Ballina Blog Faqe 71

U vra brenda sallës së gjyqit, familjarët e Astrit Kalasë kërkojnë që gjyqtari të shpallet “Dëshmor i Atdheut”

0

Familjarët e gjyqtarit Astrit Kalasë, i cili u vra me armë zjarri në brendësi të Gjykatës së Apelit në Tiranë, kanë kërkuar që gjyqtari të shpallet “Dëshmor i Atdheut”.

Përmes një shkrese drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, gruaja e Astrit Kalasë, Valbona, ka kërkuar hapjen e proceduara që gjyqtari me karrierë 32 vite, të shpallet “Dëshmor i Atdheut”.

Gjyqtari u vra në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së vendimit në emër të Republikës, nga një palë në proces e cila nxori armën dhe e qëlloi menjëherë pas shpalljes”, thuhet në kërkesë.

Sipas Top Channel, familja insiston se rendi dhe qetësia nuk sigurohen vetëm nga policia por edhe nga gjykatat që sakaq po bëhen gati ti drejtohen edhe komisionit qendror të  statusit të dëshmorit, një opsion që hap rrugën për padi në gjykatën administrativ.

Gjyqtari Astrit Kalaja, u qëllua për vdekje me armë zjarri në sallën e gjyqit, pasditen e 7 Tetorit 2025 sapo dha një vendim në emër të Republikës.

Palë në proces ishin Gjon Shkambi dhe Elvis Shkambi, të cilët kërkojnë lirimin e ambienteve të një prone që ata kanë në Shkodër, nga rreth 16 familje që e kanë zënë atë më shumë se 20 vite më parë dhe nuk pranojnë të dalin prej andej.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Astrit Kalaja, shtetasi Elvis Shkambi, i cili ndodhej në sallë, nxori nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit i cili si pasojë e të shtënave është rrëzuar në tokë.

Pas këtij veprimi, 30-vjeçari i ka drejtuar pistoletën shtetasve Rakip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj, të cilët tentuan të dalin nga salla dhe qëlloi me armë zjarri (pistoletë) në drejtim të tyre. Menjëherë më pas, autori i dyshuar i ka lënë në dorë pistoletën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe pasi ka dalë në oborr, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit  të Policisë Nr.1, Tiranë.

Gjyqtari u transportua me ambulancë në Spitalin e Traumës Tiranë, por gjatë rrugës ndërroi jetë, ndërsa dy të dëmtuarit e tjerë pas marrjes së ndihmës së specializuar mjekësore, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ahmed Kalaja: Marr deri 900 mesazhe në ditë nga gratë, njërën prej tyre e denoncova në polici

0

Imami viral i rrjeteve sociale, Ahmed Kalaja, ka rrëfyer disa detaje nga jeta personale dhe profesionale në “Goca & Gra”.

Ai ka treguar se është babai i 10 fëmijëve, teksa tregoi edhe për vështirësitë familjare.

Duke iu referuar çifteve të reja që nuk bëjnë fëmijë nën pretekstin e mungesës së mundësive ekonomike, Kalaja ka treguar se deri në fëmijën e 8 ka jetuar në një shtëpi 90 metra katrorë, e më pas gjërat ndryshuan.

Ndër të tjera imami tregoi se fëmija më i madh është vajza 26-vjeçare që e ka bërë gjysh, teksa fëmija më i vogël është 4 vjeç.

Sa i përket rrjeteve sociale, ai u pyet nëse i shkruajnë gratë. Imami tregoi se një grua e ka denoncuar në polici për shkak të përndjekjes që i bënte.

“Aq keq u bë situata sa e denoncova në polici”, u shpreh Ahmed Kalaja.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Edi Rama: Balluku do vijojë të drejtojë qarkun e Fierit

0

Kryeministri Edi Rama njoftoi se pavarësisht të gjitha problemeve me drejtësinë dhe akuzave për korrupsion, Belinda Balluku do të vazhdojë të drejtojë qarkun e Fierit.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ku u prezantua edhe raporti i PS që hodhi poshtë kërkesën e SPAK për autorizim për heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e saj, Rama u shpreh se “nuk ka ndërmend ta bëjë as hero dhe as viktimë”, ndërsa shtoi se “nuk është e lehtë të punohet me të”.

Po ashtu, Rama deklaroi se “nuk do të kalojë vijën e kuqe, për ta shpallur atë të pafajshme”.

“Ka disa që mendojnë se fitoret shembullore të Belindës dhe skuadrave të udhëhequr prej saj në territor burojnë nga fuqia e pushtetit që ajo kishte. Kjo mbetet për tu parë në zgjedhjet vendore në Fier. Ku ajo do të vazhdojë të drejtojë qarkun dhe nuk do jetë në asnjë pushtet ekzekutiv. Ajo që di unë me siguri është se pak kush nga ne i mban si Belinda Balluku kontaktet me territorin duke shkuar në zonat që mbulon si drejtuese politike.

Nuk kam ndërmend ta shpall as hero dhe as viktimë Belindën sot, dhe uroj që në hetimin e cështjes për të cilën ajo akuzohet se ka kryer një vepër penale, prokuroria të shterojë cdo pistë që mund të cojë tek korrupsioni. Në fund të ditës gjithkush pas të 18 varet vetëm nga këmbët e veta. Unë si kryeministër, nuk e kam as të mundur, por nuk e kam as të lejuar qoftë nga ligji e zakoni që ti mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori.

Nuk kam ndërmend tju them që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë, pasi ca më shumë e ca më pak e dimë të gjithë sa e lehtë të merresh me të sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë dhe do me cdo kusht që të dalë e vetja. Nuk kam ndërmend ta shpall të pafajshme për çka akuzohet apo të shkel për të vijën e kuqe, që e kam vizatuar para deputetëve në këtë sallë të nesërmen e miratimit të reformës në drejtësisë”, deklaroi nder te tjera Rama.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Partia Socialiste refuzon kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut

0

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, prezantoi në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste raportin për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Në fjalën e tij, Manja u shpreh se raporti i rekomandon Kuvendit që të rrëzoi kërkesën e SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut. Manja tha se nuk ka asnjë rrezik për arratisjen e Ballukut jashtë vendi dhe as për përsëritje të veprës penale.

“Ne si anëtarë të mazhorancës në Këshillin për Imunitetet arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit, me masën më të rëndë të arrestimit me burg apo në shtëpi.

Ne si anëtarë të shumicës i rekomandojmë seancës plenare rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, mosdhënien e këtij autorizimi pasi nga shqyrtimi i materiale dhe rrethanave, nuk rezulton të jenë evidentuar domosdoshmëria e vendosjes së një mase të tillë në raport e funksionimin e mandatit parlamentar. Ky rekomandim nuk e pengon SPAK që të vazhdojë hetimet ndaj Ballukut. Ka një masë, atë të pengimit të daljes jashtë shtetit dhe këtë e konsiderojmë si një çështje që i takon drejtësisë. Masat e sigurimit personal, nuk lidhen me ekzistencën e veprës penale, duhet të priten hetimet”, u shpreh Manja gjatë argumentimit të raportit të socialistëve.

“Masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit është vendosur në nëntor 2025. Në 16 dhjetor 2025 Prokuroria i ka kërkuar Kuvendit autorizimin për arrestim.

Këshilli pasi dëgjoi prokurorët dhe mbrojtësit e deputetes, zhvilluam diskutimet tona dhe në përfundim kemi këtë qëndrim.

Prokuroria thotë se janë shtuar fakte dhe episode të reja penale çka e shton sanksionin e veprës dhe dëmin hipotetik që ka pësuar shteti.

Në vlerësimin tonë nëse do pranohet fakti se çdo zgjerim i hetimit konsiderohet rrethanë e re që të justifikojë arrestin, çdo procedim penal me shumë episode do përfundonte në paraburgim”, u shpreh Ulsi Mnaja, teksa lexoi raportin e PS.

Sipas tij “edhe me shtimin e fakteve të pretenduara, vepra penale mbetet e njëjtë. Nuk ka një vepër penale të re që ti jetë shtuar Belinda Ballukut”.

“Mbi rrezikun e prishjes së provave: prokuroria përmend mundësinë e ndikimit përmes personave me influencë si dhe tentative presioni ndaj dëshmitarëve. Lidhur me këtë pretendim në kërkesën e SPAK, prokuroria i referohej faktit kur ishte Ministre. Ky shkak tani ka rënë. Ndaj Ballukut nuk ka një akuzë për pengim të drejtësisë. Nuk ka asnjë provë, direkte apo indirekte kur deputetja të ketë përdorur ndikimin e saj për të prishur provat”, u shpreh Manja.

Manja u ndal edhe te rreziku për intimidimin e dëshmitarëve nga Balluku, duke thënë se kjo nuk qëndron.

“Na u paraqit një procesverbal ku dy shtetase bisedojnë me njëra-tjetrën lidhur me dëshminë që njëra ka dhënë gjatë hetimit në SPAK. Ajo pretendon se ajo është intimiduar. Nuk rezulton as nga procesverbali, as nga deklarimet e kësaj shtetase që ajo të jetë intimiduar, nga deputetja jo e jo, por edhe kur thuhet nga Kabineti, ai është nocion abstrakt. Hetimi penal nuk mund të zhvillohet mbi kabinetin.

Por edhe pretendimi se kjo dëshmitare është intimiduar nga persona të fortë, ajo ka thënë se “unë i qëndroj dëshmisë sime”. Në të gjitha rastet një provë e tillë do të duhet të plotësohet edhe me prova të tjera. Lidhur me dëshmitaren, ajo ka statusin e të pandehurës në këtë procedim dhe sipas Kodit, thëniet e një të pandehure merren me rezervë.

Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale, por janë konsiderata që në themel të tyre kanë ish-funksionin e ministres që mbante Balluku. Po të kishte prishje provash do kishte një akuzë të dytë për pengimin e drejtësisë”, tha Manja.

Gjatë argumentimit të socialistëve, Manja tha se as rreziku për arratisje, nuk qëndron në rastin e Ballukut, pasi kjo e fundit ka dorëzuar te autoritete edhe pasaportën edhe kartën e identitetit.

Ai theksoi se sa herë gjatë kësaj periudhe asaj i është dashur të udhëtojë jashtë vendit për çështje pune, është rikthyer.

“Sa i përket rrezikut të arratisjes, ai duhet të jetë real dhe jo I supozuar. Balluku edhe pse ka qenë në dijeni të hetimeve të saj, ka udhëtuar disa herë jashtë shtetit dhe është kthyer në Shqipëri.

Ka udhëtuar në Bukuresht, në Athinë, në Romë dhe në të gjitha rastet është kthyer duke reflektuar një sjellje të rregullt dhe jo shmangëse ndaj autoriteteve proceduese. Ka dorëzuar të gjitha dokumentet e identifikimit, madje edhe kartën e re të identitetit. Ju e dini shumë mirë që me kartë identiteti lëvizet në vendet e rajonit. Pretendimi se shtimi i sanksionit penal mund të çojë në një rrezik për tu arratisur bie poshtë”, ta Manja.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Dosja Veliaj/ Ajola Xoxa mungon në seancë, avokati: Është shtatzënë, e ka të ndaluar nga mjeku

0

Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erion Veliajt nuk është paraqitur sot në GJKKO për gjyqin. Mësohet se Xoxa ka dërguar në sallë avokatin Maks Haxhia.

Ai ka deklaruar se, Xoxa nuk mund të marrë pjesë në seancë pasi ia ka ndaluar mjeku të shkojë për shkak se është shtatzënë.

“Klientja është në pamundësi shëndetësore, është shtatzënë, ia ka ndaluar mjeku që të vijë, i kam kërkuar të sjellë aktin e mjekut.”, tha Haxhia.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.

Ndërkohë kërkesat e njëpasnjëshme të Erion Veliajt për të dalë nga qelia janë rrëzuar nga gjykatat e të gjitha niveleve.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Dieta ushqimore, karburant, telefon të paguar: Sa na kushton një deputet?

0

Në nisje të Janarit, kryeparlamentarit Niko Peleshi i kaluan në llogarinë e tij bankare 218,450 lekë neto për vetëm dy zëra; dieta ushqimore dhe qira banese, shtuar edhe 395.000 lekë pagë dhe disa bonuse të tjera si automjet në dispozicion për çdo lëvizje dhe telefon pa limit.

“Rimbursimi për qira banese përcaktohet me vendim 114 datë 24.12 2014, ‘Për trajtimin e deputetëve”, thotë Kuvendi në reagimin zyrtar për Faktoje.al.

“Zoti Niko Peleshi Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë ka plotësuar të gjithë dokumentacionin përkatës sipas vendimit të sipërcituar, përfshi edhe vërtetimin negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës”, thotë Kuvendi për zërin “qira benese” për të cilën Peleshi përfiton çdo muaj 35.000 lekë.

Faktoje.al siguroi listën me të dhënat për “trajtimin e deputetëve” për katër muaj.

Në total shifrat e dietave, karburantit dhe telefonit variojnë nga 16.000.000 deri në 19.000.000 lekë për 129 deputetë në një muaj (pjesa tjetër (nga 140) edhe pse janë deputetë, marrin pagë dhe trajtim si ministra”.

“Deri para vitit 2023 kur u bë rritja e pagave, diferencat në paga midis deputetëve dhe njerëzve të thjeshtë ishin jo të mëdha, ndërkohë që pas këtij viti janë thelluar relativisht shumë”, thotë për Faktoje.al, eksperti i ekonomisë, Ilir Brasha.

Në total, për muajin dhjetor, në zërin “karburant” u shpenzuan për deputetët 4. 472.483 lekë, ndërsa për zërin “pagesë telefoni” 2.173.500 lekë, rreth 60 mijë euro për të dy bonuset. Shuma më e madhe që shpenzohet për deputetët është zëri “shpenzime dieta për udhëtimet brenda vendit”.

Po për muajin dhjetor, janë lëvruar 7.981.017 lekë për ushqimin e deputetëve. Ky zë varion nga muaji në muaj, por vërtitet në shumë 8-8.5 milionë lekë, gjithnjë të reja .

Përveç tyre shumë të tjera që variojnë nga 1-1.3 milionë lekë të reja në total për mbledhjet në komisione, edhe zëri “qira banese” ka njohur rritje për muajin janar të këtij viti.

Krahas kryeparlamentarit Peleshi janë edhe 15 deputetë të tjerë që marrin bunus qiraje. Nga kjo shifër, 14 deputetë përfitues të bonusit të qirasë i përkasin PS-së dhe vetëm dy PD-së.

Ligjvënësit u kujdesën dy herë për veten, në vitin 2014 dhe 2023. Në rastin e parë përcaktuan dietat, vlerën e karburantit, telefonin dhe tarifat e reja për pjesëmarrjen në komisionet parlamentare, ndërsa në vitin 2023 rishikuan pagat, duke i rritur me 60%, ose në vlerën 395.000 lekë, rreth 4 mijë euro. Në ligjin nr 114 të vitit 2014, ligjvënësit ndryshuan rrënjësisht vlerën e dietave dhe bonuseve të tjera si karburant dhe telefon duke i rritur ndjeshëm.

Në pikën shtatë të vendimit thuhet: “Deputeti përfiton dieta ditore, për ditët e shërbimit brenda vendit, në masën 4 për qind të pagës bazë dhe vlerë hoteli deri në 3 000 lekë nata, kundrejt faturës tatimore dhe printimit të kasës elektronike bashkëlidhur”.

Ndërsa deputetët me vendbanim në rrethin e Tiranës përfitojnë dieta ditore deri në 6 ditë në muaj për ditët e shërbimit jashtë rrethit të Tiranës. Duke u ndalur në shpenzimet karburant dhe telefon, çdo deputetë me banim në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Elbasan përfitojnë 30-33.700 lekë, ndërsa për qarqet e tjera 40 mijë lekë.

Një “alo” që kushton ende në 2025

Një pagesë tjetër që ka mbetur standard është telefoni. Që nga viti 2014 për deputetët jepet 17.000 lekë për shpenzime telefoni dhe 20.000 për kryetarët e grupeve parlamentare.

Faktoje.al verifikoi tarifat telefonike që ofrojnë kompanitë mobile në vend. Pagesa mujore për telefon dhe internet pa limit, madje edhe me qindra minuta për thirrje ndërkombëtare variojnë nga 2500-3000 lekë në muaj. Edhe pse tarifat telefonike janë ulur vit pas viti, pagesat për deputetët për këtë zë mbesin të larta, duke e fiksuar në 17.000 lekë në muaj.

Deputetët që refuzojnë kompensimet e tepërta

Deputetët që kanë refuzuar disa muaj “dietat e majme”, rezulton të jenë Bujar Leskaj, Agron Shehaj, Sali Berisha dhe Blendi Klosi. Madje, Leskaj veçon nga të gjithë. Ndonëse rezulton pjesëmarrës në mbledhjet e komisioneve parlamentare përveç refuzimit për “faturat ushqimore”, nuk ka marrë edhe 17 mijë lekë shërbim telefonik. Nga analizimi i katër muajve shpenzime për deputetët, Leskaj, Shehaj, Berisha dhe Klosi rezultojnë që marrin më pak nga trajtimi i privilegjuar për deputetët.

E gjithë pjesa tjetër e deputetëve figurojnë në shuma të konsiderueshme në zërin “dieta ushqimore brenda vendit”, ku tarifa më e shpeshtë që afishohet në këtë zë është 148.920 lekë për secilin në muaj. Nëse në listë dalin pak deputetë që na kushtojnë “lirë”, pjesa tjetër është në shifra mjaft të larta, disa prej të cilëve kanë tarifë fikse duke marrë maksimalen e mundshme.

Antoneta Dhima, deputetja që nuk fal asnjë dietë

Nga analizimi i shpenzimeve rezulton se deputetët: Antoneta Dhima, Ilirjan Pendavinji, Asfloral Haxhiu, Greta Bardeli, Elton Korreshi, Zegjine Çaushi, Fadil Nasufi, Hatixhe Konomi, Gazmend Bardhi, Eljo Mile, Fidel Kreka, Ana Dajko etj, kanë marrë çdo muaj vlerat maksimale të mundshme, ku në total shkojnë deri në 300.000 mijë lekë, pa llogaritur pagën.

Vlerën më të madhe e përfitojnë kryesisht në zërin “dieta ushqimore brenda vendit” në vlerën maskimale të saj në shumën 148.920 lekë. “Kjo shifër, duke marrë në konsideratë maksimumi 22 ditë pune, tregon një kosto rreth 6500 lekë në ditë, që është relativisht e lartë për kontekstin shqiptar”, thotë eksperti i ekonomisë Ilir Brasha. (Faktoje.al)

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Kim Mehmeti: Kryeqendra e Edi Ramës është Beogradi

0

Analisti Kim Mehmeti, gjatë fjalës së tij në “Këndi i Kimit” në TËVË1, tha se Edi Rama nuk është i shqetësuar për dështimet e Shqiptarisë, por për dështimet e Serbisë.

Ai theksoi se ndikimi serb në Shqipëri nuk ka qënë më i fortë se sot asnjëherë tjetër.

“Asgjë s’është rastësore por punë shërbimesh sekrete që përçahen shqiptarët në këtë menyrë“- tha Mehmeti.

Më tej, Mehmeti tha se “qarqet serbe ruse dhe kineze financojnë, ndërkohë ne jemi mall që shitet lirë”.

Kim Mehmeti theksoi po ashtu se Edi Rama i shërben më shumë Beogradit.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

SPAK aksion në Vlorë, 7 urdhër-arreste për vrasjen e Gentian Qarrit

0

Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) ka lëshuar këtë të shtunë, 7 mars, shtatë urdhër-arreste për krime të rënda, duke goditur një nga grupet kryesore kriminale në Vlorë.

Strukturat e policisë Vlorë, forcat RENEA dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) kanë zbarkuar që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm te “Uji i Ftohtë”. U ushtruan kontrolle në banesat e personave të dyshuar për precedentë kriminalë.

Operacioni i befasishëm u monitorua edhe me dronë nga ajri.

Mësohet se është zbardhur (përmes komunikimeve në Sky ECC) vrasja e Gentian Qarrit, ngjarje e ndodhur më 6 shkurt 2021.

Rreth orës 18:16 të asaj dite, që për ironi ishte po e shtunë, në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës të qytetit, 40 vjeçarit iu bë atentat nga një automjet në lëvizje.

Qarri, me nofkën ”Gëçja”, fillimisht mbeti i plagosur, por si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital. Në vendngjarje u gjetën të paktën 11 gëzhoja, ndërsa viktima mori plumba në kraharor e këmbë.

Pak kohë pas ngjarjes, autoritetet gjetën të djegur një makinë Toyota me targa greke në Pyllin e Sodës, e cila dyshohej se u përkiste autorëve të ngjarjes. Në automjet, u gjet edhe një kallashnikov.

Qarri ka qenë i dënuar me 15 vjet burg në Itali për trafik droge dhe ishte rikthyer në atdhe 3 vite para se të ekzekutohej, ndërsa raportohet se ka punuar në fushën e montimit dhe riparimit të kondicionerëve.

Teksa pritet që SPAK të dalë me njoftim zyrtar, mësohet se tre nga personat që dyshohet se kanë lidhje me krimin e para 5 viteve, janë personazhe të njohura të botës së krimit, përkatësisht, Flodian Plaku (i njohur me nofkën “Pole Qorri”), Ervis Matodoshaj dhe Inez Hajrulla.

Plaku njihet si “koka’ e bandës së trafikut të drogës nga Vlora drejt Italisë. Ai u vu në pranga në Orikum më 3 gusht të vitit të shkuar, i akuzuar si një nga tre atentatorët e Gentjan Bejtjes. Ky i fundit u vra në mars të 2024-ës në Larushk të Fushë-Krujës.

Ndërkohë, Hajrulla, ose “i forti i Vlorës” është një emër i cilësuar si kontigjent kriminal për Policinë, i cili i ka shpëtuar dy atentateve, fillimisht në vitin 2017 dhe më pas në 2019-ën. Ai u vendos në shënjestër për t’u ekzekutuar nga bandat kriminale për shkak të kontrollit të territorit të lojërave të fatit. 

Hajrulla dhe Matodoshaj janë ende në kërkim nga blutë, ndërsa dy të tjerë ndodhen aktualisht në qeli.

Nga ana tjetër, një person është arrestuar në Greqi, ndërkohë që dy masa të tjera janë ekzekutuar në Itali, në bashkëpunim me autoritetet atje.

Siç bën me dije gazetarja Daci, në pranga ka përfunduar edhe një ish-efektiv policie, i cili më herët ishte dyshuar për përfshirje në ngjarje të tjera kriminale.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Jola Hysaj jep dorëheqjen nga posti i Sekretares për Marrëdheniet me Publikun në PD: Problemi themelor mbetet mungesa e hapjes reale brenda partisë

0

Jola Hysaj ka njoftuar dorëheqjen nga të gjitha pozicionet që ka mbajtur si edhe nga anëtarësia në Partinë Demokratike.

Nëpërmjet një statusi të gjatë në Facebook, Hysaj ka renditur edhe disa nga shqetësimet që ka evidentuar në këtë parti duke u nisur që nga mungesa e hapjes reale brenda PD.

DEKLARATË PUBLIKE

Pas më shumë se 20 vitesh angazhimi të pandërprerë në jetën politike dhe në shërbim të qytetarëve, kam marrë vendimin të jap dorëheqjen nga të gjitha pozicionet që kam mbajtur dhe që më janë besuar me votë, si edhe nga anëtarësia ime në Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Ky është një vendim i vështirë, por i domosdoshëm. Ai vjen si pasojë e një sërë zhvillimesh dhe vendimmarrjesh të njëpasnjëshme që, në gjykimin tim, janë larguar nga parimet mbi të cilat duhet të ndërtohet dhe të funksionojë një Parti Demokratike.

Së pari, mënyra se si u trajtua funksioni im si Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun. Ndërkohë që imazhi dhe përgjegjësia publike e këtij funksioni vazhduan të përdoren, kompetencat reale që i përkasin këtij roli. Një funksion i zgjedhur me votë nga anëtarët e Këshillit Kombëtar që u kufizuan dhe në praktikë u zhveshën nga përmbajtja e tyre. Kjo nuk cenon vetëm një individ, por vetë parimin e përfaqësimit që buron nga vota.

Së dyti, përjashtimi sistematik nga përfaqësimi në këshillat bashkiakë i njerëzve me kompetencë dhe integritet, të cilët kanë një kontribut të provuar në terren. Në vend të një përfaqësimi të hapur dhe meritokratik, vendimmarrja është përqendruar në një rreth gjithnjë e më të ngushtë njerëzish, duke e kthyer përfaqësimin politik në një proces të kontrolluar dhe jo në një proces të vërtetë demokratik.

Së treti, mënyra e hartimit të listave të mbyllura për Qarkun e Durrësit, ku u lanë jashtë figura që kanë investuar vite të tëra pune dhe përkushtimi në terren. Kjo nuk është vetëm një çështje personale, është tregues i një kulture vendimmarrjeje që nuk respekton meritën dhe kontributin.

Së katërti, mënyra se si kjo forcë politike menaxhoi procesin për institucionin e Avokatit të Popullit. Në gjykimin tim, ky ishte një gabim politik dhe institucional që dëmton seriozitetin dhe besueshmërinë e opozitës.

Por mbi të gjitha, problemi themelor mbetet mungesa e hapjes reale brenda Partisë Demokratike. Një parti politike duhet të jetë hapësirë debati, ideje dhe përfaqësimi. Sot, fatkeqësisht, ajo funksionon brenda një rrethi të ngushtë njerëzish, ku shpesh mungon respekti minimal jo vetëm ndaj bazës, por edhe ndaj vetë strukturave dhe hierarkisë së saj.

Forma dhe mënyra e organizimit të funksionimit të kësaj force politike ka arritur në një pikë ku edhe anëtarët e Kryesisë mësojnë vendime të rëndësishme nga mediat dhe jo nga strukturat e partisë. Kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë një parti demokratike dhe as mënyra se si respektohen institucionet e saj.

Për të gjitha këto arsye, kam vendosur të largohem, duke ruajtur mbi të gjitha integritetin tim personal dhe politik.

Dua të falënderoj të gjithë qytetarët, bashkëpunëtorët dhe mbështetësit që më kanë qëndruar pranë gjatë këtij rrugëtimi 20-vjeçar. Besimi i tyre ka qenë motivimi im më i madh për të punuar çdo ditë me përgjegjësi dhe përkushtim.

Angazhimi im për të kontribuar për qytetarët dhe për jetën publike nuk përfundon këtu. Ai do të vazhdojë me të njëjtin besim se Shqipëria ka nevojë për një politikë më të hapur, më meritokratike dhe më të ndershme ndaj qytetarëve.
Jola Hysaj

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Alizoti i del ‘kundër’ Berishës: Jam kundër përjashtimit të Salianjit nga PD

0

Deputeti i PD, Tomor Alizoti, deklaroi në emisionin “Kjo Javë” se është kundër përjashtimeve nga partia të individëve që mendojnë ndryshe nga lidershipi.

I pyetur për Ervin Salianjin dhe lëvizjen e tij për reformimin e partisë, Alizoti tha se është kundër përjashtimeve, kur një njeri kontribuon në PD dhe identifikohet me PD.

“Partia nuk i përket askujt, partia është bashkim vullnetar i njerëzve, kur një njeri kontribuon në PD, dhe identifikohet me PD, nuk përjashtohet. Unë jam për cdo individ që është brenda partisë që të mos ketë përjashtime. Kanë mendime të tyre, ndaj kemi vuajtur 50 vjet, që të kemi mendime të lira”, tha deputeti Alizoti.

Alizoti ka kujtuar një rast në të shkuarën kur Basha kërkonte të përjashtonte Myslim Murrizin.

“Unë kam një bindje, kujtoj dikur kur Basha donte të përjashtonte Myslim Murrizin dhe kam qenë kundër”, tha Alizoti.

Tomor Alizoti: Unë mendoj se Salianjit i është bërë padrejtësi, burgosja e tij ka qenë e padrejtë. Sa herë kam patur mundësi e kam vizituar. Unë kam një bindje, kujtoj dikur kur Basha donte të përjashtonte Myslim Murrizin dhe kam qenë kundër.

Jam kundër përjashtimit të individit nga partia. Partia nuk i përket askujt, partia është bashkim vullnetar i njerëzve, kur një njeri kontribuon në PD, dhe identifikohet me PD, nuk përjashtohet. Unë jam për cdo individ që është brenda partisë që të mos ketë përjashtime. Kanë mendime të tyre, ndaj kemi vuajtur 50 vjet, që të kemi mendime të lira.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx