Ballina Blog Faqe 78

Draft-raporti për Shqipërinë në PE, Beleri: 2/3 e vendit nuk furnizohet me ujë 24 orë

0

Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian,  eurodeputeti Fredi Beleri tha se Shqipëria ka një krizë domethënëse institucionale midis ekzekutivit dhe gjyqësorit për shkak të korrupsionit, ndërsa shtoi se  2/3 e vendit nuk furnizohet me ujë 24 orë. Ai shtoi se autoritetet shqiptare kanë treguar parregullsi me fondet e BE, si rasti OLAF.

“Në Shqipëri ka një krizë domethënëse institucionale midis ekzekutivit dhe gjyqësorit për shkak të korrupsionit. 2/3 e vendit nuk furnizohet me ujë 24 orë. Kemi parë parregullsi me fondet e BE. Rasti OLAF një ndër to. Dua të shoh progres dhe Shqipërinë në BE.

Nëse ky raport përpiqet thjesht ta prekë, përkundër paraqitjes së realitetit siç është, nuk do të kontribuojë në reformat e nevojshme. Do mbështes amendamentet që do të paraqesin kolegët”, tha Beleri gjatë prezantimit të draft-raportit për progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Cilin politikan simpatizojnë më shumë shqiptarët?

0

Nga Eduard Zaloshnja

Në 13 vjetët e fundit kam zhvilluar 126 sondazhe elektronikë, ku e shpërndaj linkun e pyetësorit me SMS krejt të rastësishme anekënd vendit. Dhe marrësit e pyetësorit e plotësojnë atë në mënyrë krejtësisht anonime.

Kuptohet që nuk ua dërgoj linket e pyetësorëve njëherazi të gjithë pjesëmarrësve të sondazheve të mia elektronike – përdor një sistem rrotacioni nga sondazhi në sondazh, për ta shpërndarë koston e dërgesave periodike të SMS-ve.

Sidoqoftë, për herë të parë dje, u dërgova një link me SMS njëherazi të gjithëve (pothuaj 20 mijë banorëve të rastësishëm të rritur të vendit, me karakteristika të ndryshme demografike, gjeografike, arsimore, e politike; dhe si rrjedhojë, realizova një sondazh me marzh gabimi statistikor vetëm +/-1%).

Pyetja kryesore në pyetësor ishte: “Për kë keni aktualisht opinionin Më pozitiv, Ramën, Berishën, apo asnjërin nga të dy?”

40% u përgjigjën se opinionin Më pozitiv ndër dy politikanët kryesorë e kanë për Ramën, dhe vetëm 19.2% për Berishën. Ndërsa plot 40.8% deklaruan se nuk kanë opinion pozitiv për asnjë nga të dy (shihni grafikun 1).

Duke i përkthyer statistikisht përqindjet e mësipërme në numra të popullsisë së rritur, simpatizantët e Ramës më rezultuan 760 mijë, të Berishës 365 mijë, dhe të asnjërit prej të dyve 775 mijë (shihni grafikun 2).

SHËNIM: Sipas sondazhit tim të parafundit, për PS-në ishin gati të votonin rreth 700 mijë, për PD-ASHM rreth 380 mijë, për të tjerat rreth 75 mijë, dhe rreth 745 mijë për asnjë parti. Më 11 maj 2025, rreth 760 mijë zgjedhës brenda vendit votuan për PS-në, rreth 500 mijë për PD-ASHM, rreth 200 mijë për partitë e tjera, dhe rreth 440 mijë nuk votuan fare.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Sala zbulon si e mori ftesën nga Rama për t’u bërë ministre e Shëndetësisë

0

Evis Sala ishte emër i padëgjuar më parë në politikë kur u emërua në shtator të vitit 2025 si Ministre e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale. Por ndërkohë në fushën e mjekësisë në botë, ajo ishte shumë e njohur pasi kishte drejtuar qendrën e imazherisë në një nga spitalet më të njohura në Itali.

Mbrëmjen e kësaj të mërkure, më 25 shkurt, Sala ka treguar në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”, se si i ka ardhur ftesa nga kryeministri Edi Rama për këtë pozicion, dilemat dhe se çfarë ka menduar kur ka ardhur në Shqipëri dhe ka parë nga afër situatën e shëndetësisë në vend.

“Ishte një telefonatë. Po dhe ishte një ftesë e kryeministrit Edi Rama për t’u takuar. Sigurisht që e takova, pa e ditur pse po e takoja. Mendoja se ishte një takim për t’u riparë, sepse njihemi prej vitesh. Por edhe atje u surprizova të them të vërtetën, sepse nuk kam qenë ndonjëherë e angazhuar në pozita politike. U suprizova nga ftesa”, tha ministrja Sala e cila sqaroi se njihej me kryeministrin Rama që nga koha e fëmijërisë, me të cilin i kishte ruajtur kontaktet ndër vite, edhe pse takimet e tyre ishin më të rralla.

A kishte dilema para se të pranonte postin? Ministrja u shpreh që: “Absolutisht. Së pari e mendova dhe nuk ishte një përgjigje ‘PO’ ose ‘JO’ e menjëhershme. Mora pak kohë për të menduar. Unë jam racionale si natyrë dhe dua t’i vlerësoj të gjithë indikatorët, pro-s dhe con-s (avantazhet dhe dizavantazhet).” Ajo shtoi se dilema vjen edhe nga fakti se ky është një pozicion i vështirë, dhe zbuloi se ishte konsultuar edhe me të afërmit para se të merrte vendimin.

Fevziu e pyeti ministren Sala se si ishte realiteti i Shëndetësisë në Shqipëri kur ajo e pa nga afër, siç ajo e kishte imagjinuar, apo totalisht ndryshe. Ajo u përgjigj se Shëndetësia në vend nuk ishte siç e kishte menduar dhe kuptoi se kishte shumë punë për të bërë. Por u shpreh se i kishte idetë gati.

“Realiteti që gjen kur nuk ke jetuar ose nuk e ke prekur situatën është gjithmonë më ndryshe. Kisha njohuri të disa sfidave e problemeve që kishte shëndetësia, por realiteti është gjithmonë pak më i ndryshëm kur nuk ke jetuar në vend.

Momenti i parë i realitetit nuk ishte demoralizues por ishte uau, këtu ka për të bërë punë dhe idetë i kam. Duhet ngritur ekipi. Sepse unë kam punuar gjithmonë në ekip dhe besoj se suksesi i individit bazohet në ekipin që ngre. Kur ekipi është i suksesshëm, edhe individi është i sukssesshëm.”, tha Sala.

E pyetur se përse e braktisi profesionin për t’u bërë ministre pas ftesës nga Rama, ajo u shpreh se nuk e shihte këtë si një braktisje.

“Nuk e quaj braktisje, sepse kur ke ndërtuar një karrierë të tillë, karrierën nuk e lë, karriera mbetet me ty. Mbetet eksperienca dhe mund të kthehesh gjithmonë. Sidomos mjekësia. Nuk e them që është e tillë, sepse kur ke një karrierë 30-vjeçare në një specialistet nuk është se e humbet përvojën apo saktësinë, por unë jam nomade në jetën time, jo si mjeke. Nomade në vendimmarrjet për të praktikuar në vende të ndryshme, i kam marrë sepse kanë qenë sfida”, tha ministrja Sala, duke shtuar se karrierën e saj 30-vjeçare në mjekësi, nuk e kishte ndërtuar vetëm si mjeke në profesion, por edhe si një menaxhere e mirë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ish-ministri socialist: Rama është autokrat, humbi me turp betejën në Gjykatën Kushtetuese

0

Ish-ministri i Financave Arben Malaj, e ka konsideruar Edi Ramën si një kryeministër autokrat.

Sipas tij, Rama është kryeministri që ka humbur me turp, më shumë beteja në Gjykatën Kushtetuese, pikërisht se është autokrat dhe dëshrion të ketë kontroll të plotë mbi shtetin.

Rruga e drejtë është rruga kushtetuese, atë përballë Rama e humbi me turp dhe ju thoni që Rama kishte të drejtë ta çonte në Gjykatë Kushtetuese. Çdo njeri ka të drejtë ta çojë në GJK, por Rama ka ekspertë dhe Rama është një kryeministër që ka humbur më shumë beteja në Gjykatën Kushtetuese sepse duket që është autokrat. Lidhur me debatin tjetër, unë shoh nëse është e vërtetë që PS do bëjë propozime të modelit rumun. Edhe modelin do ta marrim nga Rumania. Kemi zgjedhje individuale jo ekipe këshilltarësh me ekspertizë të thelluar shtet-formuese. PS pretendohet të bëjë një ndryshim në Kodin e Procedurave Penale, duke e bërë akoma më rumune, që askush s’mund të arrestohet pa kaluar dy shkallët e gjykimit”, tha Malaj i ftuar në emisionin “Off the Record” në A2CNN.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Heqja e imunitetit të Ballukut, PS mbledh grupin parlamentar dhe kabinetin qeveritar

0

Grupi Parlamentar i Partia Socialiste zhvillon ditën e enjte (nesër) një mbledhje të zgjeruar me ministrat e kabinetit qeveritar, e fokusuar në prezantimin e punës dhe raportimin për prioritetet kryesore.

Në takim pritet të diskutohet, por edhe të mbahet një qëndrim zyrtar në lidhje me imunitetin e Belinda Ballukut, për të cilën SPAK kërkon autorizim për arrestim.

Takimi nis në orën 11:00 me fjalën hapëse të Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

Ministrat do të paraqesin raportet e tyre përkatëse, me një kohëzgjatje prej 7 minutash secili. Në përfundim të mbledhjes, fjalën do ta marrë Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Shembja e rrugës në Librazhd rrit çmimin e biletës së transportit

0

Kush udhëton nga Korça në Tiranë dhe anasjelltas, paguan 300 lekë më shumë. A2 CNN raporton se linjat e transportit rriten çmimin e biletës për shkak të shembjes së rrugës në Librazhd.

Autobusët e mikrobusët prej 5 ditësh po lëvizin në rrugën alternative, Gramsh-Maliq, e cila është një rrugë interurbane (ndërqytetase) me distancë më të gjatë si dhe me kthesa të shumta.

Bileta e autobusit në linjën Korçë-Tiranë ishte 700 lekë, ndërsa tashmë është bërë 1000 lek. Qytetarët ankohen për koston e lartë dhe të papërballueshme pasi për të bërë rrugën vajtje-ardhje duhet të shpenzojnë plot 2 mijë lekë (20 euro).

Ndërsa Pogradeci e ka rritur me 400 lekë. Nga 600 në 1000 lekë. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Protesta e 28 shkurtit, Berisha: Këtë herë do jemi më kreativë 

0

Në konferencën e sotme me gazetarët, kreu i PD-së, Sali Berisha, komentoi protestën e radhës, që do të mbahet më datë 28 shkurt.

Kryedemokarti nuk përjashtoi skenarin e bllokimit të rrugëve, duke shtuar se do jetë kreative.

Ai u pyet nga gazetarët se si do të zhvillohet protesta, ku u përgjigj se ‘do të jetë ndryshe’, teksa theksoi se ‘asgjë nuk përjashtohet’.

Pyetje: U dakordësua për llojin e protestës, me datën 28 shkurt?

Berisha: Po dakordësohemi. Ndryshe do jetë. Ne tani kalojmë në forma të ndryshme protestash, i diversifikojmë, kemi kreativitet. Do eksplorohen forma të reja.

Pyetje: Një nga format? Bllokimi i rrugëve?

Berisha: Të gjitha format janë në konsideratë dhe kjo është vetëm protestë. Ne kemi vetëm protestë. Asgjë nuk përjashtohet. Të jemi realistë. Opsionet janë të gjitha.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Policia greke kontrolle në burgun e Domokos, gjenden celularë dhe thika në qelinë e Alket Rizait

0

Një operacion i befasishëm është zhvilluar në burgun e Burgun e Domokos nga oficerët e Drejtorisë greke për Luftimin e Krimit të Organizuar, në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Sipas burimeve, mes qelive të kontrolluara me imtësi ishin edhe ato të të dënuarit shqiptar Alket Rizaj, si dhe të një tjetër të dënuari shqiptar të njohur me nofkën “Sandri”, i konsideruar organizatori kryesor i transportit të 1.2 ton kokainë në Astakos, në rajonin e Aitoloakarnanisë, nga Karaibet në janar 2020. Gjatë kontrollit, oficerët sekuestruan telefona celularë, karikues dhe thika, pavarësisht se vetëm 24 orë më parë ishte kryer një tjetër operacion në të njëjtin burg, ku u kontrolluan 17 qeli.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se operacionet do të vijojnë në të gjitha burgjet e vendit, me synim ndalimin e futjes së armëve, lëndëve narkotike dhe sendeve të tjera të ndaluara.

Ndërkohë, hetimet vijojnë edhe për vrasjen e një të dënuari të rrezikshëm, i cili u ekzekutua me armë zjarri brenda ish-Burgut Qendror. Deri tani është arrestuar i dënuari që dyshohet se ka kryer të shtënat, si edhe drejtori i burgut. Megjithatë, sipas burimeve, nuk përjashtohet lëshimi i urdhër-arresteve të tjera teksa hetimet janë në zhvillim. Sipas raportimeve, Rizaj dyshohet se ka qenë i pranishëm në vendngjarje, por ai e ka mohuar këtë. Gjithsesi, burime pranë hetimit flasin për kontradikta mes deklarimeve të tij dhe dëshmive të dhëna nga rojet e burgut dhe persona të tjerë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

ILD nis hetim disiplinor për gjyqtaren Irena Gjoka

0

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD)  nisur hetimin disiplinor ndaj magjistrates Irena Gjoka, gjyqtare pranë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), pas një ankese të paraqitur nga Adriana Kalaja.

Sipas njoftimit zyrtar, ILD thotë se ka shqyrtuar ankesën e regjistruar dhe ka arritur në konkluzionin se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se gjyqtarja mund të ketë kryer veprime për shkelje disiplinore.

Në këto kushte, ILD thotë se ka vendosur nisjen e hetimit disiplinor me iniciativë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe me nismën e ankueses.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Kaosi total me rrugët në Shqipëri! Prej katër ditësh të bllokuar në Qafë-Thanë, kthehen mbrapsht drejt Maqedonisë dhjetëra kamionistë

0

Kaosi total me rrugët në Shqipëri dhe izolimi i juglindjes prej ditësh, ka sjellë problematika edhe në udhëtimet tregtare të kamionistëve vendas apo të huaj, pasi vendi ynë përdoret edhe si tranzit.

Pas katër ditësh të bllokuar në kufirin e Qafë-Thanës, dhjetëra kamionistë, kryesisht të huaj, do të kthehen mbrapsht, pasi nuk kalojnë dot në segmentin Pogradec-Librazhd, për shkak të shembjeve të rrugës te “Arrat e Gurrës” dhe në Dragostunjë.

Burime pranë pikës së kalimit kufitar kanë thënë se Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka marrë kontakt me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, të cilat do të lejojnë kthimin mbrapsht në Qafë Thanë të kamionëve si dhe do t’i pajisin me një dokument që të mundësohet kalimi në pikën e kalimit kufitar të Bllatës, nga ku më pas marrin Rrugën e Arbrit për në destinacion.

Prej 4 ditësh dhjetëra kamionistë ishin bllokuar në Qafë Thanë, por edhe pranë Hotolishtit, si pasojë e shembjes së rrugës në Dragostunjë.

Një ditë më parë ata lëshuan edhe një  apel ndaj shtetit shqiptar që to ndihmonte, pasi ndodheshin në situatë të vështirë dhe po u mbaronin ushqimet.

Ata u shprehën se kishin “një javë pa ujë dhe bukë” dhe në situatë kritike.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx