Ballina Blog Faqe 46

AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin

0

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton konsumatorët për praninë e mundshme të trupit të huaj në produktin sallam Galbanetto të importuar nga Italia, duke e klasifikuar rastin si risk serioz për shëndetin.

Njoftimi është përcjellë përmes Sistemit të Shpejtë të Alarmit për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), pas një kontrolli zyrtar të kryer në Itali, ndërsa Shqipëria është përfshirë për ndjekje të rastit  dhe marrjen e masave përkatëse.

Produkti për të cilin bëhet fjalë është “Salame Galbanetto G230 c.a” (sallam Galbanetto), me datë skadence 23 tetor 2026. Operatori paketues dhe eksportues është “Conad”, ndërsa operatori importues në Shqipëri është “Conad Albania”.

AKU u bën thirrje konsumatorëve që, nëse e kanë blerë dhe e kanë ende në posedim këtë produkt, të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë pranë pikave të shitjes.

Sistemi RASFF është një mekanizëm i Bashkimit Evropian për shkëmbimin e shpejtë të informacionit mes autoriteteve të sigurisë ushqimore, me qëllim identifikimin dhe menaxhimin në kohë të rreziqeve që mund të prekin shëndetin e konsumatorëve.

AKU vijon ndjekjen e rastit dhe marrjen e masave të nevojshme në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore në tregun shqiptar.

Ortaku besprerë i Ron Yeffetit

0

Nga Andi Bushati

Dalja në plan të parë e një biznesmeni kontrovers si Ron Yeffet (ky është emri i përdorur më shumë nga milioneri hebre), që deri më tani njihej vetëm në korridoret e errëta të pushtetit, ka njollosur edhe më shumë kontratën e re të Besës, që Edi Rama po kërkon të gëlltitet nga shqiptarët.

Intervista e Çim Pekës me Arben Ahmetajn ka treguar edhe njëherë se, ndërkohë që bën përpjekje publike për kthimin e besimit të qytetarëve, kryeministri vepron në kulisa për ti ngulur thika pas shpine atyre.

Por, deri këtu kemi të bëjmë me një film të konsumuar. Ajo që është interesante e që lidhet me mënyrën propagandistike të Besës, si një orvatje për të shitur ëndërra të mëdha, është rruga që ndoqi Yeffet për tu promovuar, pasi u vendos projekti që atij ti faleshin pasuri publike.

Tani të gjithë e dinë me fakte se ky biznesmen që bënte para me republikat e bananeve në Afrikë, ishte një njohje e vjetër e Edi Ramës. Falë mikut kryeministër ai kishte dashur të negocionte borxhin e jashtëm të vendit, të rrëmbente truallin e ambasadës sonë në New York, apo të bëhej partneri i kompanisë tashmë të falimentuar, Air Albania. E megjithatë, interesante është të shihet se më ç‘kujdes u pergatit futja e tij në skenë.

Për më tepër se një vit, Edi Rama pompoi një sipërmarëse të re që kishte lënë Turqinë, për të vijuar ëndrrën e prodhimit të makinave në vendin e saj. Ai e ftoi atë në podkastin e vet “Flasim”, e bëri të tregojë fëmijërinë, adoleshencën familjen dhe Bulqizën prej nga vinte. Përkundi në sytë e publikut vegimin se për herë të parë edhe në këtë tokë, ku dikur të kishte një veturë konsiderohej krim, tani do të prodhoheshin makina 100% “made in Albania”.

Madje me një ceremonialitet teatral ai i tha Arietës që e dëgjonte si një kukull naive: “Unë do të vij të punoj falas si hamall në kompaninë tënde”. Mediat që marin urdhër u vunë të gjitha në punë për ti bërë reklamë një bjondineje të re, të cilës i kishte bërë porosi për karroceri ambulancash edhe vetë OKB-ja. Fabula e sipërmarëses që e shpie industrinë tonë në maja të paimagjinuara u vu në punë.

Po ç‘fshiej pas saj? Në pranverën e vitit 2025 qeveria mori vendim për të krijuar partneritet publik privat në fushën e mbrojtjes. Kompania shtetërore Kayo (regjizori ishte kujdesur edhe për emrat, duke evokuar atentatorin Kajo Karafili dhe dhe makinat emrin Shota, sipas gruas së Azem Galicës), u fut në marëdhënie për të krijuar një ndërmarrje të përbashkët me Timak të Arjeta Pucës. Kjo e fundit 80%, shteti vetëm 20%.

Në të njëjtën distance të papërfilshme kohore Arieta Puca, pra sirena e industrisë ushtarake rilindase, e shiti për 500 euro, gjysmën e kompanisë së saj. Po kujt? Këtu del sërish në skenë Ron Yeffet. Me ato para xhepi ai bëhet atutomatikisht pronar i një 40 %-shi, që merr fonde nga buxheti i shtetit, por duke iu shmangur çdo lloj kontrolli, gare publike apo tenderi (e thotë edhe përgjatë përgjimit, si në Shqipëri po ashtu edhe në Afrikë ai i urren ato).

Episodi i hapjes së perdes për të është një mizanskenë e përgatitur me talent. Alibitë janë të gjitha gati: Krijimi i kompanisë të re nuk po bëhet me qëllim përfitimi personal, por për të furnizuar denjësisht ushtrinë shqiptare me armatim, madje edhe për ti rishitur ato si një aktor dinjitoz në tregun ndërkombëtar. Favori nuk po i bëhet një miku personal të Ramës, por po stimulohet një pioniere e afirmuar e indusrisë shqiptare të luftës. Në këtë skenar, ku regjizori i ka lënë Arieta Pucës një rol qëndror, ajo është në fakt vetëm idiotja e dobishme e fabulës.

Ajo natyrisht mund të punojë dhe fitojë diçka, por i gjithë promovimi, shfaqja në podkast, jehona mediatike që e fryu historinë e suksesit të një emigranteje dhe përkundja e ëndrrës së futjes së Shqipërisë në tregun ndërkombëtar luftarak, i shërben një tjetër qëllimi: dërgimin pa asnjë kontroll në duar të Ron Yeffet, të parave të buxhetit të shtetit.

Ky është në fakt thelbi i kësaj historie, të përsëritur me dhjetra herë këto 13 vjet, që nga ndërhyrja mbi Lazarat për të kanabizuar më pas gjith vendin, që nga “Fundi i marrëzisë”, për të kapur lojrat e fatit e deri fryrja e plehrave në qytete për ti hapur rrugë inceneratorëve, apo përqëndrimi i tenderave te një strukture inovatore si AKSH, për i kaluar në fakt te Ergys Agasi.

Por, sa do më i madh të ketë qenë dëmi apo gropa financiare e këtyre precedentëve, nga pikpamja e trillimit artistik, përdorimi i fabulës së Arietës, për ti hapur rrugën Ronit, nuk ka të krahasuar për nga gjenialiteti artistik me paraardhëset. E duke thënë “Chapeau artiste” për këtë trillim, ndërsa rishikojmë episodet e tij ne kuptojmë më mirë edhe devizën e rilindjes: Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet.

Kjo është metoda e konfirmuar e punës së ortakut besprerë të Ron Yeffet. E prandaj me të njëjtën logjikë duhet kërkuar edhe se ç‘qëndron pas platformës që ai po propogandon javët e fundit, me të madhe, para shqiptarëve. Mos ndoshta pas kësaj ëndërre me një besëlidhje të re qëndrojnë gropat që po përgatiten në shëndetësi dhe në përdorimin e teknologjisë së epokës post AKSH? /Lapsi.al

Denoncimet e Ahmetajt për trafik armësh/ SPAK nis verifikimet: Sekuestrohen 6 përgjimet dhe emisioni i plotë

0

Prokuroria e posaçme SPAK, ka vendosur të nisë verifikimet lidhur me denoncimet e bëra nga ish-zv/kryeministri i Shqipërisë Arben Ahmetaj, gjatë një interviste televizive të publikuar në emisionin e “Syri Tv”, “Çim Peka Live”. Byroja Kombëtare e Hetimit tashmë ka administruar përmes “Youtube” emisionin e plotë. Por paralelisht me këtë veprim, drejtuesi i SPAK Klodian Braho ka firmosur një dokument, duke kërkuar nga televizioni “Syri Tv” që ti verë në dispozicion të gjithë materialin e emisionit përfshirë këtu dhe përgjimet bruto të transmetuara në publik.

Në intervistën e tij nga Zvicra ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka publikuar audiopërgjime që, sipas tij, zbulojnë një skemë të dyshuar të abuzimit me fondet publike, grabitjes së aseteve shtetërore dhe trafikut ndërkombëtar të armëve. Në qendër të denoncimeve të tij janë biznesmeni Izraelit, Ron Yefet, kompania “Timak Defense” dhe ajo që Ahmetaj e quan “koncepti KAYO”. 

Ahmetaj, ka ngritur akuza të forta edhe për industrinë ushtarake, duke pretenduar se armët prodhohen e paketohen në Shqipëri për t’u dërguar më pas në zona konflikti. Ai e ka lidhur këtë skemë drejtpërdrejt me Edi Ramën, ashtu sikurse edhe në denoncimet e mëparshme.

Zbardhet dëshmia e Jozefin Markut në gjykatë: E godita vetëm një herë me shpullë

0

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ka mësuar detaje të reja nga seanca me dyer të mbyllura që u dha sot për Jozefin Markun dhe Kristjan Nikollin.

Këngëtari dhe i afërmi i tij akuzohen për dhunën ndaj Eduard Kuçit, ish-konkurrent i Për’puthen, teksa gjykata ka caktuar masën “arrest shtëpie” për të dy.

Në dëshminë e tij, Marku është mbrojtur duke u shprehur se ka qenë veprim gjaknxehtësie dhe se Kuçi i ka sharë familjen.

“Kërkoj ndjesë për veprimin. E kam kryer në gjaknxehtësi e sipër. Nuk e njihja më parë Eduard Kuçin. E kam njohur në rrjetet sociale, ku më ka sharë familjen.

E kam goditur vetëm një herë me shpullë, duke i thënë të më kërkojë falje që më ka sharë familjen”, mësohet të jetë shprehur Jozefin Marku.

Sakaq, Nikolli ka deklaruar se nuk ka qenë i pranishëm në vendngjarje, ndërsa për municionin që i kanë gjetur në banesë ka deklaruar se ishte i ndryshkur dhe në kushte të papërdorshme.

“Unë atë natë që ka ndodhur ngjarja kam qenë në një dasmë, nuk kam qenë prezent në vendngjarje. Unë Jozin e kam mik, këtë e dinë të gjithë. Fishekët që keni gjetur në shtëpinë time ishin të ndryshkur, nuk e di përse ishin aty”, ka dëshmuar Kristjan Nikolli.

Vuçiç shpërndan Parlamentin në Serbi, shpall zgjedhje të parakohshme më 25 tetor

0

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka shpërndarë të mërkurën Parlamentin dhe ka shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare më 25 tetor. Vendimi vjen pas muajsh protestash masive të udhëhequra nga studentët, të cilët e kishin kërkuar prej kohësh mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi pritej të zhvilloheshin në dhjetor të vitit 2027, por Vuçiç firmosi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve, duke pranuar kështu një nga kërkesat kryesore të lëvizjes studentore.

Vendimi vjen pas një periudhe të gjatë protestash kundër qeverisë, të cilat kanë shkaktuar një krizë të fortë politike në vend.

Lëvizja studentore ka organizuar protesta prej afro dy vitesh, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe ndryshime politike. Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme pritet të shërbejë si një test i rëndësishëm për pushtetin e Vuçiçit dhe partinë e tij.

Zgjedhjet e 25 tetorit do të përcaktojnë përbërjen e re të Parlamentit serb dhe mund të kenë ndikim të rëndësishëm në drejtimin politik të vendit në muajt e ardhshëm.

Mbledhje me dyer të mbyllura te “Vila e Kuqe”, Rama thërret takim me drejtuesit politikë

0

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka thirrur në një takim me dyer të mbyllura drejtuesit politikë të PS te “Vila e Kuqe” në Tiranë.

Takimi raportohet se do të ketë në qendër të vëmendjes analizën e punës në terren në lidhje me programet e fundit të prezantuara për socialistët si Besa dhe Prania Besnike.

Përgjatë javëve të fundit Rama ka zhvilluar disa takime me drejtues të lartë të qeverisë, si edhe me drejtues politikë të PS.

Shpërthen bombula e gazit në një karburant në Brryl, plagosen 3 punonjës

0

Një bombul gazi ka shpërthyer në një pikë karburanti në zonën e Brrylit, në Tiranë, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet.

Sipas Policisë, si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar tre punonjës të karburantit. Ata janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Tiranë, Shkëlqim Goxhaj tha në një deklaratë për mediat se zjarri në pikën e karburantit ka ndodhur për shkak të shpërthimit në zyrën e kësaj pike karburanti.

Goxhaj theksoi se hetimet lidhur me shkaqet e shpërthimit vijojnë pasi ka informacione se mund te ketë qenë një automjet që ka goditur zyrat e karburantit, ndërsa shtoi se brenda ditë së sotme do të zbardhet edhe shkaku i shpërthimit.

“Zjarrfikësit mbërritën shumë shpejt në vendin e ngjarjes dhe ndaluan rrjedhjen e gazit që vijonte, situata u vu nën kontroll shpejt, Ka qenë shpërthim jo zjarr, ndaj flakët u vunë nën kontroll brenda një kohe të shkurtër. Shpërthimi ka ndodhur në zyrat e karburantit, zyrat janë rrëzuar, edhe xhamat që janë përhapur në rrugë na bëjnë të mendojmë  se shpërthimi ka ndodhur në zyrat e karburantit. Shpërthimi ka ndodhur nga gazi, ndoshta edhe avujt e benzinës, pasi ky është një shpërthim jo zjarr. Mund të ketë qenë edhe automjet që ka goditur zyrat e karburantit, brenda ditës së sotme do kemi edhe shkakun e shpërthimit”, tha Goxhaj.

BILD jehonë rrethimit të djeshëm të Parlamentit nga Protesta: Shqiptarët kërkojnë prangosjen e Ramës

0

BILD

Në Shqipëri ka pasur përleshje mes protestuesve dhe policisë. Shkak i protestave është një projekt miliardësh i Jared Kushner, dhëndrit të Trump, i cili është i martuar me Ivanka Trump. Policia e pengoi turmën të martën në mbrëmje që të përparonte drejt parlamentit. Protestuesit i qëlluan efektivët me vezë dhe domate dhe kërkuan arrestimin e kryeministrit Edi Rama.

Policisë iu desh të mbronte deputetët gjatë rrugës për në parlament dhe gjatë kthimit prej tij. Disa protestues u ndaluan. Fillimisht, megjithatë, nuk ishte e qartë nëse dikush ishte arrestuar. Protestat drejtohen kundër një projekti imobiliar në bregdetin e Adriatikut, në të cilin është e përfshirë një kompani e Jared Kushner, dhëndrit të Trump.

Projekti pritet të dëmtojë mjedisin

Kritikët thonë se projekti do të dëmtojë mjedisin dhe do të kufizojë aksesin e publikut në det. Pankartat e protestuesve paraqesin një flamingo ngjyrë rozë, i cili mund të rrezikohet nga projekti. Kjo u ka dhënë protestave nofkën “Revolucioni i Flamingove”. Protestat tashmë kanë zgjatur më shumë se 100 ditë.

Fillimisht, protestat kishin të bënin me çështjet mjedisore në lidhje me projektin e ndërtimit, por ndërkohë ato janë drejtuar në përgjithësi kundër problemeve politike dhe kundër kryeministrit Rama, i cili e mbështet hapur projektin e ndërtimit.

Demonstruesit kërkojnë një të ardhme më të mirë

“Ne jemi këtu sepse duam ndryshime”, tha demonstruesi Elidon Mehmetaj. “Jeta po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe qeveria nuk dëgjon. Ne besojmë se Shqipëria mund të bëjë më mirë. Ne duam një të ardhme më të mirë.”

Projekti luksoz përbëhet nga dy pjesë: një resort i vogël në ishullin e Sazanit, një ish-bazë ushtarake e pabanuar nga koha e komunizmit, dhe një zonë ndërtimi në një hapësirë bregdetare pranë Lagunës së Nartës, e cila deri tani është nën mbrojtje natyrore dhe ku gjenden specie të ligatinave si flamingot.

Projekti përfshin hotele, apartamente, vila dhe një marinë për jahte.

Marjana Koçeku rikthehet në Kuvend, largohet nga rreshti i PS dhe i bashkohet deputetëve të opozitës

0

Seanca e parë plenare e sesionit të ri parlamentar ka sjellë edhe një ndryshim në pozicionimin e deputetes Marjana Koçeku, e cila tashmë e vijon mandatin si e pavarur.

Koçeku nuk është ulur më në radhët e deputetëve socialistë, nga lista e të cilëve u zgjodh në Kuvend. Ajo ka zgjedhur një vend pranë deputetëve të opozitës.

Deputetja është pozicionuar në krah të Vangjel Dules, përfaqësues i PBDNJ-së, dhe Artan Lukut, deputet i Partisë Agrare.

Lëvizja vjen pas vendimit të Koçekut për t’u shkëputur nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe për të vijuar aktivitetin e saj në Kuvend si deputete e pavarur.

5 Përgjimet e Arben Ahmetajt/ Hebreu që negocion në emër të Ramës, pasuritë e Shqipërisë  

0

Këtë herë denoncimi i Arben Ahmetajt është fokusuar në zbulimin e përgjimeve të Ron Yeffet, mikut të ngushtë të Edi Ramës, i cili negocion për shitje pronat e Shqipërisë, pa tender dhe pa garë. Në intervistën e tij me Çim Pekën, Ahmetaj ka ekspozuar pjesë nga një përgjim tre orësh, për një bisedë që ka ndodhur në janar 2026 mes Effet, që ai e quan si Gys Agasi anglishtfolës dhe tre personave të tjerë Igor, Tatjana dhe Sergei.

Skema është e thjeshtë: Për të shmangur garat dhe shqyrtimin nga Kontrolli i Lartë i shtetit, qeveria fut pronat e saj në ndërmarrje të përbashkëta me hebreun mik të Ramës. Dhe pas kësaj ata bëjnë çtë duan me këto pasuri. Në qendër të saj janë dy afera: shitja e armëve të prodhuara në Afrikë dhe të paketuara në Shqipëri, për tu shitur në zonat në konflikt dhe së dyti përlarja e e fushave të gazit në Delvinë. 

Një moment interesant është ai kur Ron Yeffet i thotë bashkëbiseduesve të tij: “Kompania do të jetë amerikane që ti mbyllim gojën dhe ambasadës amerikane”. Ai është i qartë se si do shmangen garat e tenderat me anë manipulimit të ngritjes së kompanive tip Kayo (lexo më poshtë si funksionon Kayo), në Shqipëri, ndërkohë që bashkëbiseduesit thonë se në qeverinë Ukrainase blerja e makinave dhe pajimeve ushtarake nuk mund te kalojë pa garë. Një moment krucial është ai kur Ron Yeffet u thotë bashkëbiseduesve: “ne jemi ngarkuar nga qeveria shqiptare për të kryer punët e këqia.”

Principi i 5 përgjimeve të bëra publike nga Ahmetaj, është kontrolli i pasurive publike dhe bërja e parave me to përmes njerëzve të cilëve Edi Rama u jep një pushtet mbi ligjin, siç është Ron Eyffet të cilit më parë kryeministri ka dashur ti japë në menaxhim borxhin e jashtëm të vendit dhe godinën e ambasadës shqiptare në New York.

Që në janar të këtij viti ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur dyshime të rënda ndaj Edi Ramës lidhur me rolin e mikut të tij hebre, biznesmenit kontrovers, Ron Yeffet, në kompaninë shtetërore të armëve KAYO, duke e cilësuar atë si një instrument të ndërtuar për të transferuar prona publike të Forcave të Armatosura në duar private.

Atëherë Ahmetaj deklaroi se kompania KAYO është krijuar nga qeveria jo për interesa strategjike të mbrojtjes, por për t’i hapur rrugë përfitimit privat, duke treguar edhe VKM-të që janë prodhuar për të arritur këtë synim. Sipas tij, pas krijimit të kompanisë shtetërore, janë marrë vendime ekstraligjore për të futur si aksioner biznesmenin izraelit Ron Yeffet, i cilësuar prej Ahmetajt si mik i afërt personal i kryeministrit Rama.

“Çfarë roli ka Yeffet në biznes, veç miqësisë me kryeministrin?-pyeti Ahmetaj në janar”.

Dalë ngadalë dolën faktet që lidheshin me një kompani të prodhimit të makinave të themeluar nga një vajzë shqiptare, e quajtur Arjeta Puca (foto poshte), e ardhur nga emigrimi në Turqi. Ajo është promovuar nga vetë kryeministri madje ka rrëfyer në podkastin e Edi Ramës historinë e suksesit të saj, që nisi nga dyqani ku i ati punonte si hidraulik.

Kompania e Arjeta Pucës, që mbante emrin Timak, papritur, një ditë të bukur të qershorit të 2025-ës vendosi të shesë 49% të aksioneve së saj. Deri këtu gjithçka duket normale. Deri sa emri i shitëses të promovuar nga shefi i qeverisë u asociua me atë të blerësit, mikut të Ramës Ron Yeffet. Pyetja e parë që të shkonte në mendje ishte: ç’ ne kjo vajzë, që sa do rritje të shpejtë të ketë pasur, sërish gjendet në hpat e parë të biznesit të prodhimiit të konstruksioneve metalike dhe atyre plastike, të lidhej me një biznesmen të sprovuar hebre.

Përgjigjja do të merrej vesh më vonë. Vetëm një muaj e gjysëm pas shitjes së dyshimtë, pra në fillim të gushtit, kompania e Pucës dhe Yeffetit krijoi një shoqëri të përbashkët me ndërmarrjen shtetrore të prodhimit të armëve, Kayo të drejtuar nga ish kreu i policisë së shtetit, Ardi Veliu. “Deal-i” shënohet në kontratë, privatët 80% shteti 20%.

Pra le të shohim trekëndëshin e krijuar. Arjeta Puca, një investitore në hapat e para që promovohet si model suksesi nga Edi Rama. Ardi Veliu, një ish polic, sa analfabet, po aq edhe besnik, i mbrojtur po nga ai. Dhe i treti, i njohur si mik i kryeministrit.

Po pse këtë të fundit e marrim si të mirqenë si të afërt me Ramën, mund të pyesë dikush.

Në intervistat e tij të mëparshme Arben Ahmetaj ka denoncuar se Rama i ka kërkuar që Ron Yeffetit ti shitej borxhi i jashtëm i Shqipërisë. Po ashtu i njëjti ka tentuar të hyjë si aksioner të krijimin e kompanisë ajrore Air Albania, duke blerë fillimisht 23% të aksioneve, por nga kjo nismë ai u largua shpejt. Pastaj tentoi të përfshihej në rrëmbimin e godinës të ambasadës shqiptare në Neë York, e cila synohej që sipas skemës të përdorur edhe këtu, ta përdorte atë si kullë për të shitur apartamente, brenda të cilave do strehohej edhe vetë ambasada.   

Pra, ky bisnesmen i huaj, i njohur më së miri në rrethin e oborëtarëve të Edi Ramës, që ka bërë marrëveshje ekonomike edhe me udhëheqës të vendeve afrikane, arriti të futet në biznesin shtetëror të ministrisë së mbrojtjes. Aludimi që bëri zv kryeministri Ahmetaj është se një gjë e tillë po bëhet për dy gjëra: së pari “për devijim të fondeve të buxhetit të shtetit”. Ai shtoi: “Shteti humbet të drejtën e vetos. KLSH nuk mund ta auditojë më asnjë kompani bijë të tillë. Pasuria publike kthehet në kapital privat pa asnjë procedurë privatizimi. Dhe kompanitë private nën ombrellën e KAYOS marrin kontrata ushtarake pa tender”.

Ndërsa qëllimi i dytë është për të justifikuar rrëmbimin e pronave stetërore të ushtrisë dhe për ti përdorur ato për interesa private. Për të ilustruar këtë Ahmetaj solli në vëmendje rastin e nënshkrimit të një marëveshjeje mes Kayos së Ardi Veliut dhe izraelitëve të Elbit Systems Ltd, për themelimin e Akademisë e Aviacionit .

“Akademia e Aviacionit në Vlorë pa aviacion me një helikopter, e kupton? Por nuk bëhet fjalë për atë, por për terrenin dhe për asetin”, tha atëhere Ahmetaj për këtë pronë që gjendet në mes të qytetit.

Tani me përgjimet e reja, Ahmetaj ka nxjerrë në pah nje tjetër eminencë gri të Ramës të cilin ai po e përdor si mburojë për të tregëtuar pa llogaridhënie pasuritë që i kanë mbetur Shqipërisë./LAPSI.AL