Rolando Maran është trajneri i ri i Kombëtares. Mësohet se Armando Duka ka zgjedhur italianin si pasues të Silvinjos.
FSHF ka vendosur t’i besojë një tekniku me profil tradicional italian, të njohur për organizimin defensiv dhe pragmatizmin ekstrem, në një moment kur Kombëtarja ka ndoshta potencialin më të madh ofensiv në historinë e saj.
Një emër thuajse anonim në elitën e futbollit italian, Maran ka nisur karrierën si trajner pas tërheqjes nga futbolli në vitin 1997, duke punuar fillimisht te Chievo Verona dhe më pas në akademinë e Brescia-s, ku u zhvillua si trajner i moshave.
Në vitin 2002 ai mori drejtimin e parë si trajner i ekipit të parë te Cittadella-s, duke hapur rrugën e tij në futbollin profesionist italian.
Në Serie B, Maran ka drejtuar disa skuadra si Brescia, Bari, Triestina, Vicenza dhe Varese, ku spikati duke e çuar ekipin deri në play-off për ngjitjen në Serinë A.
Momenti më i mirë në karrierën e tij mund të konsiderohet aventuara me Catanian në Serie A ku arriti një sezon rekord me 56 pikë dhe vendin e 8-të në kampionat.
Më pas ai drejtoi sërish Chievo-n dhe më vonë Cagliarin
Në vitin 2020 ai mori drejtimin e Genoa-s, ndërsa në vitet e fundit ka drejtuar edhe Pisa-m dhe Brescia-n në Serinë B.
Te Chievo apo Catania ai krijoi ekipe të disiplinuara, të vështira për t’u mposhtur dhe të orientuara drejt kundërsulmit.
Problemi është se Shqipëria e sotme nuk është më një skuadër që mbijeton vetëm duke u mbrojtur. Brezi aktual ka futbollistë me cilësi teknike dhe ritëm në repartin ofensiv.
Gjithashtu duhet theksuar që Maran nuk ka eksperiencë në futbollin e kombëtareve.




