Ballina Blog Faqe 81

Berisha thirrje Ballukut: Mos tento të arratisesh, edhe prapa diellit të gjej

0

Kryedemokrati Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët, ka paralajmëruar zv.kryeministren Belinda Balluku të mos arratiset nga Shqipëria, ndërkohë që në Kuvend është mbledhur Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të saj.

Ai e paralajmëron se edhe prapa diellit të shkoë, do ta gjejë dhe do ta rikthejmë në Shqipëri. Ai deklaron se, sipas fqinjës së Ballukut, kjo e fundit ka katër ditë që nuk ka shkuar në shtëpi.

“Sot në Kuvend po mbahet seanca e shtyre tre muaj, me të cilës Lubisë iu dhe mundësia të shkatërroj mijëra e mijëra dokumente, të intimidoje, kërcënojë dhjetëra dëshmitarë.

Ajo aty nuk është, komshia thotë “prej 4 ditësh nuk e kam parë të hyje në shtëpinë e saj. Një gjë i them “edhe prapa diellit të shkosh, do të të gjejmë dhe do të të rikthejmë në Shqipëri, ndaj mos tento të largohesh. Asaj dhe çdo njeriu tjetër“, tha Berisha.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Shembja e rrugës në Dragostunjë, ndërpritet energjia elektrike në disa fshatra të Librazhdit

0

Disa fshatra në Librazhd kanë mbetur pa energji elektrike. Mësohet se shtylla e tensionit të lartë do të çmontohet nga OST, pas shembjeve të dherave në Dragostunjë.

Energjia elektrike do të mungojë deri në orën 17:00. Zona të prekura nga ndërprerja janë: Babje, Buzgar, Drapata, Dragostunjë, Ferrë, Frarë, Hotolisht, Gurëkuqe dhe HEC-i Xhyrë.

Kujtojmë që situata në këtë aks është përkeqësuar gjatë ditës së sotme.

Rruga dytësore, e cila ishte hapur për të mundësuar kalimin provizor të mjeteve, ka pësuar një fundosje dhe rrëshqitje shkatërrimtare të një sipërfaqeje të madhe toke.

Lëvizja masive e dheut ka dëmtuar seriozisht punën e kryer ditët e fundit, duke e bërë të pakalueshëm për një kohë të gjatë këtë segment strategjik rrugor.

Po ashtu është ndaluar edhe qarkullimi i këmbësorëve, si dhe është vendosur sinjalistika për rrezikun që paraqet ky segment rrugor.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Debate në Këshillin e Imunitetit për ‘Ballukun’/ Bardhi: Mbledhja të bëhet me dyer të hapura, Balla: Jeni qesharakë

0

Këshilli i Imunitetit është mbledhur sot për rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Mbledhja me dyer të mbyllura është shoqëruar me debate. Kjo pasi demokratët kanë kërkuar që kjo mbledhje të mbahet me dyer të hapura, gjë që nuk është pranuar nga socialistët.

Gazment Bardhi tha se mbledhja mund të mbyllej vetëm kur prokurorët e SPAK ta shihnin të arsyeshme, kur të cenohej sekreti hetimor. 

“Në parim, mbledhjet e organeve të Kuvendit janë të hapura dhe nuk ka asnjë arsye që kjo mbledhje të mbahet me dyer të mbyllura. Ju zoti Kryetar keni detyrimin që ta hidhni këtë në votim. Nuk mund t’i fshiheni publikut vjedhjen nga Belinda Balluku të miliona eurove, apo bashkëfajësinë e Edi Ramës në këtë çështje”, ka thënë kreu i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi.

Bardhi ka ngritur shqetësimin për zvarritjen për më shumë se 2 muaj të kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Zëvendëskryeminsitres Belinda Balluku.

“Keni penguar për 2 muaj drejtësinë, keni shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren”- është shprehur Bardhi. 

Kreu i grupit parlamentar i PS Taulant Balla i është përgjigjur Bardhit duke i thënë se habitet si PD është kundër kërkesës së Prokurorit që mbledhja të mbahet me dyer të mbyllura.

“Kërkesa është e qartë, prokurori e do me dyer të mbyllura. Jeni qesharakë, thoni duam pikën 1 dhe nuk duam pikën 2 të të njëjtës kërkesë nga prokurori. Mjerë Shqipëria për këtë opozitë”, është shprehur Balla.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Juglindja e Shqipërisë e izoluar pas shembjes së rrugëve, Rama niset me helikopter për në Korçë

0

Prej disa ditësh rruga që lidh Tiranën me juglindjen e vendit është e bllokuar për shkak të shembjes në aksin Librazhd-Prrenjas.

Kryeministri Edi Rama ka planifikuar një vizitë në qytetin e Korçës, por për shkak të bllokimit të rrugës, ai ka zgjedhur të shkojë me helikopter.

Policia e Korçës është lajmëruar se kreu i qeverisë do zbresë me helikopter në 11:00 në Korçë, për inaugurimin e Polit të Dijes.

Nga kryeministria nuk ka njoftim në lidhje me takimin në fjalë, ndërsa mediat e Korçës kanë raportuar lajmin mbi vizitën në fjalë.

Kujtojmë se sot në mesditë ishte planifikuar hapja e rrugës, pas dëmtimeve që pësoi aksi në vendin e quajtur ‘Arra e Gurrës’.

Por sot në këtë vend, pati sërish rrëshqitje, duke bërë që të anulohen planet. Madje dhe mjetet e tonazhit të rëndë që po punonin për hapjen e rrugës janë zhvendosur nga vendi i ngjarjes, për shkak të rrezikshmërisë së lartë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Përkeqësohet situata në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, fundoset një pjesë e aksit

0

Segmenti i bllokuar në zonën e Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, që pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by-pass dhe aktivizimit të një rruge dytësore, ka pësuar një tjetër goditje të rëndë.

Mësohet se rruga dytësore, e cila ishte hapur për të mundësuar kalimin provizor të mjeteve, ka pësuar një rrëshqitje në një sipërfaqeje të madhe toke.

Lëvizja masive e dheut ka dëmtuar seriozisht punën e kryer ditët e fundit, duke e bërë të pakalueshëm për një kohë të gjatë këtë segment strategjik rrugor.

Specialistët paralajmërojnë se terreni në këtë zonë mbetet tepër i paqëndrueshëm, çka e bën çdo ndërhyrje teknike të vështirë dhe me rrezik të lartë.

ARRSH, me anë të një njoftimi sot në datë 23 shkurt, lajmëron se ky segment rrugor ka pësuar defekte dhe fundosje.

“Segmenti rrugor në zonën e Arrës së Gurrës në Librazhd pritej të hapej sot, mirëpo ka pësuar dëmtime dhe fundosje. Për këtë arsye, nuk mund të hapet gjatë ditës së sotme. Aktualisht segmenti është i pakalueshëm. Rruga dytësore ka pësuar rrëshqitje, duke dëmtuar edhe rrugën provizore, të ndërtuar më herët”, sqaron ARRSH.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Çështja “Balluku”, paraqitet në SPAK Sokol Balla

0

Gazetari Sokol Balla, është paraqitur sot në ambjentet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për tu marrë në pyetje lidhur me hetimet që po zhvillohen ndaj Belinda Ballukut.

Burime për Syri bëjnë me dije se Balla është ftuar nga prokurori Dritan Prençi, dhe po merret në pyetje si person që ka dijeni lidhur me dosjen “Balluku”.

Ndërkohë ditën e sotme pritet të mblidhet Këshilli i Mandateve me drejtues kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi për të shqyrtuar kërkesën e SPAK.

Nëse miratohet heqja e imunitetit, autoriteteve do t’u hapet rruga për të vijuar me procedurat ligjore ndaj Ballukut, përfshirë masat e mundshme të sigurisë, si arrest me burg, arrest shtëpie apo kontroll banese.

Mbledhja zhvillohet pas vendimit të Gjykata Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e qeverisë për pezullimin e vendimit të Gjykata e Lartë që kishte shkarkuar zv/kryeministren nga funksionet publike.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Akuzohen për dhunë në protestën e PD-së, procedohet Flamur Noka dhe Xhelal Mziu

0

Policia ka nisur hetimet ndaj deputetëve demokratë Flamur Noka dhe Xhelal Mziu, pasi akuzohen se kanë goditur dy persona gjatë protestës së Partisë Demokratike.

Sipas Policisë, Ndaj Nokës dhe Mziut është bërë një kallëzim nga shtetasit Krenar Metaj dhe Totem Toraj se, më datë 20.02.2026, gjatë tubimit të zhvilluar nga Partia Demokratike, janë shtyrë dhe goditur prej dy deputetëve.

 “Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit F. N. dhe Xh. M., pasi ndaj tyre kanë kallëzuar shtetasit K. M. dhe T. T. se, më datë 20.02.2026, gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, janë shtyrë dhe goditur prej tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Shqipëria virtuale dhe Shqipëria tjetër

0

Nga Ilir Kalemaj

Shqipëria na shpërfaqet shpesh si dy realitete paralele, dy narrativa të ndryshme, perceptime që nuk kanë asnjë pikë takimi.

Nga njëra anë është Shqipëria virtuale, ngjashëm si ministreshë Diella, një Shqipëri që shkëlqen në podiumet ndërkombëtare përmes eksportit të saj kryesor- kryeministrin, një Shqipëri e 11 milionë e kusur turistëve, e gratacielave dhe kullave që mbijnë pafundësisht në pak metra katrorë dhe po potencialisht do të na kthejnë dhe eksportues të arkitektëve në Gaza e gjetkë, një Shqipëri e rilindjes urbane dhe 100 fshatrave, e rrugëve që inagurohen disa herë për çdo kilometër të përfunduar, e investitorëve strategjikë dhe numrave magjikë.

Kemi edhe Shqipërinë tjetër, atë që shumëkush pranon që është ajo e vërteta. Shqipëria e fundit në Evropë (dhe jo vetëm krahasuar me vendet e BE-së) në shumicën e indekseve.

Shqipëria me rrogat dhe pensionet më mjerane jo vetëm në Evropë por edhe në Ballkan. Shqipëria e paradokseve që ndërkohë që çdo vit jepen mbi 2 milionë katrorë metra katrorë dhe Tirana dhe bregdeti betonizohen dhe shqiptarët ikin pa kthim si nga një vend në luftë, çmimet kanë shkuar në hapsanë, duke lënë pas Tiranën vetëm Lisbona në mbarë Evropën për shtrenjtësinë e çmimeve dhe vitet e punës që i duhen një shqiptari për të pasur një banesë.

E njëjta gjë vlen me çmimet e ushqimeve ku më tepër se 40 përqind e buxheteve familjare shkon për to si askund në Evropë, ndërkohë që duhet të ishte krejt e kundërta se euro ka humbur mbi 40 përqind të vlerës në tre vitet e fundit.

Ndërkohë që Zoti na ka pajisur më një klimë të mrekullueshme dhe ujëra që na rendisin të dytët në Evropë për frymë pas Norvegjisë, ujë nëçezma vjen me orar (shpeshherë dhe nuk vjen fare) dhe i papijshëm ndërkohë që flasim për eksport drejt Pulias matanë Adriatikut.

Pa folur për nivelet e ndotjes së ujërave që jemi të parët absolut në kontinentin evropian dhe ku shteti ka hequr prej kohësh dorë nga përgjegjësia dhe po ua faturon tashmë barrën bizneseve.

Ndërkohë që kemi të vetmen ministre virtuale në botë, nuk kemi asnjë sistem të pahakeruar dhe të dhënat e shqiptarëve janë në shesh të mejdanit dhe togfjalëshi “nuk punon sistemi” është më i përdoruri në shtet.

Flasim për kadastra dixhitale dhe para elektronike ndërkohë që jemi ende 100 vjet prapa për nga niveli i shërbimeve.

Kemi shtuar me mbi 30 mijë në 13 vjet numrin e administratës ndërkohë që reforma territorial-administrative u bë për ta reduktuar.

Për rrjedhojë kemi defiçit ekspertësh dhe sufiçit hajdutësh dhe patronazistësh. Ndërkohë as shërbimet nuk janë rritur dhe as përmisuar.

Flasim për bujqësinë dhe blegtorinë si prioritet por importojmë gjedhë nga Maqedonia, bulmet, drithëra pije dhe bulmet nga Serbia e me radhë, ndërkohë që Ballkani i Hapur ngeli thjesht një projekt i kapur.

Reagimi shoqëror duket i vakët pavarësisht përpjekjeve të opozitës se një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë ikur.

Ndërsa vet INSTATi qeveritar thotë që mbi 600 mijë shqiptarë kanë ikur nga Shqipëria nga 2013 deri në fund të 2025-ës, shifrat nga EUROSTAT të cilave i’u referohen të dhënave si numri i azilantëve, numri i atyre që përfitojnë leje qëndrimi apo pajisen me nënshtetësi evropiane dhe proxy të tjerë por edhe burime nga opozita, tregojnë se shifrat e vërteta janë sa dyfishi i atyre të raportuara nga burime zyrtare në Shqipëri.

Pra një bombë e vërtetë demografike që ka prekur vençarisht të rinjtë, profesionistët dhe shtresën e mesme që zakonisht janë katalizatorët e lëvizjeve sociale dhe ndryshimeve politike.

Një arsye tjetër është numri tejet i lartë i të punësuarëve në administratë publike që po i afrohet 200 mijëshit dhe që për të mbajtur vendin e punës shpesh i’u përdoret kërbaçi dhe kulaçi për t’u konformuar.

Natyrisht fakti që jemi vendi me ritmin dhe normën e plakjes më të shpejtë në Evropë ku tashmë kemi kapur dhe mesataren e moshës së vendeve të BE-së në vetëm pak vite dhe që numërojmë mbi 710 mijë pensionistë ku një e katërta e popullsisë janë mbi 65 vjeç, nuk është njëgjë që të bën fort optimistë për ritmet e ndryshimit.

Por ndonëse situata është zhgënjyese nuk duhet të jetë deprimuese.

Kryesore është që opozita në përgjithësi dhe PD si lokomotivë e saj në veçanti të arrijnë të kthejnë një frymë të përgjithshme pakënaqësie në planveprimi me synim strategjik përmbylljen e kilometrit të fundit të kësaj qeverie që është bërë si karroca e Dylit.

Strategjia duhet të synojë ecjen përpara nga ngecja e vendit në vendnumëro, nga skandalet që kanë kijuar një klimë revoltuese, nga korrupsioni që nuk ka të ndalur dhe pabarazia qëështë thelluar, në një marrsh ndryshimi të panegociueshëm që sintetizon pakënaqësitë individuale dhe të grupeve drejt një uragani popullor.

Natyrisht kjo kërkon kreativitet dhe ndryshim të atyre metodave që nuk funksionojnë.  Fjala bie, në vend që opozita të jetë njënjë pasqyrë negative e qeverisë që kur qeveria thotë “bardhë”, opozita thotë “zi”, të heqë dorë nga ky reagim mekanik dhe t’i kthehet mjeteve proaktive. Këto mund të jenë, krijimi i një “Alternative të Besueshme”.

Njerëzit e dinë çfarë nuk shkon me qeverinë sepse e jetojnë çdo ditë. Ata kanë nevojë të dinë se çfarë do të bëj PD dhe opozita kur të vijnë në pushtet. Duhet kaluar nga denoncimi te propozimi. Nga ana tjetër, kauzat mund të bashkojnë atje ku emrat ndajnë.

Opozita duhet të pushojë së qeni një konfederatë egosh ku secili flet me zë të veçantë sipas midesë. Duhet një front i përbashkët për çështje jetike si: emigrimi masiv, kostoja e jetesës dhe reforma zgjedhore. Gjithashtu duhet aktivizuar diaspora.

Diaspora nuk është thjesht burim parash, por burim votash dhe mendësie të re.

Një strategji agresive dhe profesionale për të përfshirë shqiptarët jashtë vendit do të ishte jo vetëm një mënyrë përfshirje i një trupe votuesish që mund të ndryshonin favorshëm status kuo-n por edhe një detyrim moral ndaj atyre që më shumë kanë dhënë sesa kanë marrë nga ky vend.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Adriatik Lapaj për protestën e opozitës: Qëndresa është beteja e vërtetë, jo ikja pas dy orësh

0

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, reagoi me tone ironike pas protestës së Partisë Demokratike, duke nënvizuar se beteja e vërtetë qëndron te qëndresa e pandërprerë në shesh dhe jo te largimi pas disa orësh.

“Shumë demokratë më thanë: ‘Adriatik, ejani bashkohuni me ne’, por unë iu përgjigja: të bashkohemi për çfarë? Nëse bëhet fjalë për të qëndruar në shesh dhe për ta detyruar Edi Ramën të tërhiqet, ne jemi këtu, dakord. Por nëse duhet të bashkohemi që pas dy orësh të largohemi sërish, këtë nuk e bëjmë,” deklaroi Lapaj.

Sipas tij, përmes qëndresës po i jepet jehonë çështjes në arenën ndërkombëtare dhe po rritet presioni ndaj aktorëve të tjerë opozitarë për t’iu bashkuar protestës.

“Me qëndresën tonë nuk po lejojmë që kjo plagë të mbyllet; përkundrazi, po ushtrojmë presion edhe mbi aktorë të tjerë opozitarë që të vijnë këtu dhe të përballen”, theksoi ai.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Bllokohet tërësisht qarkullimi në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas, rrezikohet shembja e urës

0

Situata në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”, në zonën e Dragostunjës, përgjatë aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, ka marrë përmasa alarmante, duke çuar në bllokimin e plotë të segmentit dhe duke ngritur pikëpyetje të forta mbi cilësinë e investimeve rrugore.

Autoritetet rrugore kanë njoftuar se segmenti problematik do të qëndrojë i mbyllur për një afat të pacaktuar, ndërsa ura në këtë zonë rrezikon seriozisht shembjen. Poshtë saj betoni po thërrmohet, çka tregon një degradim të avancuar të strukturës mbajtëse dhe rrezik real për kolaps.

ARRSH njofton se po merren masat e nevojshme për të ndërtuar një bypass provizor, ndërsa u bën thirrje drejtuesve  të shmangin këtë aks dhe të përdorin rrugë alternative.

“Do të ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve në këtë segment.  Ndërkohë nga ana e ARRSH po merren masat e nevojshme për të ndërtuar menjëherë një bypass provizor për sigurinë e qytetarëve dhe mjeteve.

U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë aks, ndërkohë që përdoruesit e autoveturave të përdorin rrugën alternative Maliq-Lozhan- Moglic-Gramsh- Elbasan deri në stabilizimin e plotë të situatës.

Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës. Çdo masë e marrë ka si qëllim të vetëm garantimin e sigurisë së jetës dhe parandalimin e incidenteve të mundshme”, njofton ARRSH.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx