Ballina Blog Faqe 146

Ndalohet qarkullimi i monopatinave elektrike, shumë qytetarë kundërshtojnë vendimin

0

Prej kësaj të hëne, mjetet elektrike me dy rrota nuk do të lejohen më të qarkullojnë në rrugët e vendit.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me policitë bashkiake në të gjitha qarqet, ka nisur bllokimin e tyre deri në një udhëzim të dytë.

Prej orëve të para të mëngjesit të së hënës, policia u pozicionua në disa prej segmenteve kryesore në kryeqytet për bllokimin e mjeteve elektrike me dy rrota.

Me dhjetëra qytetarë u ndaluan duke lëvizur me këto mjete. Ky vendim u respektua nga pjesa më e madhe, por ka edhe nga ata qytetarë të cilët janë të pakënaqur.

“Ta kisha ditur nuk kisha dalë, e kisha lënë në shtëpi atë”, tha një qytetar.

“Isha në dijeni për monopatinat elektrike, jo për motorat, Po këta, paskan dhënë urdhër për të gjitha mjetet elektrike”, shtoi një tjetër.

“Jam mësuese e gjuhës angleze edhe shkoj në kopshte të ndryshme të Tiranës. Më bën për distancën, që nga Kodrat e Diellit, e deri tek Selvia. Tani unë si një përdoruese e skuterit, njoh rregullat e qarkullimit, vendos kaskën, përdor korsinë e biçikletës, e mendoj që jam një shembull e rregullt e përdorimit të skuterit”, tha një qytetare.

Deklarojnë se duhet të jepej kohë, pasi këto mjete i përdorin në përditshmëri, por edhe për punë.

“Njerëzit duhet të njoftohen një muaj para, të marrin masa çfarë kërkon policia”, tha qytetari.

“Tani unë nuk e di si mund të ndalosh sot për nesër? Të anuloj unë punën? Të anuloj unë gjitha kontratat që kam me biznese e kopshte? Nuk është fare e zgjuar”, tha qytetarja.

Bllokimi i mjeteve elektrike me dy rrota erdhi pas shtimit të numrit të aksidenteve rrugore. Gjithashtu, për shkak se përdoruesit e tyre kryejnë shkelje të tilla si qarkullimi në sens të kundërt, jo në korsinë e duhur, nuk respektojnë sinjalistikën horizontale dhe vertikale, nuk përdorin kaskë mbrojtëse dhe natën nuk përdorin jelek fosforeshent.

Autoritetet njoftuan se kjo masë ndalimi do të vijojë deri në saktësimin e rregullave dhe hapësirave ku përdoruesit e këtyre mjeteve do të kalojnë.

Klan News

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Fitoi 2 mandate deputeti/ Partia ‘Mundësia’ shkresë KQZ-së, kërkon seli qendrore pas zgjedhjeve të 11 majit

0

Agron Shehaj ka kërkuar seli qendrore për partinë e tij Mundësia për shkak të zgjedhjeve të 11 majit. Në një shkresë drejtuar KQZ-së, që mban firmën e nënkryetarit Erald Kapri, kërkohet lëshimi i një vërtetimi zyrtar që të pasqyrojë përqindjen e votave në shkallë kombëtare, numrin e mandateve të fituara në Kuvend, si dhe çdo të dhënë tjetër zyrtare mbi rezultatin e partisë në zgjedhjet parlamentare.

Kjo kërkesë, sipas partisë, bazohet në ligjin për “Për partitë politike” dhe në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, që rregullon procedurat për pajisjen me seli të partive parlamentare.

“Në mbështetje të nenit 22 dhe 22/1 të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, të ndryshuar, si dhe në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e rregullave të hollësishme për zyrat qendrore dhe vendore të partive politike, Partia Mundësia kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lëshimin e vërtetimit zyrtar që pasqyron: përqindjen e votave të marra në shkallë kombëtare nga partia Mundësia, numrin e mandateve të fituara në Kuvendin e Shqipërisë, dhe çdo të dhënë zyrtare mbi rezultatin elektoral të subjektit politik “Partia Mundësia” në zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.

Ky vërtetim kërkohet për efekt të procedurës ligjore për pajisjen me seli qendrore dhe zyrtat vendore të partive parlamentare, në zbatim të nenit 22 të ligjit nr. 8580/2000 dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave të përmendur më sipër”, thuhet në kërkesë.

Më 11 maj, partia Mundësia mori 49 006 vota në rang vendi dhe siguroi dy deputetë, vetë Shehaj dhe Erald Kapri.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Yt vjehërr ka vjedhur gjë?”, qytetari përplaset me Malltezin para GJKKO: Lapangjoz je ti dhe ai

0

Jamarbër Malltezi është përplasur këtë të hënë në hyrje të Gjykatës së Posaçme me një qytetar të moshuar, pak para nisjes së gjyqit për dosjen ‘Partizani’.

Ai iu drejtuar Malltezit duke e pyetur nëse vjehrri i tij (Sali Berisha) ka vjedhur, ndërsa Malltezi iu përgjigj duke i thënë se nëse do kishte vjedhur do e kishin “kapur lapangjozët”, duke iu referuar prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarëve të GJKKO.

Qytetari: Yt vjehërr ka vjedhur gjë?

Malltezi: Kush?

Qytetari: Yt vjehërr

Malltezi: Po ta gjenin këta lapangjozët..

Qytetari: Lapangjoz je ti dhe vjehrri jot, lëri këto përralla, llafosu me ndonjë tjetër jo me mua

Malltezi: Lapangjozë janë këta

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Zgjedhjet e pjesshme, nesër afati i fundit për regjistrimin e partive

0

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka hartuar draftin për rregullimin dhe organizimin e procesit zgjedhor për 5 bashkitë, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë të dekretuara për të shkuar në zgjedhje të parakohshme më datë 9 nëntor.

KQZ propozon që fushata zgjedhore të fillojë më datë 1 nëntor ndërsa partitë politike duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ jo më vonë se data 14 tetor, pra nesër afati i fundit, sipas KQZ.

Ndërkohë kandidatët do të kenë afat deri më datë 22 tetor për të depozituar në KQZ kërkesën për regjistrim në zgjedhje. Ky plan i hartuar duhet të miratohet nga Kolegji Zgjedhor për të hyrë në fuqi.

Në mbështetje të Dekretit të Presidentit nr. 350, datë 1.10.2025, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë”, të nenit 20, pika 1, shkronja “a”, nenit 6, nenit 29, pika 6, nenit 36, pika 2, nenit 59, nenit 64, nenit 65, nenit 67, pika 1, nenit 70 dhe nenit 94, pika 1 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator

1.         Bashkitë Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, si dhe institucionet e tyre të varësisë, janë të detyruara të raportojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 25.10.2025 deri më datë 9.11.2025.

Të njëjtin detyrim kanë edhe institucionet publike qendrore, organet e tyre të varësisë dhe degët e tyre vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, për veprimtari me karakter publik, që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 25.10.2025 deri më 9.11.2025, në territorin e Bashkive Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, ose për to.

2.         Autoriteti i Mediave Audiovizive monitoron OSHMA-të për veprimtaritë me karakter publik të institucioneve publike të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, nga data 25.10.2025, nga ora 08:00-00:00, ose sipas rastit, deri në përfundimin e programit.

3.         Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore për Kryetar bashkie në Bashkitë Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, fillon më datë 1.11.2025.

4.         Zyra e Gjendjes Civile në këto bashki, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 6.10.2025. Brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga përfundimi i përditësimit, kryetari  në detyrë i njësisë së qeverisjes vendore miraton dhe shpall listat e zgjedhësve, në përputhje me nenin 48 të Kodit Zgjedhor.

5.         Prefektët e Qarqeve paraqesin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listën e plotë të objekteve brenda territorit të Qarkut që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për Vendin e Numërimit të Votave, jo më vonë se data 14.10.2025.

6.         Kryetarët e Bashkive në detyrë të përcaktojnë vendet publike, në territorin e Bashkive Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, për afishimin nga subjektet zgjedhore të materialeve propagandistike, jo më vonë se data 14.10.2025.

7.         Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë/sekretar në KZAZ-të e Bashkive Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie, duhet të sjellin propozimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, jo më vonë se data 14.10.2025. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton përbërjen e KZAZ-së, jo më vonë se data 15.10.2025.

8.         Partitë politike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ-të përkatëse, jo më vonë së data 20.10.2025. KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të KQV-ve, jo më vonë se data 25.10.2025.

9.         Partitë politike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në GNV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ, jo më vonë së data 28.10.2025. KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të GNV-ve, jo më vonë se data 30.10.2025.

10.       Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ, për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, jo më vonë se data 14.10.2025. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga kthimi për plotësim. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.

11.       Komitetet Nismëtare duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim në KQZ për bashkitë Vlorë dhe Berat, si dhe në KZAZ-në përkatëse për bashkitë Tepelenë, Cërrik dhe Mat, jo më vonë se data 14.10.2025. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga dorëzimi. Komitetet Nismëtare paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga kthimi për plotësim. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.

12.       Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin në KQZ, kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, jo më vonë se data 19.10.2025. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesën për regjistrimin si koalicion, brenda 24 (njëzet e katër) orëve.

13.       Dokumentet e kandidimit paraqiten në KQZ për bashkitë Vlorë dhe Berat, si dhe në KZAZ për bashkitë Tepelenë, Cërrik dhe Mat, jo më vonë se data 22.10.2025. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja bën verifikimin e tyre, jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga paraqitja, dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga riparaqitja e tyre.

14.       Paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve shqiptarë bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se data 25.10.2025 dhe për vëzhguesit e huaj bëhet jo më vonë se data 6.11.2025.

15.       Paraqitja e kërkesave për akreditim nga ana e subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhje bëhet në KZAZ jo më vonë se data 6.11.2025. Akreditimi i vëzhguesve bëhet jo më vonë se data 7.11.2025.

16.       Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 3 (tre) ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit.

17.       Ngarkohen administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera të përmendura në këtë vendim, për zbatimin e tij.

18.       Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

19.       Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor, pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e tij.

Ilirjana NANO                          Kryetar

Arens ÇELA                             Anëtar

Dritan ÇAKA                             Anëtar

Helga VUKAJ                           Anëtar

Muharrem ÇAKAJ                   Anëtar

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Von der Leyen mesazhe optimiste nga Tirana, Rama: Kapitujt i mbyllim brenda 2027

0

Në sytë e Brukselit, progresi i Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian duket i mrekullueshëm.

Ky ishte mesazhi që konfirmoi në Tiranë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Në prag të nisjes së Forumit të Investimeve BE- Ballkani Perëndimor, ajo u takua me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama teksa konfirmoi se Brukseli planifikon të hapë të gjithë kapitujt deri në fund të vjeshtës së këtij viti.

Në një konferencë të përbashkët, me kryeministrin Edi Rama, Von Der Leyen e vlerësoi këtë të fundit lidhur me progresin që Shqipëria ka bërë deri më tani. Madje u shpreh se është e impresionuar.

“Ne të gjithë themi që kushti i zgjerimit bazohet në merita dhe Shqipëria i ka të gjitha meritat. Siç i thashë është një proces normal dhe të punojmë me reformat për Integrimin në BE. Për mua është impresionuese të shikoj shpejtësinë që kemi kaluar me reformat këto 2-3 vite. Jam e impresiunuar me ju z.kryeministër. Populli shqiptar e do integrimin në BE, dhe që thotë që këto reforma janë për ne, që të forcojmë demokracinë dhe të bëhet pjesë e BE. Kjo është e dukshme. Unë përmenda SEPA, përmenda roaming dhe planin e rritjes që po funksionon mjaft mire në Shqipëri. Do të kemi tani konferencën e investimeve. Prandaj unë mund të them që jam e impresionuar nga fryma që gjej në Shqipëri dhe në ambicien tuaj që deri në vitin 2027, Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së”, tha Von Der Leyen.

Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi se brenda 2027 do të mbyllin të gjithë grupkapitujt. Ai tha se vendi ynë është me fat që ndodhet mes të Evropës dhe ka mbështetjen e BE-së, pasi përndryshe do ta kishte të vështirë rrugën e saj drejt një shteti tërësisht demokratik.

 Në fillim kur thuhet 2027, do të thotë që brenda 2027, do të mbyllen kapitujt. Nuk e kuptoj pyetjen se çfarë pritshmërish ke? Pritshmëria është që brenda 2027 të mbyllen kapitujt dhe ne duhet të bëjmë të gjithë detyrat këtu dhe janë të mirëpërcaktuara kapitull për kapitull dhe plus edhe në planin e rritjes. Kështu që nëse sot ne marrim një vlerësim kaq pozitiv, vjen si rezultat i detyrave të bëra deri tani. Por që të vazhdojmë të marrim vlerësimin, duhet të vazhdojmë detyrat dhe detyrat nuk i bëjmë se sa e kërkon BE, as që të kënaqim ata që nesër do të na miratojnë anëtarësimin në Paris, Berlin apo se do thoja Londndër por Londra ka ik në drejtim të paditur…apo  në Romë. Ne i bëjmë detyrat për veten tonë. Çdo detyrë që bëhet këtu me sukses, e bën Shqipërinë më të fortë dhe më funksionale si shtet. Për ne procesi i negociatave, i hapjes dhe mbylljes së kapitujve është proces shtetbërje demokratike. Kur BE të thotë ne mbaruam tonë, dmth se Shqipëria merr një certifikatë që në bazë të opinionin të KE, jemi shtet funksional demokratik. Kjo është për shqiptarët, më pas ne mund të hyjmë në BE dhe vazhdon procesi i përmirësimit. Edhe gjermanët që janë mbajtur me dekada si më të përsosurin nuk janë aq të përsosur sa i dinim dhe tani e kuptojnë dhe vet. Për ne është fat që jemi në mes të Evropës dhe që kemi BE që na shoqëron në këtë proces. Nëse do ishim jashtë kontinentit do ta kishim të pamundur të bënim një shtet funksional demokratik për një mijë e një arsye”, tha Rama.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Karton i verdhë për shqiponjën?!

0

Nga Lutfi Dervishi

Rey Manaj shënoi mbrëmë golin që i hap rrugën Shqipërisë për pjesëmarrje në Botëror! Ishte momenti më i bukur i karrierës së tij dhe, ndoshta, i gjithë kombëtares shqiptare. Për atë emocion, ai tha se ishte i gatshëm të jepte 10 vite jetë.

Gëzimi i tij u shpreh natyrshëm: fluturoi duke formuar me duar shqiponjën dykrenare. Ky gjest, një simbol krenarie dhe kujtesë për origjinën, u fiksua në foto, në mendjen e shqiptarëve dhe, pak sekonda më pas, u ndëshkua me karton të verdhë.

Kur u pyet pas ndeshjes, Manaj nuk mbante mend as dënimin, as arsyen. Por arbitri nuk foli: rregullorja foli për të. Sipas UEFA-s dhe FIFA-s, çdo shenjë që mund të interpretohet si “mesazh politik ose provokues” është e ndaluar. Kështu, shqiponja dykrenare, e cila është në qendër të flamurit të Shqipërisë dhe në vetë fanellën e kombëtares, trajtohet sikur të jetë një simbol urrejtjeje. Këtu qëndron paradoksi: institucioni që e pranon shqiponjën në uniformë, e dënon po atë shenjë kur bëhet me duar.

UEFA dhe FIFA kanë qëllim të mirë për ta mbajtur futbollin larg politikës, por bëjnë një gabim thelbësor kur vënë shenjën e barazimit mes nacionalizmit përçarës dhe identitetit kulturor.
Çfarë përbën ky gjest që e bën atë të quhet “ekstremizëm”? Asgjë. Është një shenjë që s’bën thirrje as për luftë, as për urrejtje, por është thjesht një kujtesë për origjinën. Shqiptarët, kudo që ndodhen, e kanë bërë atë gjest në gëzim, në krenari, në art, në sport. Nga Rita Ora në Wembley, te Xhaka dhe Shaqiri në Rusi, e deri te çdo fëmijë shqiptar në diasporë që e mëson shqiponjën para alfabetit.

Nuk është gjest që bëhet vetëm kur luhet ndaj Serbisë!

Shqiponja dykrenare nuk është simbol lufte, por simbol bashkimi. Ajo ka lindur në flamurin e Skënderbeut, është flamur zyrtar i shtetit shqiptar, anëtar i OKB-së, valon në çdo ndeshje ndërkombëtare dhe, më e rëndësishmja, është pjesë e stemës së Federatës Shqiptare të Futbollit, e miratuar vetë nga UEFA dhe FIFA.

Penalizimi i një lojtari për një simbol që është i ligjshëm dhe përfaqësues zyrtar i shtetit të tij, është jo vetëm paradoks i hapur, por edhe padrejtësi e madhe. Është sikur të ndëshkosh një brazilian që vallëzon Samba pas golit, apo një japonez që përkulet nga respekti; ato janë shfaqje të natyrshme të identitetit kombëtar.
Federata Futbollit dhe diplomacia duhet të ndërhyjnë duke kërkuar një sqarim zyrtar nga UEFA dhe FIFA.

Nëse shqiponja është në flamur, në fanellë, dhe në identitetin e një kombi anëtar, si mund të quhet papritmas “e ndaluar” në duart e një futbollisti?

Nëse ajo përbën “rrezik politik”, atëherë duhet të ndalohen të gjitha flamujt, të gjitha himnet dhe të gjitha uniformat kombëtare, sepse secila prej tyre ka një histori, një ndjenjë dhe një kujtesë që dikush diku mund ta quajë “provokim”.
Një lojtar shqiptar që bën shqiponjën nuk po bën thirrje për ndasi, por po kujton kush është dhe po falënderon vendin që e rriti. Dhe nëse dikush ndjehet i provokuar nga një shqiponjë që fluturon, problemi nuk është te shqiponja.

Futbolli është lojë e emocioneve të pastra. Të ndëshkosh një emocion vetëm se vjen nga një komb i vogël, do të thotë t’i presësh krahët vetë sportit. Dhe për një popull që është mësuar të ngrihet gjithmonë nga hiri, asnjë karton i verdhë s’mund ta ndalojë shqiponjën të fluturojë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Pas vrasjes së Astrit Kalasë, KLGJ del me plan masash: Duam ndërtesa të reja dhe punonjës sigurie të trajnuar ose policë

0

Pas ngjarjes tragjike në Gjykatën e Apelit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi një mbledhje urgjente për përmirësimin e sigurisë në sistemin gjyqësor.  Në deklaratën e shpërndarë për mediat, KLGJ njofton ngritjen e një grupi pune dhe nisjen e një analize të thelluar për situatën ekzistuese në gjykata, si dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve, personelit dhe qytetarëve.

Po ashtu, KLGJ thotë se do të analizojnë kushtet ekzistuese të sigurisë në gjykata dhe më pas do të adresojnë ndryshimet ligjore dhe nënligjore për marrjen e masave për garantimin e sigurisë në gjykata për gjyqtarët, personelin gjyqësor dhe çdo përdorues të gjykatës.  Plani i hartuar nga KLGJ parashikon edhe miratimin e protokolleve dhe procedurave standarde të sigurisë për secilën gjykatë.

Plani i masave:

-Marrjen dhe analizimin e informacionit të detajuar, lidhur me masat e marra dhe kërkesat drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor nga secila gjykatë, nga Kryetari, Zëvendëskryetarët ose Këshillat e Gjykatës, gjatë viteve 2023, 2024, 2025, me objekt administrimin/menaxhimin e sigurisë në gjykatë;

-Marrjen e informacionit lidhur me kushtet ekzistuese të shërbimit dhe të infrastrukturës së sigurisë në gjykata, pajisjen me skanera, detektorë, kamera sigurie, pajisje të tjera sigurie, si dhe funksionimin e tyre, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, me qëllim standardizimin e procedurave dhe trajnimin e personelit për menaxhimin e situatave që lidhen me sigurinë;

-Pas analizimit të informacionit të marrë dhe identifikimit të problematikave dhe nevojave konkrete, ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune me qëllim:

i) adresimin e ndryshimeve ligjore dhe nënligjore për marrjen e masave për garantimin e sigurisë në gjykata për gjyqtarët, personelin gjyqësor dhe çdo përdorues të gjykatës;

ii) sigurimin e pranisë së punonjësve të sigurisë të trajnuar apo pjesë e Policisë së Shtetit;

iii) miratimin e protokolleve dhe procedurave standarde të sigurisë për secilën gjykatë;

-Ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune, me përfaqësues nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim hartimin e masave të përbashkëta për sigurinë në sistemin gjyqësor në tërësi;

-Përafrimin e kuadrit ligjor me praktikat më të mira ndërkombëtare, lidhur me sigurinë e gjyqtarëve, stafit mbështetës, si dhe përdoruesve të gjykatës;

-Duke mbajtur në vëmendje detyrimet ligjore dhe punën e nisur nga viti 2021 e në vijim, me qëllim sigurimin e një infrastrukture të përshtatshme për kushtet e punës dhe sigurisë në gjykata, në bashkërendim me këshillat e secilës gjykatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të marrë masa të menjëhershme lidhur me adresimin pranë pushtetit vendor dhe kërkimin e ndihmës për ndërtimin e 8 godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë në rrethet gjyqësore, si dhe ndërtimit të godinave të reja për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;

-Gjithashtu Këshilli, nxit gjykatat që të marrin masa për zbatimin e projekteve, në mënyrë që fondet e akorduara të realizohen brenda vitit buxhetor;

-Në kuadër të pavarësisë institucionale, në bashkërendim me Ministrinë e Drejtësisë, të kërkojë kalimin në pronësi të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të godinave ekzistuese të gjykatave dhe atyre që do të ndërtohen;

-Analizën e të dhënave nga raportimet periodike të gjykatave, me qëllim rritjen e performancës dhe përkushtimit profesional dhe moral të secilit magjistrat;

-Ngritjen e grupeve të punës me qëllim hartimin e propozimeve për ndryshime ligjore në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, të përbërë nga anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gjyqtarë nga të tre shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Lartë, Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Shkallëve të Para, si dhe staf drejtues administrativ pranë Këshillit;

-Bashkëpunimin me AKEP dhe AMA, me qëllim marrjen e masave për ndalimin e gjuhës së papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale, platformave online dhe media, informimin e këtyre institucioneve mbi situatën aktuale, si dhe duke kërkuar prej tyre marrjen e masave konkrete brenda kompetencave ligjore;

-Nisjen e procedurës për emërtimin e sallës së amfiteatrit në godinën “Poli i Drejtësisë” me emrin “Astrit Kalaja”, si dhe dërgimin e propozimit tek institucionet përkatëse, për dhënien e titullit “Dëshmor i Atdheut” gjyqtarit të rënë në krye të detyrës.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Skenari për Bashkinë e Tiranës: A do anullohen zgjedhjet dhe të emërohet Manastirliu kryetare e komanduar?!

0

Në fillim të nëntorit 2018, kur Ilir Meta si President refuzoi t’i dekretonte Sandër Lleshajn si ministër të Brendshëm, Edi Rama shpërndau një mesazh në grupin e deputetëve socialistë.

Mesazhi përmbante porosinë që të mos komentonin vendimin e Presidentit dhe këshillën ‘që politika është një lojë shahu’.

Niveli i Ramës në shahun si sport është i panjohur, por në shahun politik që prej 2013-s ai ka fituar betejat me opozitën dhe ka parandaluar lojërat e shahut brenda Partisë Socialiste, herë me hir, herë me pahir.

Tashmë në mandatin e katërt qeverisës me një ‘President normal’ siç e kërkoi kur përfundoi mandati i Ilir Metës dhe me opozitën që ka hallet e veta, Edi Rama e ka zhvendosur shahun politik me institucionet e pavarura.

Një nga këto institucione është Gjykata Kushtetuese. Fill pasi kjo e fundit njoftoi pezullimin e dekretit të Bajram Begajt që caktonte zgjedhje më 9 nëntor edhe në Tiranë, strukturave të Partisë Socialiste në kryeqytet iu shpërnda një mesazh ku u kërkohej që të vijonin me fushatën, se vendimi i pezullimit nuk prek zgjedhjet dhe se vendimi përfundimtar do të jepej më 31 tetor.

Por, mesazhi i shpërndarë për strukturat socialiste të kryeqytetit u përgënjeshtrua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, që tha se KQZ ka pezulluar përgatitjet për zgjedhjet në Tiranë dhe se edhe nëse Kushtetuesja të vendosë më 31 korrik për ankimimin e Erion Veliajt, infrastruktura për mbajtjen e zgjedhjeve më 9 nëntor nuk përgatitet dot.

Rrjedhimisht, më shumë se sa logjik dhe i mbështetur juridikisht, mesazhi i shpërndarë nga drejtuesit e partisë për socialistët e Tiranës të enjten është një formë presioni e tërthortë e Edi Ramës ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke i përcjellë asaj mesazhin që ‘’ne po vazhdojmë punën për zgjedhjet dhe presim vendim që lejon këto zgjedhje’’.

Mesazhi nga Kushtetuesja është marrë, problemi është se a do të ketë guximin kjo gjykatë që të cilësojë kushtetues një dekret presidencial që edhe studentët e vitit të parë të juridikut e kuptojnë që është antikushtetues?

Gjasat janë që jo, sepse Kushtetuta nuk lë shteg për interpretime kur thotë në nenin 115 të saj se, ‘nëse vendimi i Qeverisë për të shkarkuar një të zgjedhur vendor ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, ai vendim pezullohet’.

Pikërisht ky parashikim sugjeron se e vetmja vendimmarrje e gjykatës për pjesën e dekretit të Bajram Begajt është shfuqizimi i tij. Ky është hapi i parë i parashikueshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Hapi i dytë është marrja në shqyrtim e objektit të dytë të kërkesës së Erion Veliajt, që kundërshton në këtë gjykatë vendimin e shkarkimit nga Këshilli i Ministrave.

Shqyrtimi në themel i kësaj kërkesë mund të kërkojë javë dhe muaj kohë, që do të thotë se një vendim i mundshëm mund të dalë në rastin më të mirë në fund të janarit 2026.

Kjo do të thotë se edhe nëse Kushtetuesja do ta konsiderojë të ligjshëm shkarkimin e Veliajt, zgjedhjet e parakohshme do t’i japin kryebashkiakut të ri vetëm një vit pushtet në krye të Tiranës.

Kohëzgjatja e shkurtër dekurajon kandidatët për pjesëmarrje në këtë proces dhe mbi të gjitha do të ishte edhe shpenzim financiar dhe kohor me pak dobi për socialistët.

Këtu mund të hyjë në lojë plani B i Edi Ramës, plani që e emëron Ogerta Manastirliun pa zgjedhje në krye të bashkisë.

Në këtë skenar, Manastirliu emërohet fillimisht nënkryetare e Bashkisë së Tiranës dhe më pas votohet nga Këshilli Bashkiak i kryeqytetit, ku socialistët kanë shumicën e nevojshme, si kryetare e komanduar./VoxNews

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Profesor Pilinçi godet përsëri: Rama dhe Berisha dridhen si purteka kur më shohin mua

0

Profesor Pëllumb Pilinçi i ka dhënë fund spekulimeve se ai përdoret nga Edi Rama kundër Berishës dhe opozitës.

Në një video të fundit, profesori i famshëm, shprehet se Rama dhe Berisha dridhen përpara tij si purtek, se e kanë frikë. Gjithashtu, ai ka sqaruar se personi kyç i amerikanëve kur u hapën ambasadt në ’90 ka qenë pikërisht ai.

“Unë qenkam, më paska sjell Edi Rama. Edi Rama kur më sheh mua dridhet si purtek. Jo ai, Berisha, të gjithë, se i njoh, kam ardhur në ’90 për të shpëtuar kombin tim, që s’u vra njeri. Pse këta i hapën ambasadat? Jo, të dashur shqiptar. I hapi Amerika, unë kam qenë personi kryesor që s’u vra një njeri, se i bëmë me atë kusht.” – shprehet, veç të tjerash, profesor Pilinçi.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“O sot, o kurrë”, Shqipëria në Leskovac kërkon të RISHKRUAJË historinë ndaj Serbisë

0

Momenti i së vërtetës ka ardhur. Mbrëmjen e sotme të gjithë do të jemi “sy e veshë” nga Leskovac, aty ku Kombëtarja shqiptare do të luajë kundër Serbinë. Takim i vlefshëm për grupin K në kualifikueset e Kupës së Botës 2025.

Në orën 20:45 në fushë do të zbresin kuqezinjtë tanë që do të sfidojnë serbët. Një duel i cili për shkak të historisë do të jetë mjaft i “luftuar” dhe që do të dhurojë emocione të mëdha. Kjo sfidë është “jetike” për ekipin e Sylvinhos për të mbajtur gjallë shpresën për një kualifikim në Botëror.

Edhe pse rikthehemi të luajmë ndaj Serbisë në transfertë pas 11 vitesh, duket se “gjurmët” që ka lënë “droni” në 2014 në Beograd janë ende “të freskëta” te kundërshtarët.

E sigurisht që djemtë tanë do të synojnë të kthehen në atdhe me 3 pikët, ndërsa do të tentojnë t’i japin një tjetër “goditje” serbëve dhe të rishkruajnë sërish historinë në tokën e tyre. Kuqezinjtë prej ditësh kanë zhvilluar përgatitjet në “Shtëpinë e Futbollit”.

Ata kanë marrë kështu ngarkesën dhe direktivat e duhura për të përballuar këtë sfidë, ndërsa trajneri brazilian ka në kokë edhe 11-shen që do të luajë kundër serbëve. Formacioni i mundshëm:

Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj, Shehu, Asllani, Laçi, Broja, Bajrami, Manaj.

Trajner: Sylvinho.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx