Ballina Blog Faqe 95

Këshilli i Mandateve nuk mblidhet pa vendimin e GJK-së, Koçi kundër PS: Justifikim!

0

Ish-deputeti Petro Koçi është rreshtuar kundër Partisë Socialiste lidhur me zvarritjen për mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për hapjen rrugë të arrestimit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Në një status në rrjete sociale, Koçi shkruan se e vetja arsye që justifikon hapësirën kohore nga ardhja e kërkesës së SPAK në Kuvend dhe seancës për shqyrtim, është afati që iu nevojitet anëtarëve të Këshillit për të shqyrtuar argumentet e Prokurorisë së Posaçme.

Referuar arsyetimit të PS-së, të cilët e kanë bërë të qartë që nuk ka mbledhje të Këshillit të Mandateve pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese për pezullimin e Ballukut nga detyra, ish-deputeti e cilëson si justifikim.

Postimi i Petro Koçit:

Kuvendi i Shqiperise si perfaqesues i sovranit nuk ka asnje justifikim ne zvarritjen e shqyrtimit te kerkeses se SPAK per te dhene lejen parlamentare per mase sigurie ndaj nje ministri apo deputeti.

E vetmja arsye qe justifikon hapesiren kohore mes dates se mberritjes se kerkeses dhe dates se shqyrtimit ne seance plenare eshte koha e pershtatshme ne dispozicion te anetareve te Komisionit te Mandateve dhe Imuniteteve per te shqyrtuar dosjen me argumentat e prokurorise se posaçme.

Ndersa arsyetimi i shtyrjes se shqyrtimit te ceshtjes ne ate Komision me faktin se Gjykata Kushtetuese akoma nuk eshte shprehur ne menyre perfundimtare per ankimimin perkates te Kryeministrit nuk qendron sepse GJK tashme duke mare shkas nga rasti Balluku do percaktoje nje norme kushtetuese e cila do legjitimoje ose jo fuqine ligjore te GJKKO per te pezulluar ne te ardhmen nje minister nga detyra. Cilido te jete vendimi dyopsionesh i GJK nuk ka efekt mbi ndjekjen penale.

E them kete sepse SPAK e ka kapercyer pozicionin paraprak te kerkeses per pezullim dhe ka ardhur te kerkesa me e ndjekur ne praktiken e deritanishme per leje te dhenies se mases se sigurimit me arrest qe une besoj si arrest ne shtepi.

Ne fakt ne do te kishim nje situate me te lehtesuar nese do kishim nje reagim me doreheqje qysh me fillimin e ndjekjes penale.

Ne praktiken perendimore doreheqja jepet edhe nese ndjekja penale fillon edhe per ceshtje qe nuk kane lidhje me funksionin.

Gjykoj qe keto zvarritje sjellin vetem deme per qeverine, maxhorancen tone dhe per vete te interesuarit e nga ana tjeter i japin jete nje kufome politike qe mallkon atdheun e vet edhe ne foltore nderkombetare.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Naim Murseli dëshmon në gjykatë: Isha i lumtur me Liridonën, s’isha në makinë kur…

0

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës dëshmoi sot në 29 janar Naim Murseli, i dyshuari për organizimin e vrasjes së gruas së tij, Liridona Ademaj. Para trupit gjykues, Murseli deklaroi se gjatë gjithë viteve të martesës kishte pasur një marrëdhënie të mirë me të ndjerën dhe se ajo nuk kishte shprehur kurrë pakënaqësi në raportin e tyre.

“Me Liridonën u fejuam në vitin 2010 dhe u martuam më 11 dhjetor 2011. Kemi 12 vite martesë dhe dy fëmijë. Marrëdhënia jonë ka qenë shumë e mirë, e lumtur. Liridona ishte një grua e mrekullueshme, nënë e përkushtuar dhe bashkëshorte e devotshme. Jetonim në Suedi, ku ajo mori edhe shtetësinë suedeze pas tre vitesh”, tha Murseli.

Ai tregoi se dëshira më e madhe e Liridonës ishte të bëhej nënë, por për pesë vjet ajo kishte vështirësi për të mbetur shtatzënë. Pas shumë përpjekjesh dhe vizitash në spitale, në vitin 2017 ata u bënë prindër të fëmijës së parë, ndërsa pas një viti e gjysmë lindi edhe fëmija i dytë. Murseli shtoi se marrëdhënia e tyre ka qenë gjithmonë e mirë dhe nuk ka pasur dhunë ose ndarje.

Naim Murseli u soll në gjykatë nën masa të rrepta sigurie dhe me pranga në duar, së bashku me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, të dyshuar gjithashtu për përfshirje në këtë krim.

Gjyqi ndaj tre të akuzuarve, të dyshuar për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së Liridona Ademajt, ka përfunduar për këtë seancë. Seanca e radhës është caktuar për më 11 shkurt në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Haraçi i “nderimit” në Keneset

0

Nga Andi Bushati

Pasi u shfry si flluskë sapuni propoganda rreth vendit të veçantë që Edi Rama zinte në zemrën e Donald Trumpit, pas ftesës që kreu i Shtëpisë së Bardhë i dërgoi për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, asaj, menjëherë, tentoi ti’a zinte vendin një fabul tjetër. Respekti që kryeministrit tonë po i bëhej nga Izraeli, duke e pritur me një ceremoni sui generis dhe duke i hapur dyert e parlamentit për të mbajtur fjalim para deputetëve vendas.

Në pamje të parë ky ngjan si një nder i veçantë, të cilin kanë pasur rastin ta ushtrojnë (gjithësesi ende pa ndodhur genocidi në Gaza), fare pak liderë perendimorë, si Merkel, Makron apo ish presidenti Biden.

Por, fakti që kjo ngjarje ndodh rrallë nuk ka të bëjë vetëm me palën ftuese, por mbi të gjitha me rrefuzimin e të ftuarve për ta kryer këtë akt. Disa shtete të BE-së refuzojnë në mënyrë të prerë të mbajnë fjalën e tyre para deputetëve të Kenessetit, për shkak se ai ndodhet në Jueruzalem, të cilin ashtu si Shqipëria, ato nuk e njohin si kryeqytet të vendit dhe nga ngurimi se kjo mund të interpretohej si pranim i territoreve të pushtuara të qytetit të shenjtë.

Në rregullat e tyre të pashkruara diplomatike ka një “nen” të veçantë: të flasësh në parlamentin e Jeruzalemit do të thotë të kesh marrë qëndrim edhe kur pretendon se nuk je duke e bërë këtë.

Kështu shtete si Belgjika, Spanja, Suedia apo Irlanda ia kanë kursyer gjithmonë vetes këtë “nderim”. Ndërsa në kodet e atyre liderëve që kanë guxuar ta hedhin këtë hap, ka qenë gjithmonë detyrimi për një fjalim të peshuar mirë, të ekuilibruar dhe duke pasur brenda tij dy mesazhe të qarta: bindjen e palëkundur për zgjidhje me ekzistencën e dy shteteve dhe theksimin e statusit të pazgjidhur të Jeruzalemit.

Ky ka qenë rregulli i pa bërtitur për të shmangur çdo keqkuptim.  Po ti kthehesh edhe asaj që kanë thënë Merkel, Makron apo Biden, në asnjërin prej tyre nuk gjen një qëndrim para deputetëve izraelitë ku mos jetë përmendur krijimi shtetit palestinez.

Tani, ku qëndron problemi me “nderimin e rrallë” që iu bë kryeministrit tonë?

Ai u ftua në atë sallë në një kohë kur aty ku nuk shkel më asnjë lider evropian që pas janarit të 2024, kur Gjykata Evropiane e të drejtave të njeriut çertifikoi akuzat për ushtrim genocidi në Gaza, si të besueshme. Pra shfaqja e kësaj të hëne, më shumë i nevojitej propogandës të Natanjahut për të treguar se rrethimi po çahet, sesa nderit të Shqipërisë apo kryeministrit të saj.

Dhe Edi Rama e kreu më së miri rolin e aktorit që kishte marrë përsipër.

Ai thurri fjalët më të zgjedhura për homologun e tij izraelit, i cili nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë, akuzohet për krime kundër njerzimit, se ka urdhëruar sulme disproporcionale ndaj civilëve, përdorur urinë si mjet lufte dhe ndëshkimin kolektiv të popullsisë në Gaza.

Natyrisht, në atë vend ku kishte pranuar të ftohej lideri ynë global nuk mund ti përmendte këto.

Por, ai shkoi deri në një servilizëm të neveritshëm duke fajësuar për vrasjet dhe torturat brenda asaj getoje në qiell të hapur vetëm Hamasin. Ai injoroi edhe qëndrimet që janë një linjë konstante e diplomacisë shqiptatre, si ato për zgjidhjen me dy shtete. Ai nuk e përmendi asnjëhetë nevojën për njohjen e Palestinës. Ai arriti deri aty, sa në mënyrë të tërthortë në vend të Cisjordanisë, përdori termin  “Jude Samari”, të pa pranueshëm në diskumentet ndërkombëtare, që mëton të njohë sovranitetin e Izraelit mbi territoret arabe.

Pra, boll ti bësh një vështrim të vëmendshëm kontekstit në të cilin u mbajt dhe brendisë së fjalimit të Ramës në Kenesset, për të kuptuar nëse, në këtë rast, ai ka qenë “miku i nderuar” apo “klienti i përdorur”.

Por këtu puna nuk është as tek pritja, madhështia, apo oratoria. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me të njëjtëin fenomen të përsëritur të nëpërkëmbjes të nëpërkëmbjes së shtetit në emër të personit. Nëse për ti shërbyer Melonit u shkel pa problem sovraniteti i vendit, nëse për ti pëlqyer dhëndërit të Trumpit, u ndryshua ligji i zonave të mbrojtura, për rastin e Natanjahut u shkel vija e kuqe e qëndrimit tradicional të diplomacisë shqiptare për konfliktin Izrael- Palestinë. Dhe fatkeqësisht kështu do të vazhdojë të ndodhë për sa kohë jetojmë në një vend ku gjenden me shumicë nga ata që sharlatanizmin janë të gatshëm ta shohin si madhështi. /Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Nertil Bellaj, një kryebashkiak pranë qytetarëve dhe i përkushtuar ndaj shërbimit publik

0

Në një kohë kur qytetarët kërkojnë më shumë se premtime, por punë konkrete dhe prani reale të drejtuesve vendorë, Nertil Bellaj, kryebashkiaku i Selenicës, spikat si një model i një drejtuesi të angazhuar dhe pranë komunitetit.

I njohur për korrektësinë dhe përkushtimin ndaj detyrës, Bellaj ka treguar se drejtimi i një bashkie nuk është thjesht një funksion administrativ, por një përgjegjësi e përditshme ndaj halleve dhe nevojave të banorëve. Ai është shpesh i pranishëm në terren, duke dëgjuar nga afër shqetësimet e qytetarëve dhe duke kërkuar zgjidhje konkrete, jo justifikime.

Fokusi i punës së tij ka qenë përmirësimi i shërbimeve publike, mbështetja e komuniteteve lokale dhe krijimi i një bashkëpunimi të hapur me qytetarët. Banorët e Selenicës e vlerësojnë për thjeshtësinë në komunikim dhe gatishmërinë për të dëgjuar, cilësi që e bëjnë një drejtues të afërt dhe të besueshëm.

Nertil Bellaj përfaqëson figurën e një kryebashkiaku të ri në mendësi, që e sheh pushtetin lokal si shërbim dhe jo si privilegj. Përkushtimi ndaj punës dhe respekti për qytetarët janë elementë që e dallojnë dhe që krijojnë besim te komuniteti që ai drejton.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Pretekstet/ Si po i djeg PS afatet për të shpëtuar Belinda Ballukun nga prangat

0

Mazhoranca socialiste po e çon me vetëdije drejt djegies kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres të pandehur Belinda Balluku, duke shfrytëzuar vonesën e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese. Skema e zvarritjes duket se po çon në konsumimin e afateve ligjore, me synimin që kërkesa të bjerë automatikisht.

Shpresat janë tek neni 118, pika 5 e rregullores së Kuvendit, që përcakton se nëse Kuvendi nuk merr vendim brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës së prokurorisë për autorizimin e arrestimit të një deputeti, kërkesa konsiderohet e rrëzuar. Me këtë skenar, Partia Socialiste ia kursen vetes votën kundër autorizimit që kërkon SPAK, por edhe shpëton të pandehurën Belinda Balluku nga arrestimi. Për Ballukun, kjo do të thotë një datë konkrete: 16 mars.

Që nga 16 dhjetori, kur SPAK depozitoi kërkesën, Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim real për ta shqyrtuar atë. Përkundrazi, procesi është shtyrë pa afat, përmes një arsyetimi të paqartë se duhet pritur një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili juridikisht nuk e pengon Kuvendin të ushtrojë kompetencën e tij kushtetuese për dhënien ose jo të autorizimit.

Në urdhrin e firmosur së fundmi nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, thuhet se shqyrtimi i kërkesës së SPAK “do të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të garantuar një proces vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese”.

Por ky formulim ka krijuar një ngërç institucional, pasi siç duket Gjykata Kushtetuese pret Kuvendin dhe Kuvendi pret Gjykatën Kushtetuese për ta hequr nga duart pataten e nxehtë me emrin Belinda Balluku. Për pasojë afati ligjor vazhdon të digjet.

Qëndrimet reflektojnë një linjë politike të shpallur publikisht nga Kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor të vitit të kaluar, pasi SPAK kërkoi në kuvend autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut.

Deklarata e Ramës që de facto është shndërruar në një urdhër politik, ishte se “nuk ka asnjë gjasë që shumica qeverisëse dhe parlamentare ta shqyrtojë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme”.

Mbrojtja që po i ofrohet të pandehurës Belinda Balluku nga Partia Socialiste, përbën një kthesë të fortë nga qëndrimi i mëparshëm ndaj drejtësisë së re, kur Edi Rama betohej se Partia Socialiste nuk do të kthehej në zyrë avokatie për askënd që kishte telashe me drejtësinë. Në këtë linjë, dy vite më parë, ish-kryetari i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi, deklaronte publikisht se PS do të votonte çdo kërkesë për heqje imuniteti, pavarësisht përkatësisë politike.

Sot, kjo deklaratë bie ndesh me praktikën konkrete, ku për herë të parë në historinë e Kuvendit një kërkesë e SPAK për arrestimin e një deputeti zvarritet për javë të tëra pa u futur në rend dite.

Ndërkohë që politika konsumon kohën, prokurorët e SPAK kanë argumentuar se qëndrimi i Belinda Ballukut në detyrë përbën rrezik të drejtpërdrejtë për procesin hetimor.

Prokurori Dritan Prençi deklaroi në seancën në Gjykatën Kushtetuese se Balluku ka ndikuar në procesin e marrjes së provave pas rikthimit në detyrë. “Duke pasur parasysh rolin dhe funksionin e lartë shtetëror të zonjës Balluku, kemi argumentuar nevojat për marrjen e provave, hetimet me dëshmitarë dhe faktin se realisht kanë ndërhyrë në procesin e hetimit dhe ka cenuar marrjen e provave”, u shpreh Prençi.

Ai theksoi gjithashtu se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e masës së ndaluese ndaj Ballukut ka pasur efekt konkret negativ mbi hetimin. “Patjetër që ka dhënë efekt ky vendim mbi pezullimin e masës, për shkak të rolit dhe funksionit të lartë shtetëror të saj”, tha ai.

SPAK ka shkuar edhe më tej, duke pretenduar se Balluku ka ushtruar presion ndaj një vartëseje të saj në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Mirzeta Kashnica, anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e tunelit të Llogarasë.

Në dosjen hetimore thuhet tekstualisht se “nga përdorimi i metodave speciale kanë rezultuar të dhëna se e pandehura, gjatë kohës që ishte njohur me akuzën dhe ushtronte detyrën, ka ushtruar presion me forma të ndryshme ndaj personit të pyetur”.

Pikërisht për këtë arsye, prokurorët e SPAK kanë kërkuar jo vetëm pezullimin nga detyra, por edhe autorizimin e arrestimit të të pandehurës Belinda Balluku, duke argumentuar se ajo po prish provat, po ndikon tek dëshmitarët dhe po rrezikon interesin publik përmes vijimit të ushtrimit të funksioneve të saj shtetërore.

Në këtë sfond, loja institucionale e zvarritjes synon të kapë datën 16 mars, kur kërkesa e SPAK bie për shkak të afateve. Dhe bashkë me kërkesën e SPAK bie edhe fasada e rreme që Edi Rama e ngriti me mund në këto vite sikur nuk ai do t’i kundërvihej kurrë drejtësisë së re, sepse e kishte si mision ta ulte Shqipërinë në tryezën e Bashkimit Europian./Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Korreshi: Nuk hyhet në Europë me br*kë të grisura

0

Deputeti i PD, Saimir Korreshi, dhe Toni Gogu janë përplasur me njëri-tjetrin gjatë mbledhjes së sotme te Komisioni i Ligjeve për programet e financimit.

Pjesë nga debati:

Korreshi: Që të mos vonoj Ulsin se do flejë. Keni parë ndonjë fshatar me panel diellor? Se s’kemi takat ne. Më gjeni një katundar, një hallexhi që paska marrë ekonomi të gjelbër. Gjeni një.

Gogu: E kuptoj parodizmin dhe ironizimin që i bëni situatës. Ju e nisët seriozisht me ish kryetarin e partisë suaj, që e trajtuar me seriozitet integrimin në BE. Situata është bërë tragjiko-komike për ju, s’ka ilaç, e keni marrë më gallatë. Të bëhesh pjesë e programit më të madh zhvillimor, mendoj se është sukses. Ne votohemi për të bërë politik, kështu dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak. 38 përfituesit shqiptar, janë lajmi më i mirë për ne, sepse ata kanë konkurruar dhe kanë fituar. Kemi filluar një udhëtim që po rrisim kapacitetet. Kjo nuk do të thotë që papritur gjëja është bërë parajsë. Ka filluar një transformim. Vetëm me të qeshura mund të jetohet, se s’keni ca bëni tjetër ju. Këta ishin eurofil dhe tani janë kthyer në euroskeptike.

Manja-Korreshit: Je eurofil apo euroskeptik?

Korreshi: Nuk e di Toni që Lushnja ishte pa drita katër orë mbrëmë. Mori plaka dhe më tha që s’kishte drita. Dëgjo Toni dëgjo! Më tha plaka: s’punon as pompa të mbushnim ujë, se jemi katër orë pa drita. Po ça Evropë?! Ke kanalet pa pastruar në Myzeqe. Me ça do hysh në Europë? Me çizme me baltë? Ky euroskeptiku ka mbaruar para 25 viteve në Roma. Këto letrat, ju bëjini, këndojini, bëjini çfarë të doni. S’po na çoni ju në Europë.

Nuk hyhet në Europë me br**ë të grisura, duhen arnuar njëherë pastaj të hyjmë, se nuk na qasin.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ilir Meta rrëfehet nga qelia: Të vërtetat e 21 janarit, 14 shtatorit dhe çështjes Hajdari

0

Ish-Presidenti Ilir Meta, ka publikuar në llogarinë e tij një shënim të gjatë për disa nga ngjarjet më kyçe që kanë ndikuar politikën shqiptare. 

Reagimi i plotë i Ilir Metës:

Të vërtetat e 21 Janarit, 14 Shtatorit dhe çështjes Hajdari

Kur njerëzit me integritet nuk i thonë të vërtetat, veçse ndihmojnë falsifikatorët e historisë të legjitimojnë gënjeshtrat e tyre.

Jo vetëm kaq, por edhe detyrohen të dëgjojnë leksione për “standarde morali” nga njerëz që me moral kuptojnë vetëm borderonë ku paguhen (në të bardhë apo të zezë).

Akoma më keq kur dëgjon gënjeshtra nga ish-drejtues institucionesh që mbajnë përgjegjësi për veprimet apo mashtrimet kur ishin në detyra shtetërore apo qeveritare.

Le të nisim me 21 Janarin 2011

Dëgjova edhe një gazetar të njohur se kur atëherë për 700 mijë euro u bë name në 21 Janar, tani duhet të bëhet hataja kur flitet me dhjetëra milion euro, etj. (Kjo është përmbledhje sintetike e imja)

Nëse populli vërtet do ishte revoltuar për atë montazh të stërprovuar më 11 Janar do kishte dalë që atë natë në rrugë (siç ka ndodhur në Hungari e vende të tjera). Ja maksimumi ditën tjetër. Por 21 Janari ndodh vetëm 10 ditë pas publikimit.

Ndërkohë përgatitjen për 21 Janarin kishin nisur muaj më parë.

Pas një viti në krye të Ministrisë së Jashtme, pasi kishim përmbyllur me sukses çështje madhore si vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, si edhe liberalizimi i vizave pas takimit vendimtar të Sarajevës, por edhe pas zmbrapsjes së Projekt-Rezolutës së Serbisë në OKB kundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ramë dakord me Kryeministrin Berisha, për të bërë rokadë brenda 2 ministrive që drejtonte Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI).

Arsyeja kryesore ishte jo vetëm se unë i kisha përmbushur objektivat kryesorë në MPJ, por edhe se e kisha të pamundur të drejtoja në mënyrë efektive LSI-në, ndërkohë që po afronin zgjedhjet vendore.

Në një vit kisha kaluar gati 170 ditë jashtë shtetit.

Këtë vendim ia komunikova edhe zotërisë me të cilin do bëja rokadën.

Edhe pse i palumtur ai i mirëkuptoi argumentat e mia.

Por çuditërisht pasdite më mbërrijnë nja 2 sms të tij, ku më thoshte se nuk ishte dakord me këtë rokadë dhe se duhej ta vlerësoja edhe njëherë këtë ide se përndryshe ai kishte përgjime me mua.

Kaq mjaftoi që ai të “shkarkohej” pa u propozuar.

Këto mesazhe të tij ia kalova forward Kryeministrit Berisha dhe i bëra të qartë që ky nuk mund të ishte Ministër i Jashtëm dhe i propozova Z. Edmond Haxhinasto, më një përvojë të çmuar diplomatike.

Kështu që shantazhi u shpërblye me shkarkim dhe jo me “negociata”.

Disa javë më vonë shantazhisti bëri të penduarin duke më kërkuar falje në celular dhe po kështu edhe takim i cili u zhvillua te “Piazza”.

Pasi kërkoi falje për “nxitimin” më solli një ofertë “fantastike” nga Edi Rama.

Thelbi i ofertës ishte që unë të bëhesha Kryeministër dhe ta bënim Qeverinë sipas dëshirës tonë dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të na mbështese pa kushte.

“O shoku, – e pyeta, “unë si do jem Kryeministër me 4 deputetë?”

Unë kisha mbi 60 deputetë si Kryeministër dhe u largova vetë se nuk mund të pranoja kushtet e pakicës parlamentare të Fatos Nanos.

Në fund, shantazhisti më tha se nëse unë bëhesha Kryeministër ai nuk do t’i nxirrte përgjimet.

Kuptohet që këtu biseda mbaroi “me sukses” sepse “i penduari” u bë recidivist.

Pak ditë më vonë një pronar mediash që ishte mik i përbashkët më kërkoi takim urgjent te “Rogneri”.

Kujtova se kishte ndonjë hall të tij, por ai kishte merakun tim.

Më tregoi një foto ku isha unë me shantazhistin në zyrën e këtij të fundit.

“Çfarë urgjence ka kjo?”, – e pyeta unë.

“Ma tha ai, – më tha pronari i medias, “dhe do e publikojë përgjimin nëse nuk e pranon propozimin”.

“Faleminderit prej teje, – i thashë, “por i thuaj atij të publikojë ç’të dojë dhe kur të dojë”.

Natyrisht shantazhisti duke menduar se unë e merrja për bllof kërcënimin e tij më kishte çuar lajmësin për të më treguar “provën” se nuk bënte bllofin.

Por si njeri i përgjegjshëm që e di shumë mirë se çfarë firmos, por edhe se çfarë them në çdo rrethanë, isha shumë i qetë dhe i sigurt se asgjë implikuese nuk mund të kishte në bisedat e mia.

Për të gjitha këto, natyrisht kam informuar Kryeministrin Berisha. Ndërkohë kisha marrë masat për zëvendësimin e tij si deputet, me deputet të Partisë Socialiste, në kohën që ai do të “dezertonte” nga shumica jonë.

Po kështu, gjatë Dhjetorit 2010 dhe fillim Janarit 2011, gati 90% të kohës e kalova në krye të Komitetit Qeveritar për Emergjencën për shkak të përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë.

Natyrisht edhe për shkak të lidhjeve të mia personale edhe me deputetë e funksionarë të Partisë Socialiste në këto dy zona, u informova për porositë që kishin marrë për të përgatitur njerëzit, që të bëheshin gati për një revolt të paparë, sepse do plaste një superskandal në media në fillim të Janarit.

Kështu, që montazhi i 11 Janarit nuk ishte aspak i papritur për mua dhe disa të tjerë.

Menjëherë në 12 Janar, në mëngjes, i nis një shkresë zyrtare Kryetares së Kuvendit, ku e njoftoja se hiqja dorë nga imuniteti im.

Pas këtij veprimi, dola në konferencë shtypi në Ministrinë e Ekonomisë, ku bëra publik heqjen dorë nga imuniteti si deputet dhe e ftoja Prokurorinë të hetonte rastin dhe po kështu iu përgjigja çdo pyetje të gazetarëve.

Ndërkohë, ditën tjetër, më 13 Janar, pranova ftesën e gazetarit të njohur, Blendi Fevziu, për të dalë në “arenë” me një panel analistësh që do i zgjidhte ai.

Pas një debati të flaktë dhe të pakompromis, pyetjes se a do jepja dorëheqje iu përgjigja se unë kam hequr dorë nga imuniteti dhe kjo mjafton.

Por ditën tjetër, sapo gdhiu dita, një i panjohur trokiti të më sillte një porosi nga jashtë, nga një mik i jashtëzakonshëm dhe shumë i informuar.

Porosia ishte se duhet të japësh sa më parë dorëheqjen dhe ti nuk duhet të jesh në zyrë (Ministri) kur të vriten njerëz, sepse situate është më e rënduar se ç’e mendon ti.

Duke patur besim absolut në integritetin dhe dashamirësinë e porosi-dërguesit, shkova menjëherë në zyrë dhe përgatitja dorëheqjen e parevokueshme nga Zv/Kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë dhe shkova të takoja Kryeministrin Berisha për t’i bërë të ditur vendimin e ri, si domosdoshmëri për të lehtësuar pozitën e Qeverisë, si edhe për të sfumuar sa të mundej alibinë e gjak-kërkuesve.

Po kështu, i paraqita propozimin për zëvendësuesit e mi, nga postet e Zv/Kryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë dhe nga ajo ditë (pra një javë para 21 Janarit) nuk shkela më në atë ministry.

Po atë ditë, në mesdrekë, Asambleja e Partisë Socialiste shpalli 21 Janarin, si ditën e protestës dhe qametit.

Ndërkohë pak ditë para 21 Janarit, i panjohuri, u rishfaq, për të sjellë të dhëna të reja dhe një porosi të re për mua.

Të dhënat e reja ishin se situata po rëndohej pasi organizatorët po rekrutonin shumë elementë kriminalë në terren për 21 Janarin.

Po kështu, porosia e mikut nga jashtë ishte se më 21 Janar, unë nuk duhet të qëndroja në shtëpi pasi banesa mund të sulmohej nga elementë kriminalë.

Përgjigjia ime ishte falenderuese për mikun tim, për kujdesin e tij, por i thashë se nga zyra ika se nuk është e imja, por nga shtëpia nuk mund të largohem.

Pas kësaj, më 18 Janar kam bërë konferencë shtypi në selinë e LSI-së ku kam paralajmëruar Edi Ramën për të hequr dorë nga rekrutimi i elementëve kriminalë për të nxitur dhunë dhe gjakderdhje.

Të shqetësuar për mosvlerësimin e duhur të organizmit të “nëndheshëm” të protestës nga autoritetet ligjzbatuese në 20 Janar, i kemi dërguar një letër informuese Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të dhënat më shqetësuese që kishim ne si LSI.

Fatkeqësisht, dhuna nuk u parandalua në kohën e duhur edhe pse për ditë të tëra në televizione bëhej thirrje e hapur për dhunë dhe viktima.

Nuk ishin socialistët (anëtarët dhe simpatizantët) që sulmuan me dhunë (gura, hunj, etj) Kryeministrinë.

Socialistët ishin te ura e Lanës dhe përtej.

Por ishin të rekrutuarit dhe të importuarit që për 3-4 orë sulmuan pa rreshtur policinë derisa u konfrontuan me Gardën.

Parandalimi i elementëve kriminalë përpara mitingut, nuk kishte funksionuar.

As marrja e masave për shpërndarjen paqësore të demonstruesve.

Nuk është detyra ime të hetoj se përse nuk u parandalua një gjakderdhje e paralajmëruar me kohë.

Madje kjo duhej të hetohej në kohë nga Prokuroria e Përgjithshme.

Por gjurmët e organizatorëve atëherë ishin shumë të freskëta dhe u duhej dhënë kohë për t’i “pastruar”.

Por, le t’i kthehemi disa të vërtetave, me video-montazhin që u përdor si alibi për të thirrur protestën.

Së pari, as një agjensi zyrtare e SHBA, Britanisë së Madhe etj, nuk pranoi të bëjë ekspertizën e videos, sepse e dinin më mirë se sa ne se çfarë ishte.

Së dyti, çuditërisht në vend që Prokuroria ta çonte videon te një ekspert audio, e çoi te një ekspert privat kompjuterash (pra video).

Ndërkohë, aty nuk ishte problem te video, pra se kush ishin dy personat.

Problemi i vetëm dhe kryesor ishte vërtetësia e bisedës të shoqëruar me titra dhe nëpërmjet edhe montimeve të bëra.

Pra, rastësisht eksperti amerikan, gjatë kërkimit të tij në orën e dorëzuar nga “denoncuesi i korrupsionit”, gjeti plot video të tjera të tij, të cilat ai i kishte bërë “delete” duke menduar se ishin zhdukur përgjithmonë.

Rekuperimi i tyre, përveç se ekspozonte plot politikanë, biznesmenë dhe gazetarë të përgjuar, jo vetëm në zyra, por edhe në shtëpi, evidentoi edhe një video ku dukeshin vërtet me sy 80 mijë euro që zotëria i merrte nga Zv/Ministri i tij në shtëpi.

Për këtë, Prokuroria u detyrua formalisht të niste një hetim, meqënëse eksperti amerikan ja kishte dërguar me procesverbal këtë rast.

Por te askush nuk e përmend dhe mirë bëjnë (b)analistët.

Le të vazhdojmë me hetimin tim.

Në mënyrë të qëllimshme, Prokuroria, shkelte vazhdimisht procedurat e hetimit duke shpresuar se unë do të kërkoja mbyllje me procedurë të çështjes në gjykatë.

Edhe pse ne kërkuam dhe insistuam që ekspertët tanë të ishin të pranishëm në çdo ekspertim që do përzgjidhte Prokuroria, kjo nuk ndodhi kurrë qëllimisht.

Çuditërisht, Prokurori që u caktua të drejtojë çështjen time, në periudhën e zbatimit të Reformës në Drejtësi, në kuadër të verifikimit të figurës, u shpall nga Autoriteti i Dosjeve, si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Por Gjykata më pas deklaroi se kishte qenë një person tjetër dhe kështu, zotëria u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që pagëzoi edhe Prokurorët e parë të SPAK-ut.

Tani le të kalojmë te Gjykata dhe vendimi i saj.

Dëgjojmë (b)analistë që thonë se Meta e dorëzoi imunitetin pasi kishte garanci te drejtësia, etj.

Dua t’ju siguroj se në jetën time nuk kam emëruar kurrë ndonjë prokuror apo gjykatës.

Së dyti, nëse unë apo Z. Berisha, do kishim kaq ndikim te drejtësia, përse do të zgjidhnim relator të çështjes Z. Dvorani, i cili dihet se është shumë militant partie edhe pse i njeh mirë ligjet?

Ja pra që ndërhyrje nuk mund të kishte.

Po kështu, unë mund të kisha kërkuar përjashtimin e Z. Dvorani nga relator dhe anëtar i trupës gjykuese, pasi ai kishte lidhje shumë të afërta me personin që më përgjoi mua.

Por unë nuk e bëra kurrë këtë.

Po kështu, nuk kërkova që çështja të mbyllej për shkak të shkeljes së procedurave nga Prokuroria, por i shkuam gjykimit me themel, deri në fund.

Rezultati, siç dihet, ishte 5 – 0.

Edhe vet relatori i çështjes, Z. Dvorani, votoi për pafajësinë time, si katër kolegët e tjerë.

Por për të “ngushëlluar” shokët e partisë bëri një shënim, se për kaq sa kemi parë dhe hetuar, është i pafajshëm, por mirë do ishte që të zgjasnin hetimet.

Pra nga dy vjet hetime, të vazhdonte pa mbarim, aq sa i duhej “Partisë”.

Me gjithë presionin që kishte nga njerëzit e Partisë Socialiste, Z. Dvorani, nuk votoi siç donin ata, në mënyrë që të kishte një votë kundër, të cilën socialistët do ta trumbetonin kudo, brenda e jashtë vendit, si vendim i “pakicës të pakorruptuar”, e përralla të tjera si këto.

Ndërkohë paralelisht, zotëria që më kishte përgjuar mua, ishte zhytur në telashe të mëdha, sepse i kishin dalë jashtë kontrollit videot e pafundme që i kishte bërë vetes me të tjerë.

Një njeri i papërgjegjshëm që rrinte afër meje në ato kohë, kishte vendosur një gjobë të rëndë duke përdorur një foto spekulative.

Përsëri, miku i përbashkët, që më solli foton në “Rogner”, më kërkoi takim urgjent në emër të tij.

Pa asnjë dëshirë, por për shkak se doja të dija të vërtetën, meqënëse ishte përmendur emri im nga gjobvënësi, i prita të dy, në një ekspozitë pikturash atë kohë, në Gjirin e Lalzit.

Pasi kërkoi falje për keqpërdorimin e përgjimit të tij nga Edi Rama për 21 Janarin, më sqaroi edhe rrethanat e gjobvënies nga ish–mbështetësi im, bazuar mbi një foto spekulative.

“Qetësohu, – i thashë, “se është si fotoja që më dërgove ti me këtë mikun e përbashkët në Rogner”.

“Asnjë lekë nuk je i detyruar t’i paguash askujt, – i thashë, “por video-montazhin tënd e paguan katër të pafajshëm me jetën e tyre”.

Le të kalojmë te 14 shtatori 1998

Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi më 12 Shtator, por edhe më 14 Shtator 1998.

Ndodhën dy ngjarje që nuk duhej të ndodhnin, por të kushtëzuara nga njëra-tjetra (shkak-pasojë), vrasja e Azem Hajdarit ishte një ngjarje e paralajmëruar që duhej të ishte parandaluar.

Vrasja e tij nuk ishte produkt i një konflikti “tropojanësh”, por e qëndisur me kujdes nga duar të padukshme dhe mjeshtërore që shfrytëzuan persona të caktuar, për të arritur objektivat e tyre.

Më duhet të theksoj, se personi më i painteresuar të ndodhte një gjë e tillë, ishte Fatos Nano.

Por përmasat e kësaj vrasje, vendi ku ndodhi, mosndalimi i automjeteve dhe fakti se disa prej tyre ishin drejtues policie, vetvetiu do të bënin si përgjegjës politik për këtë vrasje, Kryeministrin dhe jo Ministrin e Brendshëm që ishte më shumë figurë teknike nga një parti aleate.

Por, midis 12 dhe 14 Shtatorit qëndron 13 Shtatori, i cili ishte i rëndësishëm për t’i lidhur dy ngjarjet.

Paraditen e 13 Shtatorit, shpërthen një llavë revolte e militantëve të Partisë Demokratike drejt Kryeministrisë, duke paralajmëruar kështu “tsunamin” për ditën tjetër.

Në mbrëmje, Kryeministri Nano, na bëri një mbledhje në zyrën e tij, ku merrnin pjesë disa anëtarë të Qeverisë dhe të Kryesisë së Partisë Socialiste.

Pasi bëri një vlerësim të rrezikshmërisë së lartë të situatës dhe potencialit të paparashikueshëm e destabilizues për të nesërmen, ai na njohu me një takim që kishte patur me dy nga ambasadorët më të rëndësishëm në Presidencë për situatën.

Një prej tyre i kishte sugjeruar të jepte dorëheqjen me qëllim ç’tensionimin e situatës, pasi ngjarja e ndodhur ishte shumë e rëndë.

“Dakord, – u kishte thënë Nano, “po kujt t’ja le Qeverinë?”

Kur Fatosi përmendi një emër që i kishin sugjeruar, të gjithë ata që mezi prisnin t’i zinin vendin, brofën në këmbë dhe thanë, në asnjë mënyrë, e kështu Nano iu bind këtij qëndrimi.

Se cili ishte emri nuk ka rëndësi, se në çdo rast do ishte Partia Socialiste që do të zgjidhte Kryeministrin pasues.

Por u humb një mundësi e madhe për të shmangur 14 Shtatorin e pasojat e tij dhe për këtë ishte përgjegjësia e të gjithë ne  atë mbrëmje, që nuk gjykuam më thellë dhe nuk parashikuam pasojat.

Do të kishte qenë shumë më mirë për vendin, por edhe vetë Nanon, që të jepte dorëheqjen atë mbrëmje dhe jo disa ditë më vonë.

Të vazhdojmë me çështjen Hajdari tani

Kur unë u bëra Kryeministër  një vit më vonë, në Tetor 1999, çështja Hajdari ishte “patatja më e nxehtë” që kërkonte drejtim.

Interesi dhe presioni ndërkombëtar për këtë çështje ishte i fortë dhe konstant.

Po kështu edhe presioni i brendshëm nga opozita.

Menjëherë bëra takim me Prokurorin e Përgjithshëm dhe grupin e pesë prokurorëve të çështjes Hajdari që drejtohej nga Haxhi Giu, nëse unë nuk gaboj.

Qëllimi i takimit ishte nxitja e tyre për zbardhjen e plotë të cështjes dhe sa më shpejt, pasi çështja Hajdari ishte një kosto shumë e rëndë për shtetin dhe Qeverinë socialiste.

Po kështu, dëgjova të gjitha kërkesat e tyre pikë për pikë edhe ato personale.

Interesante është se një nga Prokurorët e çështjes, përmes një këshilltarit tim, më kërkoi një takim konfidencial.

Gjatë takimit ai më bëri një pyetje të çuditshme, se a e kisha seriozisht kërkesën për zbardhjen e plotë të çështjes apo thjesht se ashtu më duhej të flisja.

Natyrisht që u bind se sa e domosdoshme ishte zbardhja e shpejtë e çështjes, pasi po vriteshin disa nga autorët dhe dëshmitarët e çështjes.

Në të njëjtën kohë nisën të shpikeshin disa skandale kundër Ministrit të Mbrojtjes, Hajdaraga dhe Ministrit të Financave, Anastas Angjeli, që njiheshin si miqtë e mi të afërt në atë kohë.

Madje arritën deri atje sa të nxirrnin një gjeneral në media, me uniformë, të sulmonte Ministrin.

E gjitha ishte një presion i orkestruar kundër meje, që të mos shtyja përpara hetimet për vrasjen e Hajdarit.

Atëherë përgjigjia ime ishte ballore, në një mbledhje të Qeverisë, të hapur për mediat, ku deklarova se ne do të gjejmë jo vetëm vrasësit e Azem Hajdarit, por edhe vrasësit e vrasësve të tij.

Më vonë u informova për vendndodhjen e Jaho Salihit, një prej të akuzuarve kryesorë.

U dhashë ultimatum personave përgjegjës, se nëse atij i ndodhte gjë dhe brenda 48 orësh nuk i dorëzohej drejtësisë, do t’i bëja përgjegjës publikisht.

Fatmirësisht, nuk pati surpriza dhe arrestimi, le të themi, shkoi sipas parashikimit.

Ky ishte moment i rëndësishëm jo vetëm për mbylljen e çështjes Hajdari, por edhe për të shkarkuar një pjesë të përgjegjësisë shtetërore për atë që ndodhi në 12 Shtator dhe që duhej të ishte parandaluar.

Qëllimi i këtij shkrimi është jo vetëm për të thënë disa të vërteta, sot në kohën e gënjeshtrave, por mbi të gjitha për të theksuar se edhe 12 Shtatori e 14 Shtatori 1998, por edhe 21 Janari 2011, mund dhe duhej të parandaloheshin.

Dhe meqënëse fjala gjeopolitikë këto kohë mbizotëron, nuk duhet të harrojmë se në fund të vitit 2010, kishte nisur edhe Pranvera Arabe.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Gent Gazheli largohet nga Drejtoria e Doganave

0

Agjencia për Media dhe Informim njofton se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të zhvilluar ditën e sotme, janë miratuar disa ndryshime në drejtimin e institucioneve dhe strukturave shtetërore.

Gent Gazheli lirohet nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave dhe emërohet Zëvendësministër i Mjedisit. Besmir Beja emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Doganave.

Më herët, Beja ka mbajtur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave. Ndërkohë, Gentian Kerri emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Quajti protestuesit e PD “lapangjozë”, Malaj i përgjigjet Ballës: Gjëja më e ulët që mund të bëjë një politikan

0

Ish-ministri i Financave dhe ish-deputeti socialist, Arben Malaj, ka replikuar në distancë me kryetarin e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili i quajti lapangjozë protestuesit kundër qeverisë, një ditë më parë në fjalën e tij në Parlament.

“Kishit njërin aty të cilit i dukej vetja si Çak Norris dhe që po qëllonte kryeministrinë. Ai grupi aty në mes ishin ca fytyrë mbuluar lapangjozë të cilët kishin marrë urdhrat për të goditur institucionet dhe këta lapangjozët duhet të përplasen duhet të përballen me drejtësinë”, tha Balla të martën, përcjell A2 CNN.

“Profesor Servet Pëllumbi një prej ikonave të PS dhe të majtës shqiptare argumentonte se: “Shtypja e kundërshtarëve i ngjan shtypjes së një suste. Sa më shumë e shtyp aq më fortë ajo të kthehet pas”. Gjuha poshtëruese dhe provokuese ndaj protestuesve, në çdo rast, është jo e dobishme, sepse i ngjan hedhjes së benzinës në një zjarr. Ky klasifikim i mijëra protestuesve me epitete fyese dhe përçmuese është gjëja më e ulët që mund të bëjë një politikan”, iu përgjigj Malaj në një postim në Facebook.

“Pse Rilindja po ndjek një strategji ofenduese dhe përçmuese ndaj opozitës së vendit tonë? Mosbindjen civile, pushtimin e podiumeve të Parlamentit. Zhurma me bilbila për të mos lejuar vazhdimin e punimeve te seancave dhe tentativat për bllokimin e rrugëve nacionale i ka aplikuar me jo pak egërsi edhe vetë Rilindja. Personalisht kam qenë dhe jam kundër tensionimit të jetës politike të vendit tonë. Sepse agresiviteti politik i rëndon më shumë popujve se sa politikanëve. Po nëse më 21 Janar nuk do të kishte ndodhur vrasja shtetërore e katër protestuesve të pafajshëm, si do t’i quante sot shoku Taulant protestuesit e opozitës tonë, me shkopinj nëpër duar, duke tentuar të dhunonin policët dhe të sulmonin Kryeministrinë? Të gjitha librat e shenjtë japin një mësim të vyer: Kurrë mos i bëj tjetrit atë që nuk do të doje të ta bënte ai ty”. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Protesta e 24 janarit, AMP nis hetimet për shoqërimin e të miturit

0

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet lidhur me shoqërimin e një të mituri, 14 vjeç, në komisariatin e Tiranës gjatë protestës kombëtare të opozitës. Dosja është dërguar në Prokurorinë e Tiranës dhe hetimet përqendrohen te kushtet e shoqërimit të të miturit.

Sipas njoftimit të AMP-së, efektivët që kanë kryer shoqërimin do të merren në pyetje, ndërsa njëkohësisht do të shqyrtohen edhe praktikat e përgjithshme të shoqërimit në komisariat.

Prokuroria e Tiranës pritet të nisë hetime shtesë edhe pas akuzave të opozitës për përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar, raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj.

Kujtojmë se jo më larg se dje, në sallën e Kuvendit, vetë ministrja e Brendshme Albana Koçiu sqaroi të gjitha aludimet e ngritura mbi rastin e të miturit.

“I mituri është konstatuar duke gjuajtur me sende të forta, për të mbrojtur jetën e policëve dhe vetë të miturin, ai është marrë për verifikim, siç e parashikon ligji.

Bëhet fjalë për një 14 vjeçar, nuk është trajtuar në mënyrë çnjerëzore, ka qëndruar në një ambient të posaçëm dhe të përshtatshëm në përputhje me standardet e garancisë ligjore për mbrojtjen e të miturve. Me paraqitjen e përfaqësuesve ligjorë, është lënë i lirë.

Askush nuk duhet t’i përdorë fëmijët si mburojë politike, për të justifikuar dhunën. Kush nxit dhe përdor dhunë, duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe politike patjetër”, tha ajo.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx