Ballina Blog Faqe 85

Biseda e pazbuluar me Bashën për djegien e mandateve, Bylykbashi tregon ‘pengun’ nga mbledhja e PD-së

0

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka zbuluar një episod nga janari i vitit 2019, në lidhje me vendimin për djegien e mandateve nga opozita, duke rrëfyer një “peng” që, sipas tij, e mban ende sot.

Bylykbashi tregoi në studion e QUO VADIS, se i kishte kundërshtuar hapur kryetarit të atëhershëm të PD-së, Lulzim Basha, vendimin për djegien e mandateve parlamentare.

Sipas tij, mekanizmi ligjor ishte parashikuar më herët pikërisht për të shmangur efektin e djegies së mandateve. Ai theksoi se kishte qenë bashkautor i një neni që garantonte zëvendësimin automatik të deputetëve që largoheshin nga lista.

Bylykbashi shtoi se neni ishte hartuar fillimisht për të parandaluar një skenar të mundshëm nga mazhoranca e asaj kohe, por rezultoi se funksionoi edhe kur opozita vendosi të dorëhiqej nga mandatet.

Ai rrëfeu gjithashtu se “pengu” i tij lidhet me faktin që, edhe pse e kishte paralajmëruar më herët Bashën për pasojat, nuk e përsëriti të njëjtin qëndrim në mbledhjen e grupit parlamentar një ditë pasi vendimi u bë publik.

“Kam një peng të vetëm deri më sot. Pasi i kisha thënë kryetarit të partisë në janar të vitit 2019, Lulzim Bashës, kur ai tha se do të digjte mandatet. I thashë Jo, nuk do t’i djegësh, sepse parlamenti do të mbushet’. Siç edhe ndodhi, ky është një nen që e kam shkruar unë dhe dy kolegë të mi të respektuar; e kemi shkruar posaçërisht kundër djegies së mandateve nga Partia Socialiste. Pra, e dinim me saktësi matematikore që mekanizmi do të funksiononte. E kishim bërë qëllimisht në atë mënyrë që, kur dikush largohej, pjesa e dytë e listës do ta plotësonte vendin në një masë të mjaftueshme, që efekti i djegies së mandateve të zhbëhej. E bëmë për Partinë Socialiste, sepse ata rrezikonin vazhdimisht dhe thoshin ‘ne do të djegim mandatet’. Sistemi qëndroi dhe funksionoi, atëherë ishte e qartë se do të funksiononte edhe me ne.

Pengu im është se, kur zhvilluam mbledhjen një ditë pasi Basha e deklaroi këtë publikisht, unë nuk e thashë më para kolegëve të tjerë. Edhe pse të gjithë e dinin, unë nuk e përsërita në atë mbledhje. Prandaj, këto lloj qëndrimesh unë do t’i mbroj gjithmonë me force”, tha Bylykbashi në QUO VADIS.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Nga miq në armiq/ Zbardhet konflikti mes Jani Aliajt dhe Elton Çiços

0

Historia e Jani Aliaj e lidhur me krimin dhe burgjet është e lidhur pashmangshmërisht me njëra-tjetrën, pasi e mbylli jetën e tij pikërisht aty ku nisi edhe përplasjet e para të mëdha në botën e krimit.

Ashtu siç ishte edhe përplasja që kishte krijuar fillimisht në një burg në Athinë me Elton Çiçon të cilin vite më pas do ta qëllonte për vdekje në një lokal në zonën e ish-bllokut në Tiranë.

Konflikt midis të dyve që kishte nisur gjatë kohës që ata po vuanin dënimin në të njëjtin burg në Athinë. Emisioni “Në Shënjestër” në Neës24, me autore Klodiana Lalën, duke iu referuar dosjes hetimore për vrasjen e Jani Aliajt, solli përmes një dokumentari historinë e 49-vjeçarit dhe konfliktin e tij me Elton Çiçon.

Nga të dhënat hetimore rezulton se viktima Elton Çiço dhe autori Jani Aliaj  kanë pasur midis tyre një konflikt të mëparshëm, ku ky i fundit ishte shprehur vazhdimisht se do ta vriste atë me çdo kusht.

Ky konflikt midis tyre ka filluar gjatë kohës që si viktima ashtu dhe autori kanë qenë duke vuajtur dënimin për vepra të ndryshme penale në një burg në Athinë. Ku gjatë kohës së qëndrimit në Greqi, Jani Aliaj ka qëlluar me mjet prerës, të tipit thikë, djalin e shtetasit Sh. B, me banim në një fshat të Tepelenës, i cili më pas si pasojë e këtyre goditjeve ka ndërruar jetë.

Do të ishte pikërisht kjo ngjarje e cila do të ishte prelud edhe i përplasjes gjakësore midis Elton Çiços dhe Jani Aliaj.

Të cilët fillimisht zgjodhën të lanin hesapet me njëri-tjetrin në burg, duke përdorur thikat.

Përleshje e cila përfundoi me plagosjen e rëndë të Elton Çiços.

Që nga ana e tij nuk ia fali kurrë Jani Aliajt, plagët që i shkaktoi.

Gjate kohës që Jani Aliaj po vuante dënimin me burgim për vrasjen që kishte kryer ai u përplas dhe qëlloi me thikë Elton Çiçon, duke e lënë të plagosur rëndë. Kjo pasi ky i fundit po nga një fshat i Tepelenës kishte planifikuar të kryente vrasjen e Jani Aliaj, në shenjë hakmarrje për vrasjen e djalit të Sh.B.

Por mesa duket thika ajo që i mori edhe jetën më vonë në burg, ishte arma më e preferuar e Jani Aliajt, në fillimet e karrierës së tij kriminale.

Pasi me të plagosur rëndë Elton Çiçon, ai bëhet protagonist edhe i një tjetër sulmi në burg.

Këtë herë duke goditur me thikë A.B, që ishte lidhje e ngushtë shoqërore e Elton Çiços.

Po gjatë kësaj periudhe kohore, ndërsa Jani Aliaj po vuante dënimin në këtë burg, ai godet me sende të forta, A. B, bashkëatdhetarin e tij nga Berati, por që ishte nip në Memaliaj, ku rrinte me periudha të gjata kohore. A. B që ishte lidhje e ngushtë shoqërore e Elton Çiços.

Por me t’u arratisur nga burgu në Greqi, Jani Aliaj, që zgjedh të fshihet në Shqipëri, nuk i harron mëritë e vjetra me Elton Çiçon.

Që edhe ky këtë kohë ishte kthyer në Shqipëri.

Inate që për t’u riaktivizuar në formën e tyre më të egër, shërben një atentat i dështuar në vitin 2016 ndaj Jani Aliaj.

Ku ai beson se autor i këtij atentati ishte Elton Çiço.

Atentat i parë ndaj Jani Aliaj që u krye në Rrugën e Kavajës në Tiranë.

Më datë 11 Janar 2016, rreth orës 18:30 minuta, në Tiranë, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj Jani Aliaj. I cili si pasojë e këtyre të shtënave nuk është dëmtuar.

Por nga sa shikohet në vazhdim ky nuk do të ishte atentati i vetëm ndaj Jani Aliaj.

Pasi vetëm disa muaj më pas ai do të ishte shënjestër e një tjetër sulmi me armë. Këtë herë ndërsa ishte duke udhëtuar në aksin Tepelenë-Gjirokastër.

Ku edhe këtë herë fati ishte me të dhe personin që udhëtonte në makinë.

Jani Aliaj i cili thuhet se mori një plagë në krah.

Por që pas këtij atentati vendosi të lante përfundimisht duart me Elton Çiçon.

Duke u zhvendosur në Tiranë dhe përgatitur planin për ekzekutimin e Elton Çiços.

Më datë 24 Prill 2016, rreth orës 22:30 minuta, ne aksin rrugor kombëtar Tepelenë- Gjirokastër, gjatë kohës që po lëvizte si pasagjer në sediljen e pasme të një automjeti të drejtuar nga shtetasi S. M, është qëlluar disa herë me armë zjarri shtetasi Jani Aliaj, i cili ka marrë dëmtime të lehta në pjesën e krahut të majtë. Nga ku dyshohet se Jani Aliaj ka qenë dhe shënjestra e këtij atentati.

I marrë në pyetje drejtuesi i mjetit, S. M, pretendoi se atentati ndaj tyre ishte i planifikuar nga shtetasi Elton Çiço.

Një nga arsyet përse Jani Aliaj ishte i bindur se pas atentateve ndaj tij fshihej Elton Çiço ishte edhe informatat që ai dhe miku i tij Nelgert Pata, kishin se Çiço u kishte vendosur njerëz nga pas për t’i ruajtur.

Jani Aliaj që deri në fillim të viteve 2000, kishte qenë lidhje e afërt shoqërore e Elton Çiços, para se midis tyre të fillonte një përplasje që do të çonte deri në një mëri të thellë me njëri-tjetrin.

Armiqësia që lindi pasi në vitin 2000. Jani Aliaj qëlloi për vdekje me thikë E. Ballazhiun, nga fshati Zhabakin, i Tepelenës.

Ballazhiu atë kohë 20 vjeç, që kishte qenë shok fëmijërie me Elton Çiçon.

Dhe ishin rritur bashkë në Tepelenë.

Elton Çiço që i çoi fjalë Jani Aliaj që ndodhej në Greqi se nuk do ia falte vrasjen e mikut të tij.

Ndërsa fati e desh që të dy të takoheshin disa vite më pas në burgun e Koridhalos.

Jani Aliaj, 23 vjeç, ndërsa ishte arrestuar për drogë, Ashtu si edhe Elton Çiço, po për trafik të lëndëve narkotike.

Që besohet se ka qenë edhe burimi i sherrit midis tyre, që vazhdoi deri në elemiminin e njëri-tjetrit.

Jani Aliaj ka pretenduar përgjatë gjithë kohës se autor i atentateve ndaj tij ishte Elton Çiço. Kjo pas konflikteve të ashpra që kishin, ku edhe kishin filluar të ruheshin ndaj njëri-tjetrit. Jani Aliaj që rezulton të jetë lidhje e afërt e të ndjerit Nelgert Papa, i cili kishte pasur njohje të mëparshme me Elton Çiçon. Neigert Papa dhe Elton Çiço që kohët e fundit kishin prishur marrëdhënien midis tyre.

Kjo pasi Papa kishte mësuar që Elton Çiço kishte vendosur persona që të ruanin dhe kontrollonin lëvizjet e tij, çka ka çuar në mendimin e tij se ky i fundit po planifikonte ekzekutimin e tij.

Sipas dosjes hetimore personi që u ishte vënë nga pas Jani Aliajt dhe mikut të tij Nelgert Pata, ishte O.K i cili pas kërcënimeve që kishte marrë nga Jani Aliaj dhe miku i tij, kishte pranuar që ishte paguar nga Elton Çico për t’i ndjekur nga pas.

O.K, i cili menjëherë pas vrasjes së Elton Çiços,  rezulton se ishte larguar nga Shqipëria më datë 2 Maj 2016, vetëm pak orë pasi kishte ndodhur vrasja e Elton Çiços.

Duke mos qëndruar as për t’i dhënë lamtumirën e fundit mikut të tij.

Duke zgjedhur të mos kthehet më në Shqipëri.

Nelgert Pata, i cili do të ekzekutohej në qytetin e Fierit, vetëm disa muaj pas vrasjes së Elton Çiços.

Ndërkohë që më herët, më 21 Gusht 2016, i kishte mbijetuar një atentati Tiranë.

Ngjarje kjo e ndodhur te ish-Parku i Autobusëve, ku dhe mbeti i plagosur.

Pata që kishte qenë një emër i njohur  për drejtësinë.

Pasi në vitin 2008 së bashku më babain e tij Astrit Pata, ishin gjykuar për shfrytëzim prostitucioni, pas denoncimit të bërë nga shtetasja Silvana K.

E cila ishte rrëfyer se në vitin 2004 ajo ishte njohur fillimisht me Astrit Patën në lokalin e të vëllait të tij në Tepelenë, ku vajza punonte si kameriere.

Më pas babai i Nelgert Patës i kishte kërkuar të shkonin së bashku për pushime në Greqi.

Nga ku më tej, Silvana K, tregoi se Astrit Pata e kishte dërguar me dokumente false në Norvegji.

Aty ku e kishte pritur djali i tij, Nelgerti, që në atë kohë sapo kishte mbushur 20 vjeç.

I cili e kishte detyruar të prostituonte.

Silvana K. që kishte mundur të shpëtonte nga tutorët dhe të bënte denoncim.

Çka çoi pas letërporosisë së ardhur nga Norvegjia, në arrestimin e at dhe bir, në prill të vitit 2006.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda që dënoi më 13 korrik të vitit 2009 me 15 vjet dhe 7 milionë lekë gjobë, Astrit Patën.

Ndërsa të birin Nelgert Pata me 16 vjet dhe 6 milionë lekë gjobë.

Përplasjen e vjetër midis Jani Aliaj dhe Elton Çicos e pranoi në rrëfimin e tij përpara grupit hetues edhe Renato Milloshi.

Njohje e vjetër shoqërore me Jani Aliaj, që nga fëmijëria e tyre, e kaluar në Tepelenë.

Personi, që kishte në pronësi makinën që Jani Aliaj, përdori për t’u afruar dhe më pas larguar nga skena e krimit.

“Unë Jani Aliajn e njoh që nga viti 1989, kur qëndroja te gjyshja ime në Tepelenë. Në vitin 1999 unë ika në emigrim dhe u ktheva në vitin 2005.  Gjatë kësaj kohe mësova që Jani Aliaj ndodhej në burg në Greqi, për një vrasje, ku ishte dënuar me 10 vite.

Në korrik të vitit 2015 unë e takova rastësisht në Sarandë, ku unë isha me pushime me familjen. Jani më ftoi ndërkohë që ta kaloja pjesën tjetër të pushimeve në Borsh në hotelin e tij.

Ku unë qëndrova një javë dhe Jani pagoi tarifën. Kështu ne mbajtëm kontakte të vazhdueshme. Më pas Jani erdhi me qira bashkë me të dashurën e tij në Tiranë”, është shprehur Renato Milloshi.

Këtu ai njihte vetëm mua dhe Neigert Papën. Ai kërkonte të regjistronte një makinë që sapo e kishte blerë.

Por duke qenë se nuk e regjistronte dot me emrin e tij, pasi ishte me vendbanim në Tepelenë, më kërkoi që këtë makinë ta regjistronte me emrin tim. Gjatë kësaj kohe, Jani më tha se i ishin bërë dy atentate.

Një në rrugën e Kavajës nga një djalë i ri që qëlloi vetëm një herë dhe një në Gjirokastër, ku kishte bindjen se porositësi ishte Elton Çiço. Me të cilin Jani më tha se ishin përplasur me thika  përpara disa vitesh.

Edhe pse pranoi që makina me të cilën Jani Aliaj pas vrasjes së Elton Çiços ishte e regjistruar në emrin e tij, Renato Milloshi, mohoi që ai të kishte dijeni për krimin që do të kryhej.

Edhe pse pranoi që disa herë Jani Aliaj i ishte shprehur se do ta vriste Elton Çiçon, ashtu siç edhe ndodhi në të vërtetë, mbrëmjen e datës 1 Maj 2016, në ish-Bllok.

“Pasi u bë regjistrimi i mjetit në emrin tim, unë Janin e takova edhe njëherë më datë 29 Prill 2016. Më datë 1 Maj 2016, unë isha në banesë kur në lajme pashë që ishte vrarë Elton Çiço.

Pas rreth 15 minutash unë u përpoqa të telefonoja Janin por telefoni i tij dilte i fikur. Po kështu i telefonova Neigert Papës por edhe telefoni i tij ishte i fikur.

Gjatë kësaj kohe isha në ankth pasi automjeti i përdorur në krim ishte në emrin tim.

Në lidhje me vrasjen jam i sigurtë që krimi u krye nga Jani, pasi e njoha nga konstrukti i trupit, mënyra e ecjes si dhe fakti që ai vetë më pati thënë kur ishte kthyer nga Gjirokastra se do ta vriste Eltonin. përpara se ai të vriste Janin.

Ajo që më pas e zbuloi autorin dhe makinën që u përdor në krim, ishin lëvizjet që Jani Aliaj dhe personat që e ndihmuan, kryen natën para dhe pas krimit. Si edhe rrobat që atij iu gjetën në banesën e marrë me qira, që ishin identike me ato që shfaqet në pamjet filmike, personi që qëlloi ndaj Elton Çiços”, tha Renato Milloshi para hetuesve.

Jani Aliaj që u kthye një ditë më pas të dëmtonte një nga kamerat që kishte regjistruar lëvizjet e tij, por që ishte tepër vonë, pasi tashmë pamjet filmike ishin në dorë të policisë.

Nga kqyrja e pamjeve filmike rezulton se më datë 1 Maj 2016, në orën 22:10 min një person me kapele në kokë kthen kokën nga brendësia e tunelit, dhe në këtë moment kohor ky person, i identifikuar më pas si Jani Aliaj, lëviz në drejtim të kundërt me rrugën dhe rikthehet përsëri pas pak momentesh duke tentuar të hyjë në brendësi të këtij tuneli, ku është e montuar dhe kamera.

Person që ka karakteristika të njëjta me atë që ka hyrë në ambientet e lokalit, ku dhe ka kryer vrasjen e viktimës Elton Çiço.

Po kështu nga kqyrja e kamerave të sigurisë dhe veshjet e gjetura në banesën ku Jani Aliaj ka banuar me qira, si dhe atletet sportive që ai mbante veshur, ka rezultuar se ato korrespondojnë me veshjet që ai ka pasur në vendin e ngjarjes, në momentin e vrasjes së Elton Çiços./BalkanWeb

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Motra e Ergys Agasit, Drejtoreshë Juridike në AKSHI, duartroket Ramën teksa prezanton Igli Tafën

0

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të martë (17 shkurt) Igli Tafën si drejtuesin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), pas largimit të Mirlinda Karçanaj. Kjo e fundit ndodhet nën hetim nga SPAK për procedura të dyshuara abuzive me tendera që lidhen me institucionin.

Gjatë ceremonisë së prezantimit është vënë re edhe prania e Viola Agasit mes zyrtarëve dhe punonjësve që ndoqën fjalën e kryeministrit.

Ajo mban detyrën e Drejtores Juridike të Prokurimeve dhe Integrimit në AKSHI dhe, sipas të dhënave publike, është motra e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK.

Ergys Agasi është shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për aferën e fondeve publike në AKSHI.

Sipas dosjes hetimore, ai dyshohet se ka qenë pjesë kyçe e një skeme të organizuar abuzimi me tendera, përmes procedurave fiktive dhe faturimeve të rreme, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.

Më herët janë raportuar detaje nga dosja e Prokurorisë së Posaçme lidhur me “grupin kriminal AKSHI”, ku përmendet se ish-drejtuesja e institucionit frekuentonte zyrën e Ergys Agasit, ku, sipas hetimeve, diskutoheshin kushtet e tenderave.

Sipas të dhënave, kompania “E.A Solution” përfitonte nga këto procedura, ndërsa verifikimi juridik i dokumentacionit kalonte në strukturat përkatëse të institucionit.

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e ka përshkruar Agasin si një nga njerëzit më të afërt të Ramës, duke pretenduar se ai ka pasur akses të drejtpërdrejtë në ambientet e Kryeministrisë dhe ka marrë pjesë në takime informale, jashtë çdo funksioni zyrtar.

Sipas Ahmetajt, Agasi ka shërbyer si ndërmjetës i interesave të paligjshme dhe si koordinator në prapaskenë, duke vepruar nën mbrojtje politike./boldnews.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Kullat bosh/ Ç’po ndodh me çmendurinë e ndërtimit në Tiranë

0

Nga Francesca Barca, Federico Caruso

Qendra e Tiranës është e mbushur dendur me njerëz, makina, biçikleta, skuterë dhe një shumëllojshmëri formash arkitekturore.

Në orët e pikut, zona është aq e tejmbushur me lëvizje sa është e vështirë të perceptosh gjerësinë e bulevardeve. Stilet arkitekturore nga periudha të ndryshme historike qëndrojnë krah për krah, por janë pikërisht rrokaqiejt e shumtë ata që bien më shumë në sy, të gjithë të rinj, imponues dhe në një mënyrë apo tjetër magjepsës.

Këto janë projekte të të ashtuquajturve “archistar”, emra si Stefano Boeri, i njohur në Itali për Pyllin Vertikal në Milano, Marco Casamonti, studioja holandeze MVRDV dhe studioja belge 51N4E. Emra të mëdhenj, prestigjiozë, që ndërtojnë projekte inovative dhe, siç pretendohet, të ndërgjegjshme për mjedisin.

Këta emra po përdoren nga Kryeministri Edi Rama për t’i dhënë një aureolë legjitimiteti valës së fundit të zhvillimeve, thotë Erblin Vukaj, gazetar i gazetës së pavarur Citizens, ndërsa qëndrojmë në një kryqëzim që është emblemë e këtij këndvështrimi. Ndodhemi në lagjen qendrore të Bllokut, ku shëtitja jonë fillon në shoqërinë e Vukajt dhe koleges së tij, gazetares Elira Kadriu, mes Rrugës Brigada e VIII dhe Rrugës Vaso Pasha.

E njëjta zonë përfshin vila të vogla që me gjasë i përkisnin drejtuesve të partisë gjatë regjimit socialist (1944–1991), ndërtesa të ndërtuara pas rënies së regjimit, dhe struktura më imponuese si Blloku Cube i Stefano Boerit, selia e Credins Bank e projektuar nga studioja shqiptare Atelier 4, dhe dy rrokaqiej të tjerë në ndërtim, të projektuar nga studioja e Marco Casamontit. Një pankartë e madhe që sulmon politikat e ndërtimit të qeverisë varet nga një prej ndërtesave më të vjetra. Pak më tej, Vukaj tregon një ndërtesë që është planifikuar të shembet për t’i hapur vend një kulle tjetër. Nuk ka asnjë shenjë parqesh apo pistash biçikletash në zonën përreth.

Pas kësaj fasade arkitekturore imponuese, megjithatë, ka një boshllëk. Sipas të dhënave nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT, i cituar këtu), në vitin 2023 një në tre apartamente në Shqipëri ishte i pabanuar. Në vitin 2024, gazetarja Ola Xama raportoi se kishte mbi 85,000 shtëpi bosh në qarkun e Tiranës, 52,000 prej të cilave në kryeqytet. Me ritmin aktual të rritjes së popullsisë, “do të duheshin 45 vjet” për t’i mbushur këto apartamente, shpjegon Xama.

Kjo shifër është shumë më e lartë se në censusin e mëparshëm (2011), kur një në pesë (21.6 për qind) apartamente ishte i pabanuar. Në themel të këtyre shifrave është një vend që po zbrazet: mes viteve 2011 dhe 2023, Shqipëria humbi pothuajse 500,000 njerëz.

Megjithatë, ndërtimi vazhdon pa u ndalur. Në vitin 2015, u dhanë leje për ndërtimin e ndërtesave të reja banimi që mbulonin një sipërfaqe prej 50 kilometrash katrorë; në vitin 2022 kjo shifër u rrit, më shumë se 40 herë, në 2,071 kilometra katrorë, dhe ky trend ka vazhduar edhe në vitet që pasuan.

Rritja e ofertës e shoqëruar me rënie të kërkesës do të pritej të shkaktonte rënie të çmimeve. Në vend të kësaj, çmimet e banesave kanë vazhduar të rriten, ndërsa e njëjta gjë nuk mund të thuhet për pagat.

Në Tiranë, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, çmimet e banesave u rritën me 5.1 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, dhe me 32.6 për qind në bazë vjetore.

Në vitin 2011, një apartament në zonat më qendrore të qytetit mund të kushtonte mes 700 dhe 2,500 euro për metër katror; sot, diapazoni është zhvendosur në 2,500–4,500 euro për metër katror.

Në Tiranë, tani është shumë e vështirë, në mos e pamundur, të gjesh një apartament me dy dhoma me qira për më pak se 600 euro.

Bumi i ndërtimit u nxit nga një politikë e nisur gjatë mandatit të Edi Ramës si kryetar bashkie 2000–2011 – i cili u bë kryeministër në 2013 – i Partisë Socialiste, dhe më pas u vazhdua nga pasardhësi i tij dhe kolegu i partisë Erion Veliaj (tani në burg me akuza për korrupsion dhe pastrim parash).

Në vitin 2017, plani urban Tirana 2030 u miratua – 2030 është viti në të cilin Shqipëria synon të bëhet anëtare e BE-së. I projektuar nga Stefano Boeri Architetti, plani prezanton idenë e zhvillimit vertikal për të liruar hapësirë për sheshe dhe zona të gjelbra, dhe për të lehtësuar bllokimin e trafikut përmes zhvillimit të transportit publik dhe pistave të biçikletave.

Fatkeqësisht, realiteti është shumë ndryshe nga vizatimet arkitekturore.

Plane urbanistike italiane për Tiranën

“Plani Tirana 2030 e ka hapur qytetin ndaj ndërtimit dhe dendësimit,” shpjegon arkitektja dhe studiuesja Dorina Pllumbi. “Më parë, ndërtesat mund të ishin deri në shtatë kate, maksimumi nëntë.” Sot, ndërtesa më e lartë e përfunduar është Downtown One me 40 kate, por kjo pritet të zbehet nga projekte të miratuara që tejkalojnë 70 kate.

“Nuk kishte asnjë vëmendje ndaj ndërtesave historike,” vazhdon Pllumbi, “kishte vila të bukura që u shembën pa skrupuj. Qyteti po ndryshon me një ritëm shumë të shpejtë, dhe njerëzit kanë vështirësi të njohin lagjen e tyre, dhe fqinjët e tyre.”

“Përshtypja ime është se Rama synon t’ia ndryshojë totalisht fytyrën qytetit dhe të lërë gjurmën e tij” thotë Vukaj ndërsa na tregon qendrën e qytetit. “Ky është një problem i egos, jo një plan i mirëfilltë urban që nuk pyet për balancat estetike dhe që e shkatëroon memorien tonë kolektive. Të gjitha këto ndërsa e lehtëson pastrimin e parasë së krimit”

Shtatorin e kaluar, një raport nga Friedrich Ebert Foundation u publikua me titullin emblematik “Pastrimi i parave në pasurive të patundshme; impakti në jetën social-ekonomike të Shqipërisë.” Raporti vlerëson se korrupsioni dhe evazioni fiskal në Shqipëri gjeneruan “të paktën 8.168 miliard euro për periudhën 2015–2024”, kryesisht në sektorin e ndërtimit.

“Çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur shpejt në 10 vitet e fundit, veçantërisht nga viti 2021 deri në 2024. Teorikisht dhe logjikisht, një rritje e tillë çmimesh, ndërkohë që oferta në treg rritet, ndodh kur tregu ndikohet nga faktorë aq të fuqishëm saqë shtrembërojnë marrëdhëniet tipike midis kërkesës, ofertës dhe çmimit.”

Pothuajse saktësisht një shekull më parë, në vitin 1925, u nis një plan zhvillimi për qendrën e qytetit të Tiranës, ku u përfshinë arkitektë dhe urbanistë italianë të dërguar nga regjimi fashist. Emrat e Armando Brasinit dhe Gherardo Bosios janë të njohur në këtë qytet. Duke ecur nëpër rrugë, nuk është e vështirë të dallosh stilin arkitekturor të asaj periudhe, në godinën e Kryeministrisë, në Sheshin Nënë Tereza (dikur Sheshi Vittorio Emanuele III) apo në Universitetin Politeknik (dikur Casa del Fascio). Të gjitha janë projektuar nga Bosio dhe ndodhen vetëm pak hapa larg njëra-tjetrës.

Sot, historia po përsëritet, dhe jo pa një ironi të caktuar, siç vëren Vukaj. Për Dorina Pllumbin, kjo është një formë “lloj kolonializmi, […] jo në kuptimin klasik, sigurisht, por një ‘kolonialitet pushteti’ më i butë, që po vepron sot mes vendeve.” Gjatë bisedës sonë, Pllumbi i referohet një “inferioriteti të brendësuar” që Shqipëria ka zhvilluar ndaj të huajve, veçanërisht ndaj “perëndimorëve.”

Një shembull i këtij fenomeni është pavijoni në Bienalen e Venecias 2025. I dedikuar arkitekturës shqiptare, ai u kurua nga studiuesja zvicerane Anneke Abhelakh dhe përfshinte gjithçka përveç kontributeve nga arkitektë shqiptarë. Pavijoni titullohej “Building Architecture Culture”, “Sikur të mos ketë arkitekturë në Shqipëri, sikur të mos ketë asgjë aty, sikur gjithçka të jetë tabula rasa.”

Në fund të shëtitjes sonë, Vukaj na tregon disa vizualizime nga festivali i arkitekturës Bukë dhe Zemër për të na dhënë një ide se sa jorealiste janë këto projekte imobiliare. Përshtypja është se qyteti, ashtu si edhe vetë vendi, janë shndërruar në një terren loje për kreativitetin (dhe kuletat) e arkitektëve dhe ndërtuesve.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vala e fundit e zhvillimit arkitekturor, me hapjen e tregut dhe hyrjen e investitorëve dhe projektuesve të huaj, ka të bëjë me “rikthimin e individualizmit” për shqiptarët. Kjo është një retorikë që Pllumbi e refuzon me vendosmëri:

“Në Shqipëri, ekziston një rezistencë për të folur për kolektivitetin dhe kolektivizmin, sepse është si, ‘oh, e provuam atë. Ishte një katastrofë. Dështuam’. Dhe tani nuk ka rrugë tjetër veçse të shkojmë drejt individualizmit. Ajo që përpiqem të bëj me punën time dhe studiues të tjerë dhe aktivistë, përfshirë grupin ATA, për shembull, është të sfidoj këtë narrativë dominuese. Ajo që përjetuan prindërit tanë ishte në fakt kolektivizëm shtetëror. Shteti përdori ideologjinë e kolektivizmit për të imponuar pushtetin e tij mbi popullsinë, mbi vendin dhe mbi çdo aspekt të jetës së përditshme. Por mënyrat komunitare dhe më autentike të vetë-organizimit kolektiv gjithashtu pësuan, sepse u përthithën dhe u kapën brenda kësaj ombrelle të madhe ideologjike të kolektivizmit shtetëror. Kjo është arsyeja pse duhet të praktikojmë këto mënyra më autentike të kërkimit të qytetit, jo si një forcë totalizuese që vjen nga lart, por si akte kolektive të përditshmërisë.”

Qasja “muskulare” ndaj zhvillimit urban e imponuar nga Partia Socialiste po ndryshon fytyrën e qytetit, por nuk po zgjidh problemet e tij të rrënjosura thellë.

Pllumbi jep shembullin e depozitave të ujit që duken në fasadat e të gjitha shtëpive, duke treguar mungesat e shpeshta të ujit në qytet. Për Pllumbin, kjo është një “protestë e përhershme.”

“Nëse një planifikues vërtet dëshiron të shohë se cilat janë problemet në qytet, ato janë kaq të dukshme. Nëse nuk adreson trafikun, nëse nuk adreson shërbimet, dhe gjithçka që njerëzve u nevojitet për të jetuar në një qytet normal, atëherë nuk ke bërë shumë.”

Burimet për të rezistuar këtij procesi mungojnë: “Protestat kanë qenë shumë të rralla këtu. Sepse kështu na mësojnë: mos shkoni në protesta. Kjo është arsyeja pse merremi me të kaluarën.”

Armen Sula është aktivist i shoqatës Tek Bunkeri, e cila drejton një hapësirë në qendër të Tiranës ku organizohen shfaqje filmash, debate, koncerte dhe punëtori teatri, të gjitha të fokusuara në përpunimin e së kaluarës së përbashkët të vendit dhe reflektimin mbi historinë e diktaturës.

Shoqata aktualisht ka një kontratë qiraje për një vilë të rrethuar nga ndërtesa më të larta. Aktivistët nuk e dinë sa gjatë do të mund të qëndrojnë.

“Kontrata jonë e qirasë përfundon pas dy vitesh,” thotë Sula, “dhe nuk e dimë nëse do të rinovohet, sepse pronari dëshiron të ndërtojë diçka më të lartë. Investuam shumë në këtë vend, ishte i gjithë baltë kur erdhëm.”

E vetmja shpresë, thotë ai me ironi të hidhur, është “që kryeministri të shkojë në burg për të paktën pesë vjet, në mënyrë që ndërtimi të ndalet dhe ne të mbijetojmë këtu.”

Evropa në 2030

Në këtë sfond, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është, për shumë shqiptarë, “e vetmja rrugë”, sipas Nebi Bardhoshit, antropolog dhe drejtor i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit në Tiranë, të cilin e takuam në Kamëz, një qytet shtatë kilometra nga kryeqyteti.

Sigurisht, shqiptarët nuk kanë iluzionin se anëtarësimi në BE është zgjidhja për çdo problem.

“Ne i dimë dobësitë e Bashkimit Evropian, nuk jemi naivë,” vazhdon Bardhoshi. “Njerëzit në periferi nuk janë kurrë të tillë: ata kanë një perspektivë që u lejon ta vëzhgojnë shoqërinë ndryshe. Në shikim të parë konsiderohen inferiorë, por perspektiva e tyre është shumë më realiste.”

“Ne duam të bashkohemi me Bashkimin Evropian,” përsërit Sula. “Na është premtuar se do ta bëjmë në vitin 2030. Por nuk mendoj se është e mundur për ne si shoqëri, nuk jemi gati. As në nivel institucional.”

Sula sheh dy pengesa kryesore: çështjen e pazgjidhur të drejtësisë tranzitore, lidhur me mënyrën si kujtohet dhe trajtohet regjimi socialist; dhe korrupsionin, që është “krejtësisht masiv.”

Dorina Pllumbi ndan të njëjtin mendim: “BE mund të jetë një tjetër imponim pushteti, por mund të jetë edhe e kundërta. Mund të jetë një mundësi për, le të themi, një nivel tjetër angazhimi politik. Megjithatë, në praktikë, shohim se BE shpesh duket sikur e ka humbur busullën me parimet e veta, kështu që nuk e di nëse mund të vendosësh kaq shumë shpresë tek Bashkimi Evropian. Nëse Shqipëria përfundon si koloni e këtyre fuqive të mëdha, gjë që shpesh duket se ndodh, si në rastin e ndërtimit të qendrave të ndalimit për emigrantët në Gjadër, atëherë jemi të dënuar. Por nëse ne, përtej politikanëve, i kushtojmë vëmendje serioze demokracisë, dhe zëri ynë dhe pozicionimi ynë merren seriozisht, atëherë do të thoja se është një mundësi për Shqipërinë.”

Ky artikull është pjesë e projektit PULSE, pjesë e një serie mbi zonat “periferike” në Evropë në bashkëpunim me Il Sole 24 Ore, Obc Transeuropa dhe El Confidencial. Falënderojmë Elira Kadriu të Citizen Channel për mbështetjen në realizimin e këtij reportazhi./ Botuar në Voxeurop/ Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Deputeti demokrat: Jam në mbështetje të SPAK, s’më intereson çfarë mendojnë në PD

0

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, është shprehur se SPAK është i vetmi institucion që është në këmbë në Shqipëri.

Komentet Korreshi i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin ‘5 Pyetjet”, ku tha se nuk i interesonte se çfarë mendonin eksponentë të tjerë brenda PD-së për SPAK-un, pasi qëndrimi i tij ishte në mbështetje të këtij institucioni.

“Ne në PD kemi qëndrime të ndryshme. Dhe unë për SPAK kam pasur këtë qëndrim që nga dita e parë deri në ditën e fundit. Të njëjtin qëndrim pavarësisht se çfarë mendojnë të tjerët brenda partisë. Unë i qëndroj një grupi, duke qenë se jam jurist dhe them se ‘s’ka pyll që s’ka derra’, pra edhe atje ka njerëz të kontrolluar politikisht. Por unë kam besim se sot është i vetmi institucion që është në këmbë”, tha mes të tjerash Korreshi.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Çështja “Balluku” ‘përplas’ analistin me gazetarin: Injorant juridik…

0

Analisti Arion Sulo ka debatuar  me gazetarin Arbër Hitaj në Top Story për çështjen “Blluku”.

Gjatë debatit mbi çështjen Balluku dhe kompetencat e SPAK-ut, gazetari Hitaj u shpreh se pjesa e pezullimit të zv.kryeministres është një terren i patentuar më parë dhe i pabazuar në ligj.

Nga ana tjetër, analisti Arion Sulo u shpreh se ai ishte duke argumentuar në bazë të ligjit, mbi të cilin, sipas tij, Hitaj nuk ka mjaftueshëm dijeni.

Hitaj: Nuk hiqet asnjë kompetencë SPAK-ut. Është rregullim. Çfarë thotë neni për imunitetin? Unë nuk e marr apriori atë që vjen nga mazhoranca. Pezullimi është një terren i patentuar më parë dhe nuk është në ligj, te pjesa e imunitetit. E para, ky ligj nuk ka një emër, p.sh. Kryeministër Edi Rama, është vakum.

Sulo: Ja ku e ke ligjin o Arbër.

Hitaj: Nuk e ndau pra, nuk e ndau.

Sulo: Kur nuk i di, mos u fut, ta nxora dhe ligjin, unë po lexojë.

Sulo: Ti je kodra pas bregut. Unë po lexoj. E more vesh çfarë ka thënë për imunitetin gjykata?

Sulo: Ti mirëqë nuk qenke jurist, por nuk qenke as gazetar.

Hitaj: Ti ke sasi, jo cilësi.

Sulo: Mos bëj këtë muhabet me mua. Je injorant juridik.

Hitaj: Ti as intelektual mediatik nuk je.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Dosja 5D/ SPAK kërkon 24 vite burg për 3 ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës

0

Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për një tjetër fraksion të Dosjes 5D dhe ka kërkuar dënimin e 7 të pandehurve që u gjykuan me procedurë të zakonshme. SPAK kërkoi dënimin e 3 drejtorëve të Bashkisë së Tiranës dhe 4 të pandehurve të tjerë, përfaqësues të Bashkisë dhe kompanisë “5D”.

Konkretisht SPAK, ka kërkuar 11 vite burg për ish-drejtorin e Ujësjellësit të Tiranës Redi Molla, 9 vite burg për ish-drejtorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Mariglen Qaton dhe 4 vite burg për ish-drejtorin e Planifikimit të Punëve Publike, Taulant Tushe. Për të pandehurit e tjerë, SPAK kërkoi 2 vite burg për Albano Jankun, nga 3 vite burg për Enton Punavijan dhe Julian Zanaj, 7 vite burg për Nestor Muhametllari. Krahas dënimit, SPAK kërkon që të pandehurit të mos ushtrojnë funksione publike për 5 vite.

I vetmi që ndodhet në burg nga ish-zyrtarët e mësipërm është ish-drejtori Mariglen Qato. Ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Redi Molla dhe Mariglen Qato thotë SPAK, kanë qenë pronarët “de facto” të shoqërisë 5D Konstruksion sh.p.k, duke përdorur pronarë fiktivë, ndërsa vetëm në këtë dosje të dërguar për gjykim kanë marrë 12 tendera të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a.., duke përfituar rreth 2 milionë euro në periudhën 2016-2020.

Më herët, Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtorë duke dënuar katër prej të pandehurve që u gjykuan në proces të ndarë për dosjen “5D”, por që nuk do të bëjnë asnjë ditë burg.  Drejtoresha e klubit shumësportësh, Deborah Keçi, me tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Renaldo Gjerazi u dënuan me shërbim prove për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera. Sipas SPAK, ata krijuan kushte dhe privilegjuan kompaninë “5D” të drejtorëve të Bashkisë së Tiranës në mënyrë që të shpallej fituese në procedura tenderash.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Kosova feston sot 18-vjetorin e Pavarësisë

0

Republika e Kosovës shënon 18-vjetorin e pavarësisë së saj. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, duke e bërë atë shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Me rastin e këtij përvjetori, institucionet e vendit kanë përgatitur aktivitete të ndryshme festive.

Shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë dialogu. Por propozimi i presidentit Martti Ahtisaari nuk kishte marrë mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Edhe pse u kundërshtua nga Serbia e Rusia, Kosova deklaroi Pavarësinë, akt ky që mori mbështetje nga shtete të rëndësishme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Axhenda e aktiviteteve

18-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të përcillet me shumë aktivitete institucionale.

Nga ora 7 do të bëhet ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës, pas 20 minutave, përkatësisht në orën 7:20 do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në orën 7:30 do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve e pas pesë minutash do të bëhen homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë.

Në orën 8:00 mbahen homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova e pas 10 minutash te te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Nga ora 9 do të ketë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz e në 10:30 do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Nga ora 11:25 do të bëhen nderime te Monumenti Heroinat, në orën 11:30 mbahet parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Në 17:30 pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe dita do të përmbyllet me koncertin solemn të Filharmonisë së Kosovës.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Armando Duka rizgjidhet për herë të shtatë si Kreu i FSHF-së

0

Këtë të hënë u mbajt Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF-së, ku u zgjodh Presidenti i ri për një mandat katërvjeçar dhe 10 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.

Mësohet se Armand Duka është rizgjedhur për herë të shtatë President i FSHF-së, duke qenë kandidati i vetëm, me 48 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ai u propozua nga 33 anëtarë të FSHF-së të cilët kanë vlerësuar se gjatë drejtimit të tij, futbolli shqiptar ka njohur suksese të rëndësishme.

Procesi u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ku delegatët vlerësuan lidershipin, vizionin dhe kontributin e Presidentit Duka në zhvillimin e futbollit në vend, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ dhe institucional.

Gjatë fjalës së tij, Duka u shpreh se fokusi i presidencës së re do të jetë zbatimi i projekteve të radhës për zhvillimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së futbollit vendas.

“Dua t’ju falënderoj edhe njëherë nga zemra për mbështetjen e sotme, për mbështetjen e vazhdueshme që më keni dhënë mua dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Për mua ky nuk është thjesht një votim, është një përgjegjësi e madhe, vlerësim dhe më bën, apo më detyron që të jem akoma më i përkushtuar në shërbim tuaj dhe të FSHF.

Ju premtoj që ne do të bëjmë maksimumin që federata jonë, loja dhe futbolli ynë, kampionati, ekipet tona kombëtare, zhvillimi i infrastrukturës dhe stabiliteti financiar i FSHF-së të jenë në nivelet maksimale në vitet e ardhshme. Uroj që të gjithë ne bashkë të jemi pjesë e Kampionatit Botëror 2026. Suksese Silvinjos, ekipit kombëtar. Faleminderit të gjithëve”, deklaroi Duka.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ervin Salianji njofton takim me demokratët në Berat: Ta bëjmë PD-në fituese!

0

Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, ka njoftuar një takim me demokratët në qytetin e Beratit.

Në një postim në rrjete sociale, Salianji bën të ditur se takimi do të mbahet të mërkurën, në orën 17:00, në Pallatin e Kulturës në Berat.

“Ta bëjmë Partinë Demokratike fituese. Kjo është arsyeja e takimeve me demokratët në çdo qytet. Ju pres për të ndarë ide, shqetësime dhe vizionin për Partinë Demokratike fituese!”, shprehet Salianji në njoftimin e tij.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx