Ballina Blog Faqe 77

Shkarkimi i Belinda Ballukut, Berisha: Dështoi Lubia, por polli 3 ministra

0

Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar në rrjete sociale ndryshimet në kabinetin qeveritar të kryeministrit Rama, mes të cilave ishte dhe shkarkimi i Belinda Ballukut.

Berisha e komenton me një shprehje popullore se “u mbars mali e polli një mi”. Sipas tij, ministrat e rinj, Ermal Nufi, Enea Karakaçi dhe Eriona Ismaili janë pjellë të Belinda Ballukut.

Rama shkarkoi dhe Pirro Vengun nga ministri i Mbrojtjes një ditë më parë, gjithashtu dhe Elisa Spiropali, që u pasua në krye të Punëve të Jashtme nga diplomati Ferit Hoxha.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Bllokimi i aksit Librazhd-Prrenjas/ Shoqëria Civile protestë të hënën, ja 6 kërkesat e tyre për qeverinë

0

Këtë të premte, më 27 shkurt, Shoqëria Civile ka reaguar përmes një letre të hapur drejtuar institucioneve qendrore lidhur me situatën e krijuar pas bllokimit të aksit kombëtar Librazhd-Prrenjas, ndërsa ka njoftuar edhe zhvillimin e një proteste.

“Gjithashtu, ju noftojmë se ditën e hënë, më datë 2 mars, ora 17:00, përpara bashkisë Korçë do të mbahet një protestë qytetare për këtë qëllim.”, tha një përfaqësues.

Në këtë letër publike, nënshkruesit flasin për pasojat që ka sjellë bllokimi i rrugës, duke përfshirë kufizimin e lëvizjes së lirë, dëmtime të aktivitetit ekonomik dhe turistik, rritje të kostove të transportit dhe shtim të rreziqeve për sigurinë publike për shkak të devijimeve në rrugët alternative.

“Kërkesë për ndërhyrje urgjente dhe masa ekonomike mbështetëse për Qarkun Korçë pas bllokimit të aksit kombëtar Librazhd-Prrenjas. Kjo situatë ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në funksionimin normal të rajonit. Bllokimi i aksit ka kufizuar ndjeshëm lëvizjen e lirë të qytetarëve, ka dëmtuar aktivitetin ekonomik dhe turistik të Qarkut Korçë, si dhe ka rritur ndjeshëm kostot e transportit dhe të mallrave.

Njëkohësisht, devijimi i qarkullimit drejt akseve alternative ka shtuar rreziqet për sigurinë publike, për shkak të gjendjes jo optimale të këtyre rrugëve dhe fluksit të shtuar të mjeteve. Izolimi i pjesshëm i Qarkut Korçë po ndikon ndjeshëm në ekonominë familjare dhe në qëndrueshmërinë e bizneseve, ndërkohë që mungesa e një plani publik me afate të qarta po shton pasigurinë dhe paqartësinë. Duke qenë se kemi të bëjmë me një infrastrukturë kombëtare nën përgjegjësinë e institucioneve qendrore, konsiderojmë të domosdoshme një ndërhyrje të menjëhershme, të koordinuar dhe transparente.”, lexoi letrën një nga përfaqësuesit e nënshkruesve.

Shoqëria Civile i ka dërguar 6 kërkesa institucioneve, mes të cilave publikimin e një plani teknik me afate të qarta për stabilizimin e zonës së rrëshqitjes dhe rikthimin e qarkullimit.

“Presim një përgjigje zyrtare brenda afateve ligjore dhe shprehim gatishmërinë për të marrë pjesë në çdo tryezë konsultimi apo dëgjesë publike që do të organizohet për këtë çështje.”, thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Kërkesat e Shoqërisë Civile:

-Publikimin e një plani teknik ndërhyrjeje, me afate të qarta realizimi për stabilizimin e zonës së rrëshqitjes dhe rikthimin e qarkullimit të sigurt.

-Përmirësimin e menjëhershëm të gjendjes së akseve alternative dhe bypass-eve provizore, me ndërhyrje teknike emergjente për garantimin e sigurisë dhe lehtësimin e qarkullimit.

-Mbështetje financiare dhe masa lehtësuese ekonomike, për të kompensuar kostot shtesë që po rëndojnë mbi qytetarët dhe bizneset e rajonit, përfshirë sektorin e turizmit dhe transportit

-Garanci të qarta dhe transparente për furnizimin e pandërprerë të rajonit me mallra dhe karburant,

pas deklarimeve se kamionët e naftës nuk do të lejohen të qarkullojnë nga Maqedonia, por do të devijohen nga Kosova. Ky ndryshim i itinerarit ngre shqetësime serioze lidhur me sigurinë e furnizimit me hidrokarbure, kostot shtesë të transportit dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që mund të ketë në rritjen e çmimeve për qytetarët dhe bizneset e Qarkut Korçë.

-Raportim periodik publik (javor) mbi ecurinë e punimeve dhe masat e ndërmarra. (Drejtuar Qarkut Korçë)

-Hartimin e një plani strategjik alternativ kombëtar për lidhjen e juglindjes së vendit, në mënyrë që të reduktohet varësia nga një aks i vetëm rrugor. Qarku Korçë përfaqëson një zonë me rëndësi të veçantë ekonomike, prodhuese, turistike dhe strategjike për vendin. Ai është një nyje e rëndësishme ndërkufitare, duke pasur në territorin e tij katër pika doganore që lidhin Shqipërinë me vendet fqinje dhe që luajnë rol kyç në qarkullimin e mallrave, eksporteve dhe importeve.

Për rrjedhojë, bllokimi i aksit kryesor kombëtar nuk përbën thjesht një problem rajonal, por një çështje me impakt të drejtpërdrejtë në zinxhirin kombëtar të furnizimit, në tregtinë ndërkufitare dhe në ekonominë e vendit në tërësi.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Reuters: Rama shkarkon Ballukun mes akuzave për korrupsion dhe presionit të BE-së

0

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se kryeministri Rama ka shkarkuar zv.kryeministren dhe ministreshën e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndërsa ndryshimet bëhen në sfondin e një hetimi të SPAK-ut për korrupsion dhe tendera.

Artikulli thekson gjithashtu presionin e protestave opozitare dhe vështirësitë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE ndërsa kërkohet intensifikimi i luftës kundër korrupsionit.

Shkrimi i Reuters

Kryeministri shqiptar Edi Rama, në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, shkarkoi zëvendësen e tij, Belinda Balluku, e cila përballet me akuza për manipulim të tenderëve publikë, të cilat kanë nxitur protesta nga opozita.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, ngriti aktakuzë ndaj Ballukut në dhjetor, nën dyshimin se ka ndërhyrë në dhënien e dy kontratave ndërtimi në vitin 2021, me vlerë mbi 200 milionë euro.

Parlamenti pritet të vendosë më 5 mars nëse do t’i heqë imunitetin, çka do t’i hapte rrugë SPAK për arrestimin e saj.

Shqipëria, e cila synon të anëtarësohet në European Union deri në vitin 2030, përballet me presion nga blloku për të luftuar korrupsionin. Belinda Balluku, e cila mbante postet e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, i mohon akuzat për shkelje.

Edi Rama, i cili është në pushtet që prej vitit 2013, e mbrojti atë për muaj me radhë dhe nuk dha një arsye për shkarkimin e saj të enjten, në kuadër të një riorganizimi ku u ndryshuan shtatë poste në qeverinë e tij të Partia Socialiste e Shqipërisë, përfshirë ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm.

“Kryeministri e ka sqaruar që në fillim të këtij mandati se riorganizimet mund të jenë më të shpeshta, ndërsa gjatë afro katër muajve të fundit ai ka refuzuar tre herë dorëheqjen e zonjës Balluku,” tha zëdhënësja e qeverisë, Manjola Hasa, për Reuters në një deklaratë të dërguar me email. Belinda Balluku është parë si një figurë në ngjitje, e favorizuar nga Edi Rama si një pasardhëse e mundshme.

Që prej ngritjes së aktakuzës ndaj saj, partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Shqipërisë, ka zhvilluar protesta duke kërkuar dorëheqjen e Ramës, qeveria e të cilit është përfshirë nga disa skandale korrupsioni gjatë vitit të fundit.

Protestuesit kanë hedhur bomba molotov, ndërsa si policia ashtu edhe demonstruesit kanë mbetur të plagosur.

Zyrtarë të BE-së i kanë thënë Reuters se po e ndjekin nga afër mënyrën se si Rama po i trajton çështjet e korrupsionit dhe se lufta e vendit kundër krimit dhe korrupsionit është thelbësore për përpjekjen e vendit ballkanik për t’u anëtarësuar në bllok deri në vitin 2030.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Mamica u dogj”/ Shkullaku për ndryshimet në kabinet: Largimin e Spiropalit e vuri kusht Balluku

0

Gazetari Armand Shkullaku ka folur për ndryshimet në qeveri, ku Rama shkarkoi Ballukun, Spiropalin dhe Vëngun.

I ftuar në emisionin “Opinion” Shkullaku u shpreh se sipas tij shkarkimi i Elisa Spiropalit nga posti i ministres së Jashtme, ka qenë porosi e Belinda Ballukut, për shkak të rivalitetin që kanë pasur me njëra-tjetrën.

Sa u takon figurave të reja që kanë marrë poste drejtuese në disa ministri, Shkullaku i konsideroi si bishta të Belinda Ballukut dhe se për të nuk janë figura politike dhe nuk përfaqësojnë Partinë Socialiste.

Pjesë nga debati:

Armand Shkullaku: Kjo është një qeveri nga halli, këta janë bishtat e Belindës. Kjo tregon që, Mamica u dogj. Lavdet për liderin nuk të bëjnë punë, të bën punë pushteti që ke me grupet kriminale, me paratë që qarkullon dhe me votat që mbledh. Mamica iku dhe në të gjitha duhet ta pranojmë që ka ikur sepse e ka vënë kusht Bela.

Blendi Fevziu: Si e ka vënë Bela, që të ikë Spiropali?!

Armand Shkullaku: Patjetër! Të gjithë e dimë që, ka pasur një rivalitet mes Belindës dhe Elisa Spiropalit, sepse ajo është e bindur që ka folur kundër Belës etj.

Blendi Fevziu: Unë e di që ka qenë mes Belindës dhe Erion Veliajt, paska pasur shumë rivalitete.

Armand Shkullaku: Njëri ka qenë shef kabineti i Belindës, tjetri ka qenë i caktuar po i caktuar nga Belinda. Iu them bishta, sepse për mua në mandatin e katërt të një force politike, që është forcë tradicionale në Shqipëri, të mos kesh një përfaqësues politik, pra dikush tjetër mbledh votat dhe dikush tjetër ha kumbullat, pra këtu hiq Belindën, Elisa dhe Toni Gogu, pjesa tjetër për mua nuk përfaqësojnë PS.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ndryshime në qeveri/ Rama largon Ballukun, Spiropalin dhe Vengun

0

Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar pasditen e kësaj të enjte (26 shkurt 2026) kabinetin qeveritar, duke larguar nga postet tre prej ministrave të tij të besuar, Belinda Balluku, Elisa Spiropali dhe Pirro Vëngu.

Sipas ndryshimeve të bëra publike, Balluku do të zëvendësohet nga Albana Koçiu në postin e zv.kryeministres, ndërsa portofoli i ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës do të kontrollohet nga Enea Karakaçi, një vartës i Ballukut dhe së fundmi drejtor i OSHEE.

Po ashtu, Elisa Spiropali është larguar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe në vend të saj është vendosur Ferit Hoxha, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB.

Gjithashtu dhe Piro Vengu është larguar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes dhe postin e tij do e marrë Ermal Nufi, zv.sekretar i Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave.

Ndryshimet e plota në qeveri

  • Zv.kryeministre, Albana Koçiu– shkarkohet Belinda Balluku
  • Ministër i Brendshëm, Besfort Lamallari– zëvendëson Albana Koçiun
  • Ministër Drejtësie, Toni Gogu– zëvendëson Besfort Lamallarin
  • Ministër Energjitke, Enea Karakaçi– shkarkohet Belinda Balluku
  • Ministër i Mbrojtjes, Ermal Nufi– shkarkohet Pirro Vëngu
  • Ministër për Marrëdhënien me Parlamentin, Erjona Ismaili– zëvendëson Toni Gogun
  • Ministër i Jashtëm, Ferit Hoxha – Shkarkohet Elisa Spiropali

Ky riorganizim i qeverisë, vjen në një moment kur Rama po përballet me presion politik të shtuar, brenda vendit dhe nga partnerët ndërkombëtarë, për të adresuar çështje të sundimit të ligjit, veçanërisht pas pezullimit nga detyra të Ballukut nga GJKKO.

Autoritetet evropiane theksuan sërish ditën e sotme rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit si një nga kushtet kryesore në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Eurodeputeti Andrey Kovatchev, ishte ai i cili përmendi sot “çështjen Balluku” duke thënë se hetimet nga SPAK duhet të vazhdojnë të pacenuara dhe se kërkesa për heqjen e imunitetit duhet të marrë një përgjigje pa vonesë nga Kuvendi.

“Lufta kundër korrupsionit duhet të japë rezultate edhe më konkrete. Institucione si SPAK duhet të veprojnë të pavarur dhe në mënyrë efeciente, të lira nga presioni politik.  Hetimet që janë në vijim, përfshirë atë të Zv. Kryeministres duhet të vazhdojnë pa asnjë ndërhyrje. Zbatimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv. Shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imuniteti pa asnjë vonesë është përgjegjësi e parlamentit. Jam i shqetësuar për amandamentet në Kodin e Procedurës Penale për të mbrojtur zyrtarët nga pezullimi kur janë nën hetim”,- tha Kovatchev.

Edhe raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, tha se në Shqipëri korrupsioni mbetet një shqetësim i madh që kërkon adresim, vecanërisht ai i nivelit të lartë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Gazetari Lorenc Shehu, vlerësohet me “Mirënjohja e qytetit” nga kryetari i komunës së Deçanit në Kosovë.

0

Lorenc Shehu gazetari dhe realizuesi i Emisionit Gjurmët në Zjarr tv, është vlerësuar me titullin “Mirënjohja e qytetit” të Deçanit nga kryetari i komunës Bashkim Ramosaj. Ceremonia u organizua në 24 shkurt 2026, në zyrën e kryetarit të Komunës Deçan në Kosovë.

Ky vlerësim iu dha gazetarit Lorenc Shehu që realizon emisionin “Gjurmët”, me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në afirmimin e personaliteteve të shquara shqiptare dhe vlerave që ata përfaqësojnë gjithandej në trojet shqiptare”.

Përmes këtij emisioni, gazetari Lorenc Shehu ka sjellë në vëmendje histori frymëzuese, figura të shquara, tradita dhe ngjarje që pasqyrojnë identitetin dhe trashëgiminë historike, kulturore shqiptare por jo vetëm.

“Mirënjohja e qytetit” të Deçanit përbën një nder të veçantë për gazetarin, duke vlerësuar punën e tij të palodhur në shërbim të informimit, kujtesës historike dhe promovimit të vlerave kombëtare. Ky vlerësim nga Komuna e Deçanit është një dëshmi e rëndësisë që ka media në forcimin e identitetit dhe në lidhjen shpirtërore të shqiptarëve brenda dhe jashtë trojeve të tyre.

Ky moment shënon një tjetër arritje të rëndësishme në rrugëtimin profesional të Lorenc Shehut dhe një motivim për të vijuar misionin e tij në promovimin e historisë, kulturës dhe vlerave shqiptare. Gazetari Lorenc Shehu është vlerësuar më parē me ” Mirënjohje” nga Lidhja Shqiptare në Botē, me qendër në Bern të Zvicrës. Gjithashtu dhe Ramush Haradinaj i ka akorduar gazetarit Lorenc Shehu medaljen ” Me besim në zot, atdhe dhe shtet”. Prej vitit 2020 e nē vazhdim, gazetari Lorenc Shehu e transmeton Emisionin Gjurmët në Zjarr tv.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Perëndimi i “Diellës” dhe shembja e rrugëve “digjitale”

0

Nga Ilir Meta

“Diella” ishte një risi shokuese për opinionin vendas dhe ndërkombëtar.

Shumë “prekëse” ishte dhe fjala e saj në Kuvend, ku u bëri lutje skeptikëve të mos e lëndonin me paragjykimet e tyre.

Më në fund me ministren virtuale u harruan të gjitha ato raportet e nxira ndërkombëtare për vendin tonë, si lider i korrupsionit dhe ryshfetit në nivel kontinental dhe global.

Emërimi i saj ishte një shkelje e Kushtetutës, por në këtë rast qëllimi madhor e justifikonte cënimin e Kushtetutës, që është kthyer në normë në këtë vend edhe për hiçgjë.

Nuk kishte mënyrë më të mirë, më të shpejtë dhe më efikase për t’i treguar botës dhe njerëzimit se kishin çfarë të mësonin nga Shqipëria, sesa vetë shpikja e “Diellës”.

Ndaj edhe e bëri xhiron e botës duke pushtuar ballinat e mediave në çdo kontinent, diku me habi dhe diku me qesëndi.

Ndërsa përkrahësit e “Diellës” krenoheshin me këtë arritje dhe ia bënin hallall Qeverisë, që i kishte dhënë AKSHI-t, 1 miliard euro, “dashakeqësit” dhe “xhelozët” opozitarë merreshin me “çikërrima” si shkelja e Kushtetutës dhe ligjit apo dyshimin e “paarsyeshëm” se “Diella” ishte krijesa e Edi Ramës për të paracaktuar çdo tender dhe shmangur çdo përgjegjësi ligjore.

Por ç’ti bësh syrit të keq, që disa celularë ranë në duar të gabuara, ku provoheshin të gjitha akuzat e Berishës, por edhe atij Ahmetajt, që në vend të bënte burgun për Partinë, zgjodhi arratinë dhe sulmet ndaj kopshtit personal (AKSHI) që krijoi “Diellën”.

Si për dreq, u zbuluan edhe disa rrëmbime të disa biznesmenëve për të vërtetuar se “pa dashje” krijuesit e “Diellës” kishin vepruar si organizatë kriminale.

Dhe si të mos mjaftonin gjithë këto mbrapshti, së fundmi na doli se Ministrja antikorrupsion kishte vjedhur imazhin e një artisteje të nderuar, e cila heshti derisa ra bomba se “Diella” ishte krijesë e një organizate kriminale.

Për të mbrojtur imazhin e saj, me të drejtë, artistja ndoqi rrugën ligjore.

Kështu nisi xhiro e dytë e “Diellës” në mbarë botën.

U habita këto ditë kur pashë se “Diella” kishte pushtuar edhe ballinën e gjigandes të spanisht-folësve “El Pais”.

Tani edhe nga Meksika e deri përtej Argjentinës u informuan për “Diellën”.

Si të mos na mjaftonte kjo katastrofë, që na zeroi të gjitha arritjet dhe “fitorjet” digjitale në nivel botëror, këto ditë na u shembën edhe të gjitha rrugët e Jug-Lindjes dhe Korridori VIII u shkurtua deri te rrethrrotullimi i Elbasanit.

Si për dreq, u shqep edhe rruga e Lumit të Vlorës, atje ku kaloi vetë Kreu i Organizatës për në Kuç para zgjedhjeve për të bërë orakullin e 83 mandateve.

Ç’ti bësh, syri i keq i është qepur Qeverisë pa ndalim.

Pale, po edhe pista e “Formula Uno” u shkul si prej kartoni në Elbasan, ndërsa lideri global e inicioi jo vetëm për t’u zgjidhur hallet elbasanasve, që janë të dytët pas Kukësit për nivelin e varfërisë, por edhe për t’u treguar atyre të Abu Dabit, se nuk janë të pakonkurrueshëm.

Ndërkohë m’u kujtua paralajmërimi publik, që dhashë në Shkodër më 10 shkurt 2024, për rrezikun e shembjes së rrugës Korçë-Ersekë.

Pak ditë më pas erdhi një mesazh se ishte shembur rruga vërtet.

Nuk m’u besua dhe shkova në vend për ta parë. Një skenë gjigande krimi.

Në një gjatësi prej mbi 200 metra, rruga ishte shembur përdhe dhe kudo shikoje vetëm zhavorr, por edhe një cipë asphalt.

M’u kujtua se vetëm para tre javësh kisha kaluar mbi atë rrugë duke bërë vetë shoferin pas shumë vitesh.

Miri, një kolonjar i thekur, ishte pasagjer atë ditë.

Sapo hymë në rrugën e re të Ersekës, u lumturuam se më në fund kjo trevë aq e bukur dhe me aq histori po shpëtonte nga izolimi.

Kur papritur makina filloi të dridhej.

“Ore Miri, çfarë i ke bërë makinës, se po dridhet?”, – e pyes unë.

“Makina është në rregull Shef, – tha Miri, – por shiko çfarë i kanë bërë këta rrugës”.

Kështu është kur projektet e rrugëve bëhen me Google Maps nga zyra dhe supervizioni nga Tirana.

Dhe meqënëse ra fjala, që Korridori VIII ka mbetur te rrethrrotullimi i Elbasanit, kjo është e qartë, por a di dikush të thotë se ku fillon ky Korridor strategjik në vendin tonë? Te kullat e Alabbarit në Porto Romano, te Eco-Park në Spitallë apo te Durana Park?

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Imuniteti i Ballukut, Rama: Do pres raportin, nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve automatike

0

Kryeministri Edi Rama tha se zëvendësja e tij, Belinda Balluku, nuk ka pse të japë dorëheqjen pasi për të është ngritur akuzë nga SPAK.

“Do pres raportin e Këshillit të Mandateve, për të thënë edhe unë fjalën time”, tha Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist të enjten.

Ai përsëriti kërkesën e trefishtë të Ballukut për dorëheqje, të cilën ia ka refuzuar. “Belinda Balluku ma ka dorëzuar dorëheqjen tri herë, qysh kur iu ngrit akuza e parë, jo për korrupsion. Akuza nuk është për korrupsion, por për pabarazi në tendera. Pastaj ma ka sjellë përsëri, me shkrim dorëheqjen kur u pezullua dhe pastaj edhe një herë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. E kam hedhur unë tri herë poshtë kërkesën e saj”, tha Rama.

“Kam bindjen që në këtë fazë revolucionare të jetës institucionale të vendit, ku ndryshe nga vendet me drejtësi dhe me institucione të konsoliduar, ne nuk mund të hymë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë. E di unë shumë mirë teorinë dhe praktikën europiane të dorëheqjes morale, por sot në Shqipëri, ku përmes SPAK drejtësia po bën një shërbim të pamohueshëm për vendin, por edhe një dëm serioz për administratën, mekanizmi i qeverisjes nuk mund të kurdiset dhe shkurdiset sa herë bëhet një akuzë”. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Draft-raporti për Shqipërinë në PE, Beleri: 2/3 e vendit nuk furnizohet me ujë 24 orë

0

Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian,  eurodeputeti Fredi Beleri tha se Shqipëria ka një krizë domethënëse institucionale midis ekzekutivit dhe gjyqësorit për shkak të korrupsionit, ndërsa shtoi se  2/3 e vendit nuk furnizohet me ujë 24 orë. Ai shtoi se autoritetet shqiptare kanë treguar parregullsi me fondet e BE, si rasti OLAF.

“Në Shqipëri ka një krizë domethënëse institucionale midis ekzekutivit dhe gjyqësorit për shkak të korrupsionit. 2/3 e vendit nuk furnizohet me ujë 24 orë. Kemi parë parregullsi me fondet e BE. Rasti OLAF një ndër to. Dua të shoh progres dhe Shqipërinë në BE.

Nëse ky raport përpiqet thjesht ta prekë, përkundër paraqitjes së realitetit siç është, nuk do të kontribuojë në reformat e nevojshme. Do mbështes amendamentet që do të paraqesin kolegët”, tha Beleri gjatë prezantimit të draft-raportit për progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Cilin politikan simpatizojnë më shumë shqiptarët?

0

Nga Eduard Zaloshnja

Në 13 vjetët e fundit kam zhvilluar 126 sondazhe elektronikë, ku e shpërndaj linkun e pyetësorit me SMS krejt të rastësishme anekënd vendit. Dhe marrësit e pyetësorit e plotësojnë atë në mënyrë krejtësisht anonime.

Kuptohet që nuk ua dërgoj linket e pyetësorëve njëherazi të gjithë pjesëmarrësve të sondazheve të mia elektronike – përdor një sistem rrotacioni nga sondazhi në sondazh, për ta shpërndarë koston e dërgesave periodike të SMS-ve.

Sidoqoftë, për herë të parë dje, u dërgova një link me SMS njëherazi të gjithëve (pothuaj 20 mijë banorëve të rastësishëm të rritur të vendit, me karakteristika të ndryshme demografike, gjeografike, arsimore, e politike; dhe si rrjedhojë, realizova një sondazh me marzh gabimi statistikor vetëm +/-1%).

Pyetja kryesore në pyetësor ishte: “Për kë keni aktualisht opinionin Më pozitiv, Ramën, Berishën, apo asnjërin nga të dy?”

40% u përgjigjën se opinionin Më pozitiv ndër dy politikanët kryesorë e kanë për Ramën, dhe vetëm 19.2% për Berishën. Ndërsa plot 40.8% deklaruan se nuk kanë opinion pozitiv për asnjë nga të dy (shihni grafikun 1).

Duke i përkthyer statistikisht përqindjet e mësipërme në numra të popullsisë së rritur, simpatizantët e Ramës më rezultuan 760 mijë, të Berishës 365 mijë, dhe të asnjërit prej të dyve 775 mijë (shihni grafikun 2).

SHËNIM: Sipas sondazhit tim të parafundit, për PS-në ishin gati të votonin rreth 700 mijë, për PD-ASHM rreth 380 mijë, për të tjerat rreth 75 mijë, dhe rreth 745 mijë për asnjë parti. Më 11 maj 2025, rreth 760 mijë zgjedhës brenda vendit votuan për PS-në, rreth 500 mijë për PD-ASHM, rreth 200 mijë për partitë e tjera, dhe rreth 440 mijë nuk votuan fare.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx