Ballina Blog Faqe 128

Moti i keq “pushton” vendin! Dëmtohet argjinatura e lagunës në Tale, lumi “Vjosa” del nga shtrati, uji drejt banesave

0

Moti i keq vijon të shkaktojë problematika në disa zona.  Në zonën e Tales, në Lezhë  rritja e nivelit të ujit në lagunë ka dëmtuar argjinaturën, duke bërë që uji të depërtojë drejt zonave të banuara. Gjatë natës, mjetet e tonazhit të rëndë kanë punuar për të forcuar argjinaturën dhe për të minimizuar pasojat.

Situata paraqitet problematike edhe në Mirditë, ku aksi rrugor Rrëshen–Bukmir ka pësuar shembje në disa pika, duke rrezikuar bllokimin e qarkullimit.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, dhe Prefekti i Qarkut Lezhë, Taulant Malshi, u shprehën se ky segment ka pasur prej kohësh probleme të përsëritura, të cilat janë përkeqësuar më tej nga reshjet intensive.  Rruga Rrëshen–Bukmir është një arterie kryesore që i shërben qindra banorëve dhe lidh fshatrat e Njësisë Administrative Kaçinar me qendrën urbane.

Edhe në qarkun e Vlorës situata vijon të jetë e rënduar, lumi Vjosa ka arritur në kuotën maksimale dhe ka dalë nga shtrati në pjesën e tregut pranë Urës së Mifolit. Rrezikohen që të përmbyten tokat bujqësore.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

U vetëdorëzua në polici pas vrasjes për një kafe në Manzë, Daniel Pepa: Ja pse e vrava Florian Paluçin

0

Daniel Pepa, autori i vrasjes së Florian Paluçit ka pretenduar se ka qëlluar me armë në kushtet e vetëmbrojtjes së nevojshme, pasi Florin Paluçi, ishte personi i parë që ka qëlluar me pistoletë duke vrarë shokujn e tij, Aranit Kurti.

Këtë qëndrim autori i krimit e ka mbajtur pas dorëzimit në ambjentet e prokurorisë së Durrësit, e cila po ndjek rastin e vrasjes së dyfishtë që ndodhi në mesnatën e 22 Tetorit 2025.

I riu më pas është shoqëruar në ambjentet e policisë së Durrësit, ku gjatë marjes në pyetje, ka pretenduar se nëse nuk do qëllonte drejt Florin Paluçit, ai do e vriste siç vrau shokun e tij Aranit Kurti.

Të dyja palët atë natë ishin të armatosur, ndërsa u konfliktuan fillimisht për ekspresin që ishte i fikur dhe kamarieri nuk mund ti shërbente kafen.

Daniel Pepa, në prezencë të avokatit të tij dhe oficerit të policisë gjyqësore, ka argumentuar se ka qëlluar nga tronditja e fortë psikike dhe vetëmbrojtjes së nevojshme, pasi Paluçi i vrau i pari shokun dhe më pas rrezikoi të qëllonte edhe mbi Daniel Pepën.

Por pavarësisht kësaj dëshmie, në këtë ngjarje kriminale prova më e fortë janë pamjet filmike të cilat kanë dokumentuar të gjithë dinamikën e krimit të dyfishtë.

Gjithmonë duke ju referuar pamjeve filmike, policia thotë se i pari që ka qëllua është Flori Paluçi, i cili ka qëlluar njëherë në tokë. Më pas ka drejtuar armën drejt Daniel Pepës dhe ka hapur zjarr ndaj tij, por pa mundur të vrasë.

Miku i Danielit, Aranit Kurti, që ndodhej shumë pranë Florian Paluçit, ka qëlluar me grusht në fytyrë Florian Paluçin, dhe vrapon të largohet prej tij.

Por Paluçi qëllon një herë me pistoletë drejt Aranit Kurtit, ku plumbi i ka depërtuar trupin pas shpine dhe i ka prekur zemrën, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Mes kësaj vorbulle të shtënash, Daniel Pepa, ka hapur zjarr vetëm 1 herë dhe ka qëlluar pas shpine Flori Paluçin, i cili pasi ka kryer disa lëvizje të pavetëdijshme është rrëzuar dhe ka gjetur vdekjen.

Pas këtyre veprimeve Daniel Pepa, së bashku me Ergi Kadiu, Erald Cani, Taulant Beqja dhe Emirjan Beqja janë larguar nga vendi i ngjarjes, për tu kthyer pas disa minutash sërish në vendngjarje.

Pepa më tej është larguar përfundimisht duke mos arritur të kapet nga policia. Por pas disa ditësh ai është vetëdorëzuar në prokurorinë e Durrësit dhe se pritet që sot ose nesër të dalë para gjykatës së Durrësit për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”./ Elton Qyno, Syri.tv

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Gazetari grek: Rama ka blerë figura publike në SHBA dhe Europë për të mbajtur në pushtet regjimin e tij të drogës!

0

Një foto nga Brukseli ka ndezur polemika në Greqi, pasi gazetari Aleksandros Zioulis akuzoi kryeministrin shqiptar Edi Rama për sjellje të papërshtatshme ndaj zv/ministres greke të Jashtme, Alexandra Papadopoulou.

Zioulis publikoi imazhin ku Rama shihet duke e përqafuar dhe puthur Papadopouloun në faqe, duke thënë se një gjest i tillë “nuk i përshtatet diplomacisë greke” dhe se përbën “turp institucional”.

Në reagimin e tij, gazetari shkruan se Rama se ka përdorur figura të njohura ndërkombëtare për të forcuar pushtetin e tij.

Ai përmend emra si ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal, ish-eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, ish-deputeti gjerman Mark Hauptmann, ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe ish-shefi i shërbimeve sekrete të Rumanisë, Florian Coldea.

Postimi i gazetarit:

Turp, pa turp!

Zv/ministrja e punëve të jashtme Alexandra Papadopoulou, në puthje dhe dashuri me Anthellenicin Edi Rama dje në Bruksel!

Turpi dhe rënia e politikës greke!

P.S. Edi Rama dihet se ka blerë shumë figura publike në SHBA dhe Europë për të mbajtur në pushtet regjimin e tij të drogës!

Rama ka blerë dhe më pas ka emëruar si të ashtuquajturit “këshilltarë” të korruptuar dhe tani të dënuar shefin e Auditit të Brendshëm të FBI-së New York McGonigal, eurodeputetin e korruptuar gjerman Anthellenik Knut Fleckenstein, i cili pasi nuk u rizgjodh eurodeputet e emëroi si “këshilltar” të qeverisë së tij, ai ka bashkëpunëtor fshiu ish deputeti i Merkel Mark Haupman, britaniku i “famshem” Tony Blair, i korruptuari dhe i krimit te organizuar ish shefi i sherbimit sekret te Rumanise Florian Coldea, e shume te tjere!

Personalisht, NUK habitem nëse një ditë e shoh Alexandra Papadopoulou në ndonjë listë të “këshilltarëve” të Ramës…

Deri atëherë ND dhe qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, le të marrin masat e nevojshme për të mos u ekspozuar!
Aleksandër Zoulis

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Zeniqeja bërtet, buajt lëngojnë dhe të pasmet përballë Babos”

0

Nga Agron Gjekmarkaj

Kronika bëhet dëshmitare e një dite plot me makthe!

Uaaau, Uaaauu, Uaauuu — sipas stilit të Morricones, pasthirrmat rrënqethëse të Zeniqesë u shfaqën si kolonë zanore e seancës parlamentare!!
Sot i kishte nga hareja, të cilën nuk e fshihte dot!

Ardhja e Babos ishte një ngjarje e madhe! “Erdhi, erdhi, erdhi!” — u dëgjua zëri i çjerrë i Dilos dhe, pas atij turravrapi, tre-katër deputetë të rinj socialistë, duke shtyrë njëri-tjetrin, u rrëzuan!

Një buçko nga Elbasani zu nën vete Erjon Malajn dhe një tjetër që e mban emrin sekret ngjitur me të! Personalisht nuk u mërzita, se ata kanë zëvendësuar Mimi di Puccinin dhe Etilden që ishin yndyra e kronikës dhe pasqyra ku ajo korrigjohej!

Fat që Kiduina me Saren, me një fuqi fizike të jashtëzakonshme, e ngritën qerratanë nga plandja! Vuajtën ca, po ia dolën! Sara më befasoi për këmbënguljen, Kiduina për humanizmin!
Dy çunat e tjerë, më në fund, filluan të merrnin frymë!

I lënduari u ul afër Ogit dhe po justifikohej: “Po ja, shëndeti i tepërt dhe mungesa e eksperiencës më bënë të bie.”
Ajo i tha që Babo çmon shumë dlirësinë dhe pasionin ndaj punës, ndaj ndihu krenar — “Këto nuk janë plagë, janë dekorata; kush e di sa do donin Ulesia me Damon t’i shihte ai te këmbët e veta, po s’e kanë atë shans! Zvarritja ka hierarki!”

Tre “buajt” e parlamentarizmit — Niko, Tao e Toni — kaluan momente të vështira!

“Kryebualli” Niko se desh veten, gati sa nuk i ra zali, kur Opozita i ktheu të pasmen Babos, edhe pse nja dy-tre nga ministrat e rinj qafiret iu bë syri bakërr e kush e di ku i shkonte mendja! “E ç’më duhet vetja gjallë pas kësaj mandate ,” — me zë të shuar llafosej — “i shoftë mortja, i shoftë!”

“Bualli” tjetër, Toni, i lutej Zotit. Ishte hera e parë që ja vinte në dyshim ekzistencën: “Nëse je lart në qiell, lëshoju një rrufe mbi ato prapanica që guxuan t’ia kthejnë Babos si të ishin topat e nemcës!”

“Bualli” Tao, i cili lëronte arat e rregullores si të ishin ato të xhajes, na kërcënonte me ndërprerje diskutimesh dhe i thoshte Kukos: “Fjalët e tepërta janë fukarallëk! Foli Babua boll, pse duan të flasin të tjerët?! Ne jemi të gjithë për një dhe njëshi flet për të gjithë!”

Jorushi i Tabakeve, ose Urushi, siç zonja Jozefinë e përkëdhel me ëndje, kishte rënë sot në një melankoli safike, pavarësisht se fjalët mbi qeverinë i lëshoi si breshëri në kallamboq!
Habi Urushi — aq përkorje në veshje e qashtersi ne sjellje e po aq zjarr në muhabet politik!

Everest Dedaj e Marash Logu, dy këshilltarët e grupit, si dy lahutarë antikë, mekeshin nga gëzimi në shkallët e Kuvendit që Gaz Bardhi po kthehej nga kurbeti politik për t’i trazuar midenë Belës harami! Pritja e gjatë i kishte drobitur!

Ervin Demua i bënte fotografi vetes dhe lëshonte një “hëëm” të zgjatur, e pastaj pyeste veten: “Jam ministër unë? Pse më duket vetja si avdall?”
Genc Gjonçaj vërtitej si fyell ndër male për të kapur një vend në kronikë!

Unë dhe Gjin Gjoni, si dishepuj të Dash Sules, kishim vënë nga një shamizë në xhepin e xhaketës, tek na brente dilema — a vjen dita që nxënësit t’ia kalojnë mësuesit?! Ah, mër Dash, mër Dash — si e le jetime kopenë estetike!

Ivi Kaso sot dukej si djalë beu nga filmat soc-realistë, ndonëse xhaketën me kuadrate s’e kishte veshur!
Ai shikonte me përbuzje rajanë kundërshtare se i kishin shpuar topin.

Mamica sa u duk në mëngjes si meteor. “Nuk më meritojnë,” mermeriti — dhe u zhduk në retë e dendura, aq të dendura, të Brukselit, ndonëse përpara mërzisë së epërme të Bledion Nallbatit, yshtur nga malli, dukeshin si kristal!
Rrinte evlati dhe kujtonte ditën kur i kalli cingaren, dhe melodinë e pikëllimit vërshëllente: “Kallma cigaren, paja ta tregoj; me ma idhnu nanën, gjuhën ta shkurtoj!”

Olta Xhaçka shikonte me keqardhje Blendi Klosin teksa mbante një fjalim soji! E brente ndërgjegjia ngaqë nuk e dinte në ishte apo nuk ishte Blendi me arsim të lartë, dhe fshihej pas kaçurrelave të veta që të mos i ndeshej shikimi me buzëqeshjen gjykuese të Borës!

Bledi Çuçi ishte mbështjellë brenda frikës së vet, se mos Niko e ngatërron me Babë Dudë Karbunarën dhe e bën të mbajë fjalimet e tij me inteligjencë artificiale!
Ashtu siç na nxorri Taon me mustaqe në vend të Luigj Gurakuqit!
Kur u ankuam, na tha: “Aty e aty janë!”

Enno Bozdo, indiferent për gjërat e vogla të kësaj bote, rri e mejton për të mëdhatë!

Qyqja, Qyqja, Qyqja — ndihej një rënkim. Lajmi i kobshëm se Kosta i Gramozit, i Linditës dhe i Mamices ishte bërë i Nikos mori dhenë mes shushatjes dhe kureshtisë! Tezja dukej si një aktore e dalë nga skena!
Ka një mërzi kozmogonike që as shejtani s’i jep dum!

Termeja lexonte e mbante shënime mbi librin “Viset e trendelinës”!

Kacamisri Dengu mbajti një fjalim historik, si gjenerali Vrangel para trupave! Sjellja heroike e Klevis Balliut qe ja ngjiri zënë Klod Spahisë meriton ndalese e vemendje! Doktoresha firaunja ben si shpirt njeriu po te keqen e Ermo Felajt! Blendi Gonxhe ishte mjaft i gezuar por nuk e dinte arsyen! Delina i buzeqeshte vetes me bindje !
Saimir Korreshi terhiqte nje puro si levend i bindur që më mirë do te bëhet!

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Rama merr fjalën në Kuvend, deputetët e opozitës i kthejnë shpinën

0

Deputetët e Partisë Demokratike kanë mbajtur një qëndrim ndaj kryeministrit Edi Rama në momentin kur ky i fundit mori fjalën për të prezantuar buxhetin në Parlament.

Rama iu kthye se me këtë veprim, demokratët po i lehtësojnë fjalimin pasi, sipas tij, më mirë kurrizi se sa fytyra e tyre.

“Edhe të ankohen për ligjin edhe të më ktheni kurrizin mua sikur nuk shkon. Megjithatë faleminderit për këtë lehtësim që i bëni fjalimit tim, sepse më mirë shpina sesa fytyra juaj”, tha Rama në nisje të fjalës së tij.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Pasi votuan për ta shkarkuar, Këshilli Bashkiak kërkesë SPAK: Kërkojmë të vijë Veliaj në mbledhje të premten

0

Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka drejtuar një kërkesë zyrtare SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, më 21 nëntor 2025, ora 10:00.

Kjo kërkesë, sipas tyre, është e rëndësishme për të garantuar funksionimin demokratik dhe institucional të bashkisë, si dhe t’i japë të drejtën Këshillit për të marrë raportime të drejtpërdrejta nga Kryetari i Bashkisë, ashtu siç e parashikon ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore”.

Sipas kësaj shkrese, kërkohet që pjesëmarrja e tij të mundësohet nëpërmjet lejimit të përkohshëm për pjesëmarrjen fizike, ose nëse kjo nuk është e mundur, mundësimi i pjesëmarrjes së kryebashkiakut Veliaj nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi online.

Nga ana tjetër, në këtë shkresë Këshilli Bashkiak shpreh gatishmërinë të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie apo protokolli që ka SPAK dhe Drejtoria e Burgjeve, me qëllim garantimin e një procesi ligjor.

Kërkesa e Këshillit Bashkiak të Tiranës për lejimin e Veliajt të marrë pjesë në mbledhje vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij, ku një prej argumenteve ishte se Këshilli Bashkiak nuk e kishte dëgjuar kryebashkiakun Veliaj kur kishte propozuar shkarkimin e tij. Shkresa mban firmën e 22 këshilltarëve socialistë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Mungoi në protestën e PD, Alimehmeti zbulon arsyet: Këshilli Kombëtar nuk u pyet për aksionin

0

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka shpjeguar arsyet e mungesës së tij në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë nga PD pasditen e së hënës.

Në A2 CNN, Alimehmeti sqaroi se Këshilli Kombëtar nuk është thirrur dhe nuk është konsultuar për këtë nismë. 

Ai theksoi se aktiviteti i së martës nuk kishte karakter proteste: “U la një mundësi për të folur deputetët që me sa duket kanë vështirësi të mëdha brenda Parlamentit. Nuk mund të quhet protestë.”

Sipas tij, formati i foltores pritet të zhvillohet çdo javë dhe nuk përbën një reagim të mirëfilltë politik. 

Alimehmeti nënvizoi se Këshilli Kombëtar nuk ka diskutuar asgjë lidhur me aksionin dhe se informacioni i ardhur tek anëtarët e tij ishte se bëhej fjalë për një platformë diskutimi mes deputetëve dhe qytetarëve.

“Unë jam pro protestave të qëndrueshme, me kuptim. Kjo nuk ishte e tillë, thjesht një foltore.” 

Ai shtoi se partia ka nevojë për analiza serioze për zgjedhjet, të cilat OSBE/ODIHR i ka cilësuar të pabarabarta.

Alimehmeti theksoi se protesta e madhe kombëtare do të lajmërohet javët në vijim. “Presim javën tjetër për më shumë,” deklaroi ai. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Belinda Balluku udhëtim sekret në SHBA

0

Përballë dosjes së kopsitur të SPAK për korrupsionin me miliona euro në tunelin e Llogarasë, Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku publikisht është shfaqur e qetë, duke marrë pjesë në aktivitete brenda dhe jashtë vendit, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Po publikisht ajo ka shmangur komentet në lidhje me hetimet dhe akuzat e ngritura nga SPAK, ndërsa nën rrogoz po lëviz të gjithë gurët në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, për të siguruar mbështetje politike dhe ekstraligjore.

Mësohet se në kohën që në Kuvend vartësit e saj prezantonin projektbuxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës për vitin e ardhshëm, Belinda Balluku vetë ka qenë e zënë me një agjendë personale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Burimet pohojnë se Balluku ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të enjten e javës së kaluar dhe është rikthyer në Tiranë ditën e diel.

Për këtë udhëtim të saj drejt SHBA nuk ka asnjë komunikim zyrtar, por jozyrtarisht konfirmohet se ajo është përpjekur që të sigurojë mbështetje në administratën amerikane përballë akuzave për korrupsion në Shqipëri.

Sa të suksesshme kanë qenë këto përpjekje koha do ta tregojë, por udhëtimi i saj matanë Atlantikut në këtë periudhë tregon se problemet e zv.Kryeministres shkojnë përtej drejtësisë shqiptare./Vox News

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Moti i keq në vend/ Rrëshqitje dherash dhe përmbytje, izolohen disa fshatra malorë. Rrufeja djeg shtëpinë në Malësinë e Madhe

0

Rrëshqitjet e dheut dhe vërshimet e ujërave si pasojë e motit të keq kanë bllokuar disa zona malore në Dukagjin, duke izoluar përkohësisht banorët.

Situata paraqitet më problematike në aksin Theth–Ndërlysa dhe në segmentin Ndërlysa–Breg Lumi, ku disa fshatra mbeten të shkëputur pasi rrugët janë bërë të pakalueshme.

Autoritetet vendore njoftojnë se po pritet ndërhyrja e mjeteve të bashkisë Shkodër dhe ekipeve të Emergjencave Civile, të cilave do t’u bashkohen edhe Forcat e Ushtrisë, me qëllim zhbllokimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit normal për banorët e zonës.

Ndërkohë, rruga kryesore Shkodër–Theth raportohet të jetë e kalueshme dhe pa probleme, ashtu si edhe akset nacionale dhe rrugët kryesore në gjithë qarkun Shkodër.

Përveç izolimit të fshatrave, një tjetër shqetësim mbetet mungesa e energjisë elektrike në shumë zona të bashkisë Vau Dejës dhe në disa fshatra të tjerë malorë ku moti i keq ka shkaktuar defekte në rrjet. Situata e rënduar nga kushtet atmosferike shoqërohet edhe me një incident të rëndë gjatë natës në fshatin Preknicaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe, ku një banesë dykatëshe u përfshi nga flakët rreth orës 02:00.

Shtëpia e shtetasit Zef Preknicaj është djegur plotësisht pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Hetimet paraprake tregojnë se shkaku i zjarrit mendohet të ketë qenë një rrufe, e shkaktuar nga aktiviteti i shtuar elektrik në atmosferë gjatë 24 orëve të fundit.

Grupet e punës së bashkive, Emergjencave Civile, Forcave të Ushtrisë, OSHEE dhe strukturave të tjera janë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar çdo situatë emergjente që mund të shfaqet. Ndërkohë, autoritetet i bëjnë thirrje banorëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, sidomos në zonat malore të qarkut Shkodër, deri në përmirësimin e kushteve të motit.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Rrëfimi i panjohur i ish-presidentit Moisiu: Si u arratisa nga Shqipëria në ’90-n, puna si refugjat

0

Ish-presidenti i vendit Alfred Moisiu ka ndarë një kujtim dramatik nga një prej periudhave më të trazuara të jetës së tij: arratisja nga Shqipëria në vitin 1990. 

Ai rrëfeu përvojën e tij si refugjat në Podgoricë, një histori që hedh dritë mbi vështirësitë e përshtatjes në një vend të huaj dhe rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit.

Duke kujtuar ditët e para pas largimit, ai përshkroi një pasdite në një park lokal ku, së bashku me disa shokë, po vëzhgonte fëmijët vendas. 

Një top i bukur futbolli, i ngjashëm me ata të famshëm të kohës, u bë shkak për një incident të papritur. 

“Mosha jonë ishte, edhe me topin diçka jep,” kujton ai duke folur për Rudina Xhungën në Dritare TV. Një shkëmbim i thjeshtë për topin me fëmijët vendas shpejt u kthye në një konfrontim fizik.

“Po këta sllavët kanë një zakon, kur zihen dy vetë, nuk ndërhyn i treti,” shpjegoi ai, duke përshkruar se si situata u përshkallëzua deri në momentin kur dhjetëra burra të lagjes rrethuan shtëpinë ku ai strehohej, të armatosur me shkopinj dhe mjete të tjera. 

Ishte ndërhyrja e një oficeri shqiptar, që rastësisht banonte në atë pallat, e cila parandaloi një përplasje më të rëndë. Kjo përvojë e thellë i shërbeu si një mësim i hidhur, por i vlefshëm. 

“E di se kam bërë një provë,” tha ai, duke theksuar se vetëm duke e përjetuar mund të kuptohet realisht pesha e të qenit i huaj. 

Moisiu ka adresuar një nga plagët më të mëdha sociale: emigrimin masiv të të rinjve. Duke e quajtur “ikje si pa gjë të keq”, ai shprehu shqetësimin se kjo dukuri nuk është thjesht një kërkim për një jetë më të mirë, por një shenjë e humbjes së shpresës dhe e shkëputjes nga rrënjët kombëtare.

Sipas tij, një pjesë të përgjegjësisë e mbajnë elitat politike dhe mediatike. “Unë do t’i thosha edhe medias, nuk e bën mirë rolin, sepse tregon gjithmonë rolin negativ,” u shpreh ai, duke argumentuar se një narrativë e vazhdueshme pesimiste i largon të rinjtë nga vendi i tyre. 

Ai bëri një paralele me të kaluarën, duke theksuar se paraardhësit e kanë mbrojtur Shqipërinë në kushte shumë më të vështira, siç ishin pushtimet dhe rreziku i asgjësimit kombëtar.

Mesazhi i tij më i fuqishëm ishte një thirrje për ndërgjegjësim historik dhe kombëtar. “Nuk ka komb që të dalë nga hiçi. Dhe çdo brez rritet me atë fjalë të vetme, mbi shpatullat e brezit të kaluar,” tha ai me forcë. 

Ky pohim shërben si një kujtesë se braktisja e vendit është edhe braktisje e një trashëgimie të tërë sakrificash. 

Ai u bëri thirrje drejtuesve politikë dhe gjithë shoqërisë që të punojnë për të ndërtuar një të ardhme ku të rinjtë të mos jenë të detyruar të ikin, por të kontribuojnë për vendin e tyre, duke theksuar se “është i vetmi vend ynë në botë. Kujt po ia lëmë?!”, tha Moisiu./tpz.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx