Ballina Blog Faqe 90

Gjyqi kundër UÇK/ Prokuroria e Hagës kërkon 45 vite burg për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

0

Në Gjykatën Speciale në Hagë këtë të hënë nisën deklaratat përmbyllëse për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

Prokurorja West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha ajo.

Ajo ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 plus kampeve të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së”, u shpreh West.

Sipas saj, shpesh aty përfshiheshin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona romë dhe serbë.

“Në mënyrë që ta arrinin qëllimin e tyre, këta persona të akuzuar kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në gjithë Kosovën”, shtoi ajo.

Ndërkohë, Prokurori Alan Tieger përsëriti se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin në vijën e parë të UÇK-së prej fillimit dhe kishin rol të rëndësishëm.

Tieger përmendi që të dy kanë shkuar në Zvicër më 1994 dhe deri më 1998 janë kthyer në Kosovë çdo 3-4 muaj dhe kanë qëndruar aty për disa javë secilën herë.

“Thaçi dhe Veseli kanë pasur detyra të rëndësishme gjatë asaj kohe, të mbanin kontakte, të sillnin armë, përfshirë shtatë prej 12 RPG-ve që u përdorën në sulmet e sinkronizuara ndaj 12 stacioneve policore serbe në shtator të 1997-ës”, tha ai, sipas REL.

Sipas tij, Thaçi e fitoi reputacionin e personit që lidhi luftëtarët në Kosovë dhe planifikuesit që jetonin në mërgim.

Kujtojmë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Analogji e frikshme apo paralajmërim? A rrezikon SPAK-u të ketë të njëjtin fat si prokuroria në Serbi

0

Nga Zef Preçi

Vetëm një javë më parë, Asambleja Kombëtare (Parlamenti) e Serbisë miratoi ndryshimet në ligjet kryesore gjyqësore, të propozuara nga një deputet i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet (U. Mrdić).

Kritikët në Serbi pretendojnë se këto ndryshime, të miratuara shpejt dhe pa konsultime publike, do të kufizojnë pavarësinë e gjykatave dhe prokurorëve; dobësojnë kompetencat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe do të rikthejnë në prokuroritë nga të cilat ishin transferuar përkohësisht 11 nga 20 prokurorët që aktualisht punojnë në Prokurorinë Publike për Krimin e Organizuar (TOK), prokuroria homologe e SPAK-ut tonë.

Pasi këto ndryshime u njoftuan publikisht, TOK lëshoi një deklaratë, e cila vlerësoi se miratimi i tyre do të paralizonte punën e saj dhe “do të bllokonte plotësisht procedurat në çështjet penale më komplekse dhe të ndjeshme”.

Sipas mendimit tim, analogjia e stuhisë së paralajmëruar nga mazhoranca socialiste kundër SPAK me këtë rast nuk mund të injorohet.

Në Serbi, Partia Progresive Serbe (SNS) është në pushtet që nga viti 2012, ndërsa në Shqipëri PS është në pushtet që nga viti 2013. Domethënë, në të dyja vendet, mazhorancat janë në pushtet prej një kohe të gjatë dhe të përafërt.

Të dyja vendet janë në procesin e integrimit në BE, gjë që nënkupton monitorim nga afër të ecurisë së këtij procesi nga ana e strukturave të Komisionit Evropian.

Zyra e Prokurorit Publik për Krimin e Organizuar (TOK) në Serbi është ngritur që në vitin 2002, por i është nënshtruar ndryshimeve ligjore në periudhën pas vitit 2016; domethënë është një njësi e mbështetur nga BE dhe ka një funksion të ngjashëm me SPAK në procesin hetimor, e fokusuar në krimin e organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë të shtetit.

Mbështetja me burime njerëzore e TOK në Serbi, sipas këtij akti të Parlamentit serb, është kufizuar, gjë që nuk mund të mos çojë në vështirësimin e përmbushjes së detyrave kushtetuese të këtij institucioni. Në Shqipëri pak është debatuar publikisht mbi kufizimet që Parlamenti vendosi për burimet financiare dhe njerëzore në dispozicion të SPAK-ut. Kështu, edhe pse parashikimet kushtetuese kërkojnë që “Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë” (Neni 148/dh), ndërsa volumet e punës duket se janë shumë më të mëdha edhe për 17 prokurorët që janë aktualisht, sulmet e përsëritura publike mediatike të kryeministrit Rama për pagat e tyre të larta nuk bëjnë gjë tjetër veçse ngjallin zemërim publik ndaj tyre, edhe pse SPAK nuk është aspak përgjegjës për stokun e dosjeve në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe vonesat e pafundme, pasi SPAK merret me një numër tejet të vogël çështjesh penale – ato që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar në vend – por që ky dallim pak ose aspak bëhet nga “qytetari mesatar”.

Nëse në Shqipëri SPAK ka në dorë disa dosje hetimore të zyrtarëve të lartë të vendit dhe vitin e kaluar u mor në hetim penal edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, në Serbi po vitin e kaluar TOK ngriti akuza ndaj ish-ministrave të qeverisë së SNS-së, G. Vesić dhe T. Momirović, të cilët dyshohen për korrupsion në rastin e rindërtimit të hekurudhës Beograd-Budapest. Gjithashtu, edhe ministri aktual i Kulturës dhe anëtari i lartë i SNS-së, N. Selaković, u akuzua për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre në rastin e Shtabit të Përgjithshëm.

Akuzat e TOK për korrupsion ose shpërdorim detyre ndaj ish-ministrave ose ministrave aktualë të qeverisë serbe janë përballur me një fushatë të gjerë kundër kësaj prokurorie nga ana e mediave pro-qeveritare, si dhe puna e gjyqësorit është kritikuar ashpër nga figurat kryesore të qeverisë, përfshirë Presidentin A. Vuçiç. Një situatë e ngjashme po ndodh edhe në Shqipëri me sulmet e koordinuara të maxhorancës, një pjese të opozitës ndaj SPAK-ut, si dhe të vetë KM Rama ndaj gjyqësorit në tërësi, duke përfshirë edhe deklarimin më të fundit, sipas të cilit Gjykata Kushtetuese “nuk gjeti forcën” për të mos lejuar, sipas tij, “rimarrjen peng të qeverisë” përmes një mekanizmi të pazakontë…

Burimet e medias bëjnë me dije se në Serbi, amendamentet ligjore të sipërcituara kanë ngjallur shqetësim të madh në Bruksel, aq sa Komisioni Evropian i deklaroi një medie serbe se “këto ndryshime mund të përfaqësojnë një hap të rëndësishëm prapa në angazhimin e Serbisë në rrugën e anëtarësimit në BE”. Në mënyrë eksplicite, propozuesi formalisht i këtyre amendimeve ligjore në Serbi shkoi më larg duke deklaruar se miratimi i një sërë ligjesh gjyqësore është “hapi i parë drejt kthimit të gjyqësorit të rrëmbyer te shteti dhe populli i Serbisë”, në mënyrë që ai të mos drejtohet më nga “qendra të alienuara nën kontrollin e qendrave të huaja të pushtetit”… Një pjesë e këtyre deklarimeve publike ngjasojnë dukshëm me qëndrimet institucionale dhe publike të mazhorancës socialiste të drejtuar nga z. Rama. Kështu, duke shpjeguar propozimin për ndryshimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, propozuesi i amendimeve në Serbi theksoi “nevojën për të ndryshuar disa vendime që lidhen me kompetencën për vendimmarrje, për referimin e prokurorëve publikë në prokurori të tjera publike…”.

Është e paqartë skema që do të ndjekë mazhoranca në pushtet në Shqipëri dhe kryeministri Rama në hapat për kufizimin e veprimtarisë së SPAK-ut, por ajo që dihet me siguri është që “qeveria” e prokurorisë (Këshilli i Lartë i Prokurorisë) dhe “qeveria” e gjyqësorit (Këshilli i Lartë Gjyqësor) janë plotësisht nën kontrollin politik të tyre dhe, së bashku me Gjykatën Kushtetuese, po përgatiten për një kryqëzatë të vërtetë ndaj SPAK-ut.

Gjithashtu, mazhoranca socialiste në Shqipëri në heshtje ka refuzuar kërkesën e përsëritur gjatë dy viteve të fundit të drejtuesit të SPAK-ut që Kuvendi të shihte mundësinë e ndryshimeve kushtetuese në lidhje me kufizimin e mandatit të prokurorëve të SPAK-ut, duke u dhënë atyre mundësinë që të rikandidonin për një mandat tjetër. Kjo kërkesë ka qenë artikuluar publikisht edhe nga zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Me sa duket, pezullimi i zbatimit dhe tërheqja nga amendamentet kontraverse në ligjet kryesore për gjyqësorin që deputetët serbë miratuan një javë më parë, i kërkuar fuqimisht nga Michael McGrath, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Drejtësinë, dhe vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit mbi çështjen Balluku në Shqipëri do të jetë edhe “guri i provës” për dinamikën jo vetëm të vendosjes së shtetit të së drejtës në të dyja vendet, por posaçërisht për procesin e integrimit të tyre në BE./BIRN/

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

U dhunua nga dy persona në një pikë karburanti, avokati Cakrani: Njëri po ofendonte, tjetri më goditi pas koke me mjet prerës

0

Kujtim Cakrani, avokati i njohur i Vlorës dhe mbrojtësi ligjor i ish-presidentit Ilir Meta, u dhunua ditën e djeshme në ambientet e një karburanti në qytetin e Vlorës.

Sipas vetë avokatit Cakrani, dy persona të panjohur për të e kanë sulmuar në momentin që ai po furnizohej me karburant. Fillimisht, ata e kanë ofenduar dhe sharë, ndërsa dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të një parkimi , edhe pse avokati shprehet se nuk beson se ky ka qenë shkaku i vërtetë.

Më pas, dy personat kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, duke e goditur me një mjet prerës në pjesën e pasme të kokës. Si pasojë, Cakrani ka pësuar një frakturë të rëndë në pjesën e pasme të kokës dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në reanimacion.

Burime spitalore bëjnë me dije se avokati ka dëmtime serioze në kokë,  dhe aktualisht nuk arrin të qëndrojë në këmbë.

Ndërkohë, në spital pritet mbërritja e ekspertëve mjeko-ligjorë, si edhe e përfaqësuesve të policisë, të cilët do të marrin dëshminë e avokatit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Ishin dy çuna me një makinë, të cilët pasi më provokuan, më dhunuan fizikisht. Nuk i njoh ata. Me njërin po bisedoja, tjetri më goditi pas koke. Ka ndodhur në hyrje të Vlorës, në një pikë karburanti. Nuk e kam idenë. Erdhën aty provokuan dhe më pas filluan me fjalë fyese. Ata dolën nga makina, më dhunuan.

Ka qenë me mjet prerës. Më goditën pas koke. Unë isha ulur në makinë. Njëri nga dritarja po më ofendonte, kurse tjetri hyri nga dera e pasagjerit dhe më goditi.

Më thanë: ‘Pse ke parkuar keq makinën. Ke zënë gjithë karburantin’. Pra ishte një mënyrë, një formë provokimi. Nuk i njoh të dy. Ishin moshë e re”, tha Cakrani për Top Channel.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Halli i Ballukut/ Si po e shpërbën Rama mitin e drejtësisë së re

0

Kryeministri Edi Rama po bëhet gati të ndërtojë një mur politik me votat e 11 Majit për të mbrojtur Belinda Ballukun nga arrestimi. Qëllimi është ta shpërbëjë mitin që e ngriti vetë për drejtësinë e re, kur premtonte se socialistët nuk do t’i bëheshin kurrë pengesë gjyqësorit që po na afron me Bashkimin Europian.

Sjellja e Ramës muajt e fundit po paralajmëron pikërisht momentin kur të mbërrijë në parlament kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut dhe atëherë 850 mijë votat e socialistëve të 11 Majit, të shndërrohen në mburojë parlamentare për Belinda Ballukun, për të cilën prokurorët kanë argumentuar se paraqet rrezikshmëri për krime të rënda dhe se ka përdorur kohën në dispozicion për të ushtruar presion ndaj një dëshmitareje në dosjen e aferave me rrugët.

Por para se të shkojë në seancë, Rama duhet të gëlltisë fjalët që ka thënë për drejtësinë e re.

Premtimi për të mos e shndërruar PS në “rifugio”

Fushata e 11 Majit dhe periudha pas zgjedhjeve kishin një refren: Partia Socialiste si promotore e drejtësisë së re, e gatshme të paguajë koston politike të hetimeve, në emër të integrimit europian dhe të shtetit ligjor. Sado cinike të duket sot, Rama mburrej në fushatë me arrestimet e ish-miqve të tij Lefter Koka, Erion Veliaj, Ilir Beqaj etj, duke e krahasuar Partinë Socialiste me një mace që dinte të kapte minj më mirë se të gjitha macet e tjera.

Jo shumë larg, në shtator të 2025, në asamblenë e parë të Partisë Socialiste pas zgjedhjeve të 11 Majit, Rama ua qartësoi deputetëve dhe ministrave vijën e kuqe: Partia Socialiste nuk do të kthehej në “llogoren e përbashkët apo në një rifuxho për të marrë në mbrojtje këdo” që kishte probleme me drejtësinë dhe në çdo rast socialistët as nuk do të nxirrnin “artilerinë kundër SPAK-ut apo GJKKO-së”.

Madje, ai e çoi argumentin deri në kufijtë e një vetëflijimi politik, duke thënë se edhe nëse prokurorët apo gjyqtarët e posaçëm do t’i trajtonin socialistët si “kavie eksperimentale”, kjo duhej pranuar si pjesë e një procesi më të madh.

“Kush nuk është dakord me këtë qasje të dhimbshme, nuk është për këtë punë, nuk duhet të merret me politikë në llogoren e Partisë Socialiste. Ka të gjithë të drejtën e vet të ketë një qasje tjetër, por jo në radhët e udhëheqjes së Partisë Socialiste” shprehej Rama.

Mesazhi ishte kristal për këdo. Kush mendonte se mund t’i dilte kundër prokurorëve të SPAK dhe gjykatësve të GJKKO e kishte derën hapur për t’u larguar nga Partia Socialiste.

Të dehur nga postet e ministrave që u shpërndanë në po të njëjtën mbledhje, të gjithë duartrokitën fjalën e tij. Edhe Belinda Balluku.

Kjo e fundit, deri ditën që u njoh me akuzën e prokurorit Dritan Premçi, u shpreh në të njëjtin ton institucional në dalje të SPAK: “Jam shpresëplotë se ky do të jetë një proces i bazuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe mbi të gjitha tek parimet e drejtësisë së pandryshueshme tek e cila besoj”.

Fjalët sot i ka marrë era.

“Volumi” i dosjes, herë bind e herë nuk bind

Nga “detyrim paraqitje” për Belinda Ballukun, SPAK shkoi te sekuestrimi i pasaportës, pezullimi nga detyra dhe në fund çoi në parlament kërkesën për arrestim. Dosja e Ballukut u përshkallëzua brenda pak javësh. Sa herë që prokurorët hidhnin një hap, gjuha e mazhorancës ashpërsohej.

Nga punishtja e propagandës nisën të prodhohen argumente të reja: jo më mbështetje e pakushtëzuar për drejtësinë, por analizat mbi standardet e paraburgimit, proporcionalitetin e masave dhe të drejtat e të pandehurve.

Vetëm se kjo nuk është hera e parë që Partia Socialiste përballet me një kërkesë për autorizim për arrestimin e një deputeti nga SPAK. Kur ka komentuar rastin e dhënies së autorizimit për arrestimin e Arben Ahmetajt, Rama e vlerësoi që prokurorët i kishin vënë përpara “dosjen e një pune voluminoze hetimore”.

Fakti që dosja për Arben Ahmetajn ishte voluminoze i kishte pëlqyer kryeministrit si një sinjal në favor të votës pro. Por sot, në rastin e Ballukut, voluminoziteti është problem.

“Po të isha unë në Këshillin e Mandateve do t’iu thoja çohu ikni dhe kthehuni me një dosje për deputetët. Nuk mund të vini këtu me 16 mijë faqe që i quani prova. Nuk janë produkt hetimi. Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime, arkivi i ministrisë futur brenda” është shprehur Rama për prokurorët që i kërkojnë të zhveshë nga imuniteti bashkëpuntoren e tij të afërt.

Një ndryshim perspektive kjo e Ramës që s’mund të kalojë pa u vënë re.

Rama implikohet vetë në dosjen e Ballukut

Në konferencën e fundvitit, i pyetur për mesazhet mes Belinda Ballukut dhe Ervis Berberit, të cilët pranojnë se ishte kryeministri që u kërkonte takime me biznesmenë përfitues tenderash, Rama zgjodhi një qasje të rrallë për politikën, duke u implikuar vetë në akuzën e SPAK për ministren.

“Që unë të kem thënë; “Tako Ramë Gecin” kjo s’ka çudi. Jam interesuar gjithmonë kur ka dashur. I kam takuar dhe përfaqësues të Kompanisë turke, “Ejani investoni në Shqipëri”. Po pastaj komentet; Fitoi tenderin pas 3 muajsh, janë si ato të Zhvejkut!”

Në dosjen për Ballukun nuk ka më shumë se kaq. Në momentin që kryeministri pranon se ka qenë pjesë e takimeve me biznesmenë që më pas kanë përfituar tendera, edhe pa qenë subjekt hetimi, ai hyn në një rreth interesi që e bën çështjen personale.

Nëse lejon arrestimin e Ballukut, Rama i hap rrugë një procesi që mund të prodhojë dëshmi të reja, emra të rinj dhe lidhje të tjera.

Një tjetër arsye për t’i thënë JO arrestimit të Ballukut.

Shqetësimi për numrin e lartë të të paraburgosurve

Prej muajsh, në media është ushqyer debati për numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri. Raporte të cituara nga ekspertë ndërkombëtarë, referenca ndaj Këshillit të Europës, analiza mbi masat e sigurisë.

Jo rastësisht, Edi Rama ka deklaruar se shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut do ta bëjë “në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të “torturave” të Këshillit të Europës”.

Një argument juridik, i paketuar me kujdes nga propaganda që paralajmëron rrëzimin e SPAK në parlament.

Pyetja që ngrihet në këtë rast është e thjeshtë: Kur e kuptoi mazhoranca shtimin e numrit të të paraburgosurve, përderisa Rama e nxiti publikisht arrestimin e Sali Berishës, Ilir Metës, Arben Ahmetajt, Lefter Kokës, Ilir Beqajt, Alqi Bllakos etj.

Partia Socialiste nuk ka shpallur ende një qëndrim zyrtar për votën në Parlament. Rama ka thënë se do të japë një përgjigje të qartë dhe të denjtë kur të jetë koha e duhur. Por narrativa e tij tregon se diçka e ka kuptuar: Eshtë e lehtë të flasësh për drejtësi të pavarur kur ajo troket në derën e tjetrit, por e vështirë kur troket në zyrën ngjitur me tënden./Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Dashnor Sula Kryeinspektor i Përgjithshëm, Berisha: Tradhti e lartë

0

Kryedemokrati, Sali Berisha ka komentuar emërimin e Dashnor Sulës në postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm.

Në një lidhje live në rrjete sociale, Berisha e ka cilësuar Sulën si tradhtar, pasi mori postin e propozuar nga qeveria.

Sipas Berishës, Sula kapi “flamurin e zi” të Ramës, duke tradhëtuar sipas tij qytetarët që për 12 vjet e kanë mbështetur me gjithë gabimet qe mund të ketë bërë.

“Nëse tradhtia ndaj atdheut ndihet e larë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë, nuk ka pse të mos quhet tradhti e lartë. Është absolutisht e njëjta gjë në doktrinë. Të tradhtosh ti ata të cilët burra dhe gra fisnikë kanë 12 vjet që s’të kthejnë shpinën, por të mbështesin me gjithë gabimet, por të mbështesin si shpresë për ta dhe të dalësh në kohën më të zezë të Ramës dhe të kapësh flamurin e zi të Ramës ke kryer aktin më të lartë të tradhtisë”, tha Berisha, duke shtuar “e kuptoni vetë se çfarë mollë e kalbur ka qenë”.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Belinda Balluku, karriera politike nga viti 2004 deri më sot përballë drejtësisë

0

Belinda Balluku, numri dy i qeverisë së mandatit të katërt të Partisë Socialiste, e nisi karrierën politike në vitin2004. Asokohe zonja Balluku iu bashkua stafit të Bashkisë së Tiranës, nën drejtimin e Edi Ramës si kryebashkaik. Balluku fillimisht punoi si Këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më vonë si Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë.

Prej vitit 2006, Balluku ka qenë zyrtarisht pjesë e Partisë Socialiste. Belinda Balluku ka marrë pjesë në shtabet elektorale, ku ka organizuar evente të rëndësishme politike dhe ka drejtuar Kabinetin e Kryetarit gjatë periudhës janar 2011-janar 2012.

Nga shtatori i vitit 2013 e në vazhdim, Ballukut iu besua një tjetër detyrë e rëndësishme, pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm të ALBCONTROL Sh.A., fill pasi Rama kishte fituar mandatin e parë si kryeministër.

Në fillim të vitit 2019,karriera politike e Belinda Ballukut do të merrte një hov të rëndësishëm. Më 17 janar, Rama e futi Ballukun në ekzekutiv duke e emëruar Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, edhe pse nuk kishte mandate të fituar deputeti. Këtë post Balluku e ka mbajtur për 7 vite, derisa GJKKO kërkoi pezullimin nga detyra të znj.Balluku.

Në korrik të vitit 2022, Balluku do të merrte një tjetër detyrë akoma më të rëndësishme në karrierën e saj politike. Edi Rama në mandatin e tretë, e bëri Ballukun krahun e djathtë të qeverisë së tij duke e emëruar si zv.kryeministre.

Në fushatën e vitit 2025, Balluku ishte drejtuese e qarkut të Fierit, ku Partia Socialiste  siguroi  një rezultat rekord prej 12 mandate, duke i rrëmbyer Partisë Demokratike një mandat nga lista e mbyllur.

Sot, Balluku mban vetëm mandatin e deputetes, fituar fillimisht në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021e më pas mandatin e dytë të zgjedhjeve të 14 majit, 2025. GJKKO ka pezulluar nga çdo detyrë në ekzekutiv të znj.Balluku, gjatë një vendimi të marrë më 20Nëntor të vitit 2025.

Afro një muaj më vonë, pasi Rama nuk zbatoi masën e pezullimit, SPAK iu drejtua Kuvendit për heqjen e imunitetit. Përtej vendimit që do të marr Këshilli i Mandateve për këtë kërkesë të SPAK, Gjykata Kushtetuese këtë të premte, të 6 shkurtit 2026, nuk arriti të votojë në unanimitet kërkesën e kryeministrit Rama për rrëzimin e  vendimit të GJKKO. (A2 Televizion)

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Berisha reagon pas vendimit të “Kushtetuese” për Ballukun: Kërkesa e Ramës u hodh në kosh të plehrave

0

Kryetari iu Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e kryeministrit Rama për të shpallur antikushtetuese pezullimin e Ballukut, duke lënë kështu në fuqi vendimin e GJKKO.

Sipas Berishës, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë në koshin e plehrave një kërkesë, që siç tha ai ishte baras me një “gusht shteti”.

Sipas Berishës në dy muaj, Belinda Ballukut iu dha mundësia të fabrikoje dhe falsifikojë dokumentet.

“Pas 9 orësh GJK nuk mori dot vendim për të pranuar kërkesën e Edi Ramës. Unë vlerësoj qëndrimin e atyre gjykatësve që me guximin e tyre rrëzuan një kërkesë që ishte baras me grusht shteti kundër shqiptarëve. Gjykata ka mëkatin e madh sepse u dha Lubi Ballukut mbi dy muaj kohë të falsifikojë cdo dokument. Me atë ndarje 4 me 4 vendimi, kërkesa e Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave  bashkë me Edi Ramën”, tha Berisha.

Ndërkohë kreu i PD akuzoi Ramën se me qëndrimet e tij për çështjen e Ballukut detyroi kancelaritë e evropës, ti nxjerrin, siç tha ai, “jo kartonin e kuq, por të shkojnë drejt vendimit që nuk është marrë ndonjëherë, vendimit të zhbërjes së procesit të integrimit të Shqipërisë”.

“I kapur me presh në dorë i dëshmoi shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar, se për atë ligji dhe kushtetuta nuk ekzistojnë. U dëshmoi shqiptarëve se ai është i aftë të sakrifikojë çdo interes të tyre, të shkelmojë edhe procesin më themelor të pluralizimit politik, procesin e integrimit evropian.

Rama me qëndrimet e tij të papërgjegjshme detyroi kancelaritë e evropës, ti nxjerrin jo kartonin e kuq, por të shkojnë drejt vendimit që nuk është marrë ndonjëherë, vendimit të zhbërjes së procesit të integrimit të Shqipërisë.

Protestat tuaja kanë qenë të një rëndësie përcaktuese, si shpresa e vetme e ndryshimit të kësaj situate, sepse ky vendim është i gatshëm të shpallet.

Rama në mënyrën më të papërgjegjshme më antikushtetuese, më antiligjore vendosi të përdorë GJK mburojë të vjedhjeve të tij. Të përdorë gjykatës të papërgjegjshëm që nuk kanë asnjë parim dhe norme, si mburojë për vazhdimin në detyrë të Lubi Ballukut. Por ama këto qëndrime të tij hasen në kundërshtimin më të fuqishëm të partnerëve tanë dhe KE, për cka unë shpreh mirënjohjen ndaj tyre, sepse me këto qëndrime u dëshmuan shqiptarëve se Rama është njeriu që nuk ka asnjë interes ndaj shqiptarëve dhe shkelmon ndaj interesave të tyre”, tha Sali Berisha ne komunikim me ndjekësit në Facebook.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Kushtetuesja”, ose “4 x 4”-a që nxorri Edi Ramën nga balta

0

Nga Armir Shkurti

Qymyri po s’të dogji të nxin – thotë populli. Politika shqiptare është kështu. Madje edhe të djeg e të nxin njëkohësisht. Nga mbrëmë Edi Rama edhe dogji edhe nxiu gjykatën kushtetuese. Jo se kjo qe ndopak e bardhë më herët, por qe fshehur paq. Ndërsa mbrëmë….

Mbrëmë “kushtetuesit” u sollën si politikanë. Pragmatizmi i (mos)vendimit të tyre ia kalon ku e ku edhe Ponc Pilatit. E poqën mishin pa djegur hellin. Edhe vendimin e GJKKO e lanë në fuqi, edhe Edi Ramës ia hoqën barrën. Bukur fort për nga djallëzia dhe përfitimet, por katastrofë pa kthim për dinjitetin e institucionit! 4 me 4 në rezultat të GJK përkthehet NUL, zero. Ose në gjuhën e basteve sportive – X ( iks ) . Do të thotë 4 me 4 = 5 me 5 = 0 me 0! Përfundimi dje qe 0 me 0. Ose zero institucion. Rezultati i një dite të gjatë “ngujimi” të kadilerëve kunstituonjës doli në përfundimin se ne NUK JEMI. E meqë ne NUK JEMI vazhdoni si ta keni juve mendjen.

Personalisht do kisha pranuar edhe një vendim që s’do të më pëlqente, por që nga pikëpamja ligjore të qe qepur me fije të arta të mendimit dhe ekspertizës më të ndritur të majës së drejtësisë shqiptare! Do ta pranoja shumë më butë një gabim të një institucioni dinjitoz sesa një zgjidhje hileqare pragmatiste të një zyre langaraqësh, zara të pushtetit.

Pra mos u gëzo o i gëzuar! Ndoshta ke fituar një gjyq me dikë që e urren publiku mbarë por ke humbur një gjymtyrë tjetër të shtetit.

Edhe një shpjegim i fundit për imazhin e “4×4”-ës që nxjerr nga lluca kryeministrin:

Nuk është thjesht çështja se Ponc Pilatët ( Rama i pari! ) lanë duart dhe ia hodhën me lezet Ballukun drejtësisë. Puna është se, po të kishte dalë me vendim “4×4” -a se, SPAK ose GJKKO kanë të drejtë të marrin masa ligjore ndaj një anëtari të qeverisë në detyrë, kur t’i vijë rradha kryeministrit nuk ka pengesë që i mban apo vonon. Ndërsa kështu, Rama sërish ka të drejtën ti drejtohet kadilerëve kushtetonjës, të cilët nuk janë shprehur por janë fshehur! Janë fshehur te një 4 me katër, që , e theksoj: E BËRI NUL KËTË INSTITUCION

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Kushtetuesja rrëzon qeverinë, rikthehet pezullimi nga detyra i Belinda Ballukut

0

Gjykata Kushtetuese ka marrë mbrëmjen e djeshme vendimin në lidhje me kërkesën e kryeministrit Edi Rama kundër masës së sigurisë “pezullim nga detyra” të vendosur ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku.

8 gjyqtarët janë ndarë në barazim 4-4 duke bërë që të rrëzohet kerkesa e kryeministrit Edi Rama pasi kërkesa e tij nuk ka mundur dot të shumicën e votave. Kjo do të thotë se mbetet në fuqi pezullimi i Ballukut nga detyra, vendim i marrë nga GJKKO pas kërkesës së SPAK. 

Në vendimin e shpallur nga kryetarja e gjykatës Fiona Papajorgji rezulton se kërkesa nuk ka marrë korumin e votave, duke u ndarë 4 në favor të kryeministrit dhe 4 në favor të SPAK. Duhet të ishte arritur korumi me 5 veta. Për zonjën Balluku është rikthyer masa e pezullimit nga funksionet publike.

Gjyqtarët e GJK ishin “ngujuar” që në orë 11:00 në Dhomën e Këshillimit, ndërsa janë larguar që aty vetëm pak minuta sa të konsumonin drekën. Kjo ishte mbledhja e tretë e GJK për këtë çështje, pasi dy mbledhjet e mëparshme kanë dështuar pasi disa anëtarë kanë kërkuar më tepër kohë.

Balluku ka edhe një tjetër përballje në Kuvend pasi SPAK ka kërkuar një masë edhe më të ashpër siç është arrestimi. Këshilli i Mandateve do të duhet të mblidhet për të marrë një vendim.   

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Qeveria miraton Amnistinë Penale, 853 të dënuar përfitojnë lirim direkt

0

Qeveria miratoi sot Amnistinë Penale. Lajmin e konfirmon Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një deklarate pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Ai thotë se 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu dhe 853 të tjerë ulje dënimi. Mes tyre ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj. Numri real i përfituesve nga pushimi i ndjekjes penale është shumë më i lartë.

“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam Amnistinë Penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative. Për më tepër, duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta. Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe ri-integrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane”, shprehet ministri Lamallari.

Ministri i Drejtësisë thotë më tej në deklaratën e tij se pret që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa në mënyrë që amnistia të fillojë efektet e saj.

“Objektivi ynë ambicioz është të kemi një sistem që di të ndëshkojë fort kur duhet, por edhe të japë një shans për t’u rikthyer në shoqëri. Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe një mundësi e dytë e drejtuar nga humanizmi dhe rehabilitimi. Falënderoj të gjitha institucionet që kontribuuan në këtë proces dhe pres që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin sa më parë, në mënyrë që efektet pozitive të amnistisë të ndihen nga mijëra familje shqiptare”, deklaron Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari. Nga kjo amnisi nuk përfitojnë subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posacme për Korrupsionit dhe Krimit e Organizuar.

Projektligji i amnistisë do të depozitohet në Kuvend, ku do të nisë shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe më pas kalon për miratim në seancë plenare.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx