Nga Artan Cena
Nëse një vend humbet popullsinë, fuqinë punëtore, fëmijët, arsimin dhe shëndetin publik, ai nuk është më thjesht në krizë, ai është në rrezik ekzistencial. Ky është realiteti i Shqipërisë së sotme, ku shifrat nuk janë më statistikë teknike, por aktakuza të heshtura ndaj një tranzicioni të zgjatur, një qeverisjeje të korruptuar dhe një politike të papërgjegjshme që ka prodhuar rrënim.
Në më pak se një dekadë, mbi 2 milion shqiptarë kanë braktisur vendin. Kjo përbën mbi 50% të popullsisë së Shqipërisë. Emigrimi nuk është më një zgjedhje për të kërkuar mundësi, është një mjet shpëtimi. Valët e largimit kanë përfshirë jo vetëm të rinjtë, por edhe profesionistët, mjekët, inxhinierët, mësuesit, studentët, shtresat mbi të cilat ndërtohet një shoqëri.
Ky eksod masiv është pasojë e një ekonomie që nuk krijon vende pune të qëndrueshme, një administrate publike të kapur nga klientelizmi dhe korrupsioni, dhe një sistemi drejtësie që nuk garanton as minimumin e besimit.
Në vitin 2013, norma e fertilitetit në Shqipëri ishte 2.5 lindje për grua, afër nivelit të zëvendësimit të popullsisë. Sot është ulur në 1.32, një nga më të ulëtat në Europë. Në të njëjtën kohë, raporti i lindjeve dhe vdekjeve është përmbysur: vetëm 20 mijë lindje në vit, përballë 30 mijë vdekjeve. Shqipëria po zvogëlohet çdo ditë, jo vetëm në numër, por në jetëgjatësi, në energji, në shpresë.
Sipas projeksioneve, 1.5 milion fëmijë nuk do të lindin më në Shqipëri në dekadat që vijnë. Kjo do të thotë jo vetëm shkolla bosh, por edhe mungesë e ardhshme e mjekëve, mësuesve, punëtorëve dhe qytetarëve që mbajnë në këmbë një shtet. Sipas nenit 73 të Kodit Penal shqiptar dhe konventave ndërkombëtare, kjo është një formë e heshtur e gjenocidit demografik, jo nga një armik i jashtëm, por nga braktisja e qëllimshme e detyrave publike nga shteti.
Në testet ndërkombëtare PISA, Shqipëria ka rënë me 70 vende në renditje në dekadën e fundit. Kjo nuk është vetëm një shifër, është pasqyrë e mungesës së reformës në arsim, e politizimit të sistemit dhe e shpërfilljes së mësuesve. Ndërkohë, 312 mijë nxënës dhe 180 mijë studentë mungojnë nga sistemi arsimor. Shkollat po mbyllen. Universitetet janë kthyer në diploma të kota, ndërkohë që të rinjtë largohen në masë për të studiuar jashtë, pa dëshirë për t’u kthyer.
Një vend që nuk investon në dije, i dorëzon vetes një të ardhme mediokre dhe të varur nga të tjerët.
Sipas të dhënave të pavarura, janë mbyllur afro 1.8 milion vende pune në dhjetë vitet e fundit. Bizneset e vogla kanë falimentuar për shkak të taksave të larta dhe mungesës së mbështetjes. Industria prodhuese është zëvendësuar me sektorin informal ose emigrimin si formë të vetme sigurie. Papunësia e fshehur, sidomos tek gratë dhe të rinjtë, është alarmante.
Nuk mund të ketë ekonomi të qëndrueshme kur fuqia punëtore largohet, punët nuk krijohen dhe pasuria përqendrohet në duart e një pakice që përfiton nga tenderët dhe privatizimet klienteliste.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), janë abuzuar mbi 12 miliardë euro në fondet publike. Për krahasim, kjo shifër përfaqëson një sasi më të madhe se 200 ton ar, një pasuri e humbur që mund të kishte ndryshuar rrënjësisht infrastrukturën, arsimin dhe shëndetësinë.
Në një kohë kur GDP-ja thuhet se është dyfishuar, paga reale dhe pensionet nuk kanë ndjekur të njëjtën rritje. Kjo për faktin se inflacioni ka qenë po ashtu 28%, duke e zhbërë efektin e rritjes. Pra, në realitet, qytetarët janë në të njëjtin nivel jetese, ose më keq, pavarësisht propagandës së zhvillimit.
Çdo pensionist në Shqipëri ka humbur mesatarisht nga 1.2 deri në 2.5 milion lekë të reja në vlerë reale gjatë viteve të fundit. Kjo për shkak të mosindeksimit të duhur të pensioneve dhe rritjes së çmimeve të ilaçeve dhe ushqimeve. Shumë vdesin pa mundur të blejnë medikamentet bazë, në një sistem shëndetësor që mbijeton vetëm falë përpjekjes së mjekëve të ndershëm.
Pensionistët janë trajtuar si barrë, jo si pasuri kombëtare, një tjetër tregues i rënies së vlerave themelore sociale.
Nuk jemi thjesht përballë një krize të përkohshme. Jemi në prag të një kolapsi demografik, ekonomik dhe moral që kërkon urgjentisht përgjegjësi politike, ristrukturim institucional dhe një rikthim të vlerave njerëzore dhe shoqërore.
Nëse nuk ndalojmë këtë rënie të lirë, shumë shpejt nuk do të kemi më një vend për të cilin të luftojmë, një gjuhë për të ruajtur, një komb për të trashëguar.




