Aktivistja demokrate Evi Kokalari ka komentuar në një postim në rrjetet sociale fitoren e Péter Magyar dhe humbjen e Viktor Urban në Hungari. Kokalari shprehet se ashtu si Magyar, vetëm ajo mund të fitojë kundër Sali Berishës sepse sipas saj e ka ekspozuar gjithmonë korrupsionin e tij.
Postimi i Kokalarit:
Magyar Péter, i cili mundi Viktor Orbán sot në Hungari, dikur ishte pjesë e partisë së tij—derisa u largua dhe filloi të ekspozojë korrupsionin e regjimit.
Sot, edhe pasi Viktor Orbán mori mbështetje publike nga Donald Trump, JD Vance, madje edhe nga Izraeli, ai pësoi një humbje masive.
E njëjta gjë me mua: iu ktheva Sali Berisha për korrupsion, pasi premtoi ndryshime radikale për Partinë Demokratike të Shqipërisë—por në vend të kësaj, shiti zgjedhjet lokale dhe e mbylli partinë hermetikisht.
Ju garantoj: vetëm unë mund të fitoj kundër Sali Berisha dhe Edi Rama. Nuk kam kursyer askënd kur bëhet fjalë për ekspozimin e korrupsionit—përfshirë edhe ata që dikur i kam pasur miq në SHBA dhe me të cilët ende po përballem.
Mesazhi për Sali Berishën është i qartë: as 10 milionë dollarë nuk do të blejnë mbështetje për të vazhduar mbajtjen peng të PD-së, opozitës dhe, si rrjedhojë, të ndryshimeve radikale në Shqipëri.
Nëse Viktor Orbán—me gjithë fuqinë dhe mbështetjen e tij—humbi, ti nuk ke as 1/10000 e peshës apo forcës së tij.
Gazeta zvicerane, Zuercher Zeitung, i ka kushtuar një artikull vendit tonë, duke e vënë theksin tek Ministrja ‘Diella’. Në artikull theksohet se, Ministrja e gjeneruar nga inteligjenca artificiale është përfshirë në vorbullën e një skandali korrupsioni.
Zuercher Zeitun e ka cilësuar Diellën si një sukses i mirë PR, ndërkohë që Rama synon ta çojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Gjatë artikullit, gazeta zvicerane shkruan se teksa Rama priste që Diella të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit, një nga kërkesat kryesore të Brukselit, ajo është zhytur vetë në korrupsion.
Zuercher Zeitun është ndalur më tej tek skandali i AKSHI-t, ku në dhejtor drejtoresha e agjencisë dhe zëvendësja e saj, pra krijueset e Diellës u vendosën në arrest shtëpie, pasi dyshohet se ishin pjesë e një organizate kriminale që manipulonte sistematikisht tenderët publikë.
Zuercher Zeitung thekson se skandali i AKSHI-t e ka dëmtuar rëndë besueshmërinë e Diellës, ndërkohë që së fundmi ka pasur kundërshtine edhe nga gruaja që i dha ‘zë dhe fytyrë Diellës’, ku aktorja shqiptare Anila Bisha e ka paditur qeverinë për përdorim të paautorizuar të imazhit të saj.
Diella nuk fle kurrë, nuk merr rrogë, nuk ka interesa personale dhe për këtë arsye është e pakorruptueshme. Kështu e prezantoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vjeshtë anëtaren e parë virtuale të kabinetit të tij.
Ministres së krijuar me inteligjencë artificiale, Rama i ngarkoi zyrtarisht përgjegjësinë për prokurimet publike. Detyra e saj është të krahasojë ofertat në tenderë publikë në mënyrë të pavarur përmes algoritmeve. Sipas tij, ajo do të ndihmojë që këto procese të jenë 100% pa korrupsion, një fushë ku abuzimi konsiderohet shumë i përhapur.
“Ajo është vajza ime dhe është shumë besnike ndaj babait të saj”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se chatbot-i nuk ka kushërinj, ndaj nuk rrezikon të bjerë në nepotizëm, një fenomen i zakonshëm. Me këtë emërim, Rama që është në pushtet prej 13 vitesh tërhoqi vëmendje ndërkombëtare: Diella (që në shqip do të thotë ‘diell’) është ministrja e parë virtuale në botë.
Megjithatë, ajo që duket si një sukses i mirë PR është pjesë e një plani më të madh. Rama synon ta çojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, dhe Diella pritet të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit – një nga kërkesat kryesore të Brukselit.
Por pas vetëm gjashtë muajsh në detyrë, duket se projekti ka hasur probleme: chatbot-i po përballet me krizë besueshmërie dhe madje edhe me një padi.
A fshihen mashtrues pas chatbot-it?
Sipas qeverisë në Tiranë, Diella “lindi” më 19 janar 2025 dhe u prezantua menjëherë si asistente virtuale e platformës shtetërore E-Albania. Në versionin e parë, ajo u përgjigjej pyetjeve të qytetarëve dhe i udhëzonte hap pas hapi në shërbimet online.
Disa muaj më vonë, Diella mori një avatar vizual që mund të fliste: një figurë femërore pa moshë, e veshur me kostum tradicional nga veriu i Shqipërisë, me një fytyrë “të qelqtë”, që ndihmonte qytetarët të orientoheshin në burokraci.
Pas Diellës qëndron Agjencia Kombëtare e Informacionit e Shqipërisë, AKSHI, e cila është përgjegjëse për transformimin digjital të vendit dhe i nënshtrohet drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama. Kjo agjenci e zhvilloi chatbot-in në bashkëpunim me Microsoft.
Megjithatë, në dhjetor, pikërisht drejtoresha e agjencisë dhe zëvendësja e saj – pra krijueset e Diellës – ranë në fokus të drejtësisë. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i vendosi ato në arrest shtëpie, duke ngritur akuza të rënda penale: dyshohet se ishin pjesë e një organizate kriminale që manipulonte sistematikisht tenderët publikë.
Sipas akuzës, ato u jepnin kontrata kompanive të afërta dhe, për të larguar konkurrencën, përdornin presion dhe kërcënime. Madje raportohet edhe për raste rrëmbimi. Mediat flasin për një dëm financiar prej 5 deri në 10 milionë eurosh të devijuar përmes këtyre skemave.
Kritika për mungesë transparence
Skandali i mashtrimit ka dëmtuar rëndë besueshmërinë e Diellës. Kritikët janë të një mendimi: ministrja virtuale është pjesë e sistemit problematik, jo zgjidhja e tij.
Që në fillim, kur Rama prezantoi këtë risi, opozita protestoi duke e quajtur iniciativën antikushtetuese dhe propagandistike. Edhe juristë dhe ekspertë ngritën shqetësime për mungesën e transparencës.
Nuk është e qartë:
-me çfarë të dhënash ushqehet inteligjenca artificiale,
-kush e programon dhe e mbikëqyr, dhe mbi çfarë kriteresh merr vendime.
Kodi i saj nuk është publik. Gjithashtu ka kritika për mungesën e statusit ligjor: askush nuk e di se kush mban përgjegjësi juridike dhe politike në rast vendimesh të gabuara apo të paligjshme. Kjo krijon rrezikun që politikanët apo zyrtarët të ia kalojnë fajin inteligjencës artificiale për rastet e korrupsionit.
Megjithatë, kryeministri nuk tërhiqet nga kritikat. Ai vazhdon ta mbështesë ministren virtuale. Në faqen zyrtare të qeverisë, Diella paraqitet si pjesë e kabinetit, njësoj si ministrat realë.
Madje, në fund të tetorit, Rama deklaroi: “Diella është shtatzënë me 83 fëmijë”. Këta “fëmijë” janë chatbot-e të reja që do të shërbejnë si asistentë për deputetët – do të marrin pjesë në mbledhje, do të mbajnë shënime dhe do t’u japin këshilla.
Aktorja padit qeverinë
Kundërshtim ndaj projektit ka ardhur edhe nga gruaja që i dha zë dhe fytyrë Diellës. Aktorja shqiptare Anila Bisha ka paditur qeverinë për përdorim të paautorizuar të imazhit të saj.
Sipas Bishës, materiali audio dhe video që ajo kishte regjistruar ishte menduar vetëm për chatbot-in e E-Albania dhe për një pagesë të ulët. Kontrata skadoi në fund të vitit 2025 dhe ajo pretendon se nuk ka dhënë kurrë pëlqimin që të bëhej fytyra e ministres virtuale.
Ajo iu drejtua gjykatës pasi qeveria nuk pranoi kërkesat e saj për një kontratë të re. Bisha kërkon ndalimin e përdorimit të imazhit të saj deri në përfundimin e çështjes. Deri tani, nuk është ndërmarrë asnjë veprim.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e qeverisë e ka cilësuar padinë, në një deklaratë për Politico, si absurde.
Një 47-vjeçar ka humbur jetën gjatë tentativës për të vjedhur një banesë në lagjen 8 shkurti në qytetin e Fierit. Në banesën që tentoi të grabisë nuk kishte asnjë person, pasi pronari Uan Hile ndodhej jashtë në Greqi për të festuar pashkët tek fëmijët.
Grabitësi, Ilir Zarka 47 vjeç, fillimisht ka thyer xhamin e derës së tualetit, por më pas ka tentuar të futet brenda në banesë.
Ai ka thyer xhamin e derës kryesore dhe ka tentuar ta hapë atë, duke u futur me një pjesë të trupit.
Nuk dihet se në çfarë rrethanash, por grabitësi është gjetur i ngecur në derë. Ka qenë një komshi që kujdesej për banesën, që e ka gjetur hajdutin të pajetë dhe ka lajmëruar policinë.
“Vëllai ka ikur ka një muaj në Greqi tek fëmijët. Para dy ditësh isha këtu, kontrollova nuk kishte gjë. Kalon një komshi që vjen çdo ditë për të ushqyer qenin. Kishte gjetur një person këtu në dritare, me vrap kishte lajmëruar policinë, lajmëroi edhe vëllanë. Erdha këtu, policia bëri verifikimet. Fillimisht kishte thyer xhamin aty, s’kishte gjeturi gjë, ka ardhur te dritarja e shtëpisë, ka tentuar të futet aty, ka ngecur gjysmë trupi, as nuk dilte asgjë. Në mëngjes, komshiu erdhi dhe e gjeti të vdekur”, tregon, vëllai i pronarit të banesës.
Trupi i pajetë u të riut është dërguar në morgun e Spitalit të Fierit dhe do të t’i nënshtrohet një autopsi për shkaqet e vdekjes.
Sipas policisë, hajduti është identifikuar si shtetasi me iniciale, I.Z 47-vjeç, i cili është gjetur pa shenja jete në dritaren e banesës.
Nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se ai ka ndërruar jetë nga asfiksia, gjatë tentativës për t’u futur në banesë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në Facebook, theksoi se protesta e 17 prillit do të jetë paqësore dhe se opozita nuk synon marrjen e pushtetit me dhunë. Ai akuzoi qeverinë për aferën e portit të Durrësit dhe për gjendjen e rënduar në sistemin shëndetësor, ndërsa vlerësoi edhe figurën e Eliot Engel pas ndarjes nga jeta.
“Ne do të bëjmë gjithçka për largimin e tij dhe PD nuk përmbush misionin e saj, nëse nuk largon Edi Ramën që shqiptarët të jetojnë të lirë”.
Kjo ishte një nga përgjigjet që kreu demokrat Sali Berisha dha gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit e tij në rrjetin social Facebook. Kreu demokrat e bëri të qartë se protesta e thirrur më 17 prill do të jetë paqësore, ndonëse qytetarët kanë shprehur edhe preferenca për skenarë të tjerë.
“Ne në asnjë rrethanë, dhe asnjëherë që nga themelimi gjer sot, nuk kemi synuar dhe nuk synojmë të marrim pushtet me dhunë. Kjo është alternativa jonë dhe ne i qëndrojmë besnik kësaj alternative. Unë jam dakord që shumë nga protestuesit do të donin skenarë të tjera, por jam i sigurtë se ky skenar paqësor, është më i miri, i cili do të na çojë drejt realizimit të qëllimit tonë.”
Përpos denoncimit për aferën e portit të Durrësit, siç e cilëson ai, Berisha u ndal edhe te sistemi shëndetësor, për të cilin tha se është sektori më i shkatërruar nga qeveria Rama, duke shtuar se nuk sigurohen as analizat bazë për qytetarët.
Pas mbajtjes së një minute heshtje, Berisha u ndal të vlerësonte figurën e Eliot Engel, pas ndarjes së tij nga jeta. “Në jetën time politike nuk kam njohur kurrë një njeri që të ketë bërë më shumë për kombin tonë me aq dashuri dhe pasion çfarë kishte mundësi, se sa Eliot Engel!”
Ndërsa Belinda Balluku ka hyrë në muajin e gjashtë të statusit të saj si e pandehur nga SPAK, Edi Rama përpiqet ta ruajë sa është e mundur pozicionin e saj në radhët e socialstëve si një figurë qendrore që ka ende mbështetjen e tij të pakursyer.
Në fundjavë ishin bashkë në takim me socialistët e Fierit dhe të Lushnjes dhe Rama e ka ulur pranë vetes Ballukun, në një përpjekje për ta normalizuar pushtetin e saj, megjithëse ajo është marrë e pandehur, megjithëse SPAK kërkoi ta arrestojë, gjykata i ka bllokuar pasaportën për të mos e lënë të dalë jashtë vendit dhe në media kanë dalë mesazhe kompromentuese për mënyrën se ku ka degraduar sistemi i prokurorimeve me qeverinë e tij.
Teatri në takimet e Ramës është i pashmangshëm: një kryeministër që flet për luftë kundër korrupsionit dhe integrim europian, ndërkohë që në praktikë ka ndërmarrë një seri veprimesh bllokuese për të mbrojtur një prej figurave më të rëndësishme të kabinetit të tij.
Dhe duke e mbrotjur atë nga arrestimi, Rama është detyruar të sakrifikojë disa nga narrativat themelore mbi të cilat ka ndërtuar pushtetin e tij për më shumë se një dekadë.
1) Rënia e maskës së gardianit të reformës në drejtësi
Për më shumë se 10 vite, Edi Rama e pozicionoi Partinë Socialiste si promotoren më të zellshme të reformës në drejtësi, një reformë që ai, në bashkëpunim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, e shiti si projekt historik për shtetin shqiptar.
Madje, në fillimet e punës për reformën, Rama deklaronte se ishte gati t’i votonte ligjet “pa i lexuar fare propozimet e ekspertëve ‘të pavarur’”, një mënyrë për të treguar angazhim të plotë politik ndaj reformës. Edhe kur drejtësia nisi të godiste brenda radhëve të Partisë Socialiste, me arrestime kryebashkiakësh, deputetësh apo ministrash, Rama shprehej se e dinte shumë mirë çfarë kishte bërë dhe i inkurajonte prokurorët “t’i nxirrnin ujët e zi” korrupsionit.
Në kulmin e këtij diskursi, duke parë se liderët e opozitës po arrestoheshin, Rama nuk i përfilli disa “ushtarë socialistë” që ranë në rrjetën e SPAK dhe shprehej kategorik: “S’ka shans që ne ta cënojmë këtë reformë, është për 100 vitet e ardhshme”, duke e cilësuar atë si “kontributi më i madh i PS i këtij shekulli për Shqipërinë”.
Madje në fushatën për zgjedhjet e 11 Majit 2025, Rama mburrej në mitingje se Partia Socialiste ishte “macja më e mirë për të kapur minj”, sepse arrinte të kapte edhe “minjtë e saj”. Deri në asamblenë socialiste të shtatorit 2025, ky qëndrim ishte i padiskutueshëm në Partinë Socialiste.
Deri kur prokurorët e SPAK prekën një nga pikat më të ndjeshme të qeverisë, korrupsionin me tenderat e rrugëve dhe konkretisht Belinda Ballukun. Nga ai moment Rama nisi një fushatë sulmesh ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që pezulluan nga detyra Belinda Ballukun. Ai e quajti vendimin e tyre, një “precedent unik dhe të rrezikshëm” ai e cilësoi pezullimin “absurd në vetvete”, me pretendimin se po minonin në mënyrë efektive ndarjen e pushteteve në vend. Rama akuzoi gjykatësit se kishin bllokuar punët e qeverisë me vendimin e tyre duke paralajmëruar ndryshimin e Kodit Penal për të mbrojtur ministrat nga pezullimi.
Më 12 mars, pas një fushate të hapur sulmesh ndaj sistemit të drejtësisë, Rama i tha JO arrestimit të Belinda Ballukut, pavarësisht se SPAK pretendonte se ajo kishte kërcënuar dëshmitarët e çështjes.
Me votimin me 82 vota të socialistëve në parlament, u rrëzua përfundimisht gjithë narrativa e ndërtuar për një dekadë; për një drejtësi të pavarur që nuk prekej nga politika.
2) Krisja e aleancës me Brukselin dhe kostoja në procesin e integrimit
Vendimi për të mbojtur Ballukun nga arrestimi në 12 Mars ka sjellë pasoja në një moment kritik për procesin e integrimit europian.
Në kohën kur Shqipëria priste avancimin në testin IBAR në fillim të prillit, reagimet nga kancelaritë perëndimore ishin plot dyshime. Sipas raportimit të Lapsi.al, 9 vende kërkuan më shumë informacion dhe diskutime, pasi nuk ishin plotësisht të bindura për zbatimin e ligjeve dhe reformave që Shqipëria kishte hartuar tashmë në letër.
Sot, Rama flet për spekulime mediatike. Ai shprehet me ironi se “u mbush e gjithë hapësira e tenxhereve me një vorbull të madhe “u bllokuan negociatat”, “u penguan”, “u ndaluan” “mbaroi kjo punë”, “e humbëm trenin për në Europë ” e humbëm shansin, e dogjëm”. Një gënjeshtër me 7 bishta, as është penguar, as është bllokuar as është ndaluar asgjë. E vërteta është se në po ecim sipas planit. Kemi një plan të dakortësuar me Komisionin Europian”.
Megjithatë askush nuk mund të thotë se kur do të avancojë Shqipëria me testin IBAR, që është një vlerësim për funksionimin real të reformave, për drejtësinë e pavarur, për pushtetin gjyqësor, për të drejtat e njeriut, për shtetin e së drejtës etj etj.
Nëse kthehemi pas në 12 Mars, pak pas votimit në parlament kur u rrëzua kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, disa ambasada të vendeve të Bashkimit Europian reaguan ashpër për pengimin që iu bë hetimit të SPAK.
Ambasada gjermane deklaroi se kishte pritur që ndjekja penale ndaj Ballukut të kryhej “shpejt dhe pa pengesa”, duke nënvizuar se “Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë”.
Në të njëjtën linjë, ambasada e Holandës theksoi se “një kërkesë kyçe për progres në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja penale efektive e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta”, duke shtuar: “Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë të jetë në gjendje të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa”.
Si Gjermania, ashtu edhe Holanda ishin në mesin e vendeve skeptike në diskutimet e fundit për plotësimin e kushteve nga Shqipëria për integrimin.
Rama, që sot mohon përplasjet me disa nga vendet e BE, atëherë iu përgjigj flakë për flakë ndërhyrjeve nga jashtë. Ai deklaroi se “Dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike” dhe se SPAK nuk kishte “karta bianka” për të arrestuar politikanët dhe se parlamenti shqiptar bëri atë “që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës”.
Kjo ishte hera e parë në një dekadë që Rama hynte në një përplasje të drejtpërdrejtë me ambasadat perëndimore për reformën në drejtësi, pikërisht në momentin kur procesi i integrimit kërkonte prova konkrete funksionimi.
3) Cënimi i funksioneve si kryeministër
Vendimi për t’i dalë në mbrojtje Belinda Ballukut krijoi edhe një efekt të drejtpërdrejtë institucional mbi vetë Edi Ramën. Këtu është e rëndësishme të ndjekim datat e zhvillimeve në procesin penal.
Belinda Balluku u mor e pandehur më 31 tetor. Për 20 ditë, Rama refuzoi ta shkarkojë, duke e bërë të qartë se ishte i gatshëm të mbante në detyrë një zv.kryeministre të pandehur. Por këto ditë, kur ai refuzoi të respektojë një standart politik europian, do t’i kushtonin më shtrenjtë.
Më 20 nëntor, GJKKO mori një vendim plot pikëpyetje, kur vendosi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e zv.kryeministres dhe sekuestrimin e pasaportës së saj. Ky vendim që ndërhynte haptas në kompetencat e kryeministrit krijoi një precedent për vetë strukturën e pushtetit ekzekutiv.
Në të njëjtën mënyrë, një vendim i ngjashëm mund të prekë sot edhe vetë kryeministrin. Ankesa në Gjykatën Kushtetuese nuk e ndryshoi situatën, pasi më 6 shkurt vendimi u la në fuqi.
Praktikisht, sot mjafton që një prokuror i SPAK dhe një gjyqtar i GJKKO të veprojnë bashkë për të pezulluar edhe kryeministrin në detyrë. Një situatë jonormale në leximin politik të funksionimit të pushtetit, të cilën ende sot Edi Rama nuk e ka zhbërë dot. Ai përgatiti ndryshimet e një neni në Kodin Penal, por nuk e çoi për miratim në parlament.
E gjitha kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Rama do ta kishte shkarkuar menjëherë Ballukun apo nëse do ta shmangte atë paraprakisht nga qeveria, siç ka bërë në raste të tjera. Por zgjedhja për ta mbrojtur deri në fund prodhoi një efekt zinxhir që sot e dobëson politikisht dhe juridikisht.
Nëse bëjmë një bilanc del se për të mbrojtur Belinda Ballukun, Edi Rama sakrifikoi tri shtylla të rëndësishme të pushtetit të tij, narrativën e reformës në drejtësi, marrëdhëniet me partnerët e Bashkimit Europian dhe vetë stabilitetin e tij institucional. Mbetet për t’u parë nëse do t’ia dalë t’i riparojë këto shembje që ka pësuar. Përndryshe mund të duket sikur sot është fitimtar me Belinda Ballukun në krah, por në thelb del gjithnjë e më i rrënuar./ Lapsi.al/
Pas 16 vitesh në pushtet, epoka e kryeministrit hungarez Viktor Orbán ka marrë fund, pasi rivali i tij Péter Magyar ka siguruar një fitore bindëse në zgjedhjet e djeshme.
Rezultatet paraprake, me mbi 98% të votave të numëruara, tregojnë se partia Tisza është në rrugën e duhur për të fituar rreth 138 vende në parlamentin me 199 ulëse, duke siguruar shumicën e nevojshme për ndryshime kushtetuese. Ndërkohë, partia Fidesz e Orbánit pritet të marrë rreth 55 mandate.
“Ne ia dolëm… së bashku përmbysëm regjimin”, deklaroi Magyar para mijëra mbështetësve të mbledhur në Budapest.
Fitorja e tij pritet të sjellë një kthesë të fortë në politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit. Magyar ka premtuar të zhbëjë reformat e epokës së Orbánit, të luftojë korrupsionin dhe të rikthejë pavarësinë e gjyqësorit, si dhe të çmontojë sistemin e patronazhit të njohur si ‘NER’.
Në arenën ndërkombëtare, ndryshimi i pushtetit pritet të ndikojë edhe në raportet me Bashkimin Evropian dhe Ukrainën. Orbán kishte ndërtuar marrëdhënie të afërta me Donald Trump dhe Vladimir Putin, duke u përplasur shpesh me Brukselin
Nga ana tjetër, Magyar ka premtuar afrimin e Hungarisë me BE-në dhe distancimin nga Rusia. Ai synon gjithashtu të zhbllokojë miliarda euro fonde të ngrira nga Komisioni Evropian për shkak të shqetësimeve mbi korrupsionin dhe shtetin e së drejtës.
Pjesëmarrja në votime arriti një rekord prej 79.5%, ndërsa fitorja e Tiszës u shoqërua me festime të mëdha në rrugët e Budapestit.
Ndërkohë, Orbán pranoi humbjen duke e cilësuar rezultatin “të qartë dhe të dhimbshëm”, por nuk ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë së tij. Ai pritet të qëndrojë përkohësisht në detyrë deri në krijimin e qeverisë së re.
Zgjedhjet e së dielës shënojnë një moment historik për Hungarinë, duke i dhënë fund një epoke të gjatë politike dhe duke hapur një kapitull të ri për vendin.
Deputetët e Partisë Demokratike të përjashtuar nga Komisioni i Etikës në Parlament i janë drejtuar gjykatës administrative, prej së cilës kërkojnë shfuqizimin e vendimit që i përjashtoi për dy muaj nga punimet e Kuvendit.
Si paditës rezultojnë deputetët Albana Vokshi, Flamur Noka, Elda Hoti, Fidel Kreka dhe Klevis Balliu, të përjashtuar më herët nga punimet e Kuvendit për një afat prej gati dy muajsh.
Disa herë deputetët e PD-së janë përjashtuar gjatë punimeve të parlamentit të kësaj legjislature për flakadanë, prishje të seancës dhe përplasje me oficerët e Gardës dhe hedhje të sendeve në drejtim të kryetarit të Kuvendit. Kjo është hera e parë që, pas ndëshkimit administrativ nga Kuvendi, deputetët i drejtohen gjykatës.
Politologu Adri Nurellari, në një intervistë për podkastin (PËR)SHTJELLIM të profesorit Ilir Kalemaj, u shpreh se Edi Rama është një nga prestigjatorët më të mëdhenj në botë.
Nurellari ka folur për sulmet e “Homeland Justice” ndaj institucioneve shqiptare. Rama mburret me Inteligjencën Artificiale dhe se serverat e institucioneve janë të sigurta, por në fakt hakerët iranianë, shprehet Nurellari, hyjnë e dalin në të dhënat tona.
Më tej, Nurellari bëri një deklaratë të fortë ku u shpreh se Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta, që nga viti 1991 edhe biznesmenët i ndajnë bashkë.
“Të njëjtet njerëz kontrollojnë gjithçka. Ja kemi varur ujkut mëlcitë në qafë”, thekson ai.
Ai shton se: “Elitat udhëhoqën tranzicionin por nuk i çuan reformat deri në fund”.
Më tej, Nurellai ka folur edhe për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare.
“730 mijë pensionistë dhe vetëm 750 mijë paguajnë sigurime. Skemë e dështuar, ekononi e paformalizuar. Me këtë skemë, Shqipëria nuk mbijeton gjatë.
Aziatikët po na zënë vendet e punës.
Kriza e naftës, bashkë me krizen e imobiliarëve, krizën e turizmit dhe krizën buxhetore rrezikojnë ta fundosin ekonominë”- thekson Nurellari.
Bordi i Transparencës në datë 11Prill 2026, në mbledhjen e radhës, ka caktuar çmimet e reja të karburanteve. Duke nisur nga sot në orën 16:00, nafta do të shitet me 209 lekë, një ulje me 8 lekë. Ndërkohë, benzina do të shitet me 175 lekë/litri.
Njoftimi:
Bordi i Transparencës në datë 11Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 209 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 197 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 175 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 163 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 11 ora 16.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joani, ka përcjellë urimet për Pashkët Ortodokse, duke dhënë mesazhin për paqe në një botë të trazuar.
Në mesazhin e tij, kryepeshkopi Joan bën thirrje për angazhim të secilit si paqebërës në shoqëri ndërsa thekson se zgjidhja nuk është hakmarrja, por falja dhe dashuria.
Mesazhi i plotë
PAQJA E KRISHTIT TË NGJALLUR NË NJË BOTË TË TRAZUAR
I
Le të ndalemi në fjalët e para që tha Krishti i Ngjallur kur u shfaq para nxënësve të Tij. Ai nuk u tha atyre “fitore”, as “lavdi” dhe as “pushtet”, por u tha: “Paqe në ju” (Jn. 20:19). Hyri në dhomën ku ata ishin mbyllur nga frika dhe u dhuroi atë që bota nuk mund ta japë kurrë: paqen që nuk varet nga kushtet, nga ekuilibrat gjeopolitikë, nga marrëveshjet njerëzore, por paqen e Perëndisë që kapërcen çdo mendje (Fil. 4:7), një paqe e thellë shpirtërore, e cila vjen fillimisht nga pajtimi i njeriut me Zotin dhe pastaj shtrihet me të gjithë njerëzit.
Sot bota është e trazuar. Luftëra të përgjakshme vazhdojnë të shkaktojnë vdekje dhe vuajtje. Frika e së nesërmes mbulon popuj të tërë. Pasiguria troket kudo. Në mes të kësaj stuhie, Krishti i Ngjallur përsërit: “Paqe në ju”. Ky nuk është thjesht një urim mirësjelljeje shoqërore, por është një realitet ontologjik. Vdekja u mund. Dhe, nëse u mund vdekja, atëherë çfarë mund të na trazojë më? Paqja e Krishtit nuk është mungesa e problemeve; është prania e Perëndisë brenda problemeve. Mbi Kryqin e Golgothasë, Krishti u përball me të gjitha pasionet e njerëzimit. Lakmia e parave e tradhtoi nëpërmjet Judës. Smira e dorëzoi te Pilati. Pushteti i trembur dhe i korruptuar e dënoi. Krenaria e talli. Urrejtja e gozhdoi në Kryq. Të gjitha pasionet shpërthyen mbi Të me tërbim, sikur bota të donte ta vriste vetë Perëndinë.
E megjithatë, në Kryq, pikërisht atje ku ligësia mendoi se triumfoi, Krishti nuk kërkoi hakmarrje. Ai thirri: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Llk. 23:34). Me këto fjalë nuk mundi thjesht vdekjen. Mundi rrethin vicioz të ligësisë. Mundi logjikën e hakmarrjes që ushqen çdo luftë, çdo urrejtje, çdo përplasje të errët në histori. Ngjallja dëshmon se dashuria është më e fortë se vdekja; se falja e shkatërron të keqen, ndërsa hakmarrja e shumëfishon atë. Krishti i Ngjallur nuk erdhi të ndëshkojë kryqëzuesit e Tij. Erdhi t’i shpëtojë e t’i paqtojë. Dhe kjo është fitorja më e madhe në histori.
II
Në kohën që po jetojmë po përballemi me një formë të re vdekjeje: mpirjen e indiferencës; ngurtësimin e zemrës; tharjen shpirtërore të një shoqërie që e harroi Perëndinë, jo sepse iu ndalua, por sepse zgjodhi ta injorojë Atë. Përplasja e bindjeve të padukshme vazhdon të shkatërrojë jetë të dukshme. “Çfarë i vlen njeriut të fitojë gjithë botën – na thotë Krishti – nëse humb shpirtin e tij?” (Mt. 16:26). Këto fjalë janë më aktuale se kurrë. Jetojmë në një epokë ku njeriu ndjek pa pushim të mirat materiale, sigurinë, statusin shoqëror, dhe megjithatë ndihet më i zbrazur, më i vetmuar, i paplotësuar, më i shqetësuar se kurrë.
Ndërsa Ngjallja na zbulon një të vërtetë të madhe: kush ka Krishtin në zemrën e tij, nuk i mungon asgjë. Dhe jo vetëm shpirtërisht. Zoti që u kujdes të ushqejë pesë mijë vetë me pesë bukë, Zoti që e shndërroi ujin në verë, Zoti që tha “kërkoni më parë Mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t’ju shtohen” (Mt. 6:33), ky Zot nuk i lë fëmijët e Tij pa gjërat e nevojshme. Ai kujdeset edhe për trupin, edhe për shpirtin; jep edhe bukë, edhe paqe. Plotësia nuk gjendet në grumbullimin e pasurive, por në lidhjen me Krijuesin. Vetëm tek ai ne mund të gjejmë paqe, sepse vetëm ai është paqja jonë (Efes. 2:14).
Ne e dimë çfarë do të thotë Ngjallje. Jo vetëm teorikisht, por nga përvoja e jetuar. Kisha jonë Orthodhokse kaloi Golgothanë e saj. Për dekada me radhë u përpoqën të asgjësonin çdo gjurmë besimi. Kishat u shkatërruan, klerikë u martirizuan, fjala “Perëndi” u ndalua. Kisha dukej e vdekur, e varrosur në një varr të vulosur. E megjithatë, ajo u ngjall. Guri u rrokullis. Besimi lulëzoi përsëri nga rrënojat. Kishat u rindërtuan. Komunitetet u rikrijuan. Kjo nuk ishte arritje njerëzore, ishte fuqia e Krishtit të Ngjallur që vepron brenda historisë.
III
Kisha bën thirrje përsëri për Ngjallje – këtë herë për Ngjalljen e çdo shpirti. Krishti i Ngjallur qëndron sot përpara nesh, siç qëndroi përpara Thomait, dhe na tregon plagët e Tij. Nuk i fsheh. Nuk i heq. I mban përgjithmonë mbi vete, si dëshmi e përjetshme dashurie. Këto plagë thonë: “Kaq shumë të desha, saqë pranova dhimbjen më të rëndë për ty”. Çdo person, çdo shpirt, është aq unik, aq i papërsëritshëm, saqë Perëndia do të vinte edhe sikur të ishte vetëm për një njeri.
Të dashur vëllezër dhe motra! Në këtë botë të trazuar na mjafton vetëm një siguri: Krishti u ngjall dhe jeton. Dhe nëse jeton Krishti, jetojmë edhe ne. Dhe nëse jetojmë në Krishtin, atëherë as vdekja, as ligësia, as varfëria, as përndjekja nuk mund të na ndajë nga dashuria dhe nga paqja e Tij. Dita e Ngjalljes së Zotit tonë Jisu Krisht – shkruan shën Joan Gojarti – është themeli i paqes. Sepse nga Ngjallja e Krishtit vjen Paqja e Perëndisë. Ngjallja dhe Paqja e Perëndisë nuk është një dogmë abstrakte, por një thirrje personale.
Le t’i përgjigjemi, pra, thirrjes: “Paqe në ju” me të gjithë jetën tonë. Le të bëhemi ne vetë paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja, nga lakmia dhe egoizmi. Por, që të bëhemi paqebërës, fillimisht duhet të kemi paqe brenda nesh. Bëni paqe në zemrën tuaj – thotë shën Serafimi i Sarovit – dhe mijëra njerëz rreth jush do të shpëtohen. Sepse nuk ka paqe aty ku është e keqja, por vetëm aty ku është i pranishëm Perëndia. Le ta gjejmë këtë paqe të Perëndisë në zemrat tona dhe pastaj ta përhapim atë kudo, sëbashku me lajmin e gëzuar se Krishti u Ngjall dhe i dhuroi botës jetën dhe paqen e përjetshme.
Me dashuri në Zotin e Ngjallur,
+ Joani
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë