte dhënë gjashtë tendera kompanisë së ortakut të tij, Valter Begaj, ndërsa fitimet e përftuara nga kontratat publike i ktheheshin më pas kompanisë që Berberi. Hetuesit zbuluan se në disa raste, tenderat ishin “të qepur me dorë” për fitues të paracaktuar, ndërsa dokumentet e ofertave kishin ngjashmëri të plotë me njëra-tjetrën, një shenjë klasike e manipulimit të garës.

Në dosje, një fragment i komunikimeve të Berberit përmendte: “Shiko që kjo punë të mbyllet shpejt, se e kemi me afat… kompania është e jona.”

Berberit iu gjetën në shtëpi rreth 40 milion lekë cash, por atij dhe të shoqes iu sekuestruan katër celularë nga të cilët do të dilnin e emra të tjerë, bashkëpuntorë në korrupsion. Rasti Berberi u bë pika e nisjes së një serie hetimesh që çuan në zinxhir edhe tek vartës të tjerë të Ballukut.

Erald Elezi, energjia në dosjet penale

Pas arrestimit të Berberit, hetimi çoi tek një tjetër emër i rëndësishëm: Erald Elezi, administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Në maj të vitit 2025, SPAK e mori të pandehur për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”.

Elezi ishte anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në një sërë tenderash për eficiencën e energjisë elektrike, projekte që ishin financuar pjesërisht nga Bashkimi Evropian dhe emri i tij kishte dalë nga i njëjti celular, që i përkiste Ervis Berberit.

Sipas hetimeve, tenderat ishin zhvilluar me mungesë konkurrence, skualifikime të pajustifikuara dhe favorizim të një grupi të vogël operatorësh të lidhur me drejtuesit teknikë të KESH-it.

Pak ditë më parë, ndërsa raportonte në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani konfirmoi marrjen nën hetim të Elezit, ndërkohë që ai është ende në detyre.

“Është fakt publik ish-drejtori i rrugëve është marrë i pandehur dhe është i dërguar për gjykim në gjyqtarin e seancës paraprake, drejtori aktual është marrë i pandehur. Ish drejtori i KESH është marrë i pandehur dhe po hetohet”, tha Dumani.

Erald Elezi përbën një tjetër hallkë të rëndësishme në zinxhirin institucional që i raporton drejtpërdrejt ministrisë së Ballukut, dhe ndaj të cilit SPAK ka shtrirë hetimin për abuzime në kontratat e mëdha të sektorit energjetik.

Jonaid Myzyri, njeriu i Ballukut tek tenderat

Një tjetër emër që ka rënë në duart e drejtësisë është Jonaid Myzyri, kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP). SPAK e ka marrë të pandehur për shkelje të barazisë në tendera, kryer në bashkëpunim.

Myzyri është një figurë e njohur në qarqet pranë Ballukut: dikur jurist në kompaninë “Alko Impeks” të Arbër Abazit, i cili është bashkëshorti i mbesës së ministres. Pikërisht kjo kompani ka përfituar një numër të konsiderueshëm tenderash publikë gjatë viteve të fundit, nga veriu në jug të vendit.

Nga dosja me përgjimet e vartësev të Jonaid Myzyrit janë përfituar disa biseda kompromentuese.

Sipas përgjimeve del se anëtarja e pandehur e Komisionit të Prokurimeve Publike, Lindita Skeja, kishte garanci nga titullari i institucionit, gjithashtu nën akuzë, Jonaid Myzyri, se për firmat që do të vendoste në rastet e shqyrtimit të ankesave ndaj procedurat në tendera, nuk do t’i hynte gjemb në këmbë.

Të paktën këtë siguri i shpreh nënës së saj në një bisedë telefonike të përgjuar nga SPAK për të gjetur prova të shkeljes së barazisë në tenderë. “Ai na mbajti kështu, që krijuam besim që ne jemi miqtë e atij, edhe rrimë të qetë, Na ofroi mori informacionesh. Unë vajta dhe i shërbeva si qeni. I shërbeva me sy mbyllur”, thotë Lindita Skeja.

SPAK thotë se një pjesë e mirë e komunikimeve përgjuar zyrtares Lindita Skeja lidhen me akuzën për të cilën dyshohet Jonaid Myzyri, kreu i KPP-së, i marrë i pandehur për tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor 58.7 km Shpal-Ura e Repsit me vlerë 2.29 milionë euro.

Zyrtarja e KPP-së, Lindita Skeja, nga sa flet me nënën në telefon, lë të kuptohet se ka vepruar me urdhër të titullarit të institucionit, dhe se drejtuesit e institucionit merrnin para në këmbim.

“E dua edhe pikë, e dua kështu, firmos ne, të gjithë si delet. Shkonim ku të na thërrisnin, rresht. Firmën ne, e lekët ata. Më çoi mua në KPP, përballem unë me lloj-lloj pisllëku” shprehet zyrtarja.

Sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, dëmi ekonomik nga këto abuzime përllogaritet mbi 2.5 miliardë euro.

Hetimet kanë zbuluar se në dhjetëra procedura të zhvilluara nga KPP gjatë viteve 2020–2023, në shumicën e rasteve ka marrë pjesë vetëm një kompani, ndërsa operatorët konkurrues janë skualifikuar me arsye të dyshimta.

Gentian Gjyli, një tjetër viktimë e “celularit të Berberit”

Pas sekuestrimit të telefonit të Evis Berberit, hetuesit zbuluan komunikime që çuan në marrjen e të pandehur edhe të Gentian Gjyli, drejtor aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Ai akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”, në të njëjtin dosje ku përfshihet edhe Elezi.

Sipas burimeve hetimore, Gjyli ka qenë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në një sërë kontratash publike për mirëmbajtjen e rrugëve dhe ndërtimin e akseve strategjike, ku janë konstatuar çmime të fryra dhe devijime të kushteve kontraktuale.

Dosja e tij përfshin mbi 10 praktika prokurimi të hetuara, që përbëjnë një ndër hetimet më voluminoze të SPAK-ut në sektorin e infrastrukturës.

Ceno Klosi, ish-drejtori i Tatimeve, nën hetim për korrupsion dhe mashtrim

Një tjetër figurë që lidhet me strukturat e Ballukut është Ceno Klosi, ish-drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.
SPAK ka konfirmuar hetimin ndaj tij për “korrupsion pasiv”, “shpërdorim detyre”, “mashtrim” dhe “falsifikim dokumentesh”, mbi bazën e kallëzimeve të paraqitura nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Në dosje thuhet se Klosi dyshohet se ka ndërhyrë në disa procedura tatimore dhe kontrolle fiskale për të favorizuar subjekte që kishin lidhje me kompani të financuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës.
Edhe pse ai nuk ka pasur rol të drejtpërdrejtë në tendera, lidhjet zinxhir mes institucioneve dhe kompanive të përfshira në hetim e bëjnë pjesë të skemës së gjerë që SPAK po përpiqet të dokumentojë.

A është rastësi që njerëzit më besnikë të Belinda Ballukut të kenë përfunduar në dosjet e SPAK para saj? A mund ta shmangë ajo hetimin me një manovër si kjo e vizitës në Rumani, apo tashmë është tepër vonë?

Duket se hetimet që kanë mbërritur tek Belinda Balluku kanë përmasa më të gjera; para se të godasin zv.kryeministren prokurorët janë kujdesur të çmontojnë një nga një disa nga drejtorët e saj në postet strategjike, aty ku janë administruar miliarda euro investime publike.

Thënë këto, pyetja që ngrihet është; A do të bjerë Belinda Balluku bashkë me spiralen e korrupsionit që menaxhon, apo me manovra si kjo e Rumanisë dhe me presionet në prapaskenë, do ta ndalë një proces që nuk është thjesht kundër saj, por kundër të gjithë klanit Balluku në qeveri?/Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

1 mln € evazion fiskal, sekuestrohen pasuritë e ‘International Medicare’ e Sante Plus

0

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, janë sekuestruar të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të International Medicare shpk e Sante Plus.

Vendimi për sekuestron e pasurive, vlera e të cilave ende nuk dihet, u mor pas një operacioni nga Krimi Ekonomik në Tiranë që zbuloi se klinika që operonte në qendër të Tiranës, prej më shumë se një viti ka funksionuar në mënyrë tërësisht të jashtëligjshme, duke i shkaktuar shtetit evazion mbi 1 milion euro dhe duke rrezikuar shëndetin e dhjetëra pacientëve.

Administratorët dhe drejtuesit e këtij spitali akuzohen për fshehje të të ardhurave, mos pagim taksash dhe përdorja e medikamenteve të skaduara.

Administratori i spitalit privat “Sante Plus Albania”, Edmond Zaja, 62 vjeç, u arrestua në shtator, ndërsa vijojnë në kërkim bashkaksionerët e subjektit, shtetasi turk Bilal Kara, 45 vjeç dhe shtetasja shqiptare Geriana Arapi, 32 vjeçe.

Si nisën hetimet

Hetimet nisën pas denoncimit të një shtetasi portugez, C.S. ndaj subjektit International Medicare shpk (ish Sante Plus Group).

Ky shtetas pagoi një shumë prej 5200 eurosh për marrjen e tre shërbimeve nga ky spital por doktorët që do të kryenin ndërhyrjet u larguan nga spitali. Pas disa anulimeve, ai kërkoi kthimin e shumës së parave por pa sukses. Kallëzuesi deklaroi se u mashtrua nga ky spital pasi i morrën paratë dhe nuk i ofruan shërbimin duke përdorur justifikime të ndryshme.

Nisur nga faktet e parashtruara në kallëzimin e shtetasit C.S. dhe nga deklarimet e marra të punonjëseve, u provua se ky spital operonte me mandate dore dhe jo kupona tatimorë. Gjatë kontrollit u gjetën 1 milionë euro fatura jo tatimore, të padeklaruara, ndërsa dyshohet se si mjekë punonin persona kryesisht shtetas turq, të palicensuar si mjekë në Republikën e Shqipërisë. U mbajt procesverbal për kqyrjen e vendit të ngjarjes ku u gjetën dhe u fiksuan si provë materiale, në sallat kirurgjikale medikamente të ndryshme të skaduara, si dhe medikamente që ndalohet shitja dhe lejohen për përdorim vetëm në spitale private.

Në funksion të hetimit të procedimit penal, u administrua akti i kontrollit i mbajtur nga organet tatimore dhe rezultoi se subjekti ”Sante Plus” ka detyrime të lindura për mosdeklarim të pagës reale. Ky subjekt ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e saktë të punonjësve, si rrejedhim ka fshehur vlerën e saktë të kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Kontrolli tatimor ka vlerësuar si tatim të padeklaruar nga shoqëria me efekt në TVSH shumën 12.826.573 Lekë. Po nga i njëjti kontroll rezultoi se ky subjekt duhet të lëshonte autofaturë për 11 fatura me vlerë 112.736.764 lekë, me një tatim të padeklaruar të TVSH në vlerën 22.547.353 lekë. Sipas këtij akti, subjektit ”Sante Plus” i kanë lindur detyrimet tatimore nga fshehja dhe mosdeklarimi i pagave për vitet 2018-2023 në vlerën 4.510.786 lekë, si dhe për tatim të padeklaruar me efekt TVSH-je në vlerën 35.373.926 lekë.

Po kështu, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se nga ana e subjektit International Medicare shpk, është vepruar në kundërshtim me ligjin duke fshehur të ardhurat e përfituara nga pacientët, nëpërmjet mosdeklarimit të këtyre të ardhurave në organet tatimore në sistemet përkatëse fiskale, por duke i marë këto të ardhura me mandate arkëtimi jo fiskale.

Në këto kushte ka të dhëna te mjaftueshme se nga ana e personave nën hetim dhe e subjektit International Medicare,  janë fshehur të ardhurat ne vlera te konsiderueshme duke bërë që për këto të ardhura të mos kryhen pagesat në favor të buxhetit të shtetit, duke i sjelle dëm të madh ekonomik interesave të shtetit shqiptar.

Nga aktet rezultoi se në kushtet kur nga raporti i kontrollit dhe veprimet e kundërligjshme në fshehjen e të ardhurave dhe mospagimit të taksave dhe tatimeve nga ana e Sante Plus Group me ortak B. K. dhe adminsitrator E.Z. është regjistruar pranë QKB dhe subjekti International Medicare shpk po me të njëjtët ortak e administrator.

Këto veprime të personave nën hetim ka dyshime se janë kryer me qëllimin e vetëm të mos kryerjes së pagesave të tatimeve dhe taksave në favor të shtetit në kushtet kur për Sante Plus Group sipas ekstraktit të QKLB, ishin vendosur një sërë sekuestrosh konservative nga zyra përmbarimore për ekzekutime të vendimeve të gjykatave.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Arjan Curri: Dy deputetë, në prag arrestimi nga SPAK

0

Analisti Arjan Curri ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e djeshme, duke paralajmëruar se shumë shpejt priten arrestime të reja në radhët e politikës.

I ftuar në emisionin “Top Story” në Top Channel, Curri tha se ka informacion se dy ish-kryetarë bashkie, të cilët aktualisht janë deputetë në Kuvend, janë në prag të arrestimit nga SPAK.

Nga SPAK na vijnë lajme që dy ish-kryetarë bashkie janë gati për t’u prerë biletat. Njëri është një ish-kryetar bashkie në veri, sot deputet, dhe tjetri një ish-kryetar në jug, po ashtu deputet në Parlament,” – deklaroi Curri, pa dhënë më shumë detaje për identitetet e tyre.

Kjo deklaratë ka ngjallur interes të madh, duke shtuar pritshmëritë për lëvizje të reja në hetimet e SPAK-ut ndaj zyrtarëve të lartë dhe ish-zyrtarëve të pushtetit vendor.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Për Ballukun ka sherr në SPAK”/ Ahmetaj: Ja pse Rama e hoqi qafe Veliajn

0

Arben Ahmetaj, gjatë një interviste për Syri tv ka komentuar hetimet e SPAK-ut ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku. Ai ka treguar se hetimi aktual nuk lidhet me çështje të mëdha korruptive si inceneratorët, tuneli i Llogarasë apo projektet e energjisë, por për një tender të vogël supervizimi, duke e cilësuar këtë si një “lojë qesharake” me drejtësinë.

Ahmetaj ka theksuar gjithashtu se brenda SPAK ka tensione të brendshme dhe se disa hetime, si ajo për diplomën e Ballukut, nuk kanë marrë vazhdimësi. Ai argumenton se hetimet duket se po fokusohen në çështje më të vogla, ndërsa projektet milionëshe mbeten të paprekura.

Sipas tij, Rama nuk e pengon SPAK të kryejë hetime ndaj Ballukut, por ato po zhvillohen në mënyrë selektive dhe me qëllime të diskutueshme politike.

“E para dhe mbi të gjitha është se brenda SPAK ka akoma sherr për Belinda Ballukun. E dini për çfarë e ka hetuar Dumani zv/kryeministren aktuale? Dumani e ka hetuar për diplomën. Ndërkohë që këtej bëhej kërma, ai e ka hetuar për diplomën.

E dini për çfarë e thërrasin tani? Për një tender supervizioni. Është tallje e b… me drejtësinë dhe korrupsionin. Dmth aty janë gëlltitur 15 shkolla në një dorë tek tuneli i Llogarasë.
Tek Thumanë – Kashar është bërë nami. 1.3 miliardë do paguajnë shqiptarët. Tek “tigrat” çudi e madhe që praktikisht as në Kongo nuk do guxonte djali i presidenti diktator dikur, ta bënte, por e kanë bërë” – tha Ahmetaj.

“Nuk e pengon Edi Rama, Altin Dumanin ta hetojë (Ballukun). Nuk do Altin Dumani se nuk ka marrë urdhër. Kemi një shprehje andej nga jugu në rastin e zv/kryeministres; është bërë ajo gjëja kavaletë, dmth mban erë. Si ta shpëtojmë? Ta shpëtojmë se po ta hetojmë për tunelin, mban erë. Po ta hetojmë për “tigrat”, për energjinë, për Thumanë-Kashar, mban erë. Po çfarë do bëjmë? Po mirë mo ne do i themi shqiptarëve ne po e hetojmë, që të ju themi se nuk ka njeri të paprekshëm.

Ne e kemi futur në burg një ish-zv/ kryeministër dhe po hetojmë një zv/kryeministre tjetër. Dhe e marrim dhe e çojmë në SPAK për tenderin e supervizionit 2 milionësh, jo për 190 milionëshin, jo për “tigrat”, jo për inceneratorin e Tiranës që nuk është monitoruar, jo për Thumanë-Kasharin. Kjo është një lojë qesharake, kush e ha e ha” – tha ai.

Ahmetaj ka folur për arrestimin eErion  Veliajt. Ai deklaroi se Edi Rama e hoqi qafe Veliajn si një nga njerëzit që donte t’i zinte vendin dhe më pas “doli qante për Veliajn”.

“E dini për çfarë është në burg Veliaj. Për dy arsye. Një që të mos akuzohet për atë që ka bërë bashkë me Edi Ramën. Nëse donte indice ky, i kam dhënë. Çfarë urdhri ka dhënë Edi Rama për inceneratorin e Tiranës në verën e 2017. Indicet e këtij dhe ky më mirëpret mua si bashkëpunëtor, megjithëse unë nuk kam bërë asnjë krim.

E dyta, Edi Rama me një gur e vrau dy herë. Me demek e akuzoi se i kishin rënë pantallonat në tokë SPAK-ut dhe i duhej një ushqim shokësh, siç e ka zakon që u ngul thika. U dha Erion Veliaj dhe u tha, mos ma ngacmoni për 5D, incenerator, jo, jo. Do ta diskreditojmë për gjëra të tjera që janë larg meje. E dyta e hoqi qafe si njërin nga ana që kërkonte ti zinte vendin. Dhe pastaj dilte e qante si, njeri që të vret dhe pastaj qan”, e mbylli Ahmetaj

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Protestat/ Deputeti i PD, Gjin Gjoni: 20 mijë njerëz të rrethojnë Kryeministrinë, çdo deputet të paguajë 1.5 mijë euro për t’i mbajtur me bukë e ujë

0

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka zbuluar për herë të parë propozimet e tij për strategjinë e rezistencës së PD-së kundër qeverisë Rama, të cilat ngjallën debate në shumë media.

Gjoni tha se përballë arrogancës së qeverisë, ai kishte propozuar disa lëvizje të forta, duke nisur që nga ngujimi dhe greva e deputetëve, e deri te ndryshimi i formës së protestave.

Ai zbuloi gjithashtu se kishte propozuar që deputetët të paguanin nga 1500 euro nga rrogat e tyre, në mënyrë që të mbanin me ushqime dhe ujë protestuesit, që këta të fundit të rrethonin Kryeministrinë.

Sipas Gjonit, protestat vetëm me fjalime nuk kanë dhënë rezultete, duke shtuar se nevojiten protesta të qëndrueshme, në mënyrë që Rama të dorëzohet.

“Ka pasur një konfuzion dhe shkrime të pafundme që zoti Gjoni kërkon të sjellë njerëz me pagesë në protesta. Jo nuk është e vërtetë. Ja ta sqaroj unë. Është thënë mënyra e parë ngujim në Kryesi dhe Parlament. Të ndahej grupi parlamentar.

Sepse sot për herë të parë në Parlament, edhe në kohën e Enver Hoxhës, nuk është kaluar qeveri dhe program qeverie pa diskutime. Është dita më e zezë që ka pasur parlamenti. E dyta dhe është shumë e rëndësishme, ndodhi jo vetëm shkelja e Kushtetutës, por edhe shkelja e rregullores.

Dhe u mendua që të bëhet një reagim shumë i fortë. Ngujim, grevë urie nga një pjesë e deputetëve. Dhe e treta, që format e protestës që kanë qenë deri tani, kanë qenë efektive, por jo aq sa duhet. Dhe jo njerëzit të bëjnë një xhiro, të dëgjojnë 10 fjalime dhe të shkojnë sërish në shtëpi, por të ndryshohet mënyra e qasjes. Pse? Sepse në vetëvete protestat e kësaj natyre e kanë demoralizuar edhe elektoratin edhe njerëzit sepse thonë ‘vijmë bëjmë një xhiro në bulevard dhe ikim’.

Tani unë propozova një mënyrë tjetër, një institucion, që sot është më i kapuri, më i korruptuari… 20 mijë veta të organizohen dhe deputetët nga xhepat e tyre të paguajnë nga rroga nga 1000-1500 euro, që të rrijnë, t’i mbajnë me ujë dhe me bukë, jo për t’i sjellë. 20 mijë veta, nëse do të rrethojnë një institucion, edhe masa popullore do ngrihet. Deputetët duhet të sakrifikojnë vetë, duhet të jenë në ball të protestave”, tha mes të tjerash Gjoni për A2 CNN.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx